12.5 C
Tirana
E premte, 1 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Babi që s’u kthye një mbrëmje… rrëfim nga Izota Haruni

on

|

views

and

comments

Izota Haruni
Izota Haruni

Izota Haruni

në pak rreshta për veten e saj

Jam e lindur në qytetin e Tiranës, me 14 janar të vitit ’61… dhe e rritur në Lushnje, e specifikuar më qartë… në Karbunarë! Tetëvjeçaren e kam mbaruar aty te Shkolla mbi Kodër me një mesatare 10, po e pa marrë në konsideratë prej askujt. Me shumë dëshirë dhe me një zë të bukur, që ma vlerësonin “të mrekullueshëm”, konkuroj me shumë vështirësi në shkollën e muzikës ku fitova me vota të plota… por nuk “fitova”, sepse më vonë mora vesh se me qe hequr e drejta dhe se në vendin tim kishte shkuar e  mbesa e një anëtares së KQPPSH – Lenka Çukos.
Kështu hyra jetës si humbse pa filluar, edhe pse isha shpallur fituese.
Si shumë të tjerë mundësia e vetme… mbetej Gjimnazi i qytetit të Lushnjes…
Premtoja mjaft, edhe pse nuk ishte ajo shkolla që doja!
Më pas, janë ditët në vazhdim vajtje-ardhje Karbunarë-Lushnje të mbushura me studime, sakrifica dhe ëndrra.
Mbas dy vjetësh ndodh kjo ngjarje e babait (që e rrëfej në këtë shkrim), që mbeti ankthi dhe terrori jo vetëm i jetës sime po krejt familjes… Kështu udhëtimi ditën drejt shkollës, u kthye mbrëmjeve… por tashmë pa asnji ëndërr.
Më kujtohen si sot, fjalët e prof. H. Ç. që më tha: “Mos ik… Mos e ler shkollën Izota… Ne kemi projekte për ty!” “Nuk kam asnjë mundësi!” – tjetër i thashë. Ato fjalë më kanë shoqëruar në kohra. Aq sa më kanë vrarë, po aq edhe më kanë shëruar!
Në mars të ’91, nisem drejt Italisë, e zënë përdore me djalin që e doja. Këtu gjeta një jetë të ngarkuar me punë, me punë dhe vetëm punë. Nuk kam punuar kurrë ndonjëherë më pak se 10 orë në ditë… kjo vetëm si mesatare!!! Gjithmonë në restorante, gjë e cila më dha mundësinë të jem profesioniste e guzhinës.
Besoj se kaq është e mjaftë si prezantim.
Sigurisht kam shumë për të shkruar, dhe do të përpiqem ta sjell vazhdimisht jetën dhe botën time të ndrydhur brenda meje.
Shpesh kur kam pak kohë, kthehem te kujtimet e mia, te kujtimet e jetës sime, te vuajtjet e shumta, por edhe te ato pak gëzime që jeta me pikatore m’i ka afruar gjithnji…
Nëse do të më duhej t’i gjeja nji emër vetes, do ta quaja: Vajza e Përndjekur nga Bukuria.
Aq e përndjekur prej saj, sa shpesh e kam urryer bukurinë time!
E pikërisht për këtë do të vazhdoj të shkruaj pa llustruar asgjë të jetës sime…
Izolta Haruni, Torino 21 tetor 2015

Izota Haruni
Izota Haruni

Babi që s’u kthye një mbrëmje…

rrëfim nga Izota Haruni

-Mos e prisni atë shalqi… do ta presim kur të vijë babi.
-O maaaa… po kur do vijë?
-Duke ardhur do jetë moj bijë, po prit edhe ca.
Dhe pritja bëhet e gjatë, e tensionuar dhe unë bëhesha më nervoze…
-Po pse nuk po vijn Babi, o maaaa?! Duhet të kishte arritur me kohë.
-Mami po errësohet… Pse po vonohet kaq shumë?
-Po prit moj zemër se do vijë..
Dhe ajo pritje e gjatë, e gjatë, e dhimbshme, e mundimshme… vazhdonte!
Pritje pa kohë.
Pritje që nuk durohej..
Qeni nisi të lehte…
-Po vjen babi… Po vjen…!
Një zemër e vogël e një vajze pak më e rritur se një fëmijë rrihte si zemra e një harabeli të vockël nën thonjtë e maces.
Po, çdo gjë ka shkuar mirë… Babi po vjen.
Po fjalët më ngrinë në buzë… aty te dera e autobuzit dhe nuk u shkrinë më kurrë.
Vëllai hyri i vetëm, me kokën ulur dhe shpatullat e rrëzuara nga pesha e diçkaje të keqe.
Ajo peshë e rëndë në zemrën e tij qe si pesha e shinave të mallkuara të trenit mbi shpinën e tim eti.
Ajo peshë e rëndë, që ai nuk po e duronte dot më!
Ajo peshë e rëndë që donte ta ndante me ne.
Po Petrefi ku është… pyeti mami me atë zërin që po i mekej dhe duart që po i dridheshin….
Heshtje…
-Ku është babi – thirri ajo me zë të lartë? Pse nuk erdhi? Ku e le babin?!
-E dënuan me 6 vjet me heqje lirie.
Dhe ia kishin vënë prangat aty në sallë.
E kujt… babait tim që s’vriste një mizë, atij që respektonte edhe fëmijët, atij të ëmblit dhe të dashurit babait tonë.
-Oh tren i mallkuar, o 10 korrik i mallkuar, o drejtësi e mallkuar.
Nuk i harroj kurrë ato fjalë që im vëlla përsëriti në shtëpi. Babin tim e kishin dënuar!!
-Po pse, pseeee, pseeeeee!?!?
Lotët ua morën rrugën fjalëve.
Nuk mund të flisja, qaja… qaja dhe vetëm qaja në heshtje.
Po ajo heshtja ime bërtiste ulëriste.
Heshtja ime kërkonte të shpartallonte atë kafazin e brishtë të kraharorit, ku ajo zemra ime e vockël përpëlitej e gjakosur nga dhimbja.
E pafuqishme zemra ime, për të ndërruar fatin e babit tim, të vëllezërve të mi të vegjël, po pse edhe timin!
Heshtje…
E shikoja mamin me kokën e mbledhur me duart e saj.
Qante… Dëneste!
Ishte natë po askush nga ne nuk fjeti.
Nuk e dija atëhere, se vdekja ishte edhe më e keqe.
Për mua ajo që na kishte ndodhur ishte fundi.
Po ku ishte babi im tani, ça po bënte, ça po mendonte?! Nuk flisja, nuk mund flisja. Edhe po të flisja ça mund t’u thoja motrave dhe vëllait të vogël.
Si mund t’jua shpjegoja?!
Kush mund t’ua shpjegonte se ai baba i dashur, ai baba që dinte të përkëdhelte si një nënë e dhimbsur, ata s’do të mund ta shihnin për shumë kohë.
Si do ja shpjegoja motrës sime të vogël që babi nuk ishte më me ne në shpi.
Si do rrinte ajo pa shkuar te krevati i tij, mbasi ai ikte për në punë.
Unë mendoja më të vegjëlit.
Pooo unë, unë isha e madhe,
E madhe?! Po sa e madhe?
A isha aq në gjendje sa të mbaja atë peshë kaq të rëndë, mbi supet e mija.
Ku mund ta gjeja unë forcën, kush do të ma jepte kur ai nuk ishte!?
Isha vetëm 15-16 vjeçe.
Në një moshë kur kisha nevojë për të më shumë se kurrë.
Sepse unë kisha edhe një fatkeqësi tjetër mbi vete…
Ishin të shumtë ata që më thoshin se isha e bukur.
Dhe bukuria n’ato kohra ishte si mallkim.
E bukur!! 16 vjeçe pa baba afër, që të kujdeset, dhe për më tepër më duhej edhe të punoja…
Vetëm mendoja.
I lutesha Zotit të isha në ëndërr dhe doja të zgjohesha.
Nuk mund ta besoja. Nuk doja ta besoja. Po çfarë u kishte bërë babai im?!
Pse, pse, pseeee o Zot, pseee!?
Po çfarë bëri babai im?! Pse dy vagonë dolën nga shinat… ato bosh ishin, prandaj dhe ranë.
Nga forca e frenimit.
Po çfarë dëmi u bë… asgjë!!
Dhe më e rëndësishmja qe se lokomotivën e drejtonte ndihmësi.
Po pse dënuan babin tim, pseee?!
Apo pse ishte çam, apo pse ndihmësi qe nip i njërit në ata të Komitet Qendror?
Apo të dyja bashkë.
Akoma s’po kuptoja asgjë.
Ku ishte drejtësia.
Ku i lanë ata katër fëmijë të vegjël pa baba, pa bukë, në mes të katër rrugëve.
Ku ishte drejtësia, ku mund të mbroheshe?
Nuk kishe as avokat, nuk kishe asnjë të drejtë të flisje.
Ku qe futur drejtësia në atë shtet të fëlliqur!!
Ajo drejtësi që punonte “Në emër të Popullit!”
Të cilit populli?
Të atij populli që kishte frikë të fliste… të atij populli që nuk ankohej për asgjë, që nuk thoshte dot se s’ka sheqer në dyqan, pse e dënonin për politikë?!?
Ku ku ishte drejtësia!!
Zemërimi im ndaj asaj kohe s’më është tulatur akoma në shpirt.
Kanë kaluar vite, shumë vite.
Koha thonë i mbyll plagët, por nga kujtesa nuk ka mundur të m’i heqë dot…
Ditët e më pasme ishin të tmerrshme.
Ku ishte babi… larg shumë larg, në një burg në Veri. Si do shkonim ta shikonim, si do të shkonim ta takonim?
Çdo gjë ishte e pamundur.
Prandaj e urrej Pamundësinë.
S’ka më keq se sa kur “nuk mundesh”.
Zgjat duart… – por nuk prek asgjë!
Bërtet, klith… – por nuk të dëgjon askush!
Kërkon të ngjitesh – por toka të rrëshqet poshtë këmbëve të tua!
Ke etje – por s’arrin të mbrrish tek uji!
Je i uritur – por asnji nuk të beson!
Ke ftohtë – por me diellin ke bërë fjalë!
Ke vapë – por dielli djeg edhe më shumë!
Kërkon të vraposh – por këmbët e tua nuk të binden.
Prandej e urrej Pamundësinë.
Pooo, unë isha e pafuqishme…
Lashë edhe shkollën që e bëja si gjithë moshataret e mia ditën… dhe e vazhdova mbrëmjeve.
Gjithë ditës më duhej të punoja.
Më dhanë një bel më të gjatë se vetja, dhe një punë që më lodhte shumë… e që nuk e zgjodha vetë.
Tani nuk mund të zgjidhja më asgjë.
As shkollën që më pëlqente, as punën që mund të bëja e as ta jetoja adoleshencën pa trazime.
Dikush tjetër zgjodhi për mua, për jetën time.
Dikush tjetër vendosi që ne të rriteshim pa ngrohtësinë dhe dashurinë e babait.
Dikush tjetër na i shkeli ëndrrat me këmbë.
Dikush tjetër luante me fatin tonë.
Ai dikush që fshihej pas mantelit të ligjit.
Ai dikushi që ishte Gjithkushi.

Sa herë e kujtoj këtë ngjarje më shfaqet ai shalqi që s’u hap kurrë.
Zemra e tij nuk u copëtua… ashtu si ndodhi me zemrat tona..
Babi mbeti përgjithmonë tek ai shalqi, duke lënë ëmbëlsinë e tij tek të gjithë ne, që e donim aq shumë…

 

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

2 KOMENTET

  1. Izotën e kam njohur nga afër, nga shumë afër.
    Ka qenë moshatare me motrën time të madhe dhe vinte shpesh në shtëpine tonë, po ashtu edhe në shkonim atje. Cudi, prindërit e mi kanë qenë me të vërtet të mrekullueshëm… nuk na thanë kurrë që ata ishin ndryshe, se babai i saj ishte në burg, na lanë të shoqëroheshim dhe mundoheshin ta kënaqnin shoqen tonë me gjithshka kishin. Një ditë Izota më kujtoi pemët e baçes time, për të cilat ajo kishte mall, i kujtonte më mirë se unë vetë. E pra Izota për mua ishte një Merlin Monro me flokë të zeza, një vajzë mjaft e bukur. Per jetën e saj pas viteve 90 di shumë pak se u largua në Itali, por jemi lidhur kohët e fundit dhe kemi këmbyer mjaft mesazhe dhe kujtime.
    Ka pasur prindër mjaft fisnikë dhe të bukur. I uroj suksese në shkrimet e saj. E mbështes në atë që thotë, se në vend që bukuria e saj të ishte një armë e fortë për të çarë në rrugët e jetës, bukuria e vrau Izotën. Ishte e vështirë rruga për një vajzë të bukur…

  2. Ky shkrim i parë i Izota Harunit është i nji thjeshtësie të rrallë.
    Mbetem i bindur se do të jenë me qindra vajzat që do ta gjejnë veten te ky rrëfim, ku autorja ka vënë jo vetëm sinqeritetin dhe shpirtin e saj, po edhe nji adoleshencë të pajetuar kurrë…
    Izota Haruni do të paraqitet herë pas here me dritëhijet e botës së saj, si nji sprovë se ajo ka mjaft për të thënë dhe për t’i dëshmuar po aq bukur sa tregimi në fjalë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.