back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Arbëreshi i madh… Doktor Vincenc Golletti Baffa… Mark Bregu

Gazeta

Dr. Vincenc Golleti-Baffa
Dr. Vincenc Golletii-Baffa

Arbëreshi i madh… Doktor Vincenc Golletti Baffa…

Shkrim nga Mark Bregu

Vëllezërit arbëreshë të Italisë, të mërguar para pesë shekujsh, ruajnë traditat, zakonet dhe kulturën kombtare në mënyrën më shembullore e më të përkryer. Ky faktor ka të bëjë shumë edhe me kulturën dhe tolerancën e popullit italian, i cili padyshim është ndër popujt “monumentalë” të kulturës botërore, madhështinë e së cilës e manifestoi me “Rilindjen Europiane” duke i dhuruar kontinentit “plak”, dhe mbarë botës korifej, si: Mikelanxhelon, Leonardo da Vinçin, Rafaelin e shumë të tjerë, veprat e të cilëve mbeten monumente e të pavdekshme të kulturës botërore, për të gjitha kohërat.
Siç e theksuam më lart, Arbëreshët (prijësit dhe bujarët më të spikatur të Arbërisë), mbas pushtimit osman, mërguan në brigjet perëndimore të Adriatikut ku u akomoduan kryesisht në Italinë e Jugut. Ata, me një intuitë të admirueshme iu përshtatën kushteve dhe kulturës Italiane, pa u shkëputur asnjëherë nga tabani Alban, duke ruajtur me koshiencë dhe ndërgjegje të lartë, gjuhën amtare dhe zakonet dhe traditat më të shkëlqyera të trashëguara në shekuj, nga paraardhësit Ilirë, zotërues të Adriatikut lindor për të gjatë gjithë bregdetit Dalmatin, e një pjesë të mirë të Detit Jon. Nga vatrat e zjarrta të patriotizmit Arbëresh, u lindën kolosë të Letërsisë Italiane, ku mund të veçojmë Seremben dhe De Radën e madh e sa e sa intelektualë të tjerë që shkëlqyen në çdo fushë të Artit, Kulturës dhe Shkencës.

Autori Mark Bregu
Autori Mark Bregu

Pa asnjë dyshim, vargjet Deradiane janë paraprirëse të Letërsisë Shqipe, dhe Historiografia Shqiptare duhet të ndriçojë më shumë mbi këtë figurë, që nëpërmjet vargjeve aq të goditura, ka ditur të skalitë fytyrën e vërtetë të Arbërit, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet vepra madhore e “Millosao-s” me betejat arabe të Hasan Zyko Kamberit… Në këtë mjedis të shëndetshëm, me “mish” e “gjak” Arbëri, do të lindej e do të rritej edhe Vinçenc Golletti-Baffa, si studiues i thellë në fushat e filozofisë, historisë, gjuhësisë dhe kulturës, me shpirtin e paanshëm të shkencëtarit të vërtetë: Bagazhi i pasur i dijeve dhe përpjekja këmbëngulëse e paraqesin atë edhe si një analist të shquar. Këto aftësi dhe mendime profetike i shfaqi në mënyrë të veçantë gjatë ngjarjeve tragjike të Kosovës. Duke u mbështetur mbi lajmet dhe informatat e ndryshme që vinin nga vetë vendet ku zhvilloheshin ngarjet si: Prishtina, dhe masmediat ndërkombëtare, Doktor Golletti me një vështrim të mprehtë mendor, demaskon me themel planet djallëzore të Millosheviçit, që me gjak shqiptari e me plumba e barot serbi, mundohej të dehte e të nxiste serbomëdhenjtë me idetë utopike, se Kosova na qenka pjesë e pandarë e “Stara Serbisë”, bile djepi i saj!… Anti-shqiptarizmi dhe antikultura qëndrojnë në bazë të veprimeve sa monstruoze aq edhe kriminale të këtij farë Millosheviçi, shprehet Dr. i nderuar Baffa: “Vetëm barbari feudal dhe jo socialisti, shprish demonstratat me qerre lufte të armatosura, helikopterë e aeroplanë, dhe vret demonstruesit si mizat”! I revoltuar nga këto veprime kriminale të shkallës së krimeve kundër njerëzimit që ushtroheshin kundër vëllezërve kosovarë, Dr. Golletti ngriti zërin në forumet ndërkombëtare dhe kancelaritë e Europës dhe përtej oqeaneve, të cilët nga njëra anë kishin shpallur botërisht me anën e “Kartës së Kombeve të Bashkuara” se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë fatin e vet, kur nga ana tjetër, qëndronte i palëvizur, dhe i ftohtë ndaj një genocidi që i bëhej para syve.
Me këtë vrull publicistik, Doktori Arbëresh lëshonte një paralajmërim më të rreptë: Diktatori Sllobodan po bëhej gati të ndërmerrte një genocid të përmasave më të mëdha, një genocid asgjësues i të gjitha të drejtave materiale e shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës.
Ai i bënte thirrje opinionit ndërkombëtar dhe të gjithë njerëzimit që të ndalonte këtë sulm antinjerëzor, i cili përveç synimit për të mos shkatërruar nacionalitetin shqiptar, synonte për të katandisur si mos më keq vetë popullin serb, me atë propagandë të shfrenuar antishqiptare, që përveç synimit për të shkatërruar nacionalitetin shqiptar, ai arrinte me një paranoizëm dhe surrealizëm politik e historik në një çmenduri të vërtetë! Dr. Golletti, shprehimisht shkruan: “Okupatorin Serb, historia e judikon si të egër, të lig, të keq, barbar e racist”.
Ndërsa koha kalonte, sjelljet barbare nuk ndryshonin nga ato të më parshmet, 100.000 viktimat e Kosovës së 1999, kërkonin shpagim.
Ku u mbështet Millosheviçi për të zbatuar të tilla plane të kobshme kundër popullatës së pambrojtur të shqiptarëve të Kosovës! Hordhitë Serbe paramilitare dhe ushtarake prisnin kokat e pleqve e të fëmijëve. Ndërsa nga ana tjetër në ekranet e TV Millosheviçi krekosej si engjulli mbrojtës e shpëtimtar i Serbëve. Me buzëqeshje satanike ai përcillte e nxiste ushtrinë barbare për të djegur, vrarë, therur, mbytur e masakruar burrat e gratë shqiptare, pleqtë e plakat, të rinjtë e të rejat, fëmijët e foshnjat në djep. Nuk kursehej kjo hordhi kriminelësh të përdhunonte me forcë brutale e kafshërore femrat Arbërore.
Ç’donin të thonin ata tre gishta që ngriheshin lart në shenjë fitoreje që simbolizonin fanatizmin më të shfrenuar të ortodoksizmit serb?
Paradoksi i kalonte përmasat e arsyes! Nga njëra anë vrit e prit, nga ana tjetër lutu e bëj kryq! Pastaj në kulmin e krimeve të tyre shtazore, mbasi ishin dashur me gjakun e rrënkimin, shkonin të argëtoheshin në diskoteka! Makabriteti është i përbashkët për të gjithë ata që mbajnë emrin famëkeq – diktatorë. Doktor Golletti thekson: “Shumë ndër nazistët Gjermanë që vranë me mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, dukeshin të mirë dhe interesoheshin me pasion të sinqertë për muzikën klasike…” Me rastin e Serbëve, Millosheviçi nuk paraqitej ndër salla balloje e koncertesh, por qëndronte pranë tryezës presidenciale, ku spikaste një tufë me lule të freskëta, ndoshta të sjellura nga Kosova!
Profesorit të shquar Arbëresh nuk i ikin këto analogji të çuditshme, siç është vetë analogjia e strukturës diktatoriale të sistemeve totalitare, nazi-fashiste, komuniste, sisteme me një emërues të përbashkët: terrorin.
Doktor Golletti-Baffa, në ngjarjet në Kosovë (1981) do të shkruante: “Bashkimi dhe çlirimi i Kosovës sot nuk është i mundur. Ai do të mund të bëhet vetëm kur të përmirësohet situata botërore, atëhere do të bëhet edhe ribashkimi i Gjermanisë së Bonit me Gjermaninë Lindore…” Një gjykim dhe profeci e saktë që gjeti realizimin konkret në fazën e shembjes së Murit të Berlinit.
Si përfundim, mund të shprehemi se Doktor Golletti është vazhdues konsekuent i Letërsisë, Artit dhe Kulturës Arbëreshe.
Mbrojtës dhe “Avokat” ndër më të mëdhenjtë e çështjes Kosovare, dhe asaj mbarë Kombëtare, duke shfaqur vlera të mëdha dhe të gjithanshme, dhe kapacitet të lartë në të gjitha sferat dhe analet ndërkombëtare, me një vërtetësi absolute historike dhe shkencore. Një punëtor i palodhur që i përkushtohet çështjes të përgjithshme Kombëtare dhe që përpiqej të ringjalle pathosin patriotik të arbëreshëve nëpërmjet kultivimit të kulturës e sidomos të Letërsisë Arbëreshe dhe në gjuhën shqipe.
Ai është këmbëngulës në ruajtjen e veçorive gjuhësore të tri formave letrare shqiptare: Gegërishte, Toskërishte e Arbërishte. Ai përkrahu dhe ndihmoi botime të ndryshme letrare, historike e kulturore me përmbajtje të shëndoshë shqiptarizmi. Në suazën e kësaj veprimtarie, artikuj me korespodencë nga Kosova na e përforcojnë bindjen se Profesori i nderuar Arbëresh, nuk i shmanget debatit politik, ku vlerësimet dhe parashikimet e tija rezultojnë të shprehura me frymë analitike të thelluara dhe objektive, gjë që lejon që mendimet që jep të gjejnë konformimin e tyre, siç e tregojnë ngjarjet tragjike në Kosovë, të cilat i hapën rrugë realizimit të aspiratës madhore dhe realizimit të atij qëllimi të lartë për të cilin populli shqiptar i Kosovës derdhi lumenj gjaku. Profesor Golletti është dëshmia më e gjallë dhe elementi më i prekshëm i përkushtimit të Arbëreshëve në mbrojtjen e trojeve të stërgjyshërve. Dëshmi dhe faktor determinant i ruajtjes së elementeve më pozitive të traditës atdhetashëse, mëkuar nga krye Prijësi Legjendar i pavdekshmi dhe i papërsëritshmi Heroi ynë Kombëtar, dhe mbrojtësi i kulturës dhe Krishtërimit Europian – Gjergj Kastrioti.
Prof. Golletti, na shfaqet si në “Feniks” për të kujtuar të kaluarën e lavdishme të stërgjyshërve krenarë, dhe për të mbetur në përjetësi shëmbëlltyrë e gjallë e tyre, duke përballuar me sukses të gjitha sfidat e kohës, me besim e bindje të plotë se jemi pjesë e pandarë e kontinentit Europian dhe padyshim ndër pjesët më vitale të tij.
Dr. Golletti-Baffa, siç e thamë më lart, zotëron një kulturë të gjërë: Ai është diplomuar në Romë e në Perugia, ku ishte specializuar për gjuhët e vjetra (Latinishten e Greqishten), zotëron në mënyrë të shkëlqyer Frëngjishten. Në Romë është lauruar në Fakultetin e Filozofisë, ku thellohet në lëmin e historisë dhe në atë të gjuhës Shqipe.
Në atë periudhë ai njihet me Profesor Ernest Koliqin, që lë gjurmë të rëndësishme në formimin e tij. Jep mësim në disa shkolla Italiane, pastaj transferohet në Gjermani, ku punon pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit dhe të Haidelbergut. Ai afirmohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj e më të plotë të Arbërisë, duke ngritur gjuhën Arbëreshe në nivel të lartë Letrar dhe Artistik. Studimet dhe shkrimet e tij të shumta janë përmbledhë në një Antologji që ka parë dy botime, në 1991 dhe 1995. Prof. Golletti ka botuar disa libra kushtuar gjuhës Arbëreshe: “Alfabeti shqip i programuar” (1977), “Libri im i parë” (1979), “Libër këndimi i programuar” (1981), “Antologjia e shkurtuar” dhe “Gjuha jonë me hare” (1982).
Sot e kësaj dite ai merret me shkrime, botime, studime dhe vazhdon të mbajë leksione pranë Universiteteve të Gjermanisë, ndonëse i ka kaluar të 78 vjetët, punon me një “nxehtësi” rinore.
Dr. Golletti-Baffa, mbetet model dhe mishërim i gjakut të kulluar të gurrës Arbëreshe, shembulli i nji intelektuali patriot.
14 maj 2002
Marrë nga http://www.shqiperia-etnike.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.