back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

Blerta Zhegu: Te ne, muzikë e mirë – ajo komerciale…!

Gazeta

Koncerti i Blerta Zhegut
Koncerti i Blerta Zhegut

 

Blerta Zhegu: Te ne, muzikë e mirë – ajo komerciale…!

Valeria Dedej (shekulli)

Blerta Zhegu, sopranoja lirike interpretoi në Universitetin e Arteve një koncert me repertor impresionist francez

Sopranoja Zhegu tashmë në momentet e fundit të provave tregon në një intervistë për “Shekullin” se në repertor-in e kësaj mbrëmje do të ketë “Plaisir d’amour” i J. P. Martini, “L’heure exquise” i R. Hahn, “Notre amour” etj. Pak muaj më parë Blerta Zhegu pati sukses me rolin e Adinës në “Elisir d’amore” dhe “Carmina Burana” në Teatrin e Operës së Tiranës. Blerta Zhegu i fillon studimet në klasën e Mjeshtres Nina Mula dhe i vazhdoi me Nathaniel Brodsky.

Si lindi bashkëpunimi për realizimin e këtij koncerti? Nuk është bashkëpunimi im i parë me ambasadën e Francës. Para dy vitesh kam marrë pjesë në një koncert që dirigjohej nga francezja Nathalie Marin dhe që aty kam prekur pak repertorin që do të prezantoj në koncertin tim recital, programi i të cilit është kësaj radhe më i gjerë, kryesisht me melodi të autorëve impresionistë francezë si Debussy, Faure, Satie dhe gjithashtu me pjesë nga Listz, Delibes apo romanca e J.P.Martini “Plaisir d’amour” që i jep dhe emrin koncertit.
Ky është koncerti juaj i dytë si soliste? Është i dyti për mua, pasi shumë vite më parë kam bërë një koncert tjetër recital, kohë kjo kur unë kam qenë nxënëse e Liceut Artistik. Kam qenë soliste disa herë e shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit,e Teatrit tonë të Operës dhe në teatro jashtë Shqipërisë, por mund të them se ky është i vetmi koncert recital në vitet e fundit. Përsa i përket programit të këtij koncerti, keni përzgjedhur pjesë nga repertori francez.
Përse? Ashtu siç ju thashë ky koncert mbështet nga Ambasada e Francës dhe është një repertor që unë e konsideroj shumë të veçantë, shumë të përshtatshëm për zërin tim dhe shumë interesant. Ka një intensitet emocional, një sharm, dhe një veçanti që publiku shqiptar do ta mirëpresë sepse nuk është shumë i zakonshëm për ne duke marre parasysh muzikën që jemi mësuar të dëgjojmë dhe kontrast me zhanret që janë bërë popullore vitet e fundit në vendin tonë. Për të zgjedhur repertorin i kam lënë vetës goxha liri. Kam dëgjuar shumë nga kjo muzikë për të kuptuar çfarë më përshtatej, çfarë më pëlqente. Dhe pjesët që kam zgjedhur i dua të gjitha njësoj dhe i performoj me shumë kënaqësi.
Sa përfshihesh në atë që performon? Mundohem të përfshihem 100%, pavarësisht se jo gjithmonë e arrij… Kur marr përsipër një projekt të caktuar, mundohem që gjatë kohës që kam në dispozicion të punoj sa më shumë me qëllim që ditën e shfaqjes të jem 100% e përqendruar dhe e futur në atë botë që vepra ka për qëllim t’i përcjellë publikut.
Keni ndonjë autor të preferuar? Autori i preferuar është autori i fundit që punoj çdo herë. Në momentin që punoj mbi një vepër e shijoj atë dhe mund të them se i preferuari është gjithmonë i fundit.
Persa i përket gjuhës në të cilën interpreton. Me cilën gjuhë ndihesh më mirë? Unë mendoj se italishtja është një gjuhë melodioze e këshilluar jo më kot nga pedagogët e kantos. Pa i konsideruar në raport me muzikën. Mua personalisht më tërheqin gjuhët e huaja dhe mendoj qe një vepër që është në një gjuhë tjetër përcjell jo vetëm gjuhën, por dhe një kulturë tjetër. Mundohem dhe se përveç të punoj mbi shqiptimin të kuptoj dhe këtë botë që ajo gjuhë sjell.
Për këngët lirike shqiptare, ç’mund të na thuash? Unë e adhuroj muzikën e kultivuar, muzikën e mirë shqiptare. E këndoj me kënaqësi dhe shpresoj që mos të zhduket, përkundrazi të vijë gjithmonë e më shumë duke u kërkuar nga ne të gjithë, e mos të lejojmë që kjo pasuri të na ikë nga duart. Është një kohë pak e vështirë ku nuk kuptohet se cila është muzika e mirë, e cila muzika komerciale shqiptare.
Në repertorin tuaj ka pasur këngë shqiptare? Ka pasur romanca të ndryshme si për shembull “Njat zaman t’asaj furie”, “Moj e bukura more” etj. Këngët shqiptare i kam kënduar në koncerte të ndryshme edhe jashtë Shqipërisë.
Ka pasur momente që gjatë karrierës tuaj keni thënë “stop”? Momente të vështira kanë qenë gjithmonë, vazhdojnë dhe do të jenë. Por ajo që na bën të vazhdojmë është se siç ka momente të vështira ka dhe momente shumë të bukura. Ne jetojmë për këto momente sepse ndryshe do e kishim lënë këtë punë me kohë (qeshë). Nga kjo do ishim thyer.
Cilët janë projektet tuaj për të ardhmen? Po përgatitem për të shkuar vitin tjetër në Francë, për të ndjekur një stazh lirik njëvjeçar, audicionin e të cilit e kam kaluar me sukses. Ndërkohë kam dhe një projekt në qershor të këtij viti, me Teatrin e Operës. Do të këndoj në shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, e F.Mendelssohn.
(Gazeta Shekulli 9 maj 2013)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.