back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Edhe pse jemi vonë… gjithçka mësohet! – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Edhe pse jemi vonë… gjithçka mësohet!

nga Ervina Toptani

Gjëja që unë i trembem më shumë është varfëria linguistike sepse në thelb është varfëri kulture. Eshtë pjesa më e rëndësishme që pasqyron në mënyrë të drejtpërdrejtë shpesh identitetin individual të njeriut.
Më shqetëson veçanërisht varfëria linguistike tek të rinjtë. Në Austri për shembull, nëpër gjimnaze, (se në universitet quhet e superuar si fazë) profesorët e gjuhës kanë për detyrë të shohin me kujdes maksimal sa është në gjendje një nxënës të shprehë mendimin, të shpjegojë konceptet, gjendjet dhe emocionet nëpërmjet fjalorit linguistik që disponon. Kështu nxjerrin dhe mesataren e fjalëve që nxënësi njeh, duke konstatuar, mbi baza racionale nivelin intelektual, kulturor të individit në faza të rëndësishme përgatitore për profesionin dhe jetën.
Në thelb ky është problem njohurish (konjitiv) studimi, leximi, pasurimi mendor e shpirtëror, pra problem akut kulturor. Nëse marrim shembull mësuesit, niveli i tyre kulturor në përgjithësi do të reflektojë ndjeshëm tek niveli kulturor e përgatitor i brezave. E nëse i referohemi politikanëve, niveli është katastrofik. Por ata kanë në dorë drejtimin e fateve të shoqërisë dhe përzgjedhja e tyre reflekton direkt nivelin kulturor të shoqërisë tonë shqiptare. (sa fjalë mund të njohë, të dijë një politikan shqiptar? Dëgjojini me vëmendje kur flasin se nuk disponojnë më shumë se 200-300 fjalë në fjalorin e tyre. Kjo reflekton menjëherë kulturën e përgjithshme të njeriut duke çuar tek përcaktimi i identitetit individual të gjithsecilit e dalim dhe në përfundime më të gjera konceptuale më pas mbi nivelin e polikës që bëhet dhe popullit që i zgjedh).
Ne arrijmë të shprehemi dhe tē mendojmë me aq fjalë sa njohim. Përpos atyre fjalëve nuk arrijmë të shpjegojmë më e për pasojë as nuk kuptojmë më. Çdo fjalë që ne përdorim mban brenda saj dhe kulturën me të cilën vetë fjala ka lindur. Nëpërmjet saj (fjala e folur, e shkruar, komunikimi) ndërtohet më pas skeleti i plotë i identitetit individual të gjithsecilit prej nesh shpesh duke reflektuar dhe identitetin e trashëguar familjar e kombëtar.
Të rinjtë që harrojnë fjalët ose që kanë një bagazh të ngushtë shprehimor, që nuk munden të shprehin e të artikulojnë qartë mendimin, ndjenjat, konceptet e gjendjet reflektojnë ndjeshëm papërgatitjen intelektuale të tyre (shpesh dhe të prindërve të tyre sikurse dhe shkollës ku përgatiten) e cila do te jetë përcaktuese më pas edhe për jetën në përgjithësi, në lidhje me profesionin e mbi të gjitha në lidhje me harrimin e kulturës.
Ne jemi vonë, shumë vonë si shoqëri në këtë aspekt. Gjithçka mësohet, askush nuk lind i ditur!
.
Marre nga muri i FB i Ervina Toptanit, 17 tetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.