back to top
23.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Burgimet – nga libri “Jetë e Humbur” – Kujtime nga Ejëll Çoba

Gazeta

Ejëll Çoba
Ejëll Çoba

Burgimet – nga libri “Jetë e Humbur” –

Kujtime nga Ejëll Çoba

Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

“Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme..”
Konti Rober dë Monteskje

2 dhjetor 1946, nata e parë që fjeta i shkujdesur mbas dy vjetësh. Qetësi vdekjeje, si nata e parë e Serasonit n’vorr. Për dy vjet kisha qëndrue në behë ditë e natë. Nervat më ishin lodhë, isha këput, jo aq nga kujdesi për vete, se sa për njerzit e mi: nanën, motrën, vëllanë. Ishin fut në një pyll, nga i cili nuk po shijshin dalje. Mbeti vetëm dalja në Greqi (nuk e dijshim se kufiri shqiptaro-grek, ishte zanë prej komunistëve grek), por duhej pritë pranvera ose vera. Ishte pritje e gjatë. Nyja u zgjidh si prej vetes.
Në Shkodër mbretnonte terrori ma i madh. Shkaku u gjet te Lëvizja e Postribës, ose siç e quenin zyrtarisht “Ngjarjet e Shtatorit”. Lëvizje pa plan, pa organizim. Pa qenë në dijeni të gjendjes ndërkombëtare, e as të gjendjes reale të brendëshme, ajo lëvizje ma shumë prishi punë, se sa mund të ndreqte. Prej saj nxorri dobi vetëm qeverija që kërkonte shkak për të mat pulsin e për të veprue. Të tilla do të kenë qenë edhe shumë prej atyne 200 kryengritjeve që banë shqiptarët gjatë 500 vjetëve të sundimit turk.
Ekzekutimet, burgimet, torturat, ishin në rend të ditës, e si në çdo vend e në çdo kohë, bashkë me heroizimat ma të shkëlqyeme që nuk duhen të harrohen, pati edhe tradhëti, paditje, dobësi, që shkaktuen mjerime. Për të shpëtue nga torturat, për t’i lehtësue vetes mundimet ose për të zvogëlue ndëshkimin, disa thanë çka dijshin dhe çka nuk dijshin dhe shpesh kështu zbulojshin një të ndjekun.
Mbramjen e 2 nandorit, Ditën e të Shumëve, filloi kalvari im, vdekja ime e ngadaltë, që do të zgjaste pa ndërpremje deri me 8 prill 1970: 23 vjet, 5 muej e 5 dit. Një çerek shekulli i plotë, një jetë e humbun!
E unë atë natë fjeta i shkujdesun, nuk kisha përse të mendojsha, jeta ime nuk varej ma prej meje. Prej meje varej nderi e për këtë u betova se do ta mbrojsha. Mendojsha se do të mbahej premtimi i dhanun se me dorzimin tim nuk do të ndiqeshin familjarët që më kishin strehue. Por mbas dhjetë ditësh arrestuen vëllanë, Kelin.
Flitej se në Shkodër ma shumë se 20 shtëpi e kuvende ishin kthyer në burgje për 2000 të burgosunit. Në njanën prej tyne, në rrugën “Skanderbeg” (që kishte edhe një hymje në rrugën “Sumej” e ku sot asht selia e policisë), më përcolli një partizan prej Komandës së Qarkut, që ndodhej në shtëpinë e Çurçisë.
Fadil Kapisyzi, më pati përcjellë në qark e më shtini në një zyrë ku më priti në kambë një oficer i ri, i hollë tanë nerva, i veshun me rroba ushtarake, prej stofi italian, që më tha: “Ju jeni Engjëll Çoba? S’paskeni vuajtur!” E me një tosknishte të spikatun shtoi: “Neve ju dinim në Itali”! Kur pa se buzëqesha, vazhdoi disi i prekun: “Ama këto kohët e fundit e morëm vesh se ishe këtu”.
Ishte ora 9 e mbramjes kur hyna në një dhomë të vogël, ku ishin katër vetë. Kapterri, më caktoi vendin afër dritares e porosia e parë që më tha ishte: Mos shiko nga dritarja, se roja e jashtme ka urdhër të qëllojë m’u në kokë. M’u duk zell i tepërt e naiv. Jeta e burgut e mavonshme më mësoi se ai kishte folë vetëm për kërcënim.
Kur u hodha një sy atyne që do të ishin shokët e parë të kalvarit ma shumë se 20-vjeçar, pashë dy fshatarë, që ishin të lidhun me njeni-tjetrin për dore me zinxhir. Kur lëvizshin nëpër dhomë ose ngriheshin për ndonjë nevojë, më dukeshin si një pendë qe. Ata të dy ishin Tak Filipi prej Stajke e Idriz Vorfa prej Sume. Vuajtja kishte lidhë fatin e përbashkët të atyne dy të mjerëve! Përbri meje ishte një anamalas që ishte i sëmurë me zgjebe. Në anën tjetër ishte një djalë i ri, një qytetar me syza, Syri Anamali.
Ishte vonë e nuk lejoheshin bisedimet. Folëm nën za. Pas pak hyni prap një roje që e lidhi djalin e ri edhe prej kambësh, se duart i kishte të lidhuna. Mue më lidhi për duersh e për kambësh.
Kur hapa sytë në mëngjes e pashë se kishte dalë drita, pyeta veten: Si do të jetë dita në burg? Kur hodha sytë në dhomë e pashë se edhe të tjerët ishin zgjue e po rrinin ndejun. U sigurova se nuk isha në vorr!
Na zgjidhën e na çuen mbas shtëpie për tualetin e mëngjesit. Atje pashë edhe të tjerë, por ishte rreptësisht e ndalueme me folë me njeni-tjetrin. Të gjithëve i shiheshin në fytyrë e në trup shenjat e torturave. Cin Serreqi, i bijshin të mëdhaja rrobat edhe këpucët. Vetëm Guljelm Suma, disi i familjarizuem, me rojet, fliste me za të naltë e pa i’u drejtue askujt e, si e kishte zakon gjithmonë, hidhte ndonjë shaka sa për të tregue se nuk e kishte humbë humorin.

Ejëll Çoba - Jetë e Humbur
Ejëll Çoba – Jetë e Humbur

Shokët hangrën mëngjesin me ç’ka u kishte teprue nga darka e më dhanë edhe mue. Filluem bisedat e u njohëm.
Pa kalue dy javë që isha dorzue, një ditë, kur më sollën ushqimin, pashë se emri im në etiketë nuk ishte shkrue si zakonisht me shkrimin të vëllait, Kelit, por me shkrimin e nanës. U çudita: pse vëllai dhe motra që kisha lanë në shtëpi, t’ia kenë lanë nanës plakë edhe me shkrue etiketën? U qetësova pak tue mendue se ndoshta në atë moment nuk kishin ndodhë në shtëpi as njeni e as tjetri dhe nana, për të mos e vonue ushqimin, e kishte dërgue me anë të ndonjë personi tjetër pa pritë motrën. Por kur të nesërmen pashë jo vetëm shkrimin e nanës, por në vend të emnit tim, emnin e vëllait, Kelit, atëherë dyshova se e kanë arrestue. Për këtë i thashë rojes t’i merrte ato sofratasa e të pyeste nëpër dhoma, a ishte kush me këtë emën. Roja i mori. Ndëgjova në dhomën tjetër zanin e Gjon Serreqit, që i’u përgjigj rojes:
Jo Kel, po Ejëll Çobën e ke në dhomën tjetër. Roja shkoi odë më odë, u kthye e më tha: S’ka me këtë emën – e m’i la sofratasat. Sado plakë të ishte, ishte e pamundur që nana të gabonte emnin e djalit në burg, me atë që kishte në shtëpi. E vërteta ishte se dhjetë ditë mbas meje, kishin arrestue vëllanë, Kelin. Motra në ato ditë kishte shkue në Tiranë te vëllai tjetër, për të përgatit shkresat në pritje të transferimit tim atje.
Pas disa ditësh më çuen në një dhomë tjetër, ku gjeta Ramadan Sokolin dhe një mirditas. Ramadani kishte dy cilësi shumë të mira: njena ishte se këndonte bukur, e këtë sa herë i’a kërkonte ndonjë shok, edhe prej dhomave të tjera, sidomos kangën “Turtulleshë” që e kishte shkru dhe kompozue vetë. Tjetra ishte se tregonte me hollësi romanet e shumtë që kishte lexu.
Me Ramadanin mundohesha me ba një bisedë ma të ditës. Më tha, jo pa njëfarë krenarie, se kishte ba pjesë në një grup të rinjsh, që kishin kërkue të rrijshin neutral në çamjen e madhe të popullit shqiptar. Në dhomën, ku kisha qenë me Ramadan Sokolin, kishin sjellë Padër Bernardin Palajn. Prej derës së odës sime mujta me e pa e me folë pak me të. Kishte në ballë një të çame të madhe transversal të një plage. Më tha se im vëlla, Keli, gjindej në seksion nën tortura. Ma fort me shenja se me fjalë, më la me kuptue se seksioni ishte ferr i tmerrshëm. Padër Bernardini qëndroi pak dit në dhomë me Ramadanin.
Një pasdreke ndëgjova zhurmë e zana në çardak e kambë të randa që uleshin për shkallë. Shikova jashtë në dritare. Pashë një frat të mbajtun për kambësh e për duersh, të cilit i shkrryheshin përtokë mantelin dhe veladonin bojë kafe. E njoha, ishte Padër Bernardini. E hypën në një veturë. Nuk dija me spjegue ç’ka i kishte ndodhë. Ramadani më shpjegoi se Padër Bernardinin, e kishin thirrë në zyrë për të firmos proçes-verbalin e hetuesisë.
Ai kishte dashtë të refuzonte, por kur roja që kishte sjellë proçesverbalin i kishte thanë se po të mos e firmoste, kishte urdhën ta shoqnonte prapë në seksion, e kishte vu firmën. Posa ishte kthye në dhomë, kishte fillue me i ra me grushta kresë e me përplas kryet për mur. E kishte kapë një krizë zemre. Erdhën dhe e morën. Po atë natë, në dhomën e spitalit të burgut të Togës, ish konvikti “Malet tona”, kishte vdekë. Drita e së nesërmes e kishte gjetë të hedhun në fund të kopshtit mbi pleh. Kështu tregojshin të burgosurit e Togës.
Mbas dy-tri ditësh më prunë pranë Padër Filip Mazrekun. Megjithëse kishte kalue nëpër njëfarë hetuesie paraprake, rrinte ende nën ndikimin e jetës së qetë e monotone të Kuvendit dhe andrronte me u kthye atje për prehje, larg jetës së seksionit. Më kanë thanë se, kur doli prej burgut, i’u shtrue jetës e nuk u ankue ma për jetën priftnore.
Në mbramje, burgu u mbush me mysafir të rinj, të njohun e të panjohun. U ba një sistem i ri e mua më caktuen në katin e poshtëm, në një dhomë të madhe me 56 veta, shumica fshatarë që i kishte përla rryma përmbytëse e revolucioni të etshëm për vuajtje e gjak. Kur hyna në dhomë, pashë të shtrim përbri derës Padër Karlo Serreqin, që më thirri menjëherë e më lëshoi vend përbri derës e më tha të rrijsha afër. I thashë: “Po, derisa t’na lanë!”. Me Padër Karlin nuk kisha folë qysh në foshnjore. Ai mori rrugën e kuvendit qysh në fëmini e unë rrugën e Italisë. Jeta na ndau, por vuejtja na bashkoi prap!
© Ejëll Çoba

Marrë nga Muri i Fb Artan Kafexhiu, 8mars 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.