Miti i kohës ndeshet mjaft herët në letërsi. Në një nga veprat letrare më të hershme të njerëzimit te “Epi i Gilgameshit”, heroi i epit, Gilgameshi, kur shikon se miku i tij, Enkiduji, vdes, kërkon të sfidojë kohën, kërkon pavdekësinë. Po orvatja e tij është e kotë.
Në tekstet e “Letërsisë së penguar” ndeshim realitete artistike, personazhe dhe përjetime nga burgjet e diktaturës, aty ku njeriu është dënuar në të dy dimensionet e ekzistencës së tij: në hapësirë dhe kohë. Ai është i dënuar me qëndrim të detyruar, izolim në një hapësirë të vogël që është qelia dhe kampi. Hapësira e madhe, ku ai do të dëshironte të lëvizte është e pamundur për të, derisa ai të konsumojë kohën e dënimit. Ai është i dënuar edhe me masën e kohës që do të kalojë në këtë mjedis që shkon nga disa vite deri në disa dekada. Mungesa e lirisë për të lëvizur në hapësirë është torturuese për të dënuarin, por gjithsesi e riparueshme, hapësira është e kthyeshme, ai do të kthehet sërish në qytetin apo fshatin e tij, do të ketë mundësi të lëvizi në hapësirat e dëshiruara. Ndërsa koha është e pakthyeshme, ajo rrjedh, ikën. I dënuari e sheh kohën që kalon dhe bashkë me të sheh se si kalon edhe rinia e tij, mosha e burrërisë dhe afrohet mosha e pleqërisë, madje edhe koha për të lënë këtë jetë. Kur një i dënuar del nga burgu ai u gëzohet hapësirave që i rimerr, por vëren se rinia i ka ikur, apo edhe më keq, sheh se është plakur pa e jetuar kohën që iku.
Në tekstet poetike të poetit Visar Zhiti koha rrjedh së prapthi, ngrin, ajo shndërrohet në zhguall breshke, ditët janë krejt të njëllojta, pesë herë rresht është e premte, gjithmonë e martë ters. Por koha është edhe shpresë, sepse për tiranët është e pamëshirshme, i plak dhe i përcjell në ferr. Gjithashtu, mjaft shkrimtarë dhe poetë i fshehën krijimet e tyre gjatë diktaturës në palët e kohës, për t’i botuar kur do të binte diktatura. Njësia më e vogël e kohës është sekonda apo çasti. Ja se si i përjeton subjekti mendues në tekstin e poezisë “Çasti i fat(alitet)it” të Visar Zhitit, çastet në liri: “Ç’është çasti, kaq dridhës, kaq i lehtë/ s’e ndjen fare njeriu/ si grimca eterike të vetvetes.”
Ndërsa uni poetik i dënuar në dy dimensionet e ekzistencës së tij, në hapësirë dhe në kohë, i përjeton në këtë formë çastet: “Ah, çasti! Një psherëtimë, një klithmë/ çasti këtu/ Frushëllimë kamzhiku/ çasti këtu/ i rëndë si gurët/ që as i mbartim dot/ e dot nuk i hedhim/ T’i thyesh, nuk thyehen!/ (Pika djerse të tmerrit pikë-pikë pikojnë çastet/ nga balli i burgut).”
Dënimi me kohë e hapësirë shoqërohej edhe me ushqimin e keq, kushte të mjera jetese dhe punë të rëndë në burgjet shqiptare, ndonëse në gjyqet farsë shqiptohej vetëm dënimi me kohë e hapësirë, pa përmendur ndëshkimin me ushqim të keq dhe të pamjaftueshëm, kushte të këqija të fjetjes dhe punë të detyruar. Në kundërshtim me atë që përmend Michel Foucault se pas shekullit të XIX, dënimi do t’i drejtohej tashmë diçkaje jo trupore, ndëshkimet në burgjet e diktaturës i drejtoheshin edhe trupit, edhe shpirtit. Në tekstin e përmendur më lart të Visar Zhitit kemi edhe vargun: “çasti – i trashë një shekull.” Metafora e këtij vargu hedh dritë mbi intesitetin e vuajtjes së të dënuarit. Kur çasti përjetohet si një shekull, po minuta, dita, muaji, viti dekada, disa dekada?! Koha del jashtë çdo limiti, koha e vuajtur bëhet sa periudha e ekzistencës së njeriut. Koha në jetën e të burgosurit në tekstet poetike të Visar Zhitit, përjetohet në forëm traumatike, pikërisht se për artistin, krijuesin, shpirtin e ndjeshëm burgu është dy herë burg. Në tekstin e poezisë “Çastet ikin”, koha rrjedh si vuajtje, por edhe si neveri. Më e rëndë është vuajtja pa kuptim për një të burgosur politik që nuk ka kryer asnjë krim: “Ikin çastet/ si morrat/ nëpër trupin tim/ Në këtë llogore burgu/ plot baltë vuajtjesh/ rri e pres…/”
Në tekstin e poezisë “Mallkimi” vizatohet qartësisht statusi i të burgosurit me mungesën e hapësirës dhe me traumën e kohës: “Të mos kesh copën tënde të mbrëmjes,/ dhomën tënde të mos kesh,/ as rrugën as kthimin./ Tmerrësisht njëlloj të jenë ditët,/ 5 herë rresht e premte,/ gjithmonë e martë ters,/ asnjëherë e diel.”
Koha, si element ekzistencial shënon veprime, ngjarje, periudha të ekzistencës njerëzore: koha e dinozaurve, periudha kohore e bronxit, koha e pushtimit nazist, periudha kohore e diktaturës etj. Në tekstin e poezisë “Rrudhat e mençurisë”, poeti Visar Zhiti bën një pyetje retorike: “A ka kohëra/ që atdheu do vetëm të marrët?” Në fakt diktaturat dhe regjimet jo demokratike, sikurse kemi nënvizuar edhe më lart, e mbështesin sundimin e tyre jo te vlerat njerëzore, jo te virtytet, por te veset e tyre. Shqipëria, ndoshta mund të ketë qënë vendi emblematik për këtë dukuri. Uni poetik kërkon një kohë tjetër: “Dua një kohë/ dhe një atdhe/ që mençuritë e njerëzve/ t’i bëjë rrudha të tokës.” Ndihet në këto vargje reminishenca e thënies së njohur latine se kur punimi i tokës të ketë nderin e të shkruarit të poezive, atëherë ai vend përparon…
Visar Zhiti, edhe në tekstet poetikë e refuzon ndëshkimin, e shikon atë si një deklasim të tmerrshëm të njeriut, si një poshtërim të tij. Koha e ndëshkimit është thjesht një cohë e grisur. Merret me mënd se ç’pozitë ka i burgosuri si andër mbi cohën e grisur. Në tre vargje ai gdhend portretin e të burgosurit në relacion me kohën: “…çdo i burgosur/ është një copë andër/ mbi kohën e grisur/ që s’bën më.”
Në tekstet e poetit koha ndeshet si e burgosur bashkë me njerëzit. I burgosuri i vjetër bërthamat e pjeshkëve i kthen në tespije: “Me gishtat e vrarë prek një ditë,/ një tjetër vit pastaj,/ shekullin dhe çastin./ Ditët-dëshpërimisht monotone/ të vëna në tespijet e ankthit.” I lodhur, i dëshpëruar, uni poetik në tekstin me titull: “?!” gjen si shkak kohën, kur ky brez të burgosurish politikë u lind për të gjitha rrjedhojat tragjike të ndëshkimit: “As vetë s’i besojmë dot/ këto që po na ndodhin./ Ç’jemi,/ të dënuar/ apo të mallkuar?!// Mjerë ne që lindëm/ pas gjeneratës/ së fitimtarëve!” Ndërsa në tekstin e poezisë “Borxhi i kohës” ndeshim ironinë; puna prej skllavi është haraçi që paguhet për rendin skllavopranar, të cilin vendi nuk e pat kaluar, pushkatimet për holokaustin, që gjithashtu ky vend nuk e kishte përjetuar. Mitizimi i kohës në këtë tekst të jep përshtypjen sikur gjithçka ndodh nga zhvendosja e kohës: “Koha,/ oh koha, bën sikur ikën dhe kthehet prapë,/ ngul këmbë./ Kërkon skllevëritqë i takonin./ I do tani./ Patjetër, patjetër/ dhe ja, mu në fund të shekullit XX/ Ne jemi skllevër?!”
.
Ndërsa në këta vargje poeti e ka braktisur ironinë dhe sjell një pamje tragjike, ku koha e tashme kurrsesi nuk mund të pranojë pamje të kohës së shkuar. Procesioni duket sikur ecën në Mesjetë, jo në shekullin XX: “Të lidhur me zinxhirë/ ecim mbrapsht./ Nëpër “kohën minus”/ Si nëpër rërë.”
Në një tekst poetik pa titull të Visar Zhitit koha, si masë e dënimit, për të dënuarin kthehet në hapësirë të kufizuar, pra në burg: “Në qeli/ na mbajnë gjatë…/ Që, nëse dalim,/ qelinë ta mbajmë mbi supe/ si hamalli një arkë.”
Tjetërsimi apo metamorfoza kohën e gjatë e kthen në hapësirë të ngushtë, në qeli. Jo vetëm koha shndërrohet hapësirë, në qeli, por edhe subjekti nuk shpëton nga ky shndërrim, në mënyrë metaforike ai do ta mbajë atë kohë burgu të shndërruar në qeli tërë jetën mbi supe si hamalli një arkë. Të njëjtin fenomen e ndeshim edhe në një tjetër tekst poetik pa titull të këtij poeti, ku koha e burgut është shndërruar në hapësirë. Tjetërsimi ka përfshirë edhe subjektin mendues duke e kthyer edhe atë në një hapësirë burgu: “Një copë burg/ jam për tjetrin/ dhe gjithë të tjerët/ për mua janë burgu/ rob mbajmë veten.”
Në tekstet poetikë të Zhitit, në botën e trillimit sikurse në botën e njëmëndësisë, pra në kohën e burgut të perceptuar nga subjekti mendues, koha nuk rrjedh normalisht. Destruksioni i mitit të kohës shfaqet kur perceptimi artistik i kohës, çasti ngurtësohet, shndërrohet në gur, në psherëtimë, në klithmë, në pikë djerse të tmerrit, në kurriz breshke, “i pathyeshëm prej nga nuk dalim dot”, sikurse thuhet në poezinë e Visar Zhitit “Çasti i fat(alitet)it” Edhe në këtë tekst ndeshim fenomenon e destruksionit të mitit të kohës, ajo nuk rrjedh më, ngec dhe shndërrohet në objekte, shndërrohet në hapësirë të mbyllur si kurrizi i breshkës dhe ndryn subjektin, i cili ankohet se nuk mund të shpëtojë, nuk mund të dalë dot nga ajo hapësirë e ngushtë hermetike që dikur ka qënë kohë.
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.