back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

A është e mundur të parandalohen luftërat?! Sigmund Freud i shkruan Albert Einstein-it

Gazeta

Albert Einshtein dhe Sigmund Freud
Albert Einshtein dhe Sigmund Freud

A është e mundur të parandalohen luftërat?!

Sigmund Freud i shkruan Albert Einstein-it

Ushtarë – Giuseppe Ungareti
Qëndrojmë/ Si gjethet
Ndër pemt/ E vjeshtës.
(Pylli Kurton, Korrik 1918).

Në vitin 1932, u shkëmbye një korespondencë midis dy prej mendjeve më të mëdha të kohës, fizikanit Albert Einstein dhe psikiatrit Sigmund Freud, në lidhje me problemin e mundësisë së shmangies së një luftë të re botërore. Ende nuk ishin tharë plagët e Luftës së Parë Botërore dhe kishte shenja të shumta se njerëzimi do të hynte përsëri në një luftë tjetër, mbase më të egër dhe më me pasoja se e para. Shqetësimi i këtyre dy mendjeve dhe shpirtrave fisnike për fatet e njerëzimit është impresionues; letra e mëposhtme, mbase është pak e gjatë dhe e lodhëshme, por ja vlen t’i shkohet deri në fund, për ata që pëlqejnë vërtet të meditojnë…

Francisco Goya - 3 maji i 1808
Francisco Goya – 3 maji i 1808

Letra e Sigmund Freud për Albert Einstein

I dashur zoti Einstein,
Duke mësuar që ju dëshëroni të më ftoni në një shkëmbim pikpamjesh mbi një subjekt që ju shfaqni interes dhe mendoni se është edhe në interesin e shumë personave të tjerë, unë nuk po hezitoj që t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese.
Unë paraprakisht mendonja se ju do të kishit përzgjedhur për trajtim një problem të ndryshëm nga ky, ku në të dy, ju si fizikant dhe unë si psikiatër, të trajtonim të njejtin problem nga këndvështrime të ndryshme dhe të mbrrinim në rezultate të njejta me rrugë të ndryshme. Kështu, që sinqerisht më kini habitur kur shtroni pyetjen se: “Çfarë mund të bëjmë Ne për t’i shpëtuar njerëzit nga kërcënimi i luftës?!”. Të them të vërtetën e ndjej veten të paaftë të jap rekomandime praktike ndaj kësaj çështje për të cilën janë kompetentë burrat e Shtetit. Jam i bindur se ju nuk e kini shtruar problemin në cilësinë e një njeriu të shkencës dhe fizikës, por si një mik i njerëzve, duke ju përgjigjur pozitivisht thirrjes së Lidhjes së Kombeve. Mendoj gjithashtu, se nuk duhet të prisni nga mua t’u jap receta praktike, por do të kufizohem duke ekspozuar ruajtjen e paqes nëpërmjet këndvështrimit psikologjik.
Në letrën tuaj ju shtruat çështjen e raportit midis “te drejtës” dhe “forcës”. Pikërisht që këtu duhet filluar edhe rrugëtimi ynë. Më lejoni që në vend të fjalës forcë të përdor një term më të goditur “dhunë”. Aktualisht “E drejta” dhe “dhuna” janë antinomi. Eshtë e lehtë të vërtetohet se njera derivon prej tjetrës dhe nëse shkojmë në origjinën primitive të shoqërisë njerëzore për të analizuar se si kanë rrjedhur ngjarjet, zgjidhja e problemit na lehtësohet shumë.
Si parim, konfliktet e interesave midis njerëzve, janë zgjidhur nëpërmjet dhunës. Po kështu është edhe në mbretërinë e kafshëve, në të cilën bën pjesë edhe Njeriu. Njeriu ju shton këtyre interesave të botës së gjallë edhe konfliktin e opinioneve, duke e çuar atë në shkallën më të lartë të abstraksionit, zgjidhja e së cilës duket sikur kërkon teknika të ndryshme. Por kjo është vetëm se në dukje (aparencë). Që në ag të gjinisë njerëzore, tek familja e kufizuar e hommo sapiens-it, ka qenë Forca muskulore ajo që ka vendosur se i kujt është ky send dhe i kujt ai tjetri, ose vullneti i kujt duhet të sundonte. Më vonë forca muskulore u shoqërua edhe me përdorimin e mjeteve (armëve). Fitorja i buzëqeshte atij ose atyre që dispononin armët më të mira apo zotëronin shkathtësinë më të madhe në përdorimin e tyre. Shfaqja e armëve në betejën për superioritet shënoi fillimin e supremacisë Intelektuale që i zuri vendin supremacisë muskulore. Por qëllimi final i luftës mbeti i pandryshuar: njëra palë ndërluftuse duhet të nënshtrohej dhe të detyrohej të lëshonte atë send që e zotëronte ose të kryente atë veprim që i impononte kundërshtari. Siguria maksimale e fituesit të kësaj lufte ishte kur ai e eliminonte fizikisht palën tjetër sepse zhdukej mundësia praktike që i munduri, pas njëfare kohe, të rimerrte vehten dhe të ndërmerrte veprime që të rivendoste gjendjen e mëparshme. Ky eliminim fizik gjithashtu shërbente edhe si shembull për të tjerët që të rinin urtë dhe të mos rrebeloheshin, sepse tashmë shembulli qe dhënë. Nga ana tjetër eliminimi fizik i kundërshtarit kënaqte edhe predispozitën e instiktit agresiv që kërkonte të çlirohej. Por më vonë u gjykua që është më e leverdisëshme që kundërshtari të mos vritej, por të detyrohej të kryente disa shërbime në favor të fitimtarit, me kushtin që t’i shpëtohej jeta. Në këtë rast dhuna u mjaftua të kënaqej nga nënshtrimi se sa nga vrasja. Kështu filloj ajo që quhet në histori – skllavëria. Por fitimtari çedoi diçka nga siguria e tij, sepse i munduri i gjallë ishte gjithmonë potencialisht një kërcënim i vazhdueshëm për fitimtarin.

Lufta - Henri Rousseau
Lufta – Henri Rousseau

E tillë ishte gjendja fillestare e shoqërisë njerëzore – sundimi i forcës, fizike në fillim dhe intelektuale më vonë. Dihet historikisht që me kalimin e kohës ky regjim u modifikua gradualisht. Dhuna i la vendin së Drejtës – por të kujt?! Rivaliteti mbeti përsëri, por të dobtit u bashkuan – (bashkimi bën fuqinë), për të kundërbalancuar të fortin. Përballë të fortit u vendos bashkimi i shumë të dobtëve. Pra e Drejta është forca e një Komuniteti. Dhuna është po ajo, gjithmonë e gatshme të godasë këdo individ që nuk i nënshtrohet asaj, që punon me po të njejtat mjete, që synon po të njejtat qëllime. Ndryshimi i vetëm është se nuk triumfon dhuna e një Individi por ajo e një Komuniteti. Por që të kryhet ky kalim nga dhuna në të drejtën e re, duhet të plotësohet një kusht psikologjik. Bashkimi i numrave duhet të jetë i qëndrushëm dhe afatgjatë. Nëse ai bëhet vetëm për të luftuar një më të fuqishëm sa është gjallë ai, rezultati do të jetë zero. I pari që do ta çmojë vehten si më i forti do të synojë të vendosë një hegjemoni force dhe kështu loja përsëritet pafundësisht. Komuniteti duhet mbajtur në vazhdimësi, i organizuar, duke vendosur rregulla që të pengonin çdo rrebelim të mundshëm, duke përcaktuar mjetet që do të siguronin mbajtjen më këmbë të këtyre regullave – Ligjet, dhe organet që do të siguronin ekzekutimet e akteve të dhunës sipas ligjit – Shtetin. Kështu midis antarëve të grupit u formësua ndjenja e kolektivitetit, mbi të cilën bazohet në fund të fundit forca e kolektivitetit.

Francisco Goya - Saturni ha Bijtë e vet...
Francisco Goya – Saturni ha Bijtë e vet…

Besoj se kështu i kam thënë të gjitha gjërat kryesore: triumfi mbi dhunën u bë nëpërmjet transmetimit të pushtetit tek një njësi më e madhe – Komuniteti, e çimentuar kjo edhe me një marrdhënie ndjenjash midis anëtarëve të tij – Solidariteti. Por problemi është i thjeshtë për sa kohë komuniteti do të përbëhej nga individë me forcë të barabartë. Ligjet e këtij bashkimi fiksojnë, përsa i përket shfaqjes së dhunshme të forcës, pjesën e lirive personale prej të cilave individi duhet të heqe dorë në mënyrë që jeta në komunitet të mund të vazhdojë qetësisht. Por një qetësi e tillë mund të konceptohet vetëm teorikisht. Në fakt kursi i gjërave komplikohet, sepse komuniteti që në origjinë, përbëhet nga individë me fuqi të pabarabarta – burra dhe gra, prindër dhe fëmijë, të mençur dhe mediokër dhe lufta krijon fitimtarë dhe të mundur, që i shndrron të parët në zotërinj dhe të dytët në skllevër. E drejta e komunitetit do të jetë, qysh atëhere, shprehje e këtyre pabarazive pushteti, ligjet do të bëhen prej dhe për sundimtarët dhe do t’u lihet pak hapësirë veprimi të sunduarve. Nga ky moment rendi legal gjendet përballe dy kërcënimeve: së pari, tendenca e njërit apo tjetrit zotëri për t’u ngritur mbi kufizimet e aplikuara nga të barabartët si ai, për të ardhur përsëri nga rendi i së drejtës tek rendi i dhunës. Së dyti, përpjekjet e vazhdueshme të të sunduarve për të zgjeruar pushtetin e tyre, duke e kërkuar këtë nëpërmjet fiksimit të tyre në ligje, duke kërkuar kalimin nga e drejta e pabarabartë tek barazia e të drejtave për të gjithë. Ky drejtim i dytë bëhet veçanërisht shqetësues kur në gjirin e komunitetit vihet në pikëpyetje legjitimimi i pushtetit, për shkaqe të ndryshme historike. Në këto raste e Drejta duhet të përshtatet me kushtet e reja të krijuara, kur klasa drejtuese nuk është në gjendje të kuptojë domethënien e këtyre ndryshimeve sociale: kështu fillon revolucioni, lufta civile, ku lihet mënjanë e drejta ekzistuese për t’ia lënë vendin përdorimit të dhunës, e cila nga ana e saj instalon një regjim të ri të së drejtës. Por ka edhe një burim tjetër të trasformimit të së drejtës, që shfaqet në rrugë paqësore, dhe ky është ndryshimi i kulturës së antarëve të komunitetit. Por këtë do ta trajtoj në një shkrim tjetër…
Viennë, shtator 1932

Marrë nga Faqja e fb… “Dashamirët e Mendimit”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.