back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Asgjë nuk harrohet! – nga Bukuroshe Emiri

Gazeta

Krimet e Komunizmit
Krimet e Komunizmit
Është ora një e gjysëm mbas mesnate…
Ndërsa punoj në qetësi të thellë para kompiuterit, ndjej pipin e një mesazhi. E dëgjoj, tund kokën dhe vazhdoj punën. Kalojnë pak minuta dhe mendoj se s’është orë mesazhesh… Ndalem pak dhe shkoj të shoh se kush i ka rënë “derës”… Është një grua. Paska lënë një shënim të gjatë… Tejet të gjatë, në faqen kur flitet për vrasjen e 25 vjeçarit Luan Mersinit dhe trajtimin makabër të kufomës së tij.
I hedh një sy… Është rrëfim i një nate ankthi dhe pushkatimi… Nuk mundem ta kapërcej. Fraza e parë është fatale… Kthehem dhe e lexoj me qetësi. Një rrëfim rrënqethës i një gruaje, që vjen për herë të parë në faqen time. Ka qenë vajzë atherë. Sonte ka sjellë dhimbjen e madhe të shpirtit, duke lënë dëshminë e saj. Shkoj ta shoh kush është. Qenka përtej të gjashtëdhjetave, dhe paska shkruar një faqe të plotë. Nga fundi, si duket i është lodhur shpirti. Rrëfimi i tragjedisë e ka lënduar dhe është ndalur. Më ka lënë përshtypjen se do ta vazhdojë një herë tjetër. Më ka thënë natën e mirë!
E shoh orën, është 1 e 40.
Ç’e ka shtyrë këtë grua ta fillojë rrëfimin me shprehjen lapidare: “Asgjë nuk harrohet…!” ç’është ky mesazh, që e ka lënë në portën time…?! E përsëris disa herë me vete…! “Asgjë nuk harrohet…!” Ata që mendojnë se e keqja dhe krimet mund të harrohen, bëjnë gabimin më të madh! Ja, kjo grua në mesnatë ka lënë një dëshmi!
O Njerëz që bënit autokritika të gënjeshtërta, kërkoni së paku falje të vërteta! S’është kurrë vonë të kërkohet falje… Është hapi i parë i një shoqërie që kërkon të shkojë larg.
Edhe mbas 500 vjetësh njerëzit do ta ruajnë të keqen e pësuar… Ju vetëm e forconi kujtesën njerëzore. Asgjë tjetër nuk bëni!
Ja, kjo grua e panjohur, përtej të gjashtëdhjetave, trokiti sonte në shpirtin tim, me dhimbjen e një ulërime: “Asgjë nuk harrohet…!”
jozef radi, 3 nëntor 2018, ora 3.30
.
Bukuroshe Emiri
Bukuroshe Emiri

Asgjë nuk harrohet!

nga Bukuroshe Emiri

 
Asgjë nuk harrohet!
Çdo gjë më është e freskët si sot!
Atë ditë të fundit që nuk e lejuan të dilte më nga dyert e hetuesisë, ka qenë në shtëpinë tonë. I foli së motrës e i tha: Tetë, (se ashtu e quante), hajde pak te porta e jashtme. (porta e madhe e oborrit) Ajo doli sa e pa i tha: – Uuuu, hajde të keqen, hyrë mos rri aty! Jo, jo, Dil ti, se kam diçka për të thënë, por më parë të pyes a ka njeri në shtëpi, se kam diçka delikate për të biseduar… Jo të keqen, jam vetëm në shtëpi. Fëmijët janë në shkollëra – Hajde, hajde pak këtu! – Në atë kohë unë isha 16 vjeç e ca. Nuk e di pse nuk isha në shkollë, se vazhdoja në vit të III gjimnaz. Isha në bahçe. Lulet e të mbjellat nuk më lejonin të më shifnin, sa dëgjova këtë dialog, ulem poshtë dhe nuk u ndjeva. – Tetë, sot do të jetë dita e fundit që flasim bashkë! – Nëna u trondit, por s’e dha vehten. -Pse të keqen motra – Në hetuesi më thanë dil e mendohu mirë! Koka jote është mes dy tehesh, ngado që ta kthesh koka jote fluturon…
Dhe ashtu ndodhi…
Në atë kohë në gjimnaz zhvillohej lënda e marksizëm-leninizmit në vitet e treta e të katërta, e mua m’u dha rasti dhe fati gjithashtu, që orën e mësimit ta zhvillonim në sallën ku zhvillohej gjyqi i kulakëve (se ashtu quhej atëhere). Ndërkohë që nuk lejohej asnjë lloj kontakti me të arrestuarit, për mua ishte një privilegj i madh prezenca ime në atë sallë dhe ballë për ballë me dajon, në rreshtin e parë…
E si mund ta harroj atë natë kur dajua i madh, Bardhyli mori lajmin e kobshëm të pushkatimit të tij. Ishte ora 9 e mbrëmjes. Në shtëpi kishim për darkë djalin e xhaxhait të babait. Bie porta e madhe jashtë. Del vëllai e shikon dajon të bërë si limon, mund ta krahasoje me një kufomë, pikë gjaku në fytyrë s’kishte… O urdhëro dajo çfarë ke? – Asgjë djali i dajos, po lajmëro pak Tetën të dalë se diç do t’i them. Kush është në shtëpi – sa kemi shtruar darkën, se ka ardhur Çeço. – Mirë Gëzim, i thuaj mamasë të dalë.
Im vëlla asokohe 12 vjeç. Hyn dhe i thotë nënës – Ka ardhur dajo Bardhyli, po nuk do të hyjë brenda. Ka diçka, e do ta flasë vetëm me ty! – Nëna shikon babanë si për t’i marrë leje që, a duhet të dilte… dhe babai ia bën me kokë. Shko…! Nëna kthehet shpejt, por si një kufomë e sapodalë nga varri! E kuptuam që diçka e kobshme kishte ndodhur! – Sa ishte vënë luga e parë në tavolinë – Babai e shikon të kushërinë e tij si do të reagonte. Ai i thotë mos e lerë më jashtë. Babai doli me vrik dhe e futi dajon brenda. Me vete kishte një jorgan që e shtronte në çimento për të fjetur. Kishte lënë cigare për të vëllezërit, një paketë për të dashurit, një shami dore, që me lejen e dajos, e mbajti nëna ime, dhe rroba të tjera për t’i ruajtur erën e trupit për herë të fundit, familja e atij djali 25vjeçar, një bukurosh e i dashur si ai…!
Eh, plot kujtime të tjera që unë nuk vazhdoj dot, se zemra ime po më plas në krahëror, prej asaj nate që nuk u mbyll sy deri në të gdhirë, mbasi dajua duhej të largohej pa e parë njeri, se atë natë kishte qenë aty tek ne. Ngjarja u pasua me një shpullë të fortë nga mësuesja kujdestare (që ishte edhe nuse fisi) për çehren time si mehit në klasë. Më përplasi në një cep e më tha – mblidh vehten, se tregon ashiqare çfarë halli ke kaluar mbrëmë! – Futu shpejt në klasë…!!
Kurse atë ditë që e morëm nga morgu i Spitalit numër dy… s’kam më forcë sonte ta përshkruaj. Kam emocione të forta…
Natën e mirë!
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.