back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

At Ambroz Martini, rrëfen për jetën e vet…

Gazeta

At Ambroz Martini (1928-2010)
At Ambroz Martini (1928-2010)
At Ambroz Martini, rrëfen për jetën e vet…

Unë jam At Ambroz Martini, frat françeskan shqyptar, jam i lemë n’Theth të Shalës me datë 2 dhetor 1928. Në moshën 9 vjeçare kam ra në Shkodër e kam veshë zhgunin françeskan prej duerve të at Anton Harapit, njeri i madh në Shqypni, regjent i shtetit shqiptar, të cilin barbarët e kriminelat gjaksorë komunistë e kanë pushkatue, bashkë me 250 mijë shqiptarë, t’arrestuem, të dënuem e të pushkatuem barbarisht, pa gjyq.
Kam ardhë në Shkodër, me datë 16 shtatuer 1938, e jam veshë frat prej duerve të Padër Antonit. Aty kam gjetë gjakojtë e rij prej tana anve shqyptare, ndër të tjerë edhe Prek Pllumin, ma vonë ka me kenë at Zef Pllumi, që asht ndera e Shqypnisë e ndera e vendit.
Kanë kalue kohët derisa na, kena pa me sy gjana të ndryshme përgjat shekujsh e gjatë kohnave.
Me 7 prill 1939, na ka ardhë miku i padashtun miku i pamenduem, miku i padishruem: Mussolini fashist! S’e kena dashtë, s’e kena pranue e ka thye qafën mandej mbas 1943, me marre, turp edhe korì, e ka kalue në krahin e partizanëve për me mujtë me shkue të Itali te “Mamma mia”. Ne na kanë tradhtue, e kena mbetë si shtet, si popull e si njerz idealista, të tradhtuem.
Ma vonë mallkimi i Zotit, rrfetë e motit, komunizmi barbar e gjaksor sovjetik, bolshevik, raketik, ka ardhë te na me datë 29 nandor 1944.
Kjo asht dita e zezë e vërtetë!

Fretnit Françeskane - rreshti i pare ulur Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi
Fretnit Françeskanë – rreshti i parë ulur
Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi, Anton Harapi

Dita e rrënimit, dita e shkatërrimit, e Shqipnia krejtësisht asht transformue në nji vorr të gjanë e në nji burg të randë.
Kam pa me sytë e mi gjithçkafen, kam shkrue gjithçkafen, kam shënue gjithçkafen! Këtu ka kenë gjak, dajak e bukë aspak! Ky asht Parrizi, kjo asht mirësia, kjo asht bukuria e begatia e shteteve bolshevike, komunistë të pa Zot!
Për Shna Prende të vjetës 1948, kam marrë motrën murgeshë, vllanë 12 vjeç, e kam kalue Qafën e Pejës, bashkë me nji gjakue françeskan, ku si ai, si un ishim ushtarë me yll të kuq, jena nisë vetëm e vetëm me mujtë me u ba meshtarë. Se në Shqipni hyni i pafeu, mbaroi atdheu, e s’kisha kurrfarë shprese se mund të bahesha meshtar.
Zoti më ka ndihmue, e kam hasë rrugës ahe, pisha, breg, dellinja, çetina e harusha të murrme. Për mrekulli kena mbrritë në Mal të Zi, te daja i em, Vocërr Bala i Shalës, vllau i nanës seme. Për Vocërr Balën flet “Lahuta e Malcis”, kanga e gjashtëmbëdhetë “Kulshedra”.
Në Jugosllavi na kanë pritë shumë ma mirë se vllau. Shqiptari kje vllau, po kenka shumë ma i ndytë, shumë ma e mallkueme, shumë ma e idhtë thika e vllaut se thundra e shkjaut.
Tetë vjet kena ndejtë në Jugosllavi, në Mal të Zi. T’vorfën ata, t’vorfën edhe na, po na kanë pritë me nji bujari që u ka hije veç popujve të Ballkanit.
Ma vonë, kam ra në kontakt me ambasadën italiane, në Beograd, ku ishem student universiteti, e jam lidhë me Vatikanin, përmes ambasadorit Antonio Allegra, me gjeneralin e urdhnit Françeskan në Botë, Augustino Sepinckì. Ai ka dhanë urdhën me u përgaditë e me pritë.
Me 12 kallnor të vjetit 1954, unë, motra murgeshë, Padër Daniel Gjeçaj, dom Zef Oroshi, dom Nikollë Kimza, kena hi në tokën italiane. Në Firence e kam dorëzue motrën te murgeshat stigmatine, kurse unë e padër Danieli e kena mësy Romën mbas nji jave. Mbas dhjetë vjetve na kanë veshë zhgunën, e kanë paraqitë nevojën për mue me shkue në noviciatë, me e kalue edhe nji herë jetën e provës. Unë s’kam ndigjue kurrsesi, sepse i kam ba dhjetë vjet noviciatë nën komunizëm e bolshevizëm. Gjenerali ka kenë krah me mue, e ka thanë: “Fra Ambrozi e ka ba noviciatën dhjetë fish, prandej duhet me shkue menjiherë e me fillue universitetin e teologjisë në Fiesole të Firences!” Kam shkue, kam studjue, jam ba meshtar me datën 29 qershor 1957, në Itali. Kanë marrë pjesë tanë shqyptarët e mirë prej gyrbetit, e at’herë kam vazhdue edhe Universitetit tjetër, në Piazza San Marco, në Firence, në literatyrë moderne. Mbarue edhe atë, jam nisë si misionar në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, me datën 16 kallnor 1970. Prej at’herë kam punue vazhdimisht, në Australi e Kaliforni, e gjithkund në Amerikë, po bazën e kam pasë në Armin Street 22 -50, në San Francisco, në Kuvendin e Shna Ndout, ndër fretën Françeskanë.
Në vitin 1974, asht paraqitë nevoja, kam marrë nënshtetësinë amerikane, m’kanë dhanë urdhën, (se na jena ushtarë), e jam nisë për Bruksel, ku ishin 25 mijë emigrantë politikë dhe ekonomikë shqyptarë. Atje kam ndejtë 23 vjet famulltar i katolikëve shqiptarë dhe mësues për gjuhën shqype për tanë shqiptarët.
Mbasi kanë kalue 23 vjet shërbim, at’herë kam kalue në pension, jam nënshtetas belg, (që e sheh prej flamurit që kam këtu). Mandej jam kthye në Itali, ku kam ndejtë edhe tri-katër vjet në Firence, me kenë afër motrës edhe vllaut, dhe prej mandej kam hy në Shqypni, për Pashkët e vjetit 2000.
Kam hy në Shqipni e gjithkush m’kanë thanë me siguri ke hy në ferrin e komunistave. Unë u kam thanë: Aty kam le, aty jam ba gati për frat fraçeskan shqiptar, aty due me zavendësue nji vorr. I kanë vra tanë meshtarët katolikë në tokën shqyptare, barbarët, vllaznit tonë shqyptarë, vllaznit tonë tradhtarë, e unë due me zavendësue nji vorr, kam ardhë jam shumë i lumë, e s’jam pendue kurrë, kam gjetë çerdhen e françeskanëve ku ka le gjuha shqype, që thirret gjuha doli, ku jetojnë fretën, ku punojnë fretën, qysh para kohës së Skënderbeut tash e 800 vjet.
Njiktu po m’sheh, njiktu po m’len e ishalla po mundem me vazhdue edhe 300 vjet me luftue për fe e për atdhe, si e shef të shkrueme edhe në mur këtu…

Zbardhi dhe përgaditi për botim Jozef Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.