back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Bota Shqiptare në veprat e piktorit Jean-Leon Gerome… nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met
Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met

Bota Shqiptare në veprat e piktorit Jean-Leon Gerome…

nga Ilir Seci

Piktori francez, Jean-Léon Gerome, është një nga mjeshtrat e mëdhenj të pikturës botërore, veprat e të cilit janë të ekspozuara nëpër muzeumet më të famshme. Ne seksionin francez të Muzeut Metropolitan në New York, vizitori ka fatin të kundrojë disa nga punimet më të famshme të këtij mjeshtri të madh, punime që janë në pronësi të ketij Muzeu…
Kundrimi i çdo vepre të këtij mjeshtri të madh është një kënaqësi e vërtetë estetike, por kur ndër ato vepra të ekspozuara në Metropolitan të Artit në New York, artdashësi shqiptar gjen disa punime me tematikë shqiptare, ku kënaqesia natyrshëm kthehet në krenari!
Nga mjeshtri Jean-Leon Gerome në Muzeun Metropolitan të Artit janë të ekspozuara pesë piktura me tematikë shqiptare… Pesë piktura nga cikli i famshem i punimeve orientale të mjeshtrit Gerome, punime që i dhanë famë këtij piktori si mjeshtër orientalist! Po si u gjenden, si u bënë shqiptarët objekt estetik në pikturat e këtij mjeshtri të madh?! Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje më parë duhen shkruar disa të dhëna për këtë mjeshtër të madh…

Jean-Leon Gerome (1824-1904)
Jean-Leon Gerome (1824-1904)

Jean-Leon Gerome u lind ne Vesoul, Haute-Saone, Francë, me 11 maj 1824, dhe vdiq në Paris me 10 janar 1904. Jean-Leon Gerome ështe një nga piktorët më të spikatur të kohës së tij dhe njihet si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të stilit të quajtur “Akademizëm”, stil që mjeshtri e ndoqi në pikturë dhe skulpturë. Ka realizuar shumë vepra që trajtojnë temat historike dhe ato mitologjike. Gerome ka shkëlqyer në portrete, tablo të natyrës si dhe skulpturë, duke e çuar traditën e pikturës së stilit Akademik, në një pikë kulmore artistike. Në qarqet artistike, Gerome sot gjerësisht konsiderohet si një nga piktorët më të rëndësishëm të Akademizmit, dhe përveç të qenit një piktor i madh, ai ishte edhe mësues i një liste të gjatë piktorësh qe me vonë u bënë emra të njohur në art…
Nga mjeshtri Jean-Leon Gerome vlerësohen më së shumti pikturat me temë orientale, punime që erdhën si fryt i frymëzimeve në udhëtimet që bëri në Afrikë të Veriut dhe Lindje të Mesme… Temat që realizoi nga frymëzimet e atyre udhëtimeve nga shumë studies, kritikë arti apo akademikë sot vlerësohen shumë. Ajo seri pikturash ka njohur një lloj veçimi estetik për nga vleresimi, në morinë e punimeve që ka lënë pas Gerome… Një karakteristike e veprave të tij është se pothuaj në gjjthë ciklin e mirënjohur, shqiptarët janë përherë dhe kudo të pranishëm! Gjatë udhëtimeve në Afrikë të Veriut, në Egjipt, Gerome njohu shqiptarët që jetonin atje asokohe… Në kontekstin historik duhet të theksojmë se në atë kohë kur Gerome vizitoi Egjiptin, për herë të parë, në vitin 1856, sundimtar i Egjiptit ishte Said Pasha, djali i katërt i Muhamet Ali Pashës, shqiptarit nga Zëmblaku, sundimtar që vinte nga dinastia me origjinë shqiptare. Dihet që Muhamet Ali Pasha, nga Zëmblaku i Korçës, në vitin 1805, mori nën kontroll Egjiptin dhe themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit, dinasti që sundoi atë vend për 148 vjet me rradhë, deri ne vititn 1953… Mbas asaj vizitë në vititn 1856, Gerome shkoi edhe herë tjera në Egjipt dhe u prit me nderime nga familja mbretërore. Gjatë sundimit të kësaj familje mbretërore në shumë shqiptarë emigruan, si thuhej në Misir, duke punuar e jetuar atje… Duket që në momentin e parë kur njohu shqiptarët, Mjeshtri i madh u magjeps nga personaliteti i tyre, u magjeps nga bota e tyre, që më së pari shpalohej në kostumet popullore shqiptare… Kjo dallohet ne faktin qe veshjet tradicionale te shqiptareve zene vend te rëndësishem në pikturat e Jean-Leon Gerome… Shqiptarët janë të pranishëm gati në gjithë punimet që ka realizuar ky mjeshtër në Egjipt… Dhe nuk janë pak! Jane me dhjetra piktura… Në të gjitha ato punime mjeshtri ka arritur të nxjerrë në pah personalitetin e shqiptarëve…

“Falja e namazit në xhaminë Amr”
Gerome – “Falja e namazit në xhaminë Amr”

Po veçojme një nga punimet më të arrira në këtë drejtim siç është piktura “Falja e namazit në xhaminë Amr”, e cila gjendet e ekzpozuar në Muzeun Metropolitan në New York…
Piktura “Falja e namazit në xhaminë Amr” është një pikturë e realizuar me vaj në kanavacë dhe mban si datë, vitin 1871… Ka keto përmasa: 88,9 cm e lartë me 74,9 cm e gjerë… Vepra i është dhuruar Muzeut Metropolitan të Artit në New York, ne vitin 1887, nga Catharine Lorillard Wolfe, koleksioniste që e ka blerë nga autori dhe e ka dhuruar në koleksionin e vet që ka në këtë Muze, “Catharine Lorillard Wolfe Collection”… Të rralla janë punimet që kanë ngërthyer aq mjeshtërisht personalitetin shqiptar…
Në pikturë menjëherë bie në sy një burrë gjysmë-lakuriq, thuajse në mes të pikturës i cili ka qëndruar jashtë linjës së drejtë formale të besimtarëve që janë rreshtuar në faljen e namazit. Po ashtu menjëherë bien në sy tre burra që janë portretizuar veçmas në njerën anë… Veçimi i tyre në anë është bërë që të jenë me afër, pasi piktori ka dashur t’i nxjerrë në pah. Kjo menjëherë dallohet që ka qenë një intencë, (qëllim) nga Gerome, për t’i nxjerrë paksa në kontrast me krejt tablonë… Me detaje, piktori paraqet një perspektivë lineare të kolonave dhe harqeve, me pika të dallueshme, ku ka një konvergjencë të vijave paralele, që piktori i realizon në linjë të perspektivës që zhduket në horizont. Brendia e xhamisë është realizuar mjeshtërisht, pjesa nën kulm, është një kryevepër me dimensionet dhe hapesirën mes harqeve…Mënyra se si është paraqitur dyshemeja po ashtu është një mjeshtri më vete… Për të kompensuar perspektivën Gerome, pikat e konvergjencës së vijave paralele, i ndërthur në horizont me rreshta e rregullt të besimtarëve. Renditja, (rregullimi), i objekteve dhe imazheve në pikturë për kët arsye është bërë simetrik. Përdorimi i renditjes gjeometrike të objekteve në hapësirë, në këtë pikturë ndihmon për të nxjerrë në pah temën. Domethënë që besimtarët të duken edhe ata sikur janë statike dhe të ngrirë në formë të njejtë si format e arkitekturës rreth tyre, ngjan sikur disa forca dominuese i mbajnë ata nën kontroll… Gjithë ky kontrast është në funksion të paraqitjes së shqiptarëve që nuk mund të ngatërrohen nga veshja e tyre me fustanellë! E gjithë atmosfera është ndërthurur për të paraqitur botën më vete të shqiptarëve që ishin ndryshe nga të tjerët…

“Falja e namazit në xhaminë Amr” (frag.)
“Falja e namazit në xhaminë Amr” (frag.)

Ja dallimet… Shqiptarët më së pari dallohet se kanë hyrë në xhami me armë… Asnjeri nga të tre nuk ka dorëzuar armët te dera siç ka qenë rregulli! Të tre mbajnë armët në brez dhe kanë gjithë atë arsenal armësh, ndërsa luten! Xhamia është vend faljeje dhe aty besimtari duhet të gjejë paqen, per këtë ide Gerome ka paraqitur pëllumbat në dyshemenë e xhamisë… Pastaj e dyta shqiptarët janë të veshur ndryshe dhe dallojnë nga veshjet tipike të egjiptianëve që janë veshje pa shprehje, të njëtrajtshme deri në uniformitet. Kostumet shqiptare janë plot ngjyrë dhe jetë! E treta, shqiptarët edhe në lutje ruajnë hierarkinë, nuk rreshtohen krahas si besimtarët egjiptianë; feudali sundimtar ka dalë përpara, e sejmenët jane mbas tij! E katërta shqiptarët këtu nuk falen në rresht me tjeret; kanë zgjedhur një cep më vete! Kanë sjellë edhe qilimin e vet të vogël që është theksuar me detaje! Shqiptarët këtu në këtë portretizim sikur janë ata që ka përshkruar Bajroni “Te rreptë bijtë e shqipës…” Feudali i pari në rradhë, as lutjen nuk e bën si duhet, duart nuk i mban lart si është rregulli i namazit, gjestikulacioni i tij, gjuha e duarve të tij, përcjell mesazh pabindje, rrezaton një forcë të madhe kundërshtuese… E gjitha kjo në funksion të idesë së Gerome, që shqiptarët janë krye më vete, të pavarur, rrebelë që njiheshin për kuturisjen e tyre! Deri edhe në xhami, në shtëpinë e Perëndisë ata shfaqin botën e tyre të mvetësishme!
Njeriu mund ta sodisë kët pikturë për orë të tëra dhe e dallon në çdo detaj se e gjithë kjo pikturë është në funksion të paraqitjes së mvetësisë së shqiptarit, kryelartësisë dhe individualitetit të tij!…
Gerome sigurisht e ka mësuar së origjina e emrit “Arnaud”, vinte nga osmanishte, (arabishtja), dhe që kishte kuptimin: “I Pabindur”!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.