Dioqeza e Kunavisë – nga Prof. Lutfi Alia

0
12
Fragment i statuetës të Jezu Krishtit i kryqëzuar, në bronz, e shek. VI-X
Fragment i statuetës të Jezu Krishtit i kryqëzuar, në bronz, e shek. VI-X
Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Dioqeza e Kunavisë.

nga Prof. Lutfi Alia

Në Iliri, krishtërimi u përhap me Apostullin Pal, si e thekson në letrën e tij të vitit 58 e. s, ku shkruan: “Nga Jeruzalemi deri në Iliri, kam predikuar ungjillin e Krishtit” (Letra Romakëve 15; 19).1] Pra, pa mëdyshje, kisha iliro-arbërore është apostolike. Këtë rrethanë historike e theksojnë At Farlato dhe At Koleti, në veprën “Illiricum Sacrum”, ku shkruajnë: “Bashkësia e krishterëve të Durrësit, është më e vjetra e Ilirisë, e themeluar nga apostulli Pali në vitin 58 erës sonë”.2]
Në shek. I-II e.s, krishtërimi ishte fè e ndaluar dhe perandorët nga Neroni e deri te Diokleciani, kishin dhënë urdhër të persekutoheshin besimtarët. Në këto rrethana, të krishterët mblidheshin në vende të fshehta, ose në shtëpitë e besimtarëve, të quajtura Domus ecclesia (shtëpia e bashkësisë), sepse ende nuk ekzistonin kishat. Krishtërimi u përqafua herët në provincat e banuara nga ilirët, si dëshmohet nga martirizimi i Cesarit dhe Astit në Durrës; Hermesi, Ibasi, Feliksi dhe Peregrini në Apoloni; Terini në Butrint, Flori dhe Lauri ne Dardani etj.3] Peshkopi i parë i Durrësit dhe i Epirit të Ri ishte Çezari (viti 70), i dyti Asti (vitet 98-116).4] Shën Asti, peshkop i Durrësit, u arrestua ne vitin 116 e.s nga Agrikola guvernatori i Durrësit. Asti, nuk pranoi të nderonte perëndinë Dionis andaj romakët pasi e rrahën, e xhveshën, ia lyen trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku vdiq nga shocku anafilaktik, pas pickimeve të bletëve dhe grenzave.5]
Krishtërimi u legalizua si fe në shkurt të vitit 313 e. s. me Ediktin e Milanos (Dekreti i Milanos), i njohur si Edikti i tolerancës, që garantoi lirinë fetare dhe e shpalli krishtërimin fè zyrtare. Me këtë dekret iu dha fund persekutimeve të krishterëve, që ishte ligjëruar me Ediktin e Galerio të vitit 311.6]
Në shek. IV, krishtërimi u kodifikua me Biblën, u krijuan institucionet fetare si ipeshkvitë dhe dioqezat, famullitë, kishat dhe manastiret dhe njëkohësisht hierarkia: ipeshkëvët, kryeipeshkëvët, famullitarët, priftërinjtë dhe abatët (murgjët). Bibla ishte e shkruar në gjuhët greke dhe aramaike, ndërsa në vitin 382 e. s, prifti ilir Hieronymus (Shën Jeronimi), e përktheu librin e shenjtë në gjuhën latine, i njohur me emërin La Vulgata.7]
Në antikitetin e hershëm dhe të vonshëm, Epiri i Ri e përqafoi krishtërimin duke krijuar bashkësite fetare dhe në trevat e thella malore. Fshatarët e përqafuan krishtërimin si kundërvënie ndaj Costitutio Antoninana e njohur si Edikti i Karakallës e vitit 212 e. s, që u njihte citadinancën banorëve të perandorisë, por përjashtonte të quajturit dedittcii, pra populltën rurale (fshatarët).8]
Banorët e Prinicpatës së Kunavisë, ishin ndër të parët, që përqafuan krishtërimin, me kishat e para në fund të shek. IV.9]
Kishat ilire ishin në varësi të Romës, por nuk dihet viti i saktë kur u hapën te parat, andaj flitet rreth shek. IV-VI e. s, periudhë kur u formuan bashkësitë e para të krishtera dhe u ngritën ndërtesat e para të kultit, si bazilika, baptistere (pagëzimore) dhe kishat e para në Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Tiranë, Kunavia, Elbasan, Ohër, Vlorë, Sarandë, Butrint, Gjirokastër etj.
Autori i shek. të VI, Kosmas, i përfshin iliro-arbërorët në grupin e popujve të parë, që përqafuan krishterimin. Durrësi dhe Nikopoja ishin qendrat kryesore, nga ku krishtërimi u përhap në katër provincat ilire Preval, Dardani, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër.10]
.
Kishë ortodokse në Dioqezën e Kunavise, në thellësi të maleve.
Kishë ortodokse në Dioqezën e Kunavise, në thellësi të maleve.
Një dëshmi bindëse e përhapjes të krishtërimit dhe formimit të kulturës së krishterë ndër iliro-arbërit në shek. IV-VI e. s, është përdorimi i termave kishtare me origjinë nga gjuha latine, që shprehin shtresën më të vjetër të gjuhës shqipe kishtare. Moria e termave kishtare të shqipëruar, ose të përshtatura me mjeshtri në gjuhën iliro-arbërore, u përdorën në ritet fetare, në liturgji, në meshë, në rrëfimet, pasi kësisoj kuptohej nga populli, i cili i përdori në të folurën e përditëshme, ashtu si u përdorën në letërsinë kishtare të shek. XVI-XVIII dhe si përdoren në ditët e sotme. Terminologjia kishtare është identike për të dy kishat, çka dëshmon se u përkthye dhe u përshtat në gjuhën shqipe, para ndarjes të kishës, kur kisha iliro-arbërore ishte në varësi të Romës dhe përdorte gjuhën latine. Pa pretenduar t’i trajtoj të gjithë termat kishtare, në vazhdim po prezantoj disa më kryesorët: Christus-Krishti, Abatum-abat, Abbazia-abacia, Aeternitas-amëshim, Amen-amin, Angelus-engjëll, Batesimus-pagëzim, Benedictus-bekim, Calix-kaliçe, kupa; Calix sanctum-kupa e shenjtë, këlshejt; Canticum-kënga, Caritatis-mëshirim, Campana-këmbana, kumbona; Campanillum-këmbanore, Comunionum-kungim, Confesionum-rrëfim, Conventus-kuvend, Cresima-kreshma, krisma; Cristianus-i krishterë, Crucis-kryq, Diachone-dhjak, diakon; Ecclesia-kisha, Elemosinum-lëmosha, Episcopatus-peshkopata, ipeshkëvia, Episcopus-peshkop, ipeshkëv; Evangelium-ungjilli, Fratum-frat, frati, Infernum-ferri, Litanum-litania, Iter-altar, Messario-meshari, Missa-mesha, Monaca-murgesha, Monachus-murg, Monastirum-manastir, Navitatis-Krishtlindja , Këshënella; Praedicant-predikoj, Paschalis-pashka, Pecatum-mëkat, Pretium-prift, Rosarium-rruzare, Rosalia-rrëshaja, Sacerdos-prift, presbyteros-prift i vjetere, Sanctum-i shenjtë, shenjëtor, Sacramentum-sakrament, Suora-motra murgeshe, Te Deum-(te falem Ty o Zot, Sancta Trinitas-Trinia e shenjtë (Triniteti), Spiritus sanctum-shpirti i shenjtë etj, etj.
Ritet fetare dhe liturgjia ne kishat iliro-arbërore zhvilloheshin në gjuhën latine dhe greke antike, por përkthimi dhe përshtatja e termave latine në gjuhën iliro-arbërore, dëshmon se katekizma, kungimet, pagëzimi, rrëfimi, mësimi i parimeve themelore të doktrinës së krishterë, zhvilloheshin në gjuhën amtare iliro-albaneze, pasi vetëm kësisoj, kuptoheshin nga njerëzit e thjeshtë. Pra gjuha ishte faktori që lidhi komponentët etno-kulturore me ato shpritërorë-fetarë, duke kontribuar në formimin e individualiteti kombëtar të arbërve.
E njëjta dukuri ndodhi me emrat e shenjtorëve apostolikë dhe të martirëve të hershëm krishtërimit, të cilët u përshtatën në gjuhën iliro-arbërore, kësisoj Paulus u quajt Pal, Stefanus-Shtjefen, Andrea-Ndre, Giovanni-Gjon, Demetrius-Dhimiter – Mitër, Giacomo-Gjokë, Tomasso-Toma, Nikolla-Kola, Georgius-Gjergj-Gjel etj. Kjo praktikë për t’i përshtatur emrat e shenjtorëve në gjuhën tonë, vazhdoi dhe me shenjtorët e shekujve të mesjetës së vonëshme, si me Shën Francesco, të cilin arbërit e quajtën Çesk dhe Fran; Shën Antonio – Shën Ndoj, Shën Ndou, Shën Noj, Sënoj etj, etj.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI, madje kishat e para iliro-arbërore kishin emrat e tyre. Në antikitetin e vonshëm dhe në mesjetën e herëshme, në trojet tona, u krijuan toponome të reja, me emrat e shenjtorëve dhe të martirëve të krishtërimit të kishave ilire-arbërore, madje emrat e rinj u shqipëruan dhe u përdorën si emra lagjesh, fshatrash, krahinash e malesh, për pasojë disa fshatra humbën emrin origjinal dhe morën emrat e shenjtorëve të kishave, të ipeshkëvive e të katedraleve të dioqezave sufragane, ndër të cilët po rendis: Shtish – e mori emërin nga Sanctus Matheus; Shëngjergj – Sanctum Georges, Shirgj dhe Shirgjan – Sanctus Sergius, Shijak – Sanctus Joachinus, Stefaniaka – Shtjefën – Sanctus Stefanus, Shëmri – Sancta Maria, Shupal dhe Shpal – Sanctus Paulus, Shijon, Shëngjun – Sanctus Johannes, Shiroka – Sanctus Rocco (Roko), Shënlli, Shëndellia – Sanctus Ilia, Shënpremte – Sanctus Veneranda, Shmili, Shumilli – Sanctus Mëhilli, Shubak – Sanctus Bakus, Shënkoll, Shinkoll, Shënik – Sanctus Nikolla; Shëndekla – Sanctus Tekla, Shëndre – Sanctus Andrea. Shëmitër- Sanctus Demetrius. Shënandoj, Snoj, Ndoj – Sanctus Antonio, Shënavlash – Sanctus Vlasus, Shtuder – Sanctus Teodorus, Shkallnuer – Sactus Januaris (Shën Kallnueri).
Kjo shpeshtësi dhe shtrirje e gjerë e toponimisë së krishterë në trevat shqiptare, tepër e rrallë në vendet e tjera ballkanike, dëshmon se populli ynë, besimin e krishterë e përqafoi, e përceptoi dhe e zbatoi në gjuhën amtare, në gjuhën iliro-arbërore. Kjo kulturë e krishterë shprehet dhe në trevën e Martaneshit, ku ende ruhen toponime të krishtera si Shëmtrina (Shën Mitër), Shënkoll (Shën Nikolla), Shën Premte, Shelleshi (Shën Aleksandri), Shumili (Shën Mëhilli), Shën Martini, Martinida, Snoji (Shën Antonio), Kroi i Kishës, Fushë Kisha, Gjoni (Shën Gjoni), Shkiara (Shën Kiara), Kisha e Dedës, Shqema e Kishës, Gurra e Murgut, Kisha e Hidrait, Arat e Kishës, Kroi i Krishtit (Kostenjë), si dhe emri i fshatit Peshk, me origjinë nga forma e shkurtuar e emrit Peshkopata, njëlloj si Peshkopia në Dibër, Peshkëpia në Vlorë, Peshkëpia në Sarandë etj.
Farlato, Eubel, Makuŝev, Gams etj, theksojnë se në fund të shek. të IV, banorët e Kunavisë në Epirin e Ri, e përqafuan krishtërimin, por vetëm në fund të shek. të V, kishat dhe manastiret e kësaj treve u organizuan në Dioqezën shufragane të Kunavisë, në varësi të ipeshkëvisë së Durrësit. 2, 11, 12]
“Illyricum sacrum” rezulton se kisha e pare në qendër të trevës, në antikitet mbante emrin e Shën Dhimitrit, e cila në shek. V e.s u bë katedrale e dioqezës shufragane të Kunavisë.12]
Në shek. V-VI, Kunavia ishte seli peshkopale: Diociesi Chuanviense. 13]
Në relacionin e viti 519, i deleguari i Papës Hormisdas, pasi vizitoi trojet iliro-arbërore, shkruan se krye-peshkopi i Durrësit dhe peshkopët e dioqezave sufragane të Stefaniakës, Kunavisë, Krujës, etj, vareshin nga Kostantinopoja, ndërsa Dioklea, Lezha, Skampa, vazhdonin të ishin të lidhura me Papën e Romës. Nga ky relacion kuptojme se Epiri i Ri kishte dioqeza të lidhura me Romën, dioqeza të lidhura me Kostantinopojën, por dhe dioqeza “të përziera”, si ajo e Kunavisë, me kisha të lidhura me Romën dhe disa të lidhura me Kostantinopojën.14] Gjatë shizmës të Akacit, dioqeza e Epirit të Ri kaloi në varësi të Patrikanës të Kostantinopojës. Këtë periudhë historike e shpjegon historiani Pëllumb Xhufi, i cili shkruan: “Arbërit, në mesjetën e herëshme, përqafuan të njëjtin besim fetar me Bizantin. Përhapja e fesë së krishterë në trojet tona, konfirmohet me faktet, se duke filluar nga shek. i IV, prania e selivë Peshkopale në Arbanon si të peshkopatave Skampa, Stefaniaka, Kunavia, Kruja, në varësi nga Metropolia e Durrësit, kishin kisha të mirëstrukturuara. Vlen të theksohet se, në ndryshim nga provincat fqinje Praevalis, Dardania, Epirus Vetus, kleri i provincës Epirus Novus, u lidhën me Kostantinopojën, kësisoj në momentin kur ndodhi “kriza akaciana” me Romën, u arrit deri në përplasje të hapur për të fituar kishën Ilirike”.
Kisha ilire në fundin e shek. të VI bëhet e njohur nëpërmjet korespondencës së Papës Gregori i Madh, i cili me dy qarkoret dërguar klerit të Ilirisë, ndriçon disi gjendjen fetare dhe gjendjen e popullit të rraskapitur nga sulmet sllavo-avare dhe prirjet për t’u lidhur me kishën bizantine. Papa i tërheq vëmendjen kryeipeshkëve të Durrësit dhe ipeshkëve të dioqezave shufragane të Stefaniakës, Krujës, Lezhës dhe Kunavisë, që të punojnë për forcimin e lidhjes me kishën e Romës.15]
Në regjistrin kishtar të viteve 905-907, të hartuar nga perandori bizantin Leo VI Sapiens (886-912), renditet dhe eklezia Chonubiensem (Kunavia), e cila ishte ipeshkëvi shufragane e Metropolisë së Durrësit, që atë kohë ishte zgjeruar dhe kishte në varësi ipeshkëvitë shufragane të Stafaniakës, Krujës, Kunavisë, Lezhës. Kunavia ishte dykishtare, pak kisha të varura nga Roma dhe shumica në varësi të Patriarkanës së Kostantinopojës.16] Kjo është arsyeja pse Farlato dhe Koleti, autorët e “Illiricum Sacrum”, kur flasin për dioqezën e Kunavisë për shek. IV- X, thonë se: Propaganda Fide, nuk ka dokumenta të hollësishme, pasi kjo dioqezë ishte nën varësi të Kostantinopojës.
Perandori bizantin Jan Cimiskes (John Tzimiskes – me origjinë armene) në vitin 976, shkruan se Metropolia e Durrësit shtrihej nga Tivari në Vlorë dhe kishte në varësi 15 peshkopata sufragane: Antivari, Ulqini, Shkodra, Drishti, Dioklea, Pulti, Elisoni, Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Benda, Amantia, Apollonia, Vlora etj.17, 18]
Në vitin 1022, Papa Benedikti VIII, ia hoqi Durrësit ipeshkëvitë e Tivarit dhe Ulqinit dhe ia kaloi kryeipeshkëvisë së Raguzës, ndërsa dioqezën e Kunavisë e la përsëri në varësi të Metropolisë së Durrësit.
Në shek. X-XI, ipeshkëvitë e Tivarit, Shkodrës, Drishtit, Pultit dhe Ulqinit ishin në varësi të Romës, ndërsa dioqezat e Durrësit, Krujës, Kunavisë, Stefaniakës.
Sipas arkimandritit Nil Dhoksopatri, në vitin 1143, nga 15 dioqeza, që kishte pasur në varësi, Metropolisë së Durrësit, i mbetën vetëm 4 dioqeza: Lezha, Kruja, Stefaniaka dhe Kunavia. Këto tre të fundit, ishin në territoret e Arbërisë dhe administrativisht të lidhura me Durrësin.19]
Dobësimi i pushtetit qendror të Bizantit dhe decentralizimi i tij, në fundin e shek. XII, ndikuan që Arbërit, të krijojnë një strukturë administrative të pavarur, me tipare të qarta shtetërore, e cila shpejt u kristalizua ne një dinasti sunduese me fisnikët vendas. Në vitin 1190 princi Progon themeloi Principatën e Arbërit, i pari shtet në historinë tonë mesjetare Principata feudale e Arbërit, me kryqendër Krujën e ruajti në mënyrë të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, duke krijuar një komunitet arbëror të fortë politik, administrativ dhe fetar. Princat e dinastisë Progoni, i forcuan lidhjet me Vatikanin. Papa Inoçenti III, në letrën dërguar në vitin 1208 princit Dhimitër Progoni, të cilin e quan “nobili viro Demetrio albanensi principi” dhe “Judex Albanorum”, i kërkon të braktisë fenë bizantine dhe të kalonte në rradhët e popujve katolikë. Në vitet e Shtetit të Arbërit, filloi kthesa, shumica e ipeshkëvive kaloi në varësi të Romës, mes tyre dhe ipeshkëvia e Kunavisë, madje nga viti 1210 dhe në vazhdim, 41 ipeshkëvit e dioqezës së Kunavisë ishin të gjithë katolikë, të emëruar nga Papa. Dhespoti i Artës Mihal Engjëll Komneni, në letrën e datës 20 qershor 1210, përmend dy burra fisnikë, Simonin peshkop i Kunavisë (Chunaviensem episcopum) dhe Theodhorin peshkopi i Cerenikës (Cernicensem episcopum). Dok. 35, Acta Diplom. vol. I.18, 20]
Forcimin e kishës katolike në Kunavia e përshkruan Papa Inoçenti IV, në letrën e 8 gushtit të viti 1250, që i dërgon Urdhrit të Predikatorëve në Hungari, të cilëve u bën thirrje, ku ndër të tjera thuhet: “…të kujdesen në veçanti për Kunavinë, sepse atje, disa peshkopë dhe shumë klerikë, jetojnë ende nën dominimin e grekëve, por duan sinqerisht ritin e kishës tonë të shenjtë Romane!”. (Šufflay, Acta diplomatica A, I, faqe 199).18]
Anonimi i Gorkës, në vitin 1308, shkruan se ipeshkëvitë e Arbërisë se mesme Kunavia, Stefaniaka dhe të Arbërisë veriore (Pulti dhe Dibra), “nuk janë as katolikë dhe as shizmatikë, por po të ishte dikush që t’u propozonte fjalën e Zotit, ata do të bëhen katolikë të pastër, sepse i duan latinët!”.21]
Në vitin 1332, kryepeshkopi i Tivarit Gulielmo Adae, në informacionin për mbretin e Francës, Filipi VI në Avinjon, shkruan se të gjithë banorët e Albanisë janë katolikë.22]
Pavarësisht nga këto mospërputhje, rëndësi ka se në shek. e XIV, albanezët u lidhën me kishën katolike, si tregon dhe M. Šufflay për ipeshkëvinë e Skampas, e cila në shek. XI-XII ishte dioqezë bizantine, ndërsa në shek. e XIV shfaqet si dioqezë katolike e Vregut (Vregensis, Bergarensis, Bregarensis).18]
Ndonëse Regnum Albaniae u shpall zyrtarisht në vitin 1272, në dokumentat papale, për herë të parë është përmendur në vitin 1317, në dy bulat e Papa Gjoni XXII dhe të dyja të lidhura me dioqezën e Kunavisë.
Dokumenti i parë i kancelarisë Papnore, është bula e Papës Gjoni XXII, e 10 maj 1317, që i drejtohet Imzot Guljelm Montegrano, ipeshkëv i Kunavisë, në kryeipeshkevinë e Durrësit të Regnum Albaniae, i cili urdhërohej të paraqitej në Avinjon, ku në këtë kohe ishte transferuar selia Papale. Kjo bulë, është me vlera të mëdha historike kombëtare, si për faktin se është i pari dokument, me të cilin Papa e njeh zyrtarisht Regnum Albaniae, por dhe sepse lidhet me historinë e trevës së Kunavisë, që ishte pjesë e Mbretërisë së Albanisë dhe të dioqezës, ku ishte forcuar kisha katolike. Rruga nga Kunava në Avinjon ka zgjatur rreth 20 ditë, sepse në bulën tjetër të datës 18 maj 1317, Papa e urdhëron Imzot Gulielm Montegranon, të paraqitet urgjentisht e personalisht brenda 20 ditëve “infra viginti dies se coram pontifice personaliter sistat”, çka na bën të supozojmë se ka arritë në dhjetë ditët e para te qershorit, por nuk dimë sa kohë qëndroi në Francë. Rëndesi ka, që pasi u kthye, Imzot Montegrano u bë inspirues dhe organizator i kryengritjeve antiserbe në Kunavi, Trafandina (Mirëdita), Mati, Kruja, Stefaniaka, Benda, Dibra etj.
Mbreti Karli I Anzhu, ishte katolik, kësisoj përkrahu e favorizoi forcimin e kishës katolike, si rezulton në një kronikë të vitit 1295, të Galvano di Levante, i cili tregon kthimin në katolikë të shumë familjeve fisnike si Skura, Matranga, Blinishti, Topia, Vrana, Martaseos i Martanas (Martaneshit), Dukagjini, Zakaria, etj dhe si kuptohet dhe popullsia e këtyre trevave, ndoqi shembullin e fisnikëve.
Bula e dytë e Papës Gjon XXII, e 17 shtator 1317, i drejtohet Imzot Ndreut (Andrea Croensis – Andrea Krutani), ipeshkëv i Krujës, i cili krahas detyrave të tjera, ngarkohej nga Papa të konfirmonte emërimin e At Gjon Rubeut në famullinë e kishës së Shën Nikolla në Petrosa, të dioqezës se Kunavisë, pra flitet për kishën e fshatit Lena të sotëm. At Gjon Rubeu, është i vetmi prelat i famullive të Kunavisë, që rezulton në dokumentat e kohës, çka sugjeron së duhet të ketë qenë klerik i rëndësishëm, për derisa ishte përmendur në buën e Papës. Sipas M. Šufflay, famullia e Shën Nikolla në Petrosa, ishte shumë e pasur.18, 23]
Nga shekulli XIII, Dioqeza e Kunavisë kishte Katedralen e Shën Gjon Pagëzorit, një ndërtesë madhështore e ndërtuar me mermer të latuar, si e përshkruajnë Farlato dhe Koleti, në veprën “Illirici sacrii”.
Në vitin 1374, Princi Karl Topia, i premtoi Papës, se ai dhe populli i Arbërit, do të përqafonin katolicizmin. Duke vlerësuar pushtetin e Karlit, si dhe përkrahjen e lidhjen me kishën katolike, Papa Grigori XI, i dha Karl Topise titullin “Grande Comte d’Albania – Kont i madh i Albanisë”. Gjatë sundimit të Karl Topia, kisha katolike e dioqezës së Kunavisë u fuqizua dhe në katedralen e Shën Gjon Pagëzorit në Kunavi, shërbyen katër peshkopë katolikë: Gjoni (Johannes de Hojo), Pietro, Francesku dhe Beninjus.
Në një dokument (Acta concistorio) të vitit 1420, rezulton se katedralia e dioqezës sufragane e Kunavisë, në antikitet mbante titullin e Shën Demetrii: “Sed nomine S. Demetrii antiquitus ornatam fuisse indicant acta; nec constat, quo tempore haec mutatio contigerit. Ecclesia Canoviensis titulo San Joannis Baptistae, nunc dicata est”, por më pas, u konsakrua me titulln e Shën Gjon Pagëzorit, por nuk dihet viti i saktë kur e ndryshoi emrin.2]
Me siguri emri iu ndryshua pas tërmetit të rëndë të vitit 1275, që shkëputi një pjesë të shkëmbit përballë, që e dëmtoi ndërtesën ekzistuese, ndërsa katedralja e rindërtuar u konsakrua Shën Gjon Pagëzori, mbrojtës i barinjëve, bujqëve dhe nga fatkeqësitë e natyrës.
Pjese nga Iliricum sacrii
Pjese nga Iliricum sacrii
At Farlato dhe At Koleti, në “Illirici sacrii” shkruajnë: “La Chiesa Canoviense è intitolata a San Giovanni Battista, verso il quale gli abitanti sono affetti da grande venerazione; il tempio della cattedrale è ancora integro, costruito di blocchi tagliati di bel marmo…” Në katedrale kishte afreske, ikona dhe shtatore shenjtorësh, që natyrisht u shkatërruan nga barbarët turq, kur e pushtuan këtë trevë, por banorët e Martaneshit kanë ruajtur dhe një statuetë të Jezu Krishtit, të derdhur në bronx dhe padyshim prodhuar në vend në farkat e Batrës, ose në farkat e Theknës, e gjetur në rrënojat në Fushë-Kishë të Theknës dhe e ruajtur nga malësorët martaneshas.
Bazuar në dokumentat e Propogandes Fide, At Farlato dhe At Koleti në veprën madhore “Illirici sacrii”, theksojnë se në shek. XIII-XV, dioqeza e Kunavisë kishte 23 famulli: “Da esso dipendevano 23 parrocchie, fra cui da notare una chiamata da Santa Maria “de Numenalta”, dove un tempo fu un celebre Monastero dell’Ordine Benedettino…”. Duke theksuar se ky kuvend është ndër më të hershmit i themeluar nga urdhëri benedektin, të cilin Farlato dhe Koleti e quajnë “Numenalta”, ndërsa Cordignano e sqaron se është “Shumë e Nalta Shën Maria Hyjlindëse e Martaneshit.”24]
Malësorët e Kunavisë e nderonin kultin e Shën Mërisë, si dëshmon gjetja në fshatin Gjon e një ikone të pikturuar në dru, me përmasa 12 x 7 cm, e cila mbahej e varur në qafë nga gratë. Në këtë ikonë është pikturuar Shën Maria dhe apostoli Shën Gjoni me librin në dorën e majtë, hartues i Ungjillit, por ndofta simbolizon dhe scriptorium të manastirit ku murgjit shkruanin dhe lidhnin libra.
.
Fragment i statuetës të Jezu Krishtit i kryqëzuar, në bronz, e shek. VI-X
Fragment i statuetës të Jezu Krishtit i kryqëzuar, në bronz, e shek. VI-X
Në manastrin e Hyjëlindses Shën Mëri, pas lutjeve, murgjërit kalonin kohë të gjatë në dhomat e shkrimit “scriptorium monasticum”, ku shkruanin, kopjonin e faqosnin libra. Me duart e tyre kanë shkruar ungjille, kodikë, mesharë, inkubula, letra, tekste katekizme, formula pagëzimi dhe celebrime martesash në kisha e trevës. Këto dorëshkrime shkruheshin në latinisht, në greqishten antike dhe në gjuhët sllave, por pa më të voglin dyshim, ndonjë është shkruar dhe në gjuhën albaneze, për derisa kjo ishte gjuha liturgjisë dhe e shërbimeve në 23 kishat e Kunavisë dhe në ato arbërore.
Studiuesi Valter Shtylla shkruan se: Abacia e Shën Mërisë në Martanesh, ishte një Kuvend katolik, qendër e rëndësishme fetare e familjes së Kastriotëve, të cilën Gjoni me Vojsaven dhe me fëmijët e vizitonte shpesh me dhurata dhe të holla. Manastiri, ka shërbyer si shkollë për përgatitjen e priftërinjve të rinj, prej ku më pas vazhdonin studimet për teologji në Padova.25]
Në Manastirin e Shën Marisë Hyjëlindëse, ndodhej dhe varri i Stanisha Kastriotit, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 1446.26]
.
Shën Maria & apostulli Shën Gjon me librin ne dorën e majtë. Ikonë e shek. VI-X
Shën Maria & apostulli Shën Gjon me librin ne dorën e majtë. Ikonë e shek. VI-X
Ndërmjet 23 famullive të dioqezës së Kunavisë, shquhen katedralja e Shën Gjon Pagëzorit, Manastiri i Shën Mërisë Hyjlindëse, abacia e Shën Aleksandrit në Val, ku mendohet se ishte varrosur Vojsava Kastrioti, famullia e Shën Nikollës dhe Shën Andrea në fshatin Lene, Manastiri i Shën Martinit dhe kisha e Shëne Premte në fshatin Peshk, kishat e Shën Gjergjit, Shën Kiara (në Malcu), Shën Gjonit, Shën Mëhillit në fshatin Gjon, Kisha e Qytezës në Val, etj, etj. Si rezulton nga kronikat e mesjetës, Gjergj Kastrioti adhuronte Shën Mëhillin, andaj shkonte shpesh në këtë kishë të fshatit Gjon, për të asistuar në meshat dhe ceremoni të ndryshme fetare.
Një aspekt tjetër interesant, e përshkruan von Hahn pas vizitës në Val në vitin 1853. Në librin e tij botuar në Vienë, ku tregon historinë e këmbanës së katedrales së Shën Gjon Pagëzorit: “Martineshi ruan deri në ditët e sotme një kambanë të madhe të kishës. Ajo përdorej për të thirrur mbledhjen e komunitetit. Në kohën e vdekjes së Sulltan Mahmudit, ora e qytetit te Elbasanit u dogj dhe kambana u shkri. Qytetarët e Elbasanit kërkuan të blejnë kambanën e Martineshit, por kjo kërkesë iu refuzua nga malësorët, kësisoj atyre iu desh të blenin një të re në Trieste”. “Diese Gebirgsansicht bildet den westlichen Eingang zur alten Candavia, Martinesch in der Nachbarschaft von Molajesch bewahrt bis anf den heutigen Tag eine grosse Kirchenglocke; sie wird jetzt dazu benutzt, um die Gemeinde zur Versammlung zu rufen. Als zur Zeit des Todes von Sultan Mahmud der Stadtuh-rthurm von Elbassan abbrannte und dessen Glocke schmolz, verlangten die Städter die Glocke von Martinesch zu kaufen, sie wurden aber abschläglich bedeutet, und mussten sich eine neue von Triest verschreiben”.27]
Siç shihet dhe në gjysmën e dytë të shek. të XIX, historia shumëshekullore e dioqezës së famëshme të Kunavisë dhe e katedrales së Shën Gjon Pagëzorit, ishin ende të gjalla, tërheqëse, inspiruese me misteret dhe misticizmin, të admirueshme me pasurinë e tyre historike, fetare, kulturore dhe patriotike.
.
Kunavia - Ilirum Sacrum
Kunavia – Ilirum Sacrum

Literatura

1.Angelo Ranon. San Paolo. Vita e lettere. Introduzione al nuovo testamento II. Messaggero. Padova 1991.
2.Daniele Farlato et Jacopo Coleti. Illyrici Sacrii: Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrhachiensis et Sirmiensis cum earum suffraganeis, 1751-1819. Tomo 7
3.Andrea Llukani. Krishtërimi në Shqipëri. Botim: T. Xhagjika” Tiranë, 2014, faqe 8- 11
4.Moikom Zeqo. Kulti i Shën Astit, Gazeta Shqiptare, 26. 04. 2001
5.Lutfi Alia. Kunavia I, Zemrashqiptare.net. 2012
6.Arnaldo Marcone. Pagano e cristiano. Vita e mito di Costantino, Roma-Bari, Laterza, 2002
7.Lutfi Alia. Shën Jeronimi i Ilirisë. Zemrashqiptare.net. 2012
8.Dione Cassio, Vita dei Severi, 77, 9, 5
9.Makuŝev. O Slavjanah v Albanie. Vavsavskij Univers. Izvestija. 1671. Heft 3, f. 128
10.Cosmas Indicopleustes christianae topographiae prologus, hypothesis, pinax. Traduttore Holstenius Lucas, 1596-1661, Topographia Christiana
11.Konrad Eubel, Hierarchia Catholica Medii Aevi, vol. 1, p. 218; vol. 2, p. 141; vol. 3, p. 175]
12.Pius Bonifacius Gams, Series episcoporum Ecclesiae Catholicae, Leipzig 1931, p. 408]
13.Indice generale alfabetico delle materie del dizionario di erudizione storico-ecclesiastica. Cav. Gaetano Moroni Romano, aiutante di camera dei sommi pontefici Gregorio XVI e Pio IX. anno 1878. Canovia già sede vescovile d’Epiro. Vol VII, pag. 198
14.Collection Avellana 81, Corpus Scriptorum Ecclesiasticorum Latinorum, XXXV ediz, Wien 1895-1898, f. 225-229
15.Gregoire, Epistolae, MGH, Ep. L.Hartmann, II, Reg. VIII-XIV, München 1978 (597599: (Ep. VIII, 10), (Epistolae IX, 156)
16.Darrouzès Jean. Notitiae episcopatum ecclesiae Constantinopolitanae: texte, critique, introduction et notes I. Inst. Franç. D’Etudes Byazantine. Paris 1981
17.Xhufi P. Dilemat e Arbërit. Shtëpia botuese “Pegi”, Tiranë 2006. f 477
18.Tholloczy L, Jiricek J, Sufflay: Acta et diplomata rex Albaniae mediae aetatis illustrantia. Volume II Vindobonae 1913-1918
19.A. Ducellier, L’Albanie entre Byzance et Venise, Xe – XVe siècles. – London 1987
20.Migne. Patrologia Latina. Vol.215. Roma. 1864; col. 1343-1344
21.Descriptio Europae Orientalis, a cura di O. Górka, anno MCCCVIII; Crakowie. Symtibus Acadeniae Litterarum. 1916
22.Gulielmus Adae. Directorium ad passgium faciendum per Philippum regem Franciae, in terram sanctam anno 1332. Paris 1906
23.Gjon Berisha. Arbërorët, ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore në shek. XI-XV. Prishtinë 2015
24.Cordignano Fulvio. Geografia ecclesiastica dell’Albania dagli ultimi decceni del secolo XVI alla metà del secolo XVII. Orientalia christiana periodica. Roma 1938
25.V. Shtylla, Gazeta Shqiptare. Shkurt 2018
26.Forschungen Vol 1, f. 142
27.Johann George von Hahn. Albanesische Studien” BD 1-3 Jena 1854
.
 

Related Images:

Artikulli paraprakArmiku ynë i përbashkët – nga Arben Kallamata
Artikulli tjetërNji Like – si kërcënim publik! – nga Ismete Selmanaj Leba
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.