back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

A jemi të gjithë injorantë! Blendi Fevziu

Gazeta

Blendi Fevziu
Blendi Fevziu

A jemi të gjithë injorantë! Blendi Fevziu

“Njeriu është injoranti më i madh, – ka thënë Borgesi, – ai nuk di asgjë në jetë, kur nuk di as ditën e vdekjes së tij…” Me tre shembuj shqiptarë po përpiqemi ta vërtetojmë kët thënie të tij!

Njeriu nuk di asgjë në jetë, përderisa s’e di ditën e vdekjes së tij. Kët thënie të Borgesit, që e kisha gjetur në vitet e studimeve në një botim kosovar, nga ata që ishin të ndaluar për publikun shqiptar, nuk e di pse në vend të trishtimit më kishte ngjallur një lloj hareje të pakuptueshme. Një të qeshur gurgulluese që me të përmbajtur, e përftoja sa e herë e sillja nëpërmend. Megjithatë, s’e di se si ky impresion i parë filloi të modifikohet dhe me kalimin e kohës, thënia e vjetër e shkrimtarit dhe filozofit argjentinas, u transformua brenda meje. Siç ndodh gjithnjë me thëniet abstrakte që ti këkon t’i materializosh, i vesha edhe kësaj fraze të mrekullueshme një histori që e kisha ndeshur jo shumë vite më parë, në kohën e ndryshimit të regjimeve në Shqipëri.
Në atë kohë pa shenjë, kur historitë mediokre të realizmit socialist filluan të përzihen dhe të ngatërrohen me historitë e vjetra dhe të varrosura nga komunizmi; me historitë e një kohë të shkuar ose të të gjitha kohëve bashkë, që deri atëhere, në rastin më të mirë ne i kishim degjuar nen ze ose mbase edhe s’i kishim dëgjuar fare. Histori me një luks tashmë të munguar, që edhe pse të dhimbshme, rrezatonin një ndjesi që ishte e panjohur deri atëhere.
E ç’di njeriu në jetë kur nuk di ditën e vdekjes së tij! Kjo thënie e Borgesit, m’u bë edhe më e prekshme një ditë të mrekullueshme qershori të 1991 në Romë, kur duke u vërtitur me një liste numrash telefoni në dorë, në kërkim të një strehe për të futur kokën, së bashku me Armand Shkullakun, kishim ngecur tek një plak i vjetër që na priti me shumë dashuri. Quhej Lazër Radi dhe jetonte në një apartament në periferitë e Romës, diku në Xhenzano, në pritje që të kthehej në Shqipëri. Deri atë ditë, ai kishte qenë apartamenti i vajzës së tij, që së bashku me dhëndrin dhe nipat, kishin fluturuar drejt Nju Jorkut në kërkim të një jetë më të mirë.
Plot humor dhe edukatë, plaku të cilit ende nuk e di se ç’rekomandim i kishim prezantuar, u bë për më shumë se 10 ditë një pritës i mrekullueshëm. Duke qenë miq shumë të çuditshëm në atë që njeherazi s’mund të quhej shtëpia e tij, besoj se atje kam pasur ballfaqimin e parë me një realitet që besoja se e njihja, por që në të vërtete s’e njihja.
Jeta e tij si një histori filmi më befasoi.
Kishte lindur në Prizren në një familje qytetare kosovare. 13 vjeç ishte larguar nga vendlindja në këmbë së bashku me familjen e tij duke shtegtuar drejt vendit amë, Shqipërisë. Me ëndrrën e madhe të studimeve qe vendosur në Tiranë e më pas në Shkoder, ku ishte regjistruar në Gjimnazin e famshëm të qytetit dhe qe bërë banor i njohur i konviktit “Malet Tona”. Një ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit, siç ishte në modë në at kohë, kishte filluar të angazhohej në shoqëritë ilegale, gjysëm politike e gjysëm masonike. Mik i Qemal Stafës, i Hajdar Dushit, i Arshi Pipës, i Haki Tahës, i Xhemal Brojës dhe shumë të tjerëve ishte tërhequr nga angazhimi vetëm at moment që kishte kuptuar se komunizmi shqiptar kishte lidhje të ngushta me atë malazez. Një emigrant i larguar nga Kosova dhe i dënuar atje në mungesë nuk mund të priste asgjë pozitive nga fqinjët veriorë të Shkodrës.
Falë një angazhimi personal kishte gjetur një bursë studimi për Juridik në Romë dhe siç ndodhi me shumicën e shqiptarëve midis dy luftrave në Itali, Austri apo Francë, u kthye në një dendi të vërtetë. I gjatë, simpatik, i veshur gjithnjë shik, një student i shkëlqyer, ai u bë jo vetëm i preferuari i profesorëve, por edhe i femrave të bukura të qytetit. Një lloj miku i Cinecita-se, ku hynte dhe dilte si një zotëri i vërtetë. I lumturuar nga shkëlqimi i vendit të madh, u përfshi në polemikat publike të Shqipërisë së pushtuar duke u renditur në favor të Italisë. I kish humbur lidhjet reale me vendin e tij dhe nuk besonte se një ditë, gjithe ai realitet që e kishte menduar tashmë të strukur në një kënd të kujtesës së tij do t’i rikthehej dhunshëm. Në nëntor të 1944, ndërsa skuadrat partizane luftonin ende për të marrë Tiranën, një grup i vogël partizanësh i kish trokitur në derë për t’i deklaruar arrestimin si kolaboracionist dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Për të tashmë do të vendoste Gjyqi Special i 1945.
I shpeton dënimit me vdekje, por nuk ia kursyen dot 30 vjet dënim, nga të cilat bëri më shumë se 10-të.
Familja e tij kishte filluar ndërkohë kalvarin e persekutimeve dhe të nesërmen e lirimit, internohet në një fshat të Myzeqesë, të quajtur Savër. Si mund të jetonte në atë vend të izoluar dhe të tmerrshëm një njeri që e donte kaq shumë jetën dhe që kishte qenë kaq i dhënë pas kënaqësive më fine të saj, ishte pyetja më e thjeshtë dhe më normale që do t’i bënte kushdo tashmë? Por në at kohë kjo pyetje nuk ekzistonte. Dendi i bulevardeve të Romës, polemisti i periodikëve shqiptarë dhe avokati i njohur i Tiranës qe i detyruar të jetonte në kushte mizerabël, në një shtëpi të ngushtë duke punuar nga mëngjesi në darkë në bujqësi. Falë zgjuarsisë natyrale arrin të gjejë një vend si dizenjator dhe kjo për arsyen e thjeshtë se nga fjalimet e Enver Hoxhës dinte të gjente thëniet më interesante për të zbukuruar muret e depove, ato që s’i gjente edhe vetë sekretari i partisë. Kur e takuam, në 1991, pak gjëra na tregoi nga ai gjysëm shekull në tmerr, edhe ato me humor. Të vetmet gjëra që më tregoi me dhimbje ishte dita kur do të fejonte njerin nga djemtë… kur befas e kishin thirrur për t’i bërë një demaskim publik në kinemanë e fshatit. Të mbledhur shumë vetë në sallë, e shanin, e fyenin, i kërkonin llogari pse kishte tradhëtuar Qemal Stafën ditën e vrasjes, edhe pse ai iu shpjegonte se me Qemal Stafën qe takuar për herë të fundit 3 vjet para vrasjes dhe se atë moment kishte qenë student në Itali. Disa orë më vonë u rikthye në shtëpinë e bërë gati për festë, duke tentuar të mos jepte asnjë shenjë të tronditjes që kishte pësuar at mbrëmje.
Rasti i dytë ishte diku nga fundi i viteve ’70-të, kur në qytetin e Lushnjes ishte rikthyer një ish shoqe e tij e shkollës, e cila qe martuar me një oficer britanik dhe kishte përfunduar në Argjentinë. Ajo qe rikthyer për të takuar familjarët e saj dhe s’dihet se si, ishte gjendur ndanë rrugës që lidhte fshatin e tij të internimit me Lushnjen.
-E dija që ishte aty, – më tregonte ai, – nuk kishte ndryshuar fare dhe me trishtim vura re gjithë ndryshimet e mia. Me mbante mend elegant dhe të pastër, ndërsa atë moment sapo isha kthyer nga puna me ato patallona ku s’kishe më ku t’i vendosje arrnat. Që të mos më shihte ashtu të katandisur, u futa në kanalin anës rrugës dhe dola prej andej vetëm pasi ajo që larguar.
U përpoqa ta imagjinoja se sa duhej ta kishte vuajtur at moment dhe mbi të gjithë, nëse e kishte menduar se mund t’i ndodhte kështu në fillim të viteve ’40-të. Se ai do të përfundonte i izoluar në një fshat të humbur, ndërsa shoqja e tij e klasës do të vijonte të mbetej një zonjë elegante në ndonjë nga lagjet magjepse të Buenos Airesit? Vështirë!! Por a nuk ka thënë Borgesi se njeriu nuk di asgjë në jetë kur nuk di as ditën e vdekjës se tij!!
Po mbase ky ishte bërë edhe lajmotivi i jetës së Lazër Radit, kur ne e takuam me 1991. Ngjante i transformuar edhe pse ende asgjë të sigurt nuk kishte në jetë. Madje as një banesë ku të vendosej në Tiranë. Në moshën e tij dikush mund t’i shtynte ditët duke u ankuar për komunizmin që i kishte marrë më shumë se një gjysëm shekulli jetë. Po ai nuk e bënte këtë. E shpërfillte dhe donte të niste nga fillimi, thuajse aty ku e kishte lënë më 1944. Kishte rigjetur në qytetin e madh disa nga shokët e tij të shkollës, ishte bërë organizator i takimeve të tyre të munguara; udhëtonte nga një qytet ne tjetrin, kishte plan të hapte një gazetë dhe të botonte disa libra. Ishte rikthyer po me at sharmin e parë, atë të studentit elegant që ishte bërë pjesë e jetës së Cinecita-së dhe nuk dëshmonte asnjë gjurmë të asaj dhimbjeje 50 vjeçare. Më befasonte ajo energjia dhe optimizmi i tij. Shumë pak gjëra besova nga ato që më thoshte, por çuditërisht ai bëri shumicën e tyre. Kur vdiq, më 1998, kishte botuar tashmë 14 libra, një pjesë të të cilëve të mrekullueshëm, kishte qenë pjestar i një partie politike dhe kishte realizuar edhe një ëndërr të tijën të vjetër, kishte rikrijuar një bibliotekë të rë. Të vjetrën ia kishin djegur në momentin e arrestimit. Kur vdiq, televizioni dha një biografi të tijën dhe mediat, e njoftuan me dhimbje.
Sa shumë i kishte ndryshuar jeta dhe sa të forta kishin qenë kthesat për të!!
Por Shqipëria është e mbushur me shembuj të tillë dhe Borgesi, mund të kishte gjetur shumë raste për të ilustruar filozofinë e tij. Nuk di pse unë vetë isha fokusuar tek Lazër Radi dhe pse sa herë më vjen në mend thënia e argjentinasit, më kujtohet ai: Lazri!!

***
Një tjetër personazh i famshëm i Shqipërisë, Jusuf Vrioni, mund të ishte shembulli më i mirë në botë për këtë. Por të shkruash historinë e tij është më shumë se sa një roman që mund të ngjajë fillim e fund trillim. Edhe pse nuk ka asgjë të tillë. Më kujtohet një detaj i thjeshtë i kujtimeve që ka botuar në Francë.
Një ditë të vitit 1943, në një hotel shik të Romës, një mik i tij i quajtur Lukino Viskonti, në atë kohe asistent regjisor e prezanton me një aktore të re, por të panjohur. Quhej Ana Manjani e cila n’ato kohra luante në teatrot e lagjeve. U takuan disa herë bashkë, derisa një ditë ajo e ftoi në një prej shfaqjeve të saj. I ulur atje, në rreshtin e parë, i magjepsur nga loja e mrekullueshme e vajzës ai e kishte përqafuar duke i thënë se do të bëhej një aktore e madhe. Nuk dihet se sa e besoi ajo vajzë energjike parashikimin e djaloshit të ri, që frekuentonte shoqërinë më në zë të kohës dhe që konsiderohej padyshim nga të rinjtë më të kulturuar të kryeqytetit italian. Fati i ndau dhe askush s’dëgjoi më për tjetrin. Por jeta është e çuditshme dhe takimi i tyre i ri, që 17 vjet më vonë, në një sallë kinemaje të vogël dhe të pistë të qytetit të Fierit. I sapoliruar nga burgimi 13 vjeçar, Jusuf Vrioni kishte hyrë në kinemanë e qytetit ku e kishin detyruar të jetonte për të parë një film që thuhej se kishte bërë bujë. Quhej “Roma qytet i hapur” dhe aktorja kryesore ishte një mesogrua tashmë shumë e famshme në botë. Quhej Ana Manjani. Ndërsa imazhet e filmit rreshqisnin në ekranin e pëlhurtë ai ndjente lotët në faqe. Kishte arritur të parashikonte me një vërtetsi befasuese të ardhmen e saj, por nuk kishte arritur të kuptonte dhe të ndjente asgjë për atë çka do ta priste atë vetë. Një ish i burgosur, i papunë dhe pa perspektivë, ai ndiqte tashmë nga ajo kinema e shkatërruar triumfin e atyre njerëzve mes të cilëve besonte se do të ishte në një situatë tjetër dhe normale…

***
Ndërsa kjo ese më vërtitej në mendje dhe nuk isha i sigurt se miku im tashme i fikur, Lazër Radi, do të ishte shembulli më i mirë për të ilustruar të gjithë këtë… Qëlloi që të merrja pjesë në një pritje që Ambasada Franceze organizonte për festën kombëtare të saj. Nën një diell të nxehtë dhe përvëlues të 14 korrikut personazhe të ndryshëm, miq dhe armiq vërtiteshin herë duke i folur dhe herë duke bërë sikur nuk e shihnin njeri-tjetrin. Një moment, ndërsa bisedoja me Ramiz Aline për zgjedhjet Presidenciale dhe konsensusin e çuditshëm të politikës shqiptare, Mbreti Leka u afrua me eskortën e tij. I gjatë, i hollë, disi i lodhur dhe shumë i sjellshëm ai kaloi duke bërë sikur nuk pa gjë. Ramiz Alia bëri gjithashtu sikur nuk e vuri re, por ndërsa ai largohej mes gotave të shampanjës dhe harëse të të ftuarve e ndoqi me sy. A mund ta besonin këta dy personazhe se një ditë, fare thjeshtë dhe natyrishëm do të gjendeshin krah për krah. Kur njeri ishte njeriu më i fuqishëm i regjimit dhe tjetri, një emigrant që në lindje dhe kundërshtari më i madh i tij! Me dhjetra mallkime, tentativa eleminimi deklarata dhe kundërdeklarata ishin zbehur, kishin rënë, qenë tretur në at hare gjithpërfshirëse të festës kombëtare të Francës. Shumë gjëra mund t’i kisha besuar, por se Ramiz Alia dhe Leka Zogu do të qëndronin të dy bashkë pranë, këtë e kisha pasur të vështirë, për të mos thënë te pamundur. Por njeriu është injoranti më i madh ka thënë Borgesi, ai nuk di asgjë në jetë, kur nuk di as ditën e vdekjes së tij. Dhe unë nuk mund të bëja përjashtim nga kjo formulë.
Isha një njeri i thjeshtë, një si ata që Borgesi, kishte pasur parasysh në përkufizimin e tij…
(Revista Klan,12 tetor 2002)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.