back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Bajraktarët dhe roli i tyre – nga Xhafer Sadiku

Gazeta

Komandantët e Malsis...
Komandantët e Malsis…
Sot po ndiqja me vёmendje njё deputet qё ka studiuar jashtё e qё lёshoi me breshёri perreth njёzet herё tё pёrdorё fjalёn “bajraktar” me njё ngjyrosje negative e thellёsisht me frymё komuniste; ashtu si kohё pas kohe dёgjojmё fjalёn “ballist” tё pёrdor nga deputetё tё tjerё qё pretendojnё se po kontribuojnё me zell pёr demokracinё shqiptare…!!ёshtё vёrtet e trishtё qё kёto figura tё njё institucioni tё lartё shtetformues, si Parlamenti, pёrdorin njё terminologji rudimentale tё dalё boje…
Nё dёshirёn pёr t’iu pёrgjigjur deputetit ndesha nё kёtё reagim tё zotit Xhafer Sadiku, edhe pse njё shkrim me pretendime modeste, pёrfaqёson njё linjё tejet mё dinjitoze se shprehjet ordinere tё deputetёve nё fjalё, qё nuk kanё as njohuri minimale tё kulturёs historike, dhe as njё respekt qoftё edhe formal, tё vlerave qё pёrfaqёson kultura jonё…
Mjerimi parlamentar ёshtё themeli i krejt mjerimeve tё sotme, qё po gёlojnё kёrcёnueshёm nё shoqёrinё e sotme shqiptare…
jozef radi, 13 qershor 2019

Bajraktarët dhe roli i tyre

nga Xhafer Sadiku

Shpesh, në luftën politike, madje edhe në parlament, përdoren terminologji të lëna trashëgim nga historiografia komuniste. Ato përdoren jo vetëm nga të majtët që janë edukuar me frymën e urrejtjes klasore, por edhe nga disa që pretendojnë të jenë të djathtë, madje hiqen si flamurtarë të së djathtës.
Më konkretisht, përdoret termi “bajraktar”, si term fyes për kundërshtarët e tyre politikë.
Për ata që nuk e dinë se kush kanë qenë bajraktarët, po sjellim disa të dhëna historike.
.
Xhaferr Sadiku
Xhaferr Sadiku
Sipas traditës fisnore, besohet se shumica e bajraqeve u është dhuruar flamur-mbajtësit të parë si Kryqi i Viktorias, për trimëri në betejë. Zakonisht, luftimet zhvilloheshin kundër armiqve të natyrshëm të shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve, pasi ishin fqinjët e tyre më të afërt. Luftimet nuk rreshtën që kur këta u shfaqën në Ballkan, për të grabitur territorin e lashtë shqiptar.
Sipas Margaret Haslouck, disa bajraqe datojnë disa qindra vjet të shkuara, ndërsa të tjerët disa breza përpara.
Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, të gjithë bajraktarët kanë qenë prijësa luftarakë të fiseve.
Parë në këndvështrimin e besimit fetar, bajraqet ishin organizime kryesisht të fiseve katolike, por edhe gjysmë katolike dhe myslimane.
Mirdita, Boga, Vukli, Shala, Nikaj, Mërturi dhe disa të tjerë ishin krejtësisht katolikë.
Nikçi, Selca, Hoti, Kthjella dhe Lura ishin pak a shumë të përzier, katolikë dhe myslimanë.
Disa fise si Hasi, Bytyçi dhe Krasniqja ishin tërësisht myslimanë.
Luma ka qenë tërësisht myslimane, që me mbërritjen e osmanëve afro gjashtë shekuj më parë.
Në disa nga zonat veriore nuk kishte bajraktarë. Meqë bejlerët ishin zotërinjtë feudal të tokave, u takonte atyre që t’u prinin pasuesve të vet për në luftë. Kudo ku kishte bejlerë me një farë peshe, nuk kishte bajraktarë. Mati ishte shembulli klasik për këtë organizim.
.
Legjenda e Malsisë - Prek Cali (1872-1945)
Legjenda e Malsisë – Prek Cali (1872-1945)

Funksionet e bajraktarit

Bajraktari kishte funksione të ndryshme, të përcaktuara për çdo situatë, madje edhe në kohë lufte.
.

a) Në kohë lufte

Funksioni parësor i bajraktarit ishte tërësisht ushtarak.
Kur dikush prej tyre njoftohej se lufta po afrohej dhe se nevojiteshin trupa, në radhë të parë lajmëronte menjëherë fisin duke shtënë tetë herë në ajër. Së dyti për lajmet e reja niste si stafetë zyrtare kasnecin bashkë me shpalljen se sa njerëz duheshin.
Zakonisht kërkohej nga një njeri për çdo shtëpi. Grumbullimi përfundonte me shpejtësi. Kur grumbulloheshin të gjithë, niseshin përpara.
Sipas rastit, dy ose katër prej burrave, prinin duke kënduar. Pas tyre vinte një njeri i afërt i bajraktarit, që mbante flamurin, mundësisht djali i madh i tij. Pas tyre vinin ushtarët e thjeshtë, që shkrehnin pareshtur armët në ajër, duke shprehur gëzimin për thirrjen nën armë. Luftëtarët më të mirë e fusnin bajraktarin në mes, për ta mbrojtur me jetë atë dhe flamurin, deri kur ktheheshin në shtëpi pas marshimit.
.

b) Në kohë paqeje

Në kohë paqeje bajraktari ushtronte detyrat civile dhe kujdesej kryesisht për të varfrit. Nëse këta ishin në hall ose kërkonin punë, ai ndërhynte tek autoritetet. Po t’i zinte nata në rrugë, ai u shtronte për të ngrënë dhe u siguronte fjetjen falas. Për raste festash të mëdha u dërgonte për të kremtuar nga një dash. Ai bëhej dorëzanë tek shitësit e fshatit që nevojtarët të merrnin hua mallrat që u duheshin për ceremonitë e dasmës apo të vdekjes.
Kur nuk bëheshin të lashtat dhe ata s’e lanin dot borxhin, ai mbase edhe i paguante vetë mallrat. Ndonjëherë u jepte para borxh pa interes. Në shkëmbim ai u kërkonte që t’i shërbenin me armë. Po të sulmonte armikun, këta duhej që t’i bashkoheshin atij, ose duhej të bënin roje për disa javë në vit te shtëpia e tij, pa pagesë ose me një pagesë të vogël.
Gjithashtu, bajraktari merrej shumë me administrimin e vendit. Dy nga krerët e ndihmonin për këtë punë, edhe këta e kishin ofiqin të trashëgueshëm. Veç e veç ose bashkërisht, ushtronin kontroll mbi grindjet, bënin gjykime dhe hartonin ligje.
Si kreu më i lartë i administratës, bajraktari kishte fuqi ligjore të mblidhte kuvendin e përgjithshëm me qëllime administrative apo ushtarake. Nëse çështja në fjalë ishte e rëndësishme dhe prekte të gjithë fisin, ai kërkonte që çdo shtëpi të sillte nga një pjesëtar. Mbledhjet e përgjithshme merreshin me veprimet e rënda antishoqërore që mund të vendosnin dënimin me vdekje ose dëbimin, me gjykimin e çështjeve të dhunimit të shenjtërisë së kishës, me vendimet për të ngritur krye ose jo, kundër Qeverisë Turke dhe për të dëgjuar lajmet e rëndësishme nga qeveria.
Në vitin 1908, u mbajt një mbledhje e përgjithshme për të vendosur nëse do të pranohej apo do të hidhej poshtë Kushtetuta e Turqve të Rinj. Të gjitha mbledhjet i drejtonte bajraktari, i cili merrte pjesë aktive për vendimmarrjen dhe nënshkruante ose vinte vulën për çdo hollësi.
.

c) Në fushën e së drejtës

Pushteti gjyqësor ushtrohej nga pleqtë dhe autoriteti më i lartë ishte kapitani (bajraktari). Pleqtë vendosnin ndëshkimet për shkeljet e ligjeve të përcaktuar nga kuvendi.
Në praktikë, bajraktari dhe pleqtë parapëlqenin që të këshilloheshin me fisin. Bajraktari, si figurë ligjore, merrte rëndësi të veçantë. Nëse thirrej të merrte pjesë në një juri prej njëzetë e katër burrash, vlera e personit të tij ishte e barabartë me dymbëdhjetë anëtarë të jurisë. Pajtimi që bëhej në prani të tij ishte veçanërisht bindës.
Në mënyrë të veçantë, roli i tij ishte thelbësor në zgjidhjen e konflikteve të kufijve, që përbënte numrin më të madh të ngatërresave midis fiseve.
Në të gjitha zonat, juridiksioni i bajraktarit kishte disa kufizime. Nëse njerëzve të thjeshtë nuk u pëlqente ndonjë vendim i tij, edhe po ta merrte së bashku me krerët dhe pleqtë, ata nuk ishin të detyruar që t’i përmbaheshin atij vendimi dhe mund ta detyronin që ta rishikonte çështjen. As ai dhe as krerët, veçmas apo bashkërisht, nuk mundeshin që të gjobitnin kënd pa miratimin e fisit.
Bajraktari nuk paguhej si administrator pasi nuk kishte rrogë fikse. Megjithatë, ai përfitonte diçka nga gjykimet, për çka paguhej sa njëri prej pleqve.
Përgjatë shekujve, kanë qenë një numër i madh bajraktarësh që kanë rënë në fushën e luftës për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Muza popullore u ka kënduar këngë trimërie.
___________
Për më tepër shih:
Xhafer Sadiku, Mena – Bajraktari i Lurës
Prof. Salvatore Vilari; “Normat zakonore juridike të Shqipërisë, Kanuni i Lek Dukagjinit”.
Margaret Haslouck, “Kanuni shqiptar”.
Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912), Tiranë 2006.
Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra tё tjera pёr Shqipёrinё dhe shqiptarёt”, Tiranё 1998.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.