back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 20 Maj, 2024

890 vjetori i Vdekjes së Omar Khayyam – përgatiti Sokol Neçaj

Gazeta

Portreti i Ommar Khajamit
Portreti i Omar Khayyamit

890 vjetori i Vdekjes se Omar Khayyam

pregatiti Sokol Neçaj

Më 4 dhjetor 1131, 890 vjet më parë, vdiq Omar Khayyam. Omar Khayyam ishte figurë poliedrike persiane që jetoi gjatë shekujve 11 dhe 12. Në kohën e tij, Omar ishte dijetar i njohur për punën e tij shkencore në fushën e matematikës, astronomisë dhe filozofisë. Megjithatë, sot më së shumti njihet si poet i madh, veçanërisht në botën anglishtfolëse edhe si meritë e përkthimit të Rubairat të tij në anglisht gjatë shekullit të 19-të. Rubairat janë përkthyer në shqip nga Noli.
Omar Khayyam lindi më 18 maj 1048 në Nishapur, në Iranin veriperëndimor. Emri i tij i plotë ishte Ghijath al-Din Abul Fateh Omar Ibn Ibrahim Khayyam. Besohet se Omari ka lindur në një familje artizanësh. Rastësisht, fjala “Khayyam” është përkthyer në kuptimin “krijues tendash”, që mund të jetë një tregues i profesionit të babait të tij. Disa burime thonë se babai i Omarit ishte mjek. Sidoqoftë Omari vinte nga një familje e pasur, pasi ai u shkollua mjaftë mirë.
Sipas disa gojëdhënave, Omari u mësua nga Bahmanyar, një nxënës i famshëm i Ibn Sina (i njohur në Perëndim si Avicena). Sipas të tjerëve, Omari e kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në qytetin Balhi, nën kujdesin e Sheik Muhamed Mansurit, një prej dijetarëve më të famshëm të kohës. Më vonë, ai u kthye në Nishapur dhe u mësua nga një dijetar tjetër i shquar, Imam Movaffak.
Një histori mjaft interesante jep Edward Fitzgerald në parathënien e përkthimit të tij të Rubairat. Sipas tij, në kohën kur Imam Movaffak e pranoi Omar si student të tij, ai kishte edhe dy studentë të tjerë – Nizam al-Mulk dhe Hassan-i-Sabah. Ata të tre u bënë miq të mirë dhe u zotuan se nëse më vonë njëri prej tyre do të arrinte sukses, do ta ndante pasurinë e tij në mënyrë të barabartë me dy të tjerët.
Me kalimin e viteve, Nizami u bë vezir i Perandorisë Seljuk. Kur Omeri dhe Hasani mësuan për suksesin e Nizamit, shkuan tek ai për të kërkuar pjesën e tyre të pasurisë sipas ujdisë. Nizami e mbajti fjalën dhe pyeti shokët se çfarë donin. Hasani kërkoi një vend në qeveri. Ai ia plotësoi dëshirën, por Hasani, ishte person jashtëzakonisht ambicioz dhe kërkonte të ngrihej në rang me çdo mjet. Madje ai komplotoi për t’i zënë vendin edhe Nizamit si vezir. Hasani pasi veprimeve të tij të liga u ekspozua dhe e hoqën nga detyra. Pasi u zhduk për një periudhë kohe, Hasani u rishfaq si themeluesi i Hashashinëve famëkeq. Nizami ishte i destinuar të bëhej viktimë e tehut të Hashshashinit.
Omari, ndryshe nga Hasani, nuk kërkoi post në qeveri. Ai thuhet se i kërkoi të jetonte diku nën hijen dhe përkrahjen e tij, të përhapte gjerësisht përparimet e shkencës. Nizami e kuptoi se miku i tij i vjetër e kishte menduar vërtet atë që kërkoi, kështu që nuk e ngacmoi që të pranonte një pozitë në qeveri. Në vend të kësaj, ai i dha Omarit një pension të mirë vjetor nga thesari i Nishapurit. Kjo i mundësoi Omarit të realizonte kërkimet e tij akademike në Nishapur për gjithë jetën e tij.
Gjatë jetës së tij, Omari u bë i njohur për dituritë e tij. Fama e Omarit si dijetar kishte arritur te sulltani selxhuk, Malik Shah I. Prandaj, në vitin 1073, ai u ftua në Isfahan dhe u ngarkua me ndërtimin e një observatori. Omari punoi në Isfahan si astronom për gati 20 vjet. Gjatë kësaj periudhe, Omari luajti një rol kyç në reformimin selxhuk të kalendarit persian.
Puna e Omarit dhe astronomëve të tjerë në Isfahan rezultoi në miratimin e kalendarit xhalali si kalendar zyrtar i Perandorisë Seljuk në 1079. Ndryshe nga kalendari hënor islamik, kalendari xhalali ishte diellor. Ky kalendar është aq i saktë sa që ka vetëm një gabim njëditor çdo 5000 vjet. Për krahasim, Kalendari Gregorian që përdoret sot ka një gabim njëditor çdo 3330 vjet. Megjithatë, lavdia e Observatorit të Isfahanit nuk zgjati shumë. Në vitin 1092 Malik Shah vdiq, me shumë mundësi nga helmi. Vetëm një muaj para kësaj, veziri i tij ishte vrarë gjithashtu. Rrjedhimisht, Omari dhe astronomët në Isfahan humbën mbështejen e tyre, observatori u mbyll shpejt dhe kalendari Xhalali u shfuqizua. Variantet e këtij kalendari, meqë ra fjala, përdoren ende sot në Iran dhe Afganistan.
Omar nuk ishte vetëm një astronom i shkëlqyer, por gjithashtu dha kontribut në fushën e matematikës. Në vitin 1070, për shembull, ai përfundoi një traktat matematikor të quajtur Traktatet mbi demonstrimin e problemeve të algjebrës. Kjo vepër pati shumë ndikim, pasi parimet e algjebrës më në fund gjetën rrugën e tyre drejt Perëndimit. Përveç kësaj, Omar punoi në grupin trekëndor të koeficientëve binomialë, duke hedhur kështu themelet për atë që sot njihet si Trekëndëshi i Paskalit.
Në vitin 1077, Omari përfundoi një tjetër vepër madhore, Shpjegimet e vështirësive në postulatet në Elementet e Euklidit. Thuhet se qëllimi fillestar i Omarit ishte të provonte postulatin paralel (i njohur gjithashtu si postulati i pestë i Euklidit). Në vend të kësaj, ai përfundoi duke provuar vetitë e figurave në gjeometrinë jo-Euklidiane, duke kontribuar kështu, megjithëse rastësisht, në zhvillimin e kësaj dege të matematikës. Kjo vepër përmend edhe atë që sot njihet si katërkëndëshi Khayyam-Saccheri. Ky është një katërkëndësh me dy brinjë të barabarta pingul me bazën. Megjithëse Omar ishte matematikani i parë që mori në konsideratë këtë katërkëndësh, zhvillimi i mëtejshëm i konceptit, u bë vetëm gjatë shekullit të 18-të nga Giovanni Gerolamo Saccheri.
Edhe pse Omari ishte i njohur si intelektual gjatë kohës së tij dhe në vendlindjen e tij, që nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, ai konsiderohet më shpesh, veçanërisht nga anglishtfolësit, si poet. Studiuesit modernë nuk janë plotësisht dakord me idenë e Omarit si poet. Disa, për shembull, dyshojnë se Omari ka shkruar ndonjëherë poezi, ndërsa të tjerë theksojnë faktin se dijetarë të tjerë myslimanë gjatë kohës së Omarit janë marrë edhe me poezi, ndoshta për t’u argëtuar. Megjithatë, të tjerë janë të mendimit se Omari shkroi disa poezi, ndoshta rreth 150 katërshe e Rubairat, ndërsa pjesa tjetër nga poetë të tjerë duke përdorur emrin e Omarit. 
Poezia e Omarit arriti vërtet shkëlqimin vetëm gjatë shekullit të 19-të, falë përkthimit të poezive nga Persishtja në anglisht nga Edward Fitzgerald. Në 1859, Fitzgerald botoi veprën e tij si Rubairat e Omar Khayyam. Fjala “rubairat”, meqë ra fjala, do të thotë “katërshe” (strofa me katër rreshta). Ky nuk ishte saktësisht një përkthim i tekstit origjinal, por një përkthim shumë i lirë i poezive që i atribuohen Omarit. Duke shtuar ndjenjat e tij romantike të shekullit të 19-të, Fitzgerald në mënyrë të pashmangshme shtrembëroi origjinalet. Prandaj, disa kritikë madje i referohen me humor veprës së Fitzgerald si “Rubairat e FitzOmar”. Në kohën e publikimit të tij, Rubairat gëzonte pak popullaritet. Megjithatë, në dekadat që pasuan, poezitë u bënë jashtëzakonisht të njohura. Në Londër u krijua një sallon letrar elitar i quajtur Klubi Omar Khayyam që është aktiv edhe sot. Me gjithë të metat e tij, përkthimi i Fitzgerald edhe sot është versioni i poezive të Omarit që njohin sot shumica. Për më tepër, ka pasur një ndikim të madh në mënyrën se si Perëndimi e ka parë poezinë persiane. Në çdo rast, poezia e Omarit thuhet se i kanë qëndruar provës së kohës. 
Fan Noli, përktheu në shqip, “Rubairat” e Omar Khajamit. Shqipërimi i “Rubairave” ishte edhe një sprovë tjetër e aftësive dhe vitalitetit të fjalës shqipe. Ai i përktheu kur ishte i anagzhuar më shumë se asnjëherë në jetën politike. Në gusht të vitit 1924, boton te Dielli katër rubairat e para. Brenda dy vjetësh ai shqipëroi mbi 100 rubaira, të cilat i përmbledh në librin që boton në Bruksel në 1926-ën dhe një vit më vonë, pas pritjes entuziaste dhe lutjes së lexuesve, shqipëroi dhe mbi dyqind të tjera e na dha botimin e ri të vitit 1927.

Kupolë e një xhamie në Iran
Kupolë e një xhamie në Iran

Një nga poezitë më të famshme të Rubairat është:

***

Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumtëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa e puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.
Variante shqipërimi nga F. Noli të “Rubairave”
Nën hijen e një pjegurlle më një anë
Ca buk’e ver’ e vjersha dhe Ti pranë
Të na këndosh makar në shkretëtirë
Dhe s’ka Parajsë më të mirë

***
“Sa ëmbël të jesh mbret!” disa mejtojnë
“Sa ëmbël në Parajsë!” Ca besojnë
Ah, kape kupën dhe kusurin fale
Larg teje pompën dhe daullen ndale.

***
E dashur mbushma kupën që kthjellon
Të sotmen nga çdo vrer që vjen e shkon
Po nesër? Nesër ndofta u vërtita
Në shqotën e së djeshmes u varrita…”

Për disa studiues, Rubairat e paraqesin Omarin jo vetëm si poet, por edhe si filozof. Aty gjenden tema filozofike, përfshirë impermanencën dhe kërkimin e kuptimit të jetës, determinizmin dhe vullnetin e lirë, teodicinë dhe drejtësinë. Përveç kësaj, Omari shkroi gjithashtu një sërë traktatesh filozofike, si “Mbi Qenien dhe Domosdoshmërinë”, “Mbi Njohurinë e Parimeve Universale të Ekzistencës” dhe “Për domosdoshmërinë e Kontradiktës në Botë, Determinizmin dhe Ekzistencën”. Megjithatë, duhet theksuar se Omari është shumë më i njohur si shkencëtar dhe poet sesa si filozof.
Në vitin 1092 pas vdekjes së Nizami dhe Malik Shahu, Omari humbi mbështejen e oborrit. Më pas, ai shkoi në një pelegrinazh në Mekë. Por historia e jetës së tij pas kësaj, është e paqartë. Një burim, për shembull, thotë se ai vizitoi Bagdadin kur ishte rrugës duke u kthyer nga Meka. Pas pelegrinazhit, ai u tërhoq në Nishapur dhe jetoi në vetmi.
Në Iranin e sotëm, Omar konsiderohet hero kombëtar. Kjo është e dukshme në rindërtimin e mauzoleumit të Omar Khayyam, i cili përfundoi në vitin 1963. Sot mbi varr ndodhet një monument prej mermeri të bardhë, i cili vizitohet nga pelegrinët që dëshirojnë t’i bëjnë nderimet e tyre këtij personaliteti të madh.

.

Marre nga Muri i Fb i Sokol Neçajt, 4 dhjetor 2021 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.