back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Bashkë, nga barraka e vuejtjes te andrra e Lirisë…! (1993)

Gazeta

Lazёr dhe Jozef Radi 22 mars 1997
Lazёr dhe Jozef Radi 22 mars 1997

Bashkë… nga barrakat e vuejtjes… te andrra e Lirisë…

Intervistё e përbashkët e Lazër dhe Jozef Radit

dhёnё Radios së Jashtme… nëntor 1993

(Mbas botimit të librit poetik “Muret e Muzgut”)

Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

Radio e Jashtme: Atё e bir – nё njё vёllim me poezi “Muret e muzgut”. Pёrse kjo autorёsi dyemёrshe? Cila ёshtё domethёnia e saj?
Pёrgjigjet Lazёr Radi: Mё duket se e nisët pak gabim pyetjen: S’asht fjala pёr autorёsi dy emnash, por për dy autorë dhe dy emna, tё cilёt varёsisht janё at e bir, po pamvarsisht prej tё njajtit mbiemёn, janё dy gjana tё ndryshme… Megjithatё, edhe këtu ka diçka tё veçantë: – “atё e bir” debutojnё njiherёsh me nji vepёr editorialisht tё pёrbashkёt. Pёr rastin tonё s’ka gja ma tё natyrshme: se duke i pёrcjellё njeni-tjetrit tё njajtin fat, e duke qenё bashkudhёtarё nёpёr tmerrin e diktaturёs, i dhamë njiherit zemër njeni-tjetrit dhe u pёrpoqёm me e mbajtë tё ndezun nё shpirt zjarrin e shpresёs, se nji ditё ma e mirë do tё vinte… dhe jo veç pёr ne. U pёrpoqёm tё krijonim diçka edhe pse mendja na e thoshte se ato mund tё mos e shifshin kurrë dritën e diellit. Ne e shifnim atë ditë… dhe ngrofeshim prej njeni tjetrit. N’atё apokalips jete, gjejshim momente qetsie dhe shprese pёr me endë pëlhurat e shpirtnave, qё anija jonё tё endesh e lirë, tё bridhte diku larg, larg asaj çmendunie tё pёrditshme. Kёshtu, nёse e veçanta e kёtij libri asht se “atё e bir” debutojnë sё bashku, nji tjetër e veçantё – e ndoshta ajo ma e randёsishmja – asht se kёtё vuejtje tё gjatё e kemi ndarё pёrgjysё. Nё krejt poezitё e librit ka dhimbje, po ama ka edhe dritë; ka zemërim, por ama s’ka urrejtje; sepse pёr tё dy ne, urrejtja asht nji tragjedi e madhe qё ka randue mjaft mbi fatin tragjik tё historisё sё këtij vendi.
Pёrgjigjet Jozef Radi: Pёr mua e rёndёsishme ёshtё që dhe pse atё e bir – autorё tё tё njёjtit libёr, dhe pjestarë tё tё njёjtit fat, ruajmë secili tё veçantën e vet. Kjo asht simbas meje fitorja e kёtij libri me titull: “Muret e muzgut”. Duket sikur “muret” janё tё tim eti, ndёrsa “muzgjet” janë tё miat, dukej sikur muret dhe muzgjet bëhen bashkёudhёtarёt tanё tё pёrjetshёm… qё pёrpiqeshin tё na ndanin, tё na largonin, tё na humbnin diku… nё absurd; ndёrsa ne luftonim, rropateshim, rrëzoheshim, ngriheshim… dhe sёrish vazhdonim nga e para, pёr t’u ngritur mbi “muret dhe muzgjet” e asaj jete dhe asaj kohe.

Radio e Jashtme: Pёrceptimi i vuajtjes – dhimbja si pasojё dhe reflektim i saj nё poezinё e tё atit dhe tё birit.
Pёrgjigjet Lazёr Radi: Perceptimi i vuejtjes, d.m.th pasqyrimi në tanёsi i anёs sё jashtme tё sendeve apo forma e njohjes shqisore tё realitetit objektiv… Kam pasё dёshirё qё nё kёt libёr, realiteti – sado i hidhёt dhe i vёshtirё që ishte – tё mos paraqitesh krejtsisht i veshun në tё zeza; as si nji tumul, d.m.th. nji mjedis varrezash ku njerëzit tё jenё vetёm gurё varri, qё tregojnё se: “kёtu ka  veç vdekje”.
Jam pёrpjekë që çdo vargu t’i jap nji kolorit tё perceptueshёm jo vetёm prej synit, po kryesisht prej mendjes dhe shpirtit. Sepse jetёn unë s’e kam konsiderue asnjiherë veç vajtim e lot, edhe motin s’e kam mendue veç shi e shqotё… jam pёrpjekë qё midis atij negacioni ku jetoja, tё gjeja diçka ma tё mirё, ma të bukur, diçka pozitive. Kёshtu “dhimbja”, vёrtet ka nji refleksion nё poezinё e secilit prej nesh, por ajo s’asht “moventi”, s’asht gjithçkaja, s’asht ajo “dirigjentja” e poezisë së këtij libri.
Pёrgjigjet Jozef Radi: Pёr mua poezia mbetet ankth! Nji ankth qё mbёshtjell qenien e çdo poeti, gjersa tё lindё ajo: e mrekullueshmja, e papёrsёritshmja, njerzorja: poezia.
Nё kёt proces tё vazhdueshёm ngjizjeje, lindjeje dhe ripёrtёritje tё botёs, poetёt mbeten lehona tё pёrjetshme në pasurim të njerzimit, kёshtu qё dhimbja dhe vuajtja në kët libër janё gjёra krejt tё zakonshme… sepse bota kurrё s’mund tё jetё aq e pёrsosur, sa nji ditë t’i mungojё vuajtja e dhimbja, tё cilat me gjithё tё keqen e tyre derdhin mbi kët botë ngjyrat ma njerzore tё saj.

Lazër Radi dhe dy djemtë 1996
Lazër Radi me dy djemtë Jozefi e Luciano 1996

Radio e Jashtme: Ёndrra pёr ndryshim vjen e bёhet gjithnjё e mё konkrete me kohёn e re tё demokracisё… E ndёrsa i ati e beson, e shpreson, e thёrret njё ndryshim tё tillё… i biri e pёrjeton si njё ankth tronditёs qё pёrditё e mё tepёr me vitalitetin e moshёs sё tij…
Pёrgjigjet Lazёr Radi: Eh, sa tё bukura janё andrrat. Asht fatlum ai qё din me jetue midis andrrёs dhe shpresёs. Asnji shpikje, asnji kryevepёr, asnji mrekulli njerzore s’do tё ishte krijue sikur t’mos kishte qenё andrra dhe fantazia. Njeriu i zakonshёm shpesh s’mundet me shkue aq përtej. Me ç’logjikë e me ç’forcё njerzore e shpirtnore do tё mund tё zhdukej mortaja e tmerrshme e asaj kohe qё shkoi? E pra, atё qё nuk e shifte, që as e perceptonte shumkush… e parandjente poeti… Ai andrronte, besonte, shpresonte, e thёrriste nga humnera e kohës dhe ajo e shpirtit tё tij. Sepse liria asht nji pёrmasё sa e domosdoshme aq edhe sublime pёr shpirtin njerëzor, dhe “njeriu e feston lirinë kur shpirti i tij e kërkon atё, edhe atherë kur e heqin zvarrë…!”
Pёrgjigjet Jozef Radi: Kam besuar gjithmonё, se njё ditё  gjёrat do tё ndryshonin… dhe kam luftuar gjithё jetёn, sigurisht duke pasur në krah edhe tim atë… qё kur tё vinte ajo ditё, tё mos kisha mbetur duke u qurravitë, për atë të keqe ku më kish hedhë dhuna dhe fati.
Fatmirsisht kjo ditë erdhi, duke marrë edhe të shtymen e gjithë duarve tona të prangosura. E pra, kjo ditё, me gjithë problemet që ka: sot ёshtё. Ndodh qё njeriu ende tё vuajë pёr mungesë identiteti, por s’duhet të harrojmë se ajo ditë i pёrket tashma nji kohe tё largёt dhe pakthim. Njeriu, sot ёshtё… ose dyhet të jetë! Secili duhet ta kërkojë përmasën e vet, atë çka ai dёshiron tё jetё… Mos të harrojmë se koha vёrtet ёshtё e ashpёr, po ёshtё edhe e bukur, sidomos pёr atё qё lufton ta jetojё kohёn e vet ashtu siç duhet.
Nёse ndokush e ka humbur identitetin në tё djeshme, kjo s’ёshtё nji arsye qё tё mbetet pa identitet edhe nё tё nesërme.

Lazër Radi dhe e shoqja Viktoria 1993
Lazër Radi dhe e shoqja Viktoria 1993

Radio e Jashtme: Nё planet dhe punimet e sё ardhmes a mendoni tё keni punё tё pёrbashkёta?
Pёrgjigjet Lazёr Radi: Do t’ishte ideale nji vazhdimёsi e tillё. Kemi pregaditë bashkё nji poemё tё Jevrem Bёrkoviqit, e cila asht nё botim dhe sё shpejti mund tё dalё. Prej disa kohësh bashkpunojmë dhe nxjerrim nji revistё letraro-kulturore “Arbёria”. Sot, edhe pse shumë punë i bajmё bashkё, me thanë tё drejtёn, me kambngulë pёr nji bashkpunim tё vazhdueshёm, s’mё duket gja fort e përshtatshme. Mosha e tij dhe brezi i tij, e kanë pёr detyrë tё ndёrtojnё nji botё nё nji kuptim tjetёr, me nji dinamikё tjetёr, gja tё cilёn brezi i im, nё vija tё përgjithshme, nuk arriti me e kuptue siç duhet…!! Më vjen mirë, qё ai punon intensivisht nё rikuperimin e kohës sё humbun. Ai asht duke mbarue juridikun: drejtёsinё, qё aq shumё na mungonte, kurse un jam tuj e mbyll dhjetëvjeçarin e tetë tё jetёs… Megjithatë, besoj tё jetoj edhe do kohё sa tё mund t’i zbardh edhe do punë, tё cilat s’do të doja t’largohesha pa i pёrfundue. Kjo do ishte, nji landё e parё me tё cilёn Jozefi duhet tё punonte nё tё ardhmen dhe tё luftonte pёr botimin e tyne. Kështuqë, duke i pa punët nё kёt prizëm mendoj se bashkëpunimi i ynё ka me vazhdue edhe nё t’ardhmen – kur unё mos tё jem – bashkёpunim qё nisi nё kohnat ma t’errёta tё dhunës, dhe qё do tё mbarojë i frutshёm nё tjera kohna, nё kohna paqeje, demokracie e mirëqenie pёr tё gjithё shqiptarët, kudo qё tё jenë ata.
Pёrgjigjet Jozef Radi: Nji brez i ri, rri gjithsesi mbi shpatullat e nji brezi qё ikёn. Dhe pse shumё gjёra i kemi kontradiktore me njeri-tjetrin, ajo e pёrbashkёta ёshtё shumё e madhe dhe shumë e thellë. Ndodh shpesh tё grindemi rreptё, po mbas grindjes, ashtu si mbas stuhisë, ma i kthjellët shfaqej qielli mes nesh… Kemi reflektuar të dy, se kush e ka pasë ma pak gabim, dhe e kemi rifilluar punën sёrish bashkë. Kjo mёnyrё “grindjeje” ka qenё ndoshta edhe shkolla e bashkёpunimit mes nesh, nji shkollë qё unё mendoj se duhet tё vazhdojë tё funksionojё; edhe pse sot detyrimet qё i kam ngarkuar vetes mё thërrasin drejt nji horizonti krejt tё panjohur, ku gëlon ai pasioni i hershëm i rinisë sё tim eti, që aq shumё mё ngacmon mua sot. Megjithatë unё mendoj se do tё shfaqemi sёrish bashkё nё forma tё reja, nё raporte tё tjera.

Ndër të fundmet foto të Lazër Radit me djalin, vajzën dhe mbesën - gusht 1998
Ndër të fundmet foto të Lazër Radit me djalin, vajzën dhe mbesën – gusht 1998

Radio e Jashtme: A mund tё na flisni pak pёr punimet tuaja pёr tё cilat dijmё se i keni gati pёr botim?
Pёrgjigjet Lazёr Radi: Gati pёr botim kam katёr vepra tё Platonit: “Apologjinё e Sokratit”, “Kritonin”, “Fedonin” dhe “Simpiozumin” ose “Elozhin e dashurisё”. Tё katёrta kёto vepra mund t’i pёrfshij nё nji vëllim me rreth 220 faqe, ose nё dy vëllime, me pasë nji çmim sa ma popullor për lexuesit. Botimi i kёtij libri mendoj se do t’ishte nji punё e vlefshme, sepse rinia shqiptare ka nevojё pёr filozofi idealiste, filozofi qё e ngre shpirtnisht, që i tregon rrugë të reja në jetё. Gjithashtu kam gati pёr botim edhe “Kujtimet” me Migjenin, nji libёr qё mund t’u vlejё atyne qё merren me studime migjeniane… Pёr tё tjerat s’e shoh t’arsyeshme me fol nё kёt intervistё tё shkurtё.
Pёrgjigje Jozef Radi: Dua sё pari ta jetoj kёtё libёr, nёse ёshtё libёr. Nёse ma thonё edhe tё tjerёt, atё qё ia kam pretenduar vetes… besoj se mund tё botoj nji libër tjetёr: E rëndsishme është që ai libër tё mos ndjehet i turpёruar nga libri i parё!! Megjithatë punoj çdo ditë, duke menduar se arti ёshtё nji rrugë e mundimshme qё vazhdimisht të ofron mundësi të mëdha komunikimi, po edhe tё kёrcёnon me dështime.
nëntor 1993

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Në harkun e këtyre 30 ditëve, Dr. Lazër Radi ka 15 vjetorin e ngjitjes në qiell… Sepse ai i përket asaj kategorie njerzish që ngjiten diku, dhe aspak nuk zbresin diku… Edhe kjo intervistë e librit tonë të parë të përbashkët, në nëntor të ’93, dhënë Radios së Jashtme, këtë gjë dëshmon… që ai s’ka gabuar në asgjë çfarë ka thënë e çfarë ka shkruar… Gjatë gjithë këtyre ditëve unë do të përpiqem të dëshmoj përmes asaj çka ai ka lënë si pasuri shpirtërore se ai nga atje ku është ngjitur duket se sheh gjithçka…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.