back to top
18.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Poeticum & Poetë – poezi nga Erina Çoku

Gazeta

Erina Çoku
Erina Çoku

Poeticum & Poetë – poezi nga Erina Çoku

In Poeticum

Kjo poezi ngjizur me sytë e veshët e tu,
gropë e errët në gojën tënde,
gur me lak në qafën tënde,
pellg me ujë nën këmbët e tua.
Kjo.

Kjo bishë me të gjitha format,
egërsirë e vogël brenda trupit tënd
me frymën ftohmë, me ahtin zheg,
me ujin dallgë, me detin baticë,
me qiellin vranëti.
Kjo.

Kjo formë jete që plaset kraharorit tënd
një, dy, tre, shumë herë,
dhe ti i ndien krisjet, plasat, thyerjet
një, dy, tre, shumë herë.
Kjo.

Kjo poezi që kacavirret brenda lëkurës tënde
si një fëmijë i gëzuar këmbadoras,
si një krijesë e shpejtë në arrati,
si një pre e mbijetuar njëqind kafshimeve.
Kjo.

Kjo poezi që duhet thënë, që nuk duhet thënë,
që të ënjt duart, të thyen dhëmbët,
të çan lëkurën, të shpon mishin,
të shpërthen ujë sysh, të rrjedh gjak hundësh,
turjelë e re në eshtra, i burgosur androgjin në kafkë,
grahmë e re për diçka.
Kjo.

Kjo poezi që mbahet në ty, që mbahesh në të
e të ther në trup aq sa ta shpërthen,
të lë fill pa kuptim në ajër
gjersa lufta jote me boshin nis,
me siguri do të biesh, do të biesh
e po s’re, trupi yt do të gërryhet fort,
rrënjë të reja do të përgjaten brenda teje,
do të lëshojnë kërcej, degë e sytha
sërish, sërish.
Kjo.

Kjo poezi që të lufton ty dhe ti lufton atë,
dyshja jote besnike e mbijetës,
rrëzimi dhe ngritja,
agonia me kujtesë të largët vdekjeje,
përpëlitja me harresë të grisur jete,
drita dhe hija,
të gjitha zërat që mbjell e korr,
udha kah shkon, udha kah vjen,
gjithë koha që shtillet brenda saj,
gjithë koha që asgjësohet jashtë saj,
ti fantazmë e saj, ajo fantazmë e jotja,
mishi i trazuar, kocka e përzier,
palca e shqetë dhe gjaku i turbullt.
Kjo.

Kjo poezi që lind para përseve,
që përgjigjet para pyetjeve,
që nuk të duhet, që nuk i duhesh,
që e do pavarësisht, që të do pavarësisht,
kjo ndodhi e jotja në trupin tënd,
kjo luftë e vakët e jotja,
mes zotave të erës, të ujit, të zjarrit e të dheut
mes frymës, gjakut, mishit e kockës.
Kjo.

Erina Çoku
Erina Çoku

Poetët vetmojnë në çatinë e botës

Ata që flenë ka kohë,
flenë bukur më brinjë
dhe flokët u futen jastëkëve
duke gjarpëruar për gjah
ëndërr mishi të ngrohtë
lëng jete, frymë të nxehtë
të kuqe shkulm në tejza të hajthme.
Ata flenë.
Dhe ne jemi zgjuar.

Etja s’na merr kurrë
uria s’na mbërrin
si gurët dukemi në strehët e botës
gurë mbi gurë të kohës së ngrirë.

Ne jemi zgjuar përmbi gurë.
Dhe gurët druhen të flenë para nesh.

Flasim me vete
fjalët i thyejmë në gurë
e gurët i fshehin copat në vete
kinse në baltë t’i mbjellin sërish.

Ne jemi zgjuar.
E ata që flenë vetëm flenë.

Godonë kujtojmë ndonjëherë
a ia dimë trishtimin vallë?
Ne e presim dhe ai pret mbarimin e pritjes
të gjithë luajmë me durimin e tij
duke e zgjatur pritjen njëqind vjet
e pastaj diçka më shumë
thjesht për t’u hakmarrë me atë
që me pritjen tonë ushqen pritjen e vet.

Ne jemi zgjuar.
Dhe ata që flenë nuk i kuptojnë pritjet.

Godo pret të shpërndahen të gjithë
e ta shenjojë historia
meqë krijoi një ferr bosh ku asgjë nuk ndodh.
Të gjithë përflasin mungesën e heroit
që u përlëvdua pa bërë asgjë më shumë se pritja,
por Godo është ne e ne jemi Godo
dhe këtu përzihen zemrat tona
që na dallojnë prej gurëve.

Ne që jemi zgjuar
nuk i kuptojmë ata që flenë.

Ëndrrat tona s’kanë gjah,
shpirti ynë i butë,
ndjek pranverën në rrënjë të luleve
dhe më shumë se bletës
i ngjan një hibridi pa planet
dënuar me dhé.

Ne që rrimë zgjuar gjuetarë pa lule
na përndjekin si gjah ëndrrash ata që flenë.

Këngët tona,
trajektore jetike në ajër,
dënohen e bëhen mjaltë
që nuk ndërton strehë të sigurt
veç balsam për të gjallët e tjerë.

Ne jemi zgjuar e asgjë s’na ushqen,
por ata që flenë nginjen me dënimin tonë.
Godo pret ta gjejë rruga e humbur,
që hapat ta çojnë në çajtoren e parë,
mjalti tretet përrallës së çajit
dhe qiellzat nuk dinë asgjë
për lulet e dënuara
dhe thumbin në lëkurën e njeriut
që nuk i kupton vdekjet e vogla.

Ne që jemi zgjuar dimë këngë,
po ata që flenë kur kënduan?

Gjersa të shpjegojmë jetët tona
Godo ka kuptuar të vetën
dhe të gjitha palët presin të jetojnë,
gjersa jeta mbaron
dhe përqafimet përflasin krahët
puthjet përflasin gojët
frymët përflasin gjallimin.

Ne që jemi zgjuar i këndojmë jetës,
po ata që flenë kur jetojnë?

Ata që ndenjën zgjuar
janë gati të vdesin mbi ata që flenë,
vetëm për t’u treguar forcën e jetës së tyre
therje në mjaltë që tretet.

Ne jemi zgjuar.
Dhe këngët tona përkujdesin ata që flenë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.