back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Dimension i Unit poetit femëror, përmes vetvetes, në librin “Thuajse” të Ailda Mëngjesit – nga Emi Krosi

Gazeta

Alida Mengjesi - Thuajse
Alida Mengjesi – Thuajse

Dimension i Unit poetit femëror, përmes vetvetes,

në librin “Thuajse” të Ailda Mëngjesit

nga Emrije Krosi

Se dashuria është i vetmi hon/ ku duke rënë ngjitesh mbi re,/
e prej aty ndoshta do arrish t’i shohësh/ pak më mirë/ të tjerët dhe veten…,
Poezia: “Të të them diçka”.
Emrije Krosi
Emrije Krosi

Misioni më i vështirë i gjykimit të një poezie është, jo ftohtësia gjykuese, por leximi dhe rileximi, që të mundesh të gjesh kodin unik dhe personal të përfaqësimit të një poeti/eje apo një shkrimtari/ie, se secili ka stilin e tij edhe pse të gjithë lundrojnë në botën e madhe të internetit, për të njohur edhe shumë (si)motra apo (si)vëllezër krijues dhe letërsidashës. Në fushën e letrave shqipe, prej tre dekadash zëri femror po bëhet një zë unik, i përplotësuar duke i vetëmjaftuar edhe vetë letërsisë shqipe. Ka plot poete të reja (jo nga mosha) por forca e shprehjes stilistikore dhe letrare, që botojnë në gazetat dhe revistat online letrare dhe kulturore, por edhe nga ata që nuk botojnë fare për shumë arsye, madje edhe nga mendësia akoma patriarkale e shoqërisë tonë, se përdorimin i një fjalësi erotik si: vagina, spermë, ekztazë, seks etj., edhe nga lexueset femra, quhet vulgare. Ashtu dhe kodet poetike vertikalisht (që përngjasmojnë me formën e organit mashkullor penisit), në rrafshin horizontal me kodet poetike femërore,quhen të turpshme, tabu, imorale etj…etj., se feminizmi është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve.

***

Para ca ditësh lexova në faqen e Jozef Radit një poezi të Ailda Mëngjesit, që jeton në Amerikë, dhe më la një ndjesi të veçantë. I kërkova të ma dërgonte me email me pdf, librin e saj me poezi, për një vështrim më të thellë të brendësisë poetike. Libri poetik, “Thuajse” e Ailda Mëngjesit, ka 117 poezi, të botura sipas radhitjes së autores, për arsye të një shkrimi modest, poezitë janë ndarë sipas tematikave, në formën e një diskursi poetik:

 -diskursi poetik i Unit personal femëror: (mënya e qasjes ndaj botës nëpërmjet zërit femëror-poetik), me poezitë: “Përfytyro”, “Unë nuk të kam thënë”, “Kur u linda”, “A mund”, “I mban mend”, “Një ditë”, “Sidoqoftë”, “Vajza që kishte ftohtë”, “Hera e parë”, “Unë nuk jam poete” ,“The story of my life”, “Nuk të kam pyetur”, “Nuk më kujtohet asgjë” , “Mos më pyet pse shkruaj” . Shkallaret e shpirtit poetik të Ildës, janë ato që të çojnë në Universin e saj të veçantë poetik se vërtetë: shkallaret e shpirtit jo gjithnjë janë të ashpra dhe prej guri, por janë një udhëtim i pandërprerë për të mësuar “gjuhën e perëndive”, nëpërmjet vargjeve: “ti më mësove qetësinë e valës së shtruar,/ flladit të lehtë përmbi të./ Më mësove që qiejt mbeten blu,/ edhe kur i fshik ndonjë furtunë./ Që jeta është e bukur edhe kur nuk ndodh asgjë/ dhe njeriut i mjafton universi i vet për të qenë i lumtur[….] Ashtu më flet dhe ti./ Me atë gjuhën e harruar të perëndive./ Nga një Olimp i rrëzuar brenda ca honeve të thella/ të shpirtitKu hyn vetëm drita, poezia: “Si ia bën të më thuash aq shumë, pa më thënë asnjë fjalë” f.13, poetja poezinë e saj e ka ndërtuar në formë pyetjesh në vetën e dytë, një ndërtim i llojit të veçantë, pasi poezia zakonisht ose është në vetën e parë ose të tretë, pë të rikujtuar “gjuhën e harruar” të (Eric Fromit), se gjuha simbolike është një gjuhë, në të cilën përvojat, ndjenjat dhe mendimet intime shprehen sikur të ishin përvoja apo ngjarje të të tjerëve. Duke rimarrë edhe poezinë e fundit, poetja pyet: “…që ndoshta ta kanë thënë dhe të tjerë?/ A ndoshta nuk ke guxuar ta dëgjosh./ Në botë nuk ka të mirë e të ligj/ më i pari i tyre e di veten engjëll/ shtatë miliardë engjëj që fluturojnë/ dhe vetëm kur vënë kokën në jastëk/ janë vetja,/ pjesën tjetër të kohës /janë ata që do donin të ishin/ atëherë kur s’mundën.. .gjyqi i tyre i përnatshëm është jastëku/ dhe po ata vetë Shën Pjetri/ ku ferr-parajsa i pret dyer-hapur/ kush bëri mirë gjatë ditës…” f. 182, nga poezia: “Të të them diçka”, për një gjakim të drejtë, vetë argumenti artistik, për një sistem të caktuar vlerash, kritiku do të duhet të tregojë “shenja simpatie” ndaj veprës se sipas (Zhyl Lemetrit-in), “kritiku letrar duhet të mbështetet në mbresat që ngjall vepra letrare tek ai” duke parë në dy këndvështrime:

a.të kohës: (koha autoriale dhe koha letra),

b.të masës: (masa e njësisë poetike dhe njësia e fjalës), sepse poezia “është një emocion që ka gjetur mendimet e saj dhe mendimet kanë gjetur fjalët”, shprehet (Robert Frost). Nëpërmjet këndvështrimit kritik për botën, jetën, njeriun, të ardhmen, poetia është racionale dhe jo sipërfaqësore, por në kërkim të thelbit të saj femror; “…më mësuan të mos qaja kur vritesha,/ të ulja kokën kur më thoshin e bukur,/ të mos urreja dhe të dashuroja heshtur,/ t’i ktheja fytyrën e qeshur botës, f.19, në poezinë: “Kur u linda”, ajo thellësorja brendore femërore është shpirti luftarak, për të mposhtur të keqen, për t’i marrë jetës çdo gjë të bukur edhe kur duhet të mërzitesh, të vuash, të ndiesh dhimbje dhe humbje, të jesh e lodhur apo e pagjumë, shqetësim që përcillet edhe tek poezitë: “Unë nuk jam poete”, “ The story of my life”, “Nuk të kam pyetur”, “Nuk më kujtohet asgjë”, “Mos më pyet pse shkruaj” , ajo kërkon përgjigjet, përmes pyetjeve karteziane: unë mendoj, pra jam!, dhe vendin e saj në botën e madhe, jo vetëm letrare: dyndje dëshirash/ unë iu afrohem dhe u numëroj petalet me sy/ më ngjan se gjithë lulet e botës çelin për të më kujtuar diçka/ nga e ardhmja... f. 134, nga poezia: “The story of my life”, duke kërkuar të ardhmen përmes vetvetes në mënyrë intensive dhe interesante, sipas (Cleanthi Brooks dhe Pen Robert Warren) “përpiqet të transferojë te të tjerët kënaqësinë” e leximit, të shijimit, ndijimit, të gjetjes së metaforës së jetës dhe të kënaqësisë së saj.

Gjurma drite...
Gjurma drite…

-diskursi poetik dashuror: (dashuria më përtej intimes, ajo dashuri që njeriu kërkoin si kundërpeshë e ndryshimit të gjendes momentale) me poezitë: “Po si ike ashtu pa më thënë një fjalë”, “Enë komunikuese” “Ne”, Kur të të shoh”, “Ej”, “Nga ana tjetër”, “Nuk e mendoja”, “Nuk më kujtohet”, “Përqafim”, “Një fjalë”, “Nganjëherë” , “Ti dhe unë”, “Dashuria”, “Mbylli sytë” , “Po ti e di ç’është lumturia?” në përpjekje për tubuar poezitë që frymojnë jo vetëm dashurinë si mision por edhe dashuri si ndjenjë intime, poetja mbetet gjithmonë një fëmijë që vetëm kërkon dhe kërkon… në vargjet: “jemi fluturat në stomak/ që na zgjon një buzëqeshje,/ një fjalë e mirë jemi,/ që thuhet me heshtje…” f. 29, “Ne”, ajo thjesht ndien fluturat e saj në stomak, për të kuptuar përmasën e dashurisë, duke kuptuar se është grua dhe (për)plotësuar në dashuri. Por, dashuri mund të jetë edhe një përqafim, një vallëzim symbullur ajo e thotë në vargje: është ai çasti pa emër/ kur e sheh tjetrin në sydhe bota harron të marrë frymë/ dhe ti lutesh ai çast të zgjasë/ sa gjithë jeta/ dhe ndodh f. 154, poezia “Dashuria”, kumton larushi të “figurave radikale” sipas (Christine, Rose-Brook-ut), dukuria që shënjon si motiv lëvizës metaforik ka lidhje associative – emotive me mënyrën abstrakte të thënies, se dashuria: është pasioni i shpirtit, se dashuria janë ata të dy: dashuria je ti dhe unë, një dashuri që është mes tyre përditë, duke kumtuar përtej një metamorforizimi që ngallmojnë “figurat e thella” të (Middelton J. Murry-it) si metonimi të bukurisë femërore që riprodhon jetën. Ajo vetëm pyet përsëri në numrin shumës dhe në veten e tretë [atë/ai], se cila është lumturia? “lumturia është si ajri/ pa ngjyrë,” kjo lumturi femrore është aq (për)mbushëse saqë edhe poezia vetëlumturohet

diskursi poetik e pejsazhit natyor: (me poezi ku natyra çliron energji dhe pozitivitet); “U bë natë”, “Përfytyro”, “Një muzg si të tjerët”, “Mozaik”, “Buzëdet”, “Prill i thyer”, “Nën ujë”, “Pranverë”, “Kishte ditë që bënte qetësi”, “Shkurt”, “Pulëbardhat” , “Etyd” , “Etrenike” çliron energjinë e së keqes, në gjirin e natyrës, teksa përflakja e (tej)oqenit në vargjet: “valët heshtin,/ heshtin dhe fjalët qe s’u ka ardhur koha/ të thuhen. Ndizen ca yje së largu/ si sy të malluar…” f. 20, poezia: “Një muzg si të tjerët” nëpërmjet retiçencës kuptohet thirrma e shpirti që “dëgjon” dhe “flirton” me valët. Duke vazhduar me zgjaten e figurave ekspansive, për (Wellek Waren) “si figurë e pasionit të fortë dhe mendimit origjinal”, me figura që ndërveprojnë dhe(ndër)depërtojnë ajo sendërton dhe mundëson shprehinë figurative, në gjithërrokjen e së bukurës. Vargjet: “shirat pushuan/ dhe dalëngadalë kjo stinë po shndërrohet në/ një tjetër./ Unë sa herë të kem mall do të të nis një lule,/ ti mbështille ngrohtë me një rreze drite,” f. 174, nga poezia: “Etyd” nuk është vetëm topika e natyrës, por edhe imazhet që hetohen me imtësi, duke u skalitur me aftësinë njohëse të botës së gruas, që derdh miliona penelata metaforash dhe krahasimesh, që nuk shterojnë kurrë.

 –diksursi poetik social: (përjetimi njerëzor në jetën sociale dhe shoqërore) nëpërmjet poezive:Ja”, “Dua të të flas”, “Strangers in the night”, “Mund të thoja” etj,. Kam zgjedhur vetëm këto poezi, pasi gjuha e pasur dhe trajesat poetike të mjaft temave të tilla, më pamundëson t’i përmend të gjitha: “retë dhe pak do e mbulojnë qiellin/ mbi kokat tona, do bëjnë hije dhe pak,/ por nuk do vonojë e do dalë dielli,/ siç del e mira nga shpirtrat që durojnë në emër të jetës”f. 30, poezia “Ja”, i jep një tjetër përmasë realitetit brenda poetikës së receptimit, që anojnë jo vetëm drejt një poezie të përjetimit, me format e shprehjes së modernes, duke çmontuar lirizmin spontan të vetëdijes dhe pavedijes, si procedim të lëndës artistike, na sjellin një “dikotomi mes gjuhës e realitetit, mes dëshirës dhe mundësisë”, sipas(Hugo Friedrih-it), por për një tjetër “fytyrë” paqeje botërore

diskursi poetik i famijes/ kujtimeve: (familja e madhe është gota gjysmëmbushur brenda masës së vëllimit të familjes së vogël), me poezitë: “Çfarë më mësove”, “Çudi”, “Përrallë”, “Ora e lojës” , “U rritëm” , “Si një fëmijë shkolle”, “Dyer të vjetra” janë poezi të një trualli tjetër, ku çdo fund nuk ka mbërritje, sërish mund të presësh një fund… Poezia “Çfarë më mësove,” me shënimin (nënës sime) shkruan: nuk është shkruar në libra, një thënie kaq filozofike për të mirën e saj, të mirat nënat tona, që na rritën aq thjeshtë që të mbetemi njeri, nënat e mira, në vargjet: e mira…/ nuk më mësove shumë,/ vetëm të besoj në Zot më mësove, a ka dije më të madhe, se të besoh tek mirësia Hyjnore?? Besoj se jo! Ajo vazhdon me vargjet: me duart e dridhura nën xhepat e fustanit/ përkëdhelje vezët e kuqe/ mbështjellë me copa revolucionare gazetash/ ku Zoti dënohej në mungesë – Me heqje lirie, f. 54, nënat të “dënuara” që të mos besonin tek Zoti luteshin ne heshtje, teksa tundnin fëmijët nëpër djepe. Kur letësia (ri)paraqet dhe (ri)përthyen realitetin, sipas (Paul de Man-it), “shkrimi postmodern merr hua nga pop-kultura dhe kultura masive” se (ri)krijimet (risitë) leksikore, përdoren për të përcjellë realitete te reja të paemërta. Rikumtësimi i realitetit dhe përditësisë sjell të tjera (ri)diminsionime si:

(ri)dimensioni i botës së vajzërisë: nëpërmjet kumteve të largëta vajzërore, nëpërmjet vargjeve: gjyshja ka kohë që s’është më/ dhe unë përsëri në udhëzën e ngushtë nëpër pyll/ kësulën e kuqe në kokë, poezia; “Përrallë

(ri)dimensioni i botës së gruas: paraqitet me vargjet: rritet, rritet, bëhet grua…, poezia; “Çudi”

(ri)dimensioni i botës së amësisë; një poete-nënë, që nëpërmjet lojës rrit fëmijët, por çuditërisht rritemi edhe vetë, me vargjet: një fëmijë tekanjoz/ që i mjafton veç të luajë… poezia; “Ora e lojës”,

(ri)dimensioni i kujtimeve jo vetëm fëminore, por edhe vajzërore; në kërkimin e viteve të bukura, rrugëve të vendlindjes, dhimbja, shpresa si (për)masë të lumturisë femërore nëpërmjet kujtimeve, nëpërmjet vargjeve; ndërsa dyert duket sikur nuk pyesin/ për përkëdhelje të buta gishtërinjsh të paduruar, nga poezia: “Dyer të vjetra”,

(ri)dimesioni i përmasës së motrës, më vargjet: të kesh vëlla/ është si të shohësh veten në pasqyrë/ e të ndjehesh dy herë fëmijë…në poezinë: “U rritëm.

Alida Mengjesi - Thuajse
Alida Mengjesi – Thuajse

-diskursi poetik i absurdit njerëzor: (njeriu çdo ditë ndihet i tepërt, në një shoqëri globaliste), shprehet nëpërmjet poezive: Njerëzit”, “Pezull”, “Surreale”, “Rrëmujë e madhe nëpër botë”, “Mos më fol”, “Pranë detit” , “Perfect symphony” , “E dije ti?”, “Dua të flas me ty pa pushim, o njeri”, “Shih” , “Thuajse” , “Takim i pandodhur” , “Prej uji” lexuesi i zakonshëm ka të drejtë, t’i nënshtrohet dëshpërimit të botës, se në metaforat qendrore të poezisë kapërcen intimacionet e zymta përtej dallimet racore dhe shoqërore, ndikuar shumë edhe nga vazhdimësia perëndimore e mendimit dhe kulturës të Whitman-it, Emily Dickinson-it, Emerson-it, duke na edukuar të mendojmë më me hollësi, përtej imazhit të një jete individuale, ku thelbi i njeriut nëpërmjet Unit të tij egoist, tjetërsohet në vargjet: “…janë të çuditshëm/ e vetmja gjë që dinë të mbjellin pa pushim/ janë fjalët.Kanë harruar të mbjellin lule/ t’i rrisin, t’u gëzohen, të rrinë një copë herë/ pa folur, të duhen me veten, të mbushen me ajër/ të ndjekin zogjtë me sy…, f. 72, poezia “Njerëzit”, se paradoksi i botës e “zhvesh” procesin jetësor njerëzor nga të gjitha ngjyrat dhe nuancat, se çlirimi nga vetëdija, nga dija jonë (dimë më shumë ose me pak sesa duhet), për njohjen, ose përtej “teorisë së njohjes e të qenit” të (Kanti-t), vjen nga vargjet: vërshojnë në memorie/ stacione metrosh, trena që lëvizinme shpejtësi drite, ca ikin,/ ca vijnë, pa ndaluar. Afishet në miliarda gjuhë/të ndryshme. Dikur trenat zëvendësohen, f. 76, “Surreale”, kjo botë surreale dhe absurde, është bota që na “imponon” zhvillimi global i shoqërisë njerëzore. Mënyra e trasmentimit të poezisë, nëpërmjet vetes së dytë [ty o njeri] dhe lidhja mes titullit dhe stofës së parë përmes retiçencave, përveç veçantësisë ndërtimore poetike, mendimi shkon mëpërtej, kohës, mjedisit, vetes, universit, besimit, shpresës, hapsirës, dëshirës, (pa)mundësisë, dinjitetit, vullnetit, ëndrrës: do doja të të tregoja shqetësimet e botës/ protestat, zjarret dhe shpirtin që djeg,/ do doja të të thoja se jeta nuk është bardh e zi,/ por ylber ngjyrash bërë pis pa të drejtë/ nga ata që marshojnë me flamurin e të drejtës/ në dorë…f. 137, nga poezia: “Dua të flas me ty pa pushim, o njeri”, njeriu është zhgënjimi më i madh i vetes dhe për veten, se në rrafshin përshkrues kemi prespektivën e dyfishtë të stukturës, sepse në rrafshin formal simbolet nuk janë përfytyrime të formave të toposese dhe logoseve në formë piktoreske, të tipit iluziv, trompe l’oelil, për një “konceptim abstrakt dhe jo diçka që ekziston, si mënyrë empirike në botë” sipas (Jane Feure-in). Vargjet: “në natën e errët kur hëna/ ka rënë për të fjetur/ në anën tjetër të qiellit/ dhe ti mezi arrin të shohësh /veten në pasqyrë,” f.162, “Thuajse”, njeriu është aq i vogël dhe hipokrit, sa që ligësinë e tij e quan arritje, duke parë veten dhe dyfytyrësnë e tij djallëzore në pasqyrë, mezi shqipton fjalën mëkat ose gabim, për të thënë; thuajse, jam njeri apo Djall, duke “grisur” çdo ëndërr irreale, nëpërmjet botës virtuale, jo vetëm për të ndërtuar një realitet sui generis, duke patur pavarësinë e ekzistencës personale, të pavarur edhe nga vetëdija, për (Emile Durkheim-it) “ka mënyra të esenciales si fenomen sociologjik” në formën e një ekstazie mistike universale.

diskursi poetik i përditësisë: vijnë poezitë: “Kënaqësitë e vogla të së përditshmes”, “Një çast mjafton për ta shijuar”, “Padurim”, “Çast” (shqetësimet dhe kujdesi i një femre në çdo ditë), përditësia jonë lidhet me gjërat e vogla, që bëhen medashuri të madhe, për veten, për familjen, për bashkëshortin, për të dashurit tanë, çdo shqetësim na dhemb, na tremb, por na gëzon ajo rrëmuja që herë-herë na tundon për kënaqësitë e vogla, që moderniteti dhe komoditeti ynë ka filluar t’i harrojë: aromë shtëpie, me erë borziloku/ avuj puthjesh të ngrohta/ luleborë/ me buzët e djegura në ballë/ duke i matur temperaturën dashurisë/ dhe zemrën e drojtur në dorë/ mbledhur grusht/ atë çast…” f. 139, poezia: “Çast”, por shqetësimet dhe kujdesi i një femre që çdo ditë vjen edhe nga “Kënaqësitë e vogla të së përditshmes”, nëpërmjet vargjeve: e njëjta kafe, të njëjtat tinguj të lehtë jazz-i/ të njëjtat avuj, e njëjta vete, drita krishtlindjesh,/ mendime të bardha, fluturza në ajër, po afron/ dëbora, bota vazhdon rrotullohet po aq pandjeshëm, f. 94, ka edhe ca gjëra si kafen, muzikën, parfumin apo edhe një fustan, libër apo film duam të mos e ndërrojmë, se na përmbush më energji pozitive, ose na lidh me kujtimet më të bukura, kur jemi zhytur në dëshpërim, apo kemi rënë moralisht, nga pabesia e jetës dhe sfidat e saj.

dikursi poetik kohë/ hapsirë: vjen përmes poezive: “Të shtunave”, “Dita e parë e majit”, “Dy vjet pushime”, “Do ikin vitet”, “Mbrëmja”, perceptimi i kohës, (sidomos koha e tashme) në vargjet: “mbaruan orët e zhurmshme të ditës/ dhe abazhurët u ndezën një nga një në pritje,/ të një dore që zgjatet nga komodina/ të marrë të njëjtin libër që mund ta kesh lexuar/ më parë ti…” f. 145, në poezinë: “Mbrëmja”, se nënvetëdija e drejton lexuesin në distanca kohore ku përvishen përfytyrimet e kohëve të largëta mitike dhe biblike, sipas teoricenit hermetik, (Hans G. Gadamer) “në të cilën e shkuara dhe e tashmja shkrihen vazhdimisht bashkë”, ose një marrëdhënie e domosdoshme me të vërtetën. Edhe projektimi i diskurist poetik që rrok udhëtimin dhe hapësirën, me poezitë: “Orient Express”, “Saint Mark” etjPoezia: “Rrugëve pa emër” me shënimin: (se emrat asnjëherë nuk kanë rëndësi): “një ditë pranvere të kaltër/ me aromë lulesh të sapoçelura në degë/ do shëtisim me hapat që do e gjejnë vetë/ Për ku janë nisur/ ndërsa ne do jemi duke folur për gjëra pa rëndësi/ si dy njerëz që nuk kanë nevojë për asgjë në botë/ veç njëri-tjetrit…” f. 146, poezia ia delegon përgjegjësinë lexuesit, se hapësira nuk është thjesht një gjeografi apo shpejtësi, por perceptim. Percetimi dhe “përfytyrimi” i udhëtimit gjeografik, harta e shtirjeve gjeografike nuk është vetëm e brendshme, por edhe e jashtme, që nënkupton jo një hapsirë të ngushtë, p.sh. rrugë, po mund të themi se është hapsira zero, si një “lojë” imagjitative, një imagjinatë lëvizëse, ku “ndërhyrja” e lexuesit krijon edhe dy xhepa të tjera matricash:

1.matrica e çmitizimit të metamorfozës: “Sikur të mundja të kapërceja ylberin”,
2.matrica e diskursit poetik të poezive të shkurtra: “Mood”, “Të ndiej”, “Carpen diem”, “Dikur”, “Nuk e di”.

Për të shijuar edhe matricën e fundme, ku poezia zbret nga ndonjë planet tjetër, duke mbetur e mbërthyer në eter, në mënyrë përshkallëzuese në rrafshin horizontal, ecën… në pafundësi… “…unë do të jem përsëri/ajo vogëlushja që kërcen nëpër pyll/ me një gjethe bari në buzë/ ti ndoshta do më presësh rrugën/ me një tufë manushaqesh në dorë e përralla do shkruhet nga e para…” f. 129, poezia: “Në një tjetër kohë

Së fundmi: Çdo lexues që ka përpara një poezi të tillë, që shijon në çdo kohë, çast, apo vend, si receptim në bashkëkohësi, si një lexuese femër për një tjetër femër poete, duke çmitizuar apo (ri)kuptimësuar kodet e poezisë femërore, jashtë gjuhës së poezisë mashkullore, ku lexuesi shqiptar qartësisht bindet se femrat shqiptare, janë krijuese, poete, lexuese dhe kritike.
Poezia e Ailda Mëngjesit, ka një ndikim tek poezia sociale e poetëve amerikanë të fundshekullit 19-të dhe fillimshekullit XX, por me një stil të veçantë dhe unik, na rikujton se njeriu endet mes pikëpyetjeve dhe dilemave, për të gjetur vetveten, në një botë të zhveshur nga çdo materie humanizmi.
Udhë të mbarë poezia jote, Ilda!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.