back to top
28.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Cikël Poetik nga Ardita Jatru nga libri “66 kg Vetmi”

Gazeta

Ardita Jatrù
Ardita Jatrù

Cikël Poetik nga Ardita Jatru

nga libri  “66 kg Vetmi”

Gruaja përtej rrugës

Kam disa ditë që shoh një grua përtej rrugës.
Ajo del nga dera e pallatit
Pret në qoshe,
sheh gjithmonë në fund të rrugës
pastaj kthehet,
e trupi i saj bëhet i vogël
akoma më i vogël,
pastaj një pikë,
derisa zhduket fare
dhe më mbeten sytë tek ajo pikë e humbjes
gjersa grua të bëhet përsëri.
 
E kam të domosdoshme ta shoh.
E pres pas xhamit.
Kaq ditë që bie shi
dhe ajo del, pret
ikën dhe bëhet pikë njeriu në hyrjen e pallatit.
Ajo grua nuk kupton.
i kam thënë qindra herë me vete,
mërzitu, se të tjera mërzi na presin,
o mendjeprishur,
në mes të shiut kush të vjen?
.

Pa titull

O zemër,
jam njeri
dhe mund të mbytem
me një pikë ujë.
.

Funeral vjeshte

Mbaj zi për pemën që sot vajton braktisjen.
Ah, ç’vdekje për të,
ç’trishtim.
Lamtumirë, o pemë e vetme!
Perënditë
kanë në dorë fatin tim dhe fatin tënd.
.

Një ditë pasi të vdes

Do të shfaqem si gjethe njomëzake, e vestë,
me një këngë në gojë do vij pragut tënd,
një muzgu të lagësht në vjeshtë.
 
Do të ngjitem kurmit tënd të debult
dhe do të mbështetem gjoksit me drithërimë,
mallin, buzës së qeshur për ta prekur.
 
Gjethe u bëfsha, cop’e thërrmia
e flokëve të tu, të ngatërrohem përjetësisht.
S’ka erë, një gjethe kokëfortë nga dega ta shqit.
 
Kur gishtat t’i kalosh flokëve si zakon i mbetur
do zgjohem dhe si gjethe e etur, në oazë të syrit,
do zbres, të pi lotin e kripur për t’u djegur.
 
Kjo mund të ndodhë një ditë pasi të vdes.
Ti që beson në rimishërimin e shpirtit
në një formë apo në tjetrën do t’më kesh.
.

Mërzia ime

Mërzinë time e fsheh thellë
në një qoshëz të zemrës e mbyt
pastaj bëhet kotkë në stomak
E kockat me dhëmbë ia përtyp.
 
Mërzinë të shkretën e bëj hi
e djeg me një cigare buzëve
Atëherë kur fundi vjen i zi
varrin ia bëj në rrënjë të luleve.
 
Mërzinë time e ndaj me veten
Pa kuptim mërzia ime si gjithnjë
Kështu dhe sot, kjo natë e enjte
Të grindem nuk paskërkam askënd.
.

Njerëzit që s’më deshën

Dje ngrita në çati një flamur të bardhë.
Jam në paqe
me ju që për një arsye, nuk më deshët
tani ju dua më shumë.
Keni ardhur tek unë me maska të veshura
para meje jeni zhveshur lakuriq,
si fëmijë të vegjël
ju kam parë
si jeni mbledhur grusht
e keni qarë me oshëtima
dhe jua mbajta dhimbjet në pëllëmbë të dorës.
Prapë me maska të veshura ikët
nuk ju tradhëtova kurrë.
O skllevër,
që më dhatë padashur leksione për natyrën njerëzore!
Ç’ma bët’ paq
hipokritët e dreqit!
vetminë time
nuk e kam dashur kurrë kaq shumë më parë.
.

Zemra ime e dashur

Të kërkoj me gishta mushkërive
mos je varur gjëkundi në ndonjë brinjë
të të nuhat mundohem për të të gjetur,
por thonjtë më mbeten në mish.
Gjëkundi s’je,
nga vendi yt ke lëvizur.
 
Zemra ime e dashur
sa një grusht
kam frikë mos ngrin aty ke je.
Nëse vend ke gjetur mes dy syve,
aty do të lë,
t’i shohësh gjërat me sy hapur e tronditur.
Vrojto përqark mizerjen vigjilente
pa mbyllur sytë
se ndryshe të gjallë do na hanë
do na zënë të papërgatitur.
 
Zemra ime e dashur
që s’të rrihet në një vend
dhe zhurma më e vogël të shqetëson e mërzitesh
e s’të beson njeri.
Vrojto e dashur dhe rrih në mes të syve.
Një ditë
nëse vendos të ikësh nga ky trup
brenda teje do jetë fytyra e fëmijërisë,
të paktën atë të voglën
atë mos ma braktis.
.

Për ata që nxitojnë të ikin

Pak nga pak po vdesin,
me kaq nxitim po më ikin të gjithë
dhe nuk gjej një ngushëllim për veten
një arsye lamtumire nuk gjej,
a një justifikim të thjeshtë,
për ata të ikurit e bukur,
kësaj bote dhe përtej.
jam bërë një rrëmujë në kokë. Kaq ditë
me frikën se nuk mundem ende
ta lë dikë të ikë.
(Poezitë janë marrë nga libri “66 kg. vetmi” faqet 103-109)
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.