back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Strategji e përbashkët e armiqve për të sunduar më lehtë e më gjatë – nga Zyba Hysen Hysa

Gazeta

Isuf Luzaj - Një Shtizë Diell mbi Atdhenë
Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë

Strategji e përbashkët e armiqve

për të sunduar më lehtë e më gjatë

nga Zyba Hysen Hysa

(Nga libri “Isuf Luzaj, Një Shtizë Diell mbi Atdhenë” fq. 98-100)

Më është dashur të studioj historinë tonë gjatë kësaj kohe, në shërbim të librit “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe ajo që më ka rënë në sy është strategjia e përbashkët e armiqve tanë, që për ta sunduar më lehtë dhe më gjatë, kanë arrestuar patriotët e vërtetë, disa i kanë ekzekutuar, të tjerë i kanë mbajtur të izoluar.
Kështu në kohën e pushtimit osman, ku nuk do të përjashtoheshin edhe nga fisi i Luzajve (Qazim Luzi, hero i Luftës së Janinës, i këndohen tri këngë, Musa Luzi, major i ushtrisë turke hyri i pari në Sofje, Bullgari me kënga labçe në gojë), kështu në 1920 (Sulo Miftar Luzi, i pushkatuar në internim në Sazan 1920, pasi pështyu një oficer italian që lidhi flamurin në bishtin e qenit), po kështu në periudhën kohore të pushtimit fashist, fat që do ta kishte edhe Isuf Luzaj duke u përndjekur, burgosur si në Shqipëri e deri në Ventotene e më pas dënohet me pushkatim në mungesë dhe vazhdon kaluari i përndjekjeve me Alem Luzin, i cili në gjyq tha: “Zoti prokuror, çfarë mund t’ju thosha tashti, kur unë Alem Luzi, që me lopatë e kazmë punoj duke hapur kanale e gatuar llaç… Një gjë që s’e kam parë dhe dëgjuar si t’ju them. Nëse më dënoni si bir kulaku dhe se jam kushëri i parë i Isuf Luzajt, flisni qartë dhe ta marrin vesh të gjithë…” (Hamdi Kulaj: “Nacionalistët e Kaninës”, faqe 124) Më pas arrestimi dhe burgosja e djalit të Isufit, Kujtimit, duke e dënuar me 12 vjet burg, por, më burg se burg e kaluan jetën edhe fëmijët e tjerë në internim, duke e hequr nga puna si mësues, Dalanin, djalin e Isufit, poetin e dhembjes dhe të humbjes, siç e kam cilësuar në një shkrim publikuar në vitin 2012, tek “Zemra Shqiptare”, se pati fatin e keq, që jo vetëm e hoqën nga arsimi, por i vranë dhe shpirtin duke mos e lejuar të shkruante dhe të botonte më poezi krahas moshatarëve dhe shokëve të tij poetë si Xhevahir Spahiu, Hiqmet Meçe…
Të përbuzur, të pangrënë, të persekutuar psikologjikisht… “Sapo zbrisja digën e liqenit të Helosës, rrëzë ullinjve të Bezhenës, nga ana e vreshtit, para syve më doli një gropë 2 metra e thellë, hedhur dhe rreth e qark. Sa bëra 50-60 hapa, shoh se nga një thellësi nxirrej dhe. U afrova pranë buzës së saj dhe shoh brenda djalin që profesor Luzi nuk e kishte lënë fati ta kishte parë. Ishte Dalani. E përshëndeta dhe më përshëndeti. Duke më thënë: “Mos qëndro se do të shohë brigada!” Me këtë donte të më ruante mua.” (H. Kulaj, “Nacionalistët e Kaninës”, faqe 125) dhe më pas do ta vuanin mos shkollimin nipërit e Isufit.
Kaq e egër ishte propaganda antikombëtare e qeverisë së Enver Hoxhës, saqë “Kur na internuan në teqenë e Shehrishtës, – tregon Elisabeta, vajza e Isufit, – kishim shumë plaçka shtëpie dhe nuk i merrte dhoma (ishte shumë e ngushtë, sa për dy varre, se sheshuam varret fjetëm mbi ta), pra mbetën shumë jashtë. Edhe pse u thoshim fshatarëve t’i merrnin, ata jo vetëm nuk i merrnin, por as na afroheshin e nuk na shikonin drejt në sy”, ndërsa djali i vogël, Dalani, që Isufi nuk pati fatin ta shikonte, se ishte në përpjekje për të shpëtuar arrestimit të komunistëve, do të tregonte: “S’kam se si të imagjinoj ditë të bardha, s’kam se si të sajoj barkun plot, kur s’u ngopa një herë me bukë të thatë derisa u hoqën triskat, s’kam se si të rrëfej fantazi, kur fëmijët shpesh s’na pranonin për të luajtur duke na quajtur “reaksionarë”, kur Kryetari i Këshillit erdhi dhe shkroi në ballë të garazhit të bodrumit që ne banonim “Poshtë armiqtë e frontit!”dhe gjithë jeta jonë kështu vazhdoi. Ata goditën në shpirtin e njomë aq sa kemi harruar, ose s’dimë të qeshim, s’dimë të këndojmë, se na ra për të qarë…
Njeriu mësohet ose përshtatet. Unë kurrë s’e kisha menduar në rininë time se mund të ndahesha nga deti, isha i pari në lagje që hyja në det dhe i fundit që e lija atë, sa që edhe dimri nuk më ndante nga ai, se kam qenë më harrakati në lagje, gjithë ditën në det gjer sa fillova të mesmen. Pastaj ndryshuan gjërat në favorin tim, them në favorin tim, se kthesa ishte pozitive për të ardhmen.
U largova nga peshkimi me grep, nga lojërat me top dhe kjo më futi në binarët e një rrugë që fillova të kuptoj që s’kish fund, por ja seç ndodhi, më goditën duke më larguar barbarisht, pa asnjë faj nga qyteti dhe u bëra bujk… dhe më e keqja mbaja dhe lopë atje, pra njeriu përshtatet dhe përshtatshmëria është ligj i mbijetesës; ose do përshtatesh, ose do të asimilohesh. Pra, mjerimi, dëshpërimi dhe trishtimi i fshatit u bënë mali më i madh që kam gjysmën në shpinë dhe gjysmën në zemër…” (Bisedë me Dalan Luzaj.
.
Dalan Luzaj - "Mes dy Kontinentesh"
Dalan Luzaj – “Mes dy Kontinentesh”
Kështu sapo përmendej fisi Luzaj, njerëzit largoheshin, thua se do u ngjitej mortja. Unë e di se çdo të thotë diskriminim, se secili që nuk e deshi atë sistem, e provoi mbi shpinë, ca më keq një femër, por di shumë mirë dhe çfarë propagande bëhej me “kulakët”, familja ime vetëm 6 muaj do e përjetonim këtë epitet – murtajë që u vihej njerëzve më të ndershëm shqiptar, ndaj kurrë nuk do resht së shkruari, së foluri, së thërrituri që njerëzit të kuptojnë të vërtetën e dhimbshme, por që do na ndriçojë për të ardhmen tonë duke dashur njëri-tjetrin në radhë të parë si vëllezër të një gjaku, më pas të respektojmë të huajt, se i huaji është i huaj. Për këtë po flisja një ditë me Bujar Irfan Luzajn, i cili ndër të tjera më tha: “Gjatë viteve 1950-1955, kur lufta e klasave shënoi kulmin, fisi ynë, edhe pse nuk ishim nga një shtëpi, por ishim fis me Isuf Luzin, provuam diskriminim, saqë, kur kërkonim një nuse na thonin: “Më mirë ia jap vajzën një jevgjiti, se sa te Luzajt”, mendoje vetë pra se sa kokulur rrinim ne në atë kohë…”
Përpiquni të studioni edhe ju, të dashur lexues, të paktën një familje fisnike shqiptare dhe do ta gjeni të pakëputur zinxhirin e përndjekjes së pinjollëve të tyre që në pushtimin osman e deri me rrëzimin e diktaturës komuniste në viti 1990, aty ku duket që kaluari i këtyre përndjekjeve do përfundonte, por për fat të keq ai vazhdoi, por me një formë tjetër “demaskim të zgjuar”, porosiste Enver Hoxha pas Marrëveshjes së Mukjes, por akoma më të poshtër dhe më shkatërrues ishte pas viteve ’90, se u dhanë nga një pasaportë, dikujt dhe një grusht para dhe i degdisën nëpër rrugët e botës, ku mbetën muhaxhirë për gjithë jetën, duke u bërë dyfish emigrantë: emigrantë ku shkuan, emigrantë në vendlindje, ishin me atdhe, mbetën dhe pa të e jeta e tyre u bë siç shprehet edhe vetë Prof. Isuf Luzaj: “…si një stuhi e furtunë që fillon që në agim të parë e vazhdon gjer në perëndim të diellit…”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.