back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Dhimbje e nji kohë pa përralla e pa princa… parathënie për “Princin e lumtur” të Wilde-s nga Jozef Radi

Gazeta

Akile Tasi (1891-1961)
Akile Tasi (1891-1961)

Dhimbjet e nji kohë pa përralla e pa princa…

parathënie për “Princin e  lumtur” të Wilde-s nga Jozef Radi

“Princin e Lumtur” të Oskar Wildes e ndesha nji ditë në ato rastësitë me diell vjeshte, kur mbi parmakët e nji prej urave të Lanës hapen kutitë e kartonave me libra të përdorun. S’di pse e shfletova at “diçka” të mbështjellë me nji fletë reviste, që i kishte shpëtue s’di prej çfarë mrekulli hedhjes në ndonji kazan plehnash, dhe shkruar me dorën e pasigurt të ndonji vogëlusheje të dikurshme që sot me siguri mund të jetë zonjë, ndoshta edhe zonjë e randë mbasi botimi ishte i largët, mjaft i largët: i vitit 1944.
E kqyra me vëmendje, nji kopertinë të njollosun. Shtëpia botuese ishte Ismail Mal Osmani. U kujtova se po n’atë kohë, pak muej ma vonë, aty ishin botue edhe “Vargjet e lira” të Migjenit! Me thanë të drejtën, posa ia hoqa atë mbulesë reviste më emocionoi. Ajo çka më tërhoqi ma tepër n’at shfletosje të ngutshme të atyne pak faqeve të mbajtuna n’fill të shpirtit, me do penj tashma të kalbun për mos me fluturue, ishte se libri kishte emnin e nji autori joshës: Oskar Wilde, e që nëpër at kapërcim fletësh nuk pashë asnji emën përkthyesi por vetëm do sigla emnash. Kjo më shtyu me e pyetë për çmimin e asaj broshure: “Merre dymijë lek!” – më tha. “Po ky është i katandisun si një fletore e rrjepun e gati për t’u hedhë!” – i thashë ashtu kot, për të zgjatë bisedën. “Epo ç’të them… Merre njëmijë lek atëherë!” – Pa e zgjatë ma tej ia dhashë monedhën rrumbullake, i bindun se kureshtja do të vazhdonte edhe më tej me leximin e tij… Po edhe nëse do t’ishte ndryshe, s’ishte ndonji sakrificë e madhe!
Me ngè e shfletosa dhe pashë se ishin nja tetë përralla të Oskar Wilde-s, të botueme herët, diku rreth vitit 1888, tashma të njoftuna në tanë botën. Duhej t’ishin të njoftuna edhe në Shqipni edhe pse asnji informacion s’po gjeja rreth përkthyesve n’at shfletosje të kujdesshme…
Nji parathanie e shkurtë dhe shumica e përrallave ishin të nji përkthyesi me siglën A. T. Vrava mendjen, bile lexova edhe përkthimin e parë: “Princi i Lumtur”. Më pëlqeu me thanë të drejtën, po ajo çka më bindi ishte nji tosknishte e ambël dhe e bukur e Jugut, ndoshta e Përmetit, që më krijoi bindjen se autor i përkthimit duhej t’ishte Akile Tasi…! Dy përkthyesit të tjerë kishin siglat S. L. dhe K. S. Fillimisht s’i rashë në të se kush mund të ishin. Mandej pak ma vonë mendova se me S. L. duhej t’ishte Skënder Luarasi, kurse për të fundit s’gjeta kënd me e justifikue siglën. Vërejta se dy përralla ishin pa asnji informacion përkthyesi….

Oscar Wilde - Princi i Lumtur (1944-2020)
Oscar Wilde – Princi i Lumtur (1944-2020)

Leximi i përrallave më dha mjaft kënaqësi, sepse jo vetëm me futi n’at botën e ambël të fëmijve, në të cilën, aq shumë na kanë mungue përrallat e në veçanti ato me moral, po na ka mungue edhe ajo mënyrë e bukur rrëfimi, joshse dhe mjeshtërore siç ishin ato përkthime… Kjo më shtyu me iu futë punës e me i zbardhë, me idenë se këta emna të mshehtë e të panjoftun duhej t’i kthehen lexuesve të vegjël me pasë edhe modelet e përkthyesve të dikurshëm, po edhe ne si të rritun ende kishim nevojë për ato përralla të mungueme, në at gjuhë të kahershme, kur e vërteta ishte se ato kishin qenë të pranishme.
Kështu iu futa nji pune pa e dijtë as vetë pse, dhe ia dole në krye, duke i risjellë ato përkthim të realizueme në nji kohë të vështirë si Lufta e Dytë Botnore, e që ka shumë mundsi të ketë kalue të palexueme dhe të patrajtueme, edhe në pikëpamjen si libër fëmijësh…
U mundova mos me e cënue tekstin, veç ndonji gabimi gramatikor, dhe ligjëratën e drejtë me e sjellë në nji forma ma të rregullt. Ajo çka më dha njifarë zbulimi ishte se për të parën herë merrja vesh se Akile Tasi, që kishte vdekë në Burgun e Burrelit, ishte marrë edhe me përkthime, dhe kjo ishte diçka e re, e askund s’ishte përmendë nji gjà e tillë.
Çfarë gjeta nga kërkimet në shqip për librin “Princin e Lumtur” të Oscar Wildes. Se libri në fjalë ishte përkthye herë mbas here mbas viteve ’90, mbasi para viteve ’90 morali i atyne përrallave kishte qenë i damshëm e i papranueshëm. Kishte disa përkthime, me autor Yzedin Himën, Elona Hysenin, Klodian Briçin, po askund s’i gjeta siglat e emnave të këtij libri të botuem më 1944, nga editori i nderuem tiranas Ismail Mal Osmani!
Prandaj e konsideroj rikthimin e kësaj vepre mbas 76 vitesh, si nji vlerë e re për lexuesit, për gjuhën shqipe dhe ata për ata përkthyes të paemën që kishin botue nji vepër për fëmijë, në nji kohë të ashpër lufte, dhe s’kishim mundë as ta gëzonin frutin e punës së tyne…
jozef radi, shkurt 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.