Dom Lazër Shantoja: Kujtime françeskane

0
14
Dom Lazër Shantoja (1891-1945)
Dom Lazër Shantoja (1891-1945)
Dom Lazër Shantoja... në pritje të Papës
Dom Lazër Shantoja… në pritje të Papës

Dom Lazër Shantoja

Kujtime françeskane…

Ishem kûnd katër a pêsë vjeç. Em atë (dritë i baftë shpirti) më muer nji ditë të dielle mbasdite për dore e, rrap-çap me at kambë drûni mbi kalldramin e shkallmuem të rrugzës së Marvukës, (dukej aj kalldram, me mâ shum gropa se gur, porsi goja e nji plake ku nuk kan mbetun mâ shum se dy a tre dhambë), shkuem në Kishë të Fretenvet në Gjuhadol. Kisha e Fretenvet aso kohe nuk ishte ndërtesa madhështore e artistike me të cilën stoliset e nderohet sod ajo lagje e Shkodra mbarë. N’at kohë ksaj kishe nuk i shiheshin veçse disa mure, qi mâ fort kishin hijen e nji rrenimi se të nji ndërtese. Sot katërdhetë e katër vjet kisha e Fretenvet ishte nji kapelë pak si e gjatë, e ngushtë dhe e ultë, nji pjesë e Kuvendit.
Hymë n’oborr. Në mjedis të tij nji marshallojë e madhe, e bukur, në lule. Rreth oborrit rrugina shtrue me guraleca të vogjel e symetrikë, zbukurue nga harqe të gjana. Dritorevet vareshin flamuj fetarë. Kundruell shihshe disa viza, do numra shkrue në mur, e nji thupër hekuri. Ishte ortari dielli. Nga nji derë e vogël, dera e kishës, dilshin tingullime e fjolla tymi. Kangë e kem. Popull i madh at ditë. Ishte dita e Sh’Ludovikut, nji ndër ndjesë ma të mëdha të Shkodrës s’atyne kohëvet.
Umbrrela venedikle te mëndafshta e shumngjyresh embulojshin japanxhe e degërmija. Hallvaxhija, miku i parë i fëmijevet, kalonte nëpër rruginë tue shitë hallvë e terhan e molla e krena gjelash veshun në sheqer të kuq. Jani, me tepsí maje krés, shit qahija e byrekë. Un at ditë piva nji gotë xhinxhibirrë… Baba më muer hopa e më vû me ndejë – dojshem mâ fort me pa se me pushue – në qoshen e nji dritoreje qorre. Në nji anë t’oborrit ishte ngrehë nji kathedër mbulue me disa peca të kuqe e sherita t’arët. Duel nji frat prej kishe e hypi aty me predikue. Ishte Padre Françeskja!
Kujtimi i parë i em françeskan.

Dom Lazër Shantoja (1891-1945)
Dom Lazër Shantoja (1891-1945)

* * *
“Ça po më don frati, moj babë!” Ishte em vlla qi kthehej prej shkollës së Fretenvet. Kishte kërkue të gjitha shkollat e qytetit e asnjanën nuk kishte mujtë me xanë vend. Tash e kishte gjetë! Kishte gjetë Fravoriston (kështu e quejshim na fëmijtë Fra Evariston) qi e donte mirë! Shkolla e Fretenvet! Uh sa shtyp të keq pat n’at kohë pa shtyp kjo shkollë françeskane. Nji shkollë për malsorë e fëmijë të vorfën… Për fëmijë me brakesha të shkyeme e kambëzdathun… Teneqe, ajo shkolla e Gjuhadolit! Nuk ishte aspak aristokratike! E mbandej! Shkollë ku mësohej shqip! A ke çë ndien! Po çë nevojë kan fëmijtë shqiptarë me xanë shqip? Paj shqip ata flasin se të bâjnë dita me nanën e babën! Ku duen me shkue ata me gjuhën shqipe! Ajo gjuhë nuk të çon përtej Shëngjinit, jahu! Gjuhë të hueja na lypen! Kështu flitej n’at kohë në Shkodrën t’onë.
Kur qe… N’at shkollë aq të përbuzun kumboi nji emën. Nji emën i madh qi e mbushi, qi e sundoi, qi e naltoi dhe vûni në fron shkollën shqipe dhe gjuhën shqipe në Shqipní.
Ish-famullitari i Gomsiqes, At Gjergj Fishta!
At ditë e at ditë, shkollën e Fretenvet dhe Françeskanët e Shqipnís mbarë i rrethoi shkëlqimi i nji symboli të rí, symboli i krenís me qênë e me u quejtun shqiptarë, symboli i pavarsís kombëtare! Ça kishin qênë e ça kishin bâmun Padër Toma, Padër Françeskja e tjerë plot për Fé, nisen të jenë e t’a bâjnë At Fishta e tuba e shokve të tij për Atdhé.
Shkolla shqipe! At Fishta!

Lazër Shantoja - Vepra
Lazër Shantoja – Vepra

* * *
I jam avitun ne e parë me nji ndienje frike At Gjergjit t’onë. Ai kishte mbërrîjtë në kulmin e Parnazit e un po u argtojshem në fund të tij me ndonji guralec të latuem prej ujit qi gurgullonte nga kroni i zanavet shqiptare. Këndojshëm “Lahutën”, më pëlqejshin “Anxat”, u kënaqshem me “Mrizin”, dilshe mendsh prej gzimi kur këndojshem “Rrokull botës” e “Rrokull Shqipnís”, e kronikën e përmuejshme e të pamujtëshme të numravet të parë të “Hyllit të Dritës”! Kush mundet me shkrue si ky? – thojshem at herë, e thom prap sod. At Fishta nuk mund të ndiqet e as duhet të ndiqet. Ai asht e do të mbetet i vetëm. Sikur të tânë të mëdhajt! Çdo imitim i artit të tij duhet të dalë me doemos nji karikaturë. Koha më ka dhanë arsye. Të gjithë ata qi janë mundue me na dalun “Fishta”, të gjithë pa përjashtim, kanë dështue. Kanë mujtë me i vjedhun Fishtës nji frazë, me i marrun uha nji trajtë, me ba rrugë der diku mbi falsarigën e shkrimevet të tija, por asnji nuk ka mujtë me mbërrîjtë der tu palci i stilit të tij. Fishta vetë bile kur në ndonji rasë âsht mundue me dalun likuret të tij, mos me qênë ma Fishta i parë, por me ngjeshun armë qi nuk ishin të tijat, na del i mangët dhe i vogëlsuem.
Shum âsht shkrue e shum do të shkruhet gjithnji mbi artin fishtjan. Në rasën e 60-vjetorit të tij qe botue dhe nji numër i veçantë i «Hyllit të Dritës» në nderim të Poetit tonë kombtar. Nder gjith ato shkrime nuk e këndova kurrkund të shenjuem e të theksuem meritimin ma të madh t’artit të tij. Kuj i ra në mend at herë me na thanë se Fishta shkruente mirë shqip, krejt shqip, vetëm shqip? E pra Goetheja tjetër lavd nuk dijti me i dhanë vetes por kët: “Ich kann ein bisschen gut Deutsch schreiben!” – Un dij të shkruej pak si mirë gjermanisht.
Shkrimet e Fishtës kanë erë toke shqiptare. Shpirtit të shqiptarit veshi i Fishtës i ka nxjerrë jonat ma të hollat, ma t’imtat, ma të thellat, ma t’ambëlat. Jonat qi përbâjnë jetën karakteristike të popullit tonë të vjetër. Âsht malsori, âsht mali, âsht gjaku shqiptar qi flet e shungullon e shkumbëzon ndër vargjet e Fishtës. E vargu i tij të trandë e të molisë.
E shoh sod Fishtën plak… (mos të na ndigjojë, pse e urren kët fjalë!) me nji shkop të trashë në dorë, tue ngrehë nji kambë rrëshqanë, mbi qafzën e murrët të zhgunit shêjin e nji akademiku. Ma kande, por ma fort kur e shoh ndejun. Sodis kështu ma mirë të tanë hijen qi lëshon trupi e ma fort shpirti i tij. Un nuk kam pamun ende nji shtat e nji fytyrë ma mikelanxheleske se shtatin e fytyrën e Fishtës sonë.
Nji model i denjë për Buonarottin e pavdekshëm. E tue e qyrun kët model-fenomen i ligjës së kundërtësivet – më ve mendja tu At Gjergji n’intimitet. E shoh kah lot spathish me mue në qelën e Sheldís, e shoh tue kuvendë në shoqní të vëllazenvet e të miqvet të vet, e shoh në dritën e kandilit të vojit të gurit kah farkon bashkë me mue (qoftë për at herë!) ma të famshin ditiramb politik të letersís shqipe…
Ah At Gjergj Fishta!

At Gjergj Fishta
At Gjergj Fishta

* * *
Rrethet e Shkodrës ishin mbushun me shatorre, e Shkodra vetë me ushtarë. Vijshin e shkojshin për ditë, e për ditë numri i tyne bâhej mâ i madh. Nën komandën e Turgut Pashës këta ushtarë anadollakë kishin ardhë me shtrue Malsín e Madhe qi kishte çue krye. Kryengritja e tyne muer mejherë trajtën e nji legjende, e maja e Deçiqit e Sukat e Moksetit e liqeni i Hotit e kazerma e Tuzit u bânë të famshme. Dedë Gjo Lulat e Gjelosh Gjokat po bâjshin me malet e tyne mrekullí. Për terr të natës lundra të zeza picigjate shprazëshin në limanin e doganës së qytetit trupa të varruemësh. Natën… Të varruemit nuk ishin ushtarë por, mjerisht, vullndetarë shqiptarë qi luftojshin kundra shqiptarvet.
Kishin prandej turp prej dritës së diellit!
Lufta prani e malsorët tuba-tuba dirgjeshin në qytet.
N’at pshtjellim lëvizjesh e kujtimesh un dajë disa fytyra. Janë Fretent e Malsís së Madhe! At Mati Prendushi, At Sebastjan Hila, Atë Karl Prendushi, Atë Luigj Bushati, Atë Bona! I kam gjithnji para sysh fytyrat krenare të këtyne Fretenvet famullitarë kah u silleshin per gjatë fushës së Çelës e të Serreqit krah për krah me krenët e atyne malevet kreshnike, kreshnikë ata vetë. I shoh sidomos në Kryeipeshkvín e Shkodrës kah i bâjshin kunorë të bukur e të meritueme at. Prelati zemërmadh, qi sidomos n’ato kohë kritike, vû në kandarin e politikës të tânë peshën e personalitetit të tij të madh, Emzot Jak Serreqit!
N’at tubë un dajë edhe dy shokë të mij mâ t’afërm, dy priftent e Malcís së Madhe, Emzot Nikoll Ashtën e Don Frano Karmën, të cilët n’at luftë drangojsh për lirín e Shqipnís bashkë me malsorë danë vuejtjet e mërgimin, luftën e ngadhnjimin.
Sod prej ksaj shoqnie kaq të bukur e madhështore ça ka mbetë? Nji kartuç ku dora e Kel Marubit ka ngjitë nji rryp letre të shëndritshme. Nji grup fotografije qi shoh të varun në ndonji mur plot lagështinë të qelavet t’ona katundi…

Lazër Shantoja - Vjenë, shtator 1928
Lazër Shantoja – Vjenë, shtator 1928

* * *
“Vorri i Fratit”, ishte dikur shum i përmendun në Shkodrën tonë. Gratë tona katolike shtegtojshin n’at vorr, pa dalun mirë drita, me kandila në dorë, dhe u ulshin në gjuj para nji guri në rrugë të madhe, kund njatje larg përtej Hanit të Salo Kalit. Shkojshin atje për me nxjerrë me luta qi i bâjshin Fratit të martirizuem shëndoshjen e ndonji të smueti. Nji bullë fytyrë-zbetë qitte sytë prej kapaku të çelun përgjymsë të nji derë oborri e shkonte mbandej, e shkreta, me mbledhun at grimë lëmoshë qi të devoçmet e Shkodrës kishin lanun tu ajo rrasë.
Kush ishte ai frat? Si i kanë thanë? Kur kje mbytë aty e në çë mënyrë? Un s’e dij. As gratë tona moderne nuk do të dijnë ndoshta sod se dikur nanat e gjyshet e tyne shkojshin me u lutë tu “Vorri i Fratit”!
Ai vorr i harruem më kujton sod vorre të tjera fretnish qi nuk do të harrohen.
Gjindet vorri në Kosovë i nji At Shtjefën Gjeçovit! Ishte i mirë, ishte zelltar, ishte i dijtun, ishte patriot! E mbyten në rrugë të madhe, porsi mbyten bishët e egra. Fytyrën e kishte t’egër. Kishte fytyrën e nji revolucjonari. Por ai qi, si un, ka pasë fatin me e avitë e me e njohun prej s’afërmi, âsht kujtue sesá butësí shpirti, sesá idealizëm të thjeshtë ndryente nji veshë kaq e vrazhdë.
A ka mujtë me dhanun kush ndonji fjalë t’ambël kujtimi mbi rrasën e vorrit të nji Frati qi qe edhe nji shkrimtar i madh?
“Veni mbi qivurin t’em nji shpatë, pse un kam qenë nji ushtar trim në luftën e lirís së njerzís!” Testamendi politik i poetit Heine mund të jetë edhe ai i Fratit letrar. E shpata qi Shqipnija ulë mbi vorrin e këtij ushtari quhet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”! Shpata e prehme me duerët e tija!
Nji vorr tjetër në Romë.
Në dhomën e bardhë të nji klinike dha shpirtin e bardhë nji At Ambroz Marlaskaj. Frati i pathyeshem dhe i papërkulshëm, frati qi urrente kompromiset, frati qi nuk donte me dijtë politikë. Frati me menden e hollë, me vullnetin e hekurt, me shpirtin e pastër, me jetën e shenjtë.
Ç’fat ky i pamishirshëm dhe i pashpjegueshëm qi Moizehat i bân gati përherë me vdekun larg tokës ku linden, larg tokës së premtueme…?
E në Shkodër kemi vorrin e nji frati artist! Kush ndër né s’e ka njoftun, kush ndër né s’e ka dashun At Martinin?

At Martin Gjoka (1890-1940)
At Martin Gjoka (1890-1940)

Un u pashë me tê nji ditë nadje herët në sakrestín e Kishës së Gjuhadolit. U rrokëm dhe u falem me zemër. Vetëm pak minuta ndejëm bashkë mbas pesëmëdhjetë vjetësh qi nuk e shifshim – e mbas nji moji mora vesht se At Martini kishte vdekë.
E kaloi jetën – bujar, me gjak e me shpirt – pa bujë.
Nji fytyrë e qeshun, e ambël, e përvujtë: françeskane në tanë kuptimin e fjalës. Janë fytyrë të tilla qi i apin gjallní të shenjtë atmosferës typike të heshtjeve kuvendore. Janë këto fytyra të qeshuna, të paqta e të pahile, qi na e bâjnë të bukur e të lakmueshëm kuvendin.
Vorri i Fratit! Vorre Fretënsh!

* * *
Marre me thanë, por në Dukagjin nuk kishe qenë kurrë.
Dëshirojshe mjaft me i pamun ato vise aq të përmenduna, sidomos mbas këndimit të tërhjekshëm të fejetonavet koliqjane: Letra nga Dukagjini. Shkova tekembramja në Dukagjin, mâ mirë me thanë, në Theth të Shalës, në gjymsën e dytë të gushtit të kaluem. Kur hyna n’automobil, para kronit të Bogës, e nisa me ju ngjitë leqevet të shuma e të ngushta qi të çojnë në Thore, më rrihte zemra prej kureshtie e prej gzimi. Për shoq rruga kishe zotni kontin Zaft a Sanfermo, me të cilin lidhme nji njohtje qi mâ vonë u bâ mikësí. Më thotë: “Keni me pa panoramë me sy! Un njoh alpet e Tirolit e të Svicrës e të Skandinavjes, por nuk kam pa gjâ mâ të bukur e të madhnueshme se malet e Dukagjinit!!” Me folun të drejtën, këto fjalë m’u dukën pak si tepër të mëdhaja e un po pregatitshem në menden teme adjektivat mâ të bukur e shungullues për me i shprazun të gjitha në Thore para dukjes panoramike qi pritshem. Kur mbrrijta nalt e pashë… mbeta harrû! Nuk dijta me thanë tjetër por: Ah, oh! oh! Ah!
Sa bukur! Ato male, ato maje, ato shkame, ato humnere, ato hije, ato blerime, ajo botë guri viganore më lanë pa gojë…

At Anton Harapi (Pjerin Sheldija)
At Anton Harapi (Pjerin Sheldija)

Ku âsht qela e Fratit?
Ulemi, ulemi e qe, ne e djathtën, nji zallë, nji livadh, nji banesë mâ e madhe se të tjerat. At Anton Harapi e kishte zgjedhun tash sa vjet at vend për banesë verimi të xhakojvet, e un i kishem premtue se do të shkojshem nji ditë me e pa atje.
Kur më pau… Do të rrëfej këtu nji origjinalitet! Kur na të dy ndeshemi, mâ parë fillojmë me qeshë nji herë mirë e mirë, e mâ vonë ia nisim bisedës. Âsht kjo ndoshta mënyra mâ e mirë e mâ e shpejtë për me u marrun vesht me miq. Pse na me At Antonin jemi miq të moçëm.
Un e njoh kët frat (nuk po e veshi me adjektiva, mbasi adjektivat me të cillët zakonisht duem me veshë miqt, zbulojnë veten tonë…) qyshë se ai u quente Gaspër. E njoh me brakesha të leshta, me takije e caruqe në shkollën e Jezuitvet. Jezuitët janë mjeshtra për me diktue talenta, e kur i diktojnë, etiqetat i shkapërcejnë. At Antoni, Gaspri i atëhershëm, ishte i vetmi bashkë me të vllan, Markun, qi mund të përzihej n’at shkollë plot brandavekë e xhamadana e jelekë e pantallona e kravata.
Un e pashë së pari në… fron!
Ishte dita e të damit të çmimevet dhe emni mâ i parë qi u përmend qe ai i Gaspër Shirokës (At Antoni âsht prej Shiroke.) I përcjellun nga jonat e daulles së Frano Ndojës, ngjitej Gaspri shkallës së shqenës theatrore të salonit të Kolegjës Saverjane, me brakesha të bardha e caruqe të kuqe, nishanin në parzëm. Kështû e kam parasysh. Mbas disa ditësh më thotë nji shoq në rrugë të Jezuitvet: A din gja?! Gaspër Shiroka ka hy xhakue ndër freten!!
Sa vjet po bâhen? Tridhjet e tetë vjet! Nji jetë njeri! E në kët jetë njeri né të dyve na ka ra me jetue má se nji jetë. Kemi damun së bashku ideale e luftime e bashkë kemi hangër dhe bukën e burgut. E shoh sod At Antonin të lodhun… Âsht nji lis i rrahun prej shum duhísh e qi rrajët i ka të forta. E sodis kryetar xhakojsh në Qelën e Thethit. Tash e thërrasin me peshue nji shekë me djathë, mbandej me pa kah repet nji mëzat, mâ vonë me ndigjue nevojët e disa malsorvet. Shoh xhakojt kah losin, të lumtun, foot-ball në livadhin e blerë ku “Valbona” mësyn “Shtegun e Dhenvet” e del fituese. Shqenë bukolike n’at qetí pafajnije të bukur.
E sodis gjithnji At Antonin… Frati qi rrin e lot me fëmijë, të cilvet ditë për ditë u shtron bukën e gojës e gjellën e shpirtit. Kalon kohën tue edukue brêzet e reja françeskane në Shqipní!
Në heshtje e përvujtní!
Theth… Shalë.. Secila maje e atyne malevet âsht nji strofë epopeje kombëtare!
Të bijtë e Shë Françeskut tash qinda vjetësh banojnë aty. Ndër luginat e malevet mâ t’egra, bashkë me fatosat e bjeshkëvet mâ shqiptare. E Krisht e Shqipní âsht predikimi i tyne.
Jeta e tyne: Fé e Atdhé!

Meshë majë malesh...
Meshë majë malesh…

* * *
Kallxon legjenda se Shë Françeskun e quejshin “Hylli i Dritës”. Dante shkruen (Par. XI, 50-51)
“Di queste coste venne al mondo un sole.”
Shtatqindvjetuer françeskan!
Hyllë drite ka qenë ky Urdhën për vendin tonë.
Mbas sodit ai “hyllë” u bâftë “diellë”!
Me kët urim po i mbylli këto “kujtime françeskane”!
Marrë prej: “Vepra”, kujdesue prej Arben Markut et al., Botime Françeskane, Shkodër 2005, ff. 478-482.

Related Images:

Artikulli paraprakShembulli Kombëtar i Lurës, Medaljon shqiptar planetar i vizitës së Bekuar të Atit të Shenjtë Ramiz Lushaj
Artikulli tjetërVigan që prehje nuk gjen… Balladë nga Petraq Kolevica
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.