back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ana e panjohur e Lef Nosit Studiuesja dr. Edelajda Cenaj – Çepa

Gazeta

Lef Nosi Filolog - Edelajda Cenaj-Çepaj
Lef Nosi Filolog – Edelajda Cenaj-Çepaj

Ana e panjohur e Lef Nosit

Studiuesja dr. Edelajda Cenaj – Çepa

intervistoi nga Bardha Nergjoni

Lef Nosi kolaboracionist?!
Autorja e “Lef Nosi filolog”:
Nuk ka debat,
por mendim personal!

Edelajda Cenaj - Çepa
Dr. Edelajda Cenaj – Çepa

Libri i ri “Lef Nosi filolog” i Edelajda Cenaj-Çepajt, përfshirë në kolanën albanologjike të botimeve “Naimi”, është i pari studim monografik kushtuar trashëgimit dorëshkrimor letrar, publicistik, etnografik, gjuhësor dhe folkloristik të këtij personaliteti të rëndësisë parësore me kontribute shumëplanëshe për kulturën dhe identitetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XX.
Studiuesja ka bërë kërkime disavjeçare në rezervàtin e koleksioneve të Lef Nosit, një prej fondkrijuesve më të mëdhenj të burimeve arkivistike të Shqipërisë në të gjitha kohërat; si autor, si mbledhës dhe si kodifikues i tyre; si paraprijës i rrjetit arkivor kombëtar shqiptar. Për herë të parë, përmes këtij libri, kërkuesit shkencorë do të kenë në duar një udhërrëfyes të sigurt për një lundrim efektiv në fondet arkivistike të Lef Nosit në të gjithë arkivat institucionalë të vendit: në AQSH, në arkivat vendorë, si dhe në rrjetin e arkivave shkencorë dhe të trashëgimisë, që ruhen pranë institucioneve të dijes kombëtare shqiptare. Përveç përshkrimit arkeografik, paraqitet me qartësi edhe puna thuajse krejt e panjohur e Lef Nosit si ndërmjetës me albanologjinë e Perëndimit, siç ka qenë në traditën e studimeve shqiptare qysh në shekullin XVIII (M. Boçari për F. Pouqueville-in, T. Kavalioti për J. Thunmann-in, K. Kristoforidhi e A. Meksi për G. Hahn-in, D. Voskopojari për ë. Martin-Leake-un, Th. Mitko për G. Meyer-in).
“I nisur si një projekt për njohjen, spikatjen dhe interpretimin e asaj pjese të trashëgimisë shkrimore e dorëshkrimore të Lef Nosit, që i takojnë letërsisë ose janë pranë saj (poezi e proza të shkurtra, publicistikë, përkthime e letërkëmbim), studimi është zgjeruar dhe thelluar edhe në disa fusha të tjera, si leksikologjia e leksikografia”, shkruan prof. Shaban Sinani në një vlerësim për librin.
Ndërsa, prof. ass. dr. Evalda Paci, Qendra e Studimeve Albanologjike, jep këtë vlerësim: “Një personalitet si Lef Nosi kishte kohë që duhej parë në një optikë sa reale, aq dhe serioze e mirëfilli shkencore. Duke pasë qenë ai vetë një personalitet me një formim të plotë human dhe shkencor, duke pasë qenë fort i prirur për të vjelë, përzgjedhur e për të lënë për brezat vlera të mirëqena të elementeve qenësore të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke pasë qenë, gjithashtu, ky i fundit i intencionuar të nxirrte në një dritë sa më të mirë shqipen, kulturën e popullit shqiptar dhe të trevave shqiptare që njihte më mirë…”.
Në këtë monografi për herë të parë bëhet i njohur një fjalor shqip-shqip i panjohur i Lef Nosit, me mbi 5 mijë njësi leksikore dhe me qindra idioma e fjalë të urta, që ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ndonëse në gjendje të dëmtuar, pasuria e këtij fjalori është krahasuar me fjalorët normativë të shqipes (1954, 1984), dhe në këtë proces janë bërë të njohura fjalët dhe kuptimet e munguara prej tij. Autorja ka përfshirë në librin e saj edhe disa sprova botimi të këtij fjalori, duke manifestuar formimin e saj si filologe dhe leksikografe. Ajo ka bërë kërkime përtej dorëshkrimit të këtij fjalori, për të hapur perspektivën e një botimi të plotë të fondit leksikografik të Lef Nosit.
Në një intervistë autorja i përgjigjet disa pikëpyetjeve për librin dhe Nosin…

Cilat janë vlerat e Lef Nosit që i keni zbuluar gjatë hulumtimit tuaj? Janë të shumta vlerat e Lef Nosit të cilat kanë qenë në bazë te punës së tij si dhe ndikuese të aktivitetit të tij të paktën në lëmin e filologjisë. Janë vlera të ndërthurura e në funksion të njera tjetrës. Gjatë procesit studimor të trashëgimisë së tij dorëshkrimore Lef Nosi na shfaqet si një figurë erudite me njohuri të thelluara në fushën e leksikografisë, në hulumtimin, mbledhjen dhe konservimin e trashëgimisë gojore të popullit shqiptar, në lëvrimin e një letërsie te mirëfilltë publicistike, disafunksioneshe, duke synuar shtjellimin e argumentit politiko-shoqëror, letrar, historik, gjuhësor, folklorik, etj. Ndër te tjera Nosin e hasim si një figure poliendrike me njohuri të mjaftueshme por një ekspertizë të dokumentave me natyrë të ndryshme të krijuara në gjuhë të tjera veç shqipes, të mbledhura prej tij. Një vlerë tejet e rëndësishme e Nosit është vetëdija e tij e theksuar për rolin e punës së tij, gjë e cila i dha shtysë për të krijuar një fond dorëshkrimor me përmasa e vlera të mëdha, duke anashkaluar botimin e një vepre të fundme siç do të bënin shumë studiues.
Çfarë solli ndërmjetësimi i Nosit me albanologët e huaj? Termi më i saktë do të ishte bashkëpunimi i Nosit me albanologët me kombësi të ndryshme nga ajo shqiptare. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi veç marrjes dhe bërjes pjesë të standarteve studimore të intelektualëve shqiptarë të elementëve studimore prej shkollave me traditë europiane, e një rëndësie të veçantë ishte dhe prezantimi i këtyre studiuesve me pjesë të traditës sonë gojore, gjuhës e historisë së popullit shqiptar, dhe shfaqja e tyre botërisht përmes botimeve të punimeve studimore mbi dhe rreth albanologjisë në tërësi dhe në aspekte e veçanta të saj. Mjafton të përmendim vetëm rastin e bashkpunimit të frytshëm të Lef Nosit me studiuesen britanike Margaret Hasluck, në fondet arkivore të secilës u ruajtën dhe botuan mjaft nga materialet e Nosit, i cili me sa duket ia besoi me vetëdije të plotë dorëshkrimet duke shënuar kështu nga të paktat raste të një bashkpunimi të tillë mes koleksionuesit dhe studiuesit.
Si del Lef Nosi si publicist? Si publicist Lef Nosi kishte bërë përpjekje edhe më të shumta të cilat kishin shkuar deri në konkretizimin e fundëm të tyre. Dy janë arritjet më të mëdha të tij në këtë fushë, Gazeta Tomorri, e vitit 1910, duke u bërë kështu jo vetëm një tribunë e dijes, kulturës, arsimit, politikës në qytetin e Elbasanit por edhe më gjerë. “Kopshti Letrar”, një revistë periodike e vitit 1908 e cila kishte funsion, didaktik, argëtues, informues etj., duke e kthyer Ebasanin në një nga qendrat e kulturës dhe emancipimit për kohën.
Çfarë vlerash i jep fjalorit shqip-shqip? Fjalori i Lef Nosit shqip shqip me rreth 5000 leksema vjen në vazhdën e traditës së K. Kristoforidhit, D. Voskopojarit, etj.. Ai është bartës i qindra fjalëve të rralla të cilat rezultojnë të mbledhura në zona të ndryshme të trojeve shqiptare, cka ja shton edhe më shumë vlerën. Tërësia e këtyre leksemave marrin jo thjesht vlerë studimore në leksikografi por bëhen edhe një dëshmi e evoluimit të gjuhës shqipe dhe e vlerave etnokulturore të popullit shqiptar.
Çfarë vendi ka Lef Nosi në historinë, arkivistikën, filologjinë shqiptare? Lef Nosi ze dhe do të zerë gjithmonë një vend të nderuar në historinë e Shqiptarëve të gjysmës së parë të shek. XX; aktivist kryesor dhe firmëtar i aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 1912; ministër i post-telegrafit në qeverinë e parë të Shqiperisë së Pavarur; veprimtar politik me në qendër të aktivitetit të tij çështjen kombëtare dhe forcimin e identitetit tonë kombëtare mbeshtetur në fakte historike e të dhëna e fakte etno-kulturore, gjuhësore, etj. Puna e tij si mbledhës dhe koleksionues i fakteve dokumentare, historike, gjuhësore, folklorike, etj., të cilat kanë qenë në bazën e krijimit të institucioneve akivore të shtetit shqiptar pas vitit 1944.
Ç’mendim keni për debatin për Nosin si kolaboracionist? Nuk mendoj se ka një debat mbi Lef Nosin si kolaboracionist. Më tepër është një tollovi opinionesh e mendimesh personale të individëve të ndryshëm të shprehura në rrjetet sociale pas servirjes së një opinioni personal mbi Lef Nosin të një personazhi publik në vend. Gjatë të gjithë aktivitetit të tij si politikan, si leksikograf, si publicist, si folklorist, gjatë të gjithë jetës së tij Lef Nosi është përpjekur dhe ka kontribuar në dobitë çështjes sonë kombëtare. Kjo është një gjë e njohur botërisht dhe e vërtetueshme lehtësisht përmes qindra e qindra fakteve historike dhe jo vetëm.

Figura te Politikes dhe Kultures... mes tyre Lef Nosi
Figura te Politikes dhe Kultures… mes tyre Lef Nosi

Një jetëshkrim i shkurtër për Lef Nosin

Lef Nosi lindi në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit më 9 prill 1877. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më pas ndoqi gjimnazin grek të Athinës e po aty studioi për farmaceutikë, studime të cilat i ndërpreu pas dy vitesh. Kthehet në vendlindje dhe punon shumë si autodidakt për të fituar kulturë të gjerë. Nis dhe zhvillon një aktivitet të dendur patriotik, publicistik e studimor, duke u bërë një personalitet i njohur dhe me ndikim. Më 1909, zgjidhet nënkryetar i klubit Vllaznia të Elbasanit e po këtë vit themelon dhe drejton shoqërinë Afërdita.
Dha ndihmesë në punimet e Kongresit të Elbasanit (1909) dhe në hapjen e Shkollës Normale. Më 1912 zgjidhet ministër i Postë-Telegrafit në qeverinë e Vlorës. Më 1919-1920 është anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitin 1924, mbështet Revolucionin Demokratik të Fan Nolit, periudhë gjatë së cilës mori postin e Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Më 1943 zgjidhet deputet i Elbasanit, kryetar i Kuvendit Kombëtar dhe më pas anëtar i Këshillit të Naltë, detyrë nga ku pas pak kohësh dha dorëheqjen, e cila nuk iu pranua.
Pas ardhjes së komunistëve në pushtet arrestohet më 8 gusht 1945, i akuzuar si bashkëpunëtor i nazistëve dhe ekzekutohet më 20 shkurt 1946.
Lef Nosi, krahas aktivitetit patriotik e politik, u mor edhe me publicistikë si dhe mbi të gjitha me gjurmimin dhe mbledhjen e dokumenteve historikë, materialeve folklorike, etnografike, realizoi studime dhe botoi materiale me vlera albanologjike, si dhe spikati si bibliofil, filatelist, numizmat, etj.
Më 1910, boton dhe drejton gazetën Tomorri (të parën gazetë të Elbasanit), gazetë të cilën e ktheu në një tribunë të mendimit kritik dhe kundërshtisë ndaj politikës represive të Xhonturqve. Pasojë e kësaj do të ishte arrestimi dhe dënimi i Nosit me vdekje, dënim i cili u anulua falë presionit të personaliteteve shqiptare të kohës.
Më 1918-1919 boton dhe drejton revistën letrare Kopështi letrar, një revistë me karakter letrar e didaktik. Në të u botuan pjesë letrare e punime nga studiues e letrarë të kohës (E. Haxhiademi, A. Xhuvanin etj.); u risollën shkrime të figurave me peshë (K. Kristoforidhi Gjaja e malsorvet); u botuan materiale të përkthyera nga vetë Nosi, pjesë të mbledhura prej tij (përmendim: tregimi Skënderbe në Gurtë të Bardhë, anektoda Katundari dhe e shoqja etj.); shkrime me natyrë poliedrike etj.
Boton më 1911, Abetare për shkollat fillore meshkujsh e femnash. Më 1912 Abetare për djelmoshat gegë, një abetare ku paraqiten dy alfabete të shqipes, ai i Shoqërisë së Stambollit dhe alfabeti i Kongresit të Manastirit.
Më 1919 boton Kangë Kombëtare, një përmbledhje me këngë folkloriko-patriotike të mbledhura prej tij, por edhe krijime të autorëve të njohur shqiptarë të kohës. Në vitin 1925, Nosi boton Dokumenta historike për t’i shërbye historisë tonë kombëtare, në të cilin paraqiteshin një mori dokumentesh zyrtare të Perandorisë Osmane që kishin lidhje me shqiptarët, të kopjuara me besnikëri nga Nosi me qëllim vënien e tyre në funksion të çështjes kombëtare.
Por, pjesa më e madhe e punimeve dhe koleksionit të Lef Nosit gjendet në dorëshkrim, e ruajtur më së shumti në AQSH, AFIKP, AIGJL. Është një pasuri arkivore e përbërë nga dokumente, shkrime, dorëshkrime e punime studimore me natyrë biografike, politiko-shoqërore, gjuhësore, letrare, etno-folklorike, letërkëmbim me personalitete të kohës etj. Gjithashtu, Nosi krijoi edhe një bibliotekë personale me mbi dhjetë mijë vëllime me vlera albanologjike dhe ballkanologjike, e cila sot gjendet në Bibliotekën Publike të Elbasanit dhe një pjesë në Bibliotekën Kombëtare. Njëherazi Lef Nosi ka meritën e shpëtimit të dorëshkrimeve të Anonimit të Elbasanit, Dhaskal Todrit, Kostandin Kristoforidhit. Lef Nosi zotëronte disa gjuhë, anglisht, frëngjisht, greqisht, turqisht, italisht.
Pothuajse në mënyrë konstante ai mbante kontakte dhe bashkëpunonte me personalitete të kohës (përmendim bashkëpunimin me Norbert Joklin). Mbi të gjitha vlen të përmendet bashkëpunimi i ngushtë i Nosit me antropologen Margaret Hasluck, duke dëshmuar të vetmin rast në etnofolkloristikën shqiptare të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë e të suksesshëm midis mbledhësit dhe studiuesit.
Marrë nga /tesheshi.com/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.