back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Dritëz Shprese – 39 vjet më parë – nga Ramadan M. Pasmaçiu

Gazeta

Ramadan Pasmaçiu
Ramadan Pasmaçiu
Dritëz Shprese 39 vjet më parë
nga Ramadan M. Pasma
çiu

Ai mëngjes sikur ishte i zhytur i tëri në një dritë krejt tjetër. Në qiell nuk shiheshin tejembanë re të cekta, si të djeshmen. Dhe dielli, megjithëse nuk dukej qartë, sikur lëshonte mbi botën një ndriçim të çuditshëm, sipas një perdeje të grisur e të palarë!
Shkova, te Klubi i lagjes. Njerëzit i vinin filxhanët në buzë pa u ndjerë. Shikoheshin në sy të menduar dhe e ulnin kokën shpesh.
Banakierja e përlotur fshinte sytë me përparëse.
E njihja. I fola ngadalë e me keqardhje:
-Ç’të ka ndodhur, Zenepe!?
-Pse, nuk e ke marrë vesh!? – më pyeti si e mekur.
-Jo! Tashti sa dola!
-Ndërroi jetë shoku Enver! – m’u përgjigj dhe u ngashërye – Ç’na gjeti!
Hapa sytë vetullmbledhur.
-Jo, moj! Ç’e tmerrshme! – i thashë si i tronditur fort – Mos e bëj káfen fare! Ika!
Shpejtova për në institut. Lajmi tronditës ishte komunikuar. I gjeta të gjithë me pamje të zymtë. Disa nga gratë qanin.
-Ç’qe kjo mynxyrë! – tha Sanija, llogaritarja, dhe kafshoi buzën e poshtme – Si ai nuk bën më nëna!
Shokët e shoqet e institutit sikur përpiqeshin të dukeshin kush e kush më i pikëlluar e më i helmuar se tjetri! Fytyrat e tyre – të nxira. Heshtja – e përbindshme gjithandej! Nuk ndihej kurrfarë zëri e sikur asgjë nuk lëvizte. Ndonjëri sikur sforcohej të rrinte vetullngrysur e gojëmbyllur. Nga gratë kishte të atilla, që shtrëngoheshin të nxirrnin lot me zor.
Por, kulmi i shtirjes së njerëzve shpërtheu të nesërmen, në homazhet.
Vargu i gjatë, i gjallë e i pandërprerë vinte nga Sheshi “Skënderbej” me përngjasimin e një gjarpri të stërmadh e të goditur për vdekje, që mezi sa zvarritej ngathët për t’u zhdukur zgavrave të errëta. Njerëzit të lodhur ktheheshin djathtas ngadalë – ngadalë për te Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe kalonin të rreshtuar për herë të fundit përpara komandantit.
Gra e plaka, kur arrinin pranë arkivolit të zbuluar, ulërinin dhe shkulnin flokët! Ndonjërës, madjé, i binte të fikët! Shoqet e kapnin nga krahët dhe e tërhiqnin tutje. Thoshje se shumica e grave lebetiteshin si për t’u shënuar përgjithmonë përpara kamerave me atë dhimbje të pakufishme për udhëheqësin!
U çudita edhe më shumë, kur pashë Floreshën në kronikën e lajmeve të televizionit. Ishte daktilografiste në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Me tre fëmijë të vegjël. Me atë rrogë që merrte mezi sa i ushqente. Më pyeste gjithnjë nëse kisha ndonjë material për ta shtypur në shtëpi jashtë orarit.
Vura re se Floresha po ndukte faqet duke qarë, duke klithur e duke e goditur kokën me grusht, teksa kalonte përbri trupit pa jetë të të ndierit! Dhe isha i bindur se ajo, si sa e sa të tjera, shtyheshin në atë vaj nga tmerri prej sigurimit të shtetit, që ishte i pranishëm ngado. Ndaj dhe bënin çmos, si besnike të patundura të partisë, të tregonin sa shumë e kishin dashur udhëheqësin e lavdishëm. Më të përmbajturit ngushëllonin njëri-tjetrin seriozë:
“Ta kthejmë dhimbjen në forcë, shokë!”
“Të na rrojë partia, shokë!”
Kurse fjalët e së vesë, shoqes Nexhmije, “Na e la partinë të fortë!”, përsëriteshin shpesh si refren dhe krenarisht me cilindo, që i zgjaste asaj dorën gjithë pikëllim.
Në ditët që erdhën më pas, gratë nuk vishnin më rroba me ngjyra kur shkonin në punë. Edhe buzët me të kuq nuk i lyenin. Por, edhe të qeshnin, dukej se patën harruar! Ç’frikë!
Nëpunësit nuk dukeshin nëpër kafenera gjatë orarit zyrtar, siç e kishin zakon. Mblidheshin pranë televizorëve e radiove, që kumbonin me lloj – lloj programesh për rolin e pazëvendësueshëm të udhëheqësit të madh për çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë nazifashistë e tradhtarët e vendit! Për mbrojtjen e diktaturës së kllasës punëtore! Për lulëzimin e atdheut dhe të jetës së popullit!…
Njerëz madhështorë si Ai, thuhej nëpër emisionet televizive, lindnin njëherë në pesëqind vjet.

Diktatura dhe diktatorë...
Diktatura dhe diktatorë…

Gazetat çdo ditë – të mbushura me kujtime, që ngrinin lart lavdinë e Enver Hoxhës, me pjesë nga veprat e tij largpamëse, me krijime poetësh e shkrimtarësh kushtuar udhëheqësit…
Edhe në revistat për fëmijë, me urdhër nga drejtoria e shtypit dhe e propagandës e komitetit qëndror, u shtuan papritur, si kërpudhat pas shiut, poetët e vegjël! Plot vjersha e proza të shkurtra shprehnin dashurinë e tyre të thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për xhaxhin Enver!
Komiteti qëndror i partisë doli me vendime të mëdha!
Universitetit të Tiranës i vihej emri “Enver Hoxha”!
Organizata e fëmijëve nga 7 deri në 14 vjeç do të quhej nga atëherë e mbrapa: “Pionierët e Enverit”!…
Përmendore të madhërishme do të ngriheshin në Tiranë, Gjirokastër e në vende te tjera të Shqipërisë, nëpër sheshe e në oborre uzinash e fabrikash, në muzeume e ambiente institucionesh! Më i madhi monument do të ishte ai në sheshin kryesor, në qendër të kryeqytetit!
Një lëvizje e gjallë e tërë popullit dhe e partisë shpërtheu në të katra anët!
Të gjithë – radhështrënguar për ndarjen nga jeta të të lavdishmit e të pavdekëshmit udhëheqës!
Të gjithë – ta kthenin dhimbjen në forcë!
Të gjithë – në sulm, si një trup i vetëm, për fitorje të reja!
Një djalosh nga fisi im erdhi e më takoi në njërën nga ato ditë.
-S’po marr vesh ç’po bëhet! – më tha. – Ramiz Alia, burrë si gjysmë gruaje duket vërtet, por sikur po ia çon gjer në qiell namin Enver Hoxhës!
Ia ktheva duke qeshur.
-Vetëm ashtu mund të mbahet në këmbë. Nuk thotë kot gruaja e të ndjerit: “Na e la partinë të fortë!”
-Ah, pantera e zezë!
-Po do të vijë dita, – shtova unë, – kur do t’i rrëshqasë gjithçka nga dora Ramiz Alisë! Sado skile që është, e sado krime që mund të bëjë bashkë me panterën, nuk do ta përmbajnë dot të ardhmen! Prita e digës tashmë ka marrë krisë! Do të çahet ajo shumë shpejt! E kush mund të ketë forcë t’i vërë gjoksin shpërthimit të vrullshëm të ujit të rrëmbyer! Ndalet ai!? Të përlan e të vë përpara si lumi rrozgat!
Heshta për pak, buzëqesha dhe i thashë prapë:
-Mos e harro kurrë atë fjalën e vjetër: “Kur vdes tirani, vdes tirania!”
Ai më shtrëngoi dorën, mori frymë thellë dhe fytyra iu mbush me dritë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.