Demokracia nuk fitohet me mjete Demokratike – nga Nosh Mernacaj

Gazeta

Nosh Mernacaj,N.Y. - SHBA
Nosh Mernacaj, – N.Y. – SHBA
Demokracia nuk fitohet me mjete Demokratike
nga Nosh Mernacaj

Çdo shqiptar, por kryesisht ne që jemi detyruar të ikim nëpër botë, sot sytë i kemi nga Shqipëria. Shohim atë që nuk e bëmë dot ne, sepse zgjodhëm ikjen. Shohim zhgënjimin e kthyer në mllef, por shohim edhe shpresën e humbur që po ringjallet. Shohim mrekulli.
Prej 30 vitesh që jam në emigrim, sa herë vinte dikush nga Shqipëria, thoshte të njëjtën gjë: “Nuk bëhet më ai vend.”
Patëm rënë në një gjumë letargjik. U dorëzuam; ashtu si dikur në Komunizëm dhe pranuam fatin tonë. Kështu paska qenë e shkruar. Qeveritarët bënin pazare me njëri-tjetrin, vidhnin pasuritë tona, ndërsa ne iknim. Shqipëria qe bërë si inkubator pulash. Sapo çelin zogjtë i transportojne diku. Edhe Shqiptarët, sa rriteshin fëmijët, merrnin rrugat. Shqipëria u bë viktimë e spastrimit etnik me anë të emigrimit masiv. Brilante po ta shohësh nga sytë e ideatorëve.
Erdh një kohë kur askush nuk mendonte se shqiptarët do të ngriheshin në këmbë; unë isha një nga ata. Një nga indinjimet më të mëdha ka qenë fakti se sa herë donin politikanët i mblidhnin njerëzit në shesh, por nuk dilnin për veten dhe hallet e tyre.
Dhe një ditë, diçka ndodhi. Aq e papritur sa të binte një meteor. U ngritën shqiptarët. Edhe pse kanë mbetur shumë pak në Shqipëri, pashë aq shumë shqiptarë në një shesh, sa nuk i kisha parë kurrë më parë.
Demonstrata 135-ditore qe një shembull jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë botën. Qe një demonstratë paqësore dhe demokratike pa asnjë vend për kritika. Problemi është se mjetet demokratike funksionojnë vetëm aty ku ka demokraci. Ato nuk funksionojnë në një vend që udhëhiqet nga një tiran. Dhe sa më shpejt të kuptohet ky nocion, aq më mirë është.
Po të kishte qenë një qeveri demokratike, vërtet demokratike, do të kishte dhënë dorëheqjen njëqind herë. Vetëm fjalët tallëse dhe denigruese ndaj popullit të vet do të kishin mjaftuar, pa hyrë fare te vjedhja masive e pasurisë së popullit. Këto të fundit as që mund të merren me mend. Por kjo qeveri, kjo kastë është aq arrogante sa as nuk do t’ia dijë sepse ka krijuar bindjen e omnipotencës. Sikur të mos ishte Edi Rama, Shqipëria do të mbaronte. Vetëm ai e di se çfarë i duhet Shqipërisë, megjithëse të gjithë i thonë të kundërtën. E keni dëgjuar më parë këtë gjë? A nuk thonë të gjithë diktatorët të njëjtën gjë?!
Shqiptarët i treguan sistemit se si e duan Shqipërinë – të paqme, të bukur, me edukatë dhe respekt. Edhe qeveria i tregoi popullit se si e do ajo Shqipërinë – ashtu siç qe për 36 vite, apo 50 vite më parë. Fasada e zgërdhirjes para kamerave të huaja ra dhe fytyra e vërtetë u zbulua. Tani e shohin te gjithë. Meqenëse këto dy vizione nuk përputhen, njëra palë duhet të largohet – ose me nder ose me zor. Unë mendoj se zgjedhja është e qartë. Qeveria dhe kasta me mentalitet komunist duhet të largohen. Me nder e provuam. Edhe Ungjilli predikon “dy duar për një kokë”.

Protesta në NY në mbështetje të studentëve - tetor 2026
Protesta në NY në mbështetje të studentëve – tetor 2026

Në demonstratat e viteve ‘90 kërkuam liri dhe demokraci. Lirinë e fituam: të paktën për të ikur. Por demokracinë asnjëherë. Mendoj se shumica e atyre që e përmendin demokracine 3 herë në një fjali, as nuk ia dinë kuptimin. Një “jemi më mirë se në kohën e Enverit” duket se ka mjaftuar për një kohë të gjatë – por jo më. Demokracia do të thotë vullneti i shumicës. Dhe shumica sot kërkon ndryshim. Ata që duan demokracinë, duhet ta respektojnë vullnetin e shumicës.
Pra, u pa qartë se demonstratat paqësore dhe demokratike nuk patën asnjë efekt ndaj një qeverie autoritare. Populli e kërkoi me të mirë, por nuk u dëgjua. Tani do ta kërkojë më të keq, ose do të marrë atë që është e tija.
Askush nuk e dëshiron dhunën. Në një demonstratë të tillë patjetër që mund të ketë infiltrime apo individë që kryejnë akte të shëmtuara, sidomos ndaj pronës private dhe bashkëqytetarëve të tyre. Ma merr mendja se askush nuk e aprovon një gjë të tillë dhe nga të gjithë protestusit që kanë folur, të gjitheve iu vjen keq. Revolta kundër shtetit është më se e justifikueshme. Shteti i lirë i përket popullit. Ajo që nuk justifikohet është dhuna ndaj rinisë dhe popullsisë civile dhe mbajtja e pushtetit pa dëshirën e popullit.
Çuditem me shumë që çdo gabim të protestuesve e amplifikojnë dhe menjëherë fillojnë të përmendin demokracinë dhe protestën paqësore, sikur ne shqiptarët e shpikur shpikur demokracinë. Po përse nuk fokusoheni te arsyeja pse janë rinia aty? Qeverisja autokratike që na ka shitur sapunin për djathë gjatë gjithë këtyre viteve dhe që nuk ka asnjë respekt për popullin është arsyeja.
Demokracia mbrohet me votë dhe me mjete demokratike, por asnjëherë nuk është fituar vetëm me mjete demokratike. Ky ështe ndryshimi.
E dashur rini;
Ju kërkoj falje që ikëm dhe nuk bëmë atë që po detyroheni ta bëni ju sot.
Shqiptarët janë me ju. Qoftë edhe Zoti!
Nosh Mernacaj, New York, SHBA, 16 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit