back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Përse një Muzë i shkruan një Bishe?! – refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Përse një Muzë i shkruan një Bishe?!

refleksion nga Jozef Radi

Mbas 15 vitesh burg të egër, Intelektualja më e madhe shqiptare, mendon t’i shkruajë Diktatorit… Kushedi sa herë në shpirtin e saj do të jetë përpëlitur ndërdyshja: T’i shkruajë a të mos i shkruajë “bashtos”?! A nuk ishte ai njeriu që i kishte vrarë dy vëllezërit e saj, që e kish burgosur dhe masakruar edhe ate përmes një trajtimi të egër edhe atje në burg…?!”
Mbetem i bindur se Muza – duhet ta ketë menduar gjatë këtë letër, që edhe kur është ulur për ta shkruar, ajo ka qenë e bindur se e kishte zbritur ca shkallare krenarinë e saj, por këtë e ka bërë për diçka më të fortë se vetja e saj: Të shpëtonte çka kishte shkruar gjatë 15 viteve të burgut…
Gjithnjë vazhdon të më grryen pyetja: “Përse i shkruan një Intelektual një Diktatori? Çfarë beson ai kur merr guximin t’i shkruajë një Bishe, dhe çfarë mendon se mund t’i sjellë ajo korespondencë me Murin…?!”
Unë besoj se një intelektual i shkruan një Diktatori, jo pse beson në ndonjë zgjidhje prej tij, thjesht për ta dëshmuar misionin e madh të intelektualit, po edhe për të lënë gjurmët e asaj beteje që është e humbur qysh në nisje!
Edhe Muza Musine këto mendime ka bluar në dëshpërimin e saj, ndërsa i drejtohet me tone të ulta, me një fill butësie e mirësie, ku kërkon t’i dëshmojë Bishës se vlerat e saj s’i ka zvetnuar aspak burgosja, dhe se dëshiron t’i shërbejë vendit të vet, edhe pa rënë fort në sy…!!
Por Bishës, që sundon prej 18 vitesh, e që atdheu tashmë është pronë e tij, si duket, kaq i ka mjaftuar, që komunikimi në heshtje mes tyre, ta kishte edhe këtë letër!
.
Musine Kokalari i shkruan Diktatorit
Musine Kokalari i shkruan Diktatorit
Me shumë finesë, Muza i dëshmon Bishës, se shkaktari i së keqes së Familjes së Kokalarëve është pikërisht ai “bashtua”, dhe ajo s’e anashkalon këtë gjë, ndoshta është pikërisht ky tekst edhe krejt kuptimi i asaj letre: “Burgun e mora si një borxh që duhej larë! Vetë veprova, vetë pagova… por dënimi i dytë më duket një trajtim jo i drejtë, një persekutim që e ka burimin në paragjykime ose disa opinione që më tepër shkaktohen në disa hatëre të mbetura. Prandaj ju lutem shumë, ta shqyrtoni edhe një herë këtë punën time. Nëqoftëse është ndonjë arsye tjetër ose akuzë, unë jam gati të jap llogari…”
Muza i dëshmon se nuk i trembet rikthimit në burg… Ndaj guxon! Prandaj letrën e saj, s’mund ta lexojë Bisha, as shkrimin e bukur të saj. Bisha s’duhet as ta shohë atë letër, dhe vetëm nëse e dëshiron një gjë të tillë, letra është aty. Lakenjtë përreth, që ia njohin mirë shijet dhe instinktet e Bishës… dhe ata barbarët që I sillen përreth ia përgatisin dhe e përmbledhin me kujdes atë letër, duke shtuar fjalë e fraza që s’janë të letrës, po informacione (disa edhe të rreme) për ta mikluar sadopak egon e Bishës, se po ia sjellin në pjatancë e po ia shërbejnë të ngrohtë dhimbjen e një gruaje, ashtu si atij i pëlqen të jenë të gatuara viktimat e lartësive…
Diktatori me siguri ka qeshur, dhe ai dhëmbi i florinjtë i skërrmitjes, ia ka mbushur fytyrën me një dritë të zezë shpirti. Diçka ka lënë më të kuqe, ashtu në nervozizëm e sipër, thuaj në kufijtë e së palexueshmes, diçka që poeti më i madh i Realizmit Socialist, (po edhe i tij personalisht) bashkëqytetari i poemave zulmëmëdha elozhshumta me triumf e kishte quajtur: “ajo s’ishte firmë… ajo ishte vetëtimë…!”
Janë vetëm 6 fjalë grryese në kufijtë e herioglifeve, me laps të kuq (si duket zgjedhur enkas) si fjalë të shkruara me thikë, o dhëmbë bishe, o si të ishte fjala për një hakmarrje barbare ashtu në letër, për një gjakim që do të vazhdonte përtej gjithçkaje… edhe përtej jetës së Muzës… ndërkohë që me aq zell i lartonte në qiell lopçaret dhe u buzëqeshte brigadiereve…
Nga se vjen ky lexim kaq i trishtë i një letre të mbetur papërgjigje, po thjesht e plotësuar nga aparatçikët që e ushqejnë Bishën edhe me të pavërteta… ç’është ky lexim tragjik i një letre të Muzës… që më përplas në dhimbjen e pakufi për Intelektualen e Lartë?!
Bukuroshja dhe Bisha s’është përrallë… ja, është kjo letër, që e shkruante gruaja më e rafinuar e një vendi të vogël, njeriut më të plotpushtetshëm të diktaturës së madhe.
E pra, janë pjesë e të njëjtit qytet, të së njëjtës lagje, ndoshta edhe të njëjtit gjak – jo të afërt, po që s’ka urë që ua bashkon brigjet… Megjithatë, një letër në dy faqe, me një përgjigje në një rresht të përbindshëm, të trondit, ashtu si edhe fakti, që vendimi për interrnimin e Muzës, qenka marrë tre muaj para se ajo të delte nga burgu… (e liruar në tetor, vendimi i interrnimit është marr në gusht të 1961!). Diktatura nuk është aq idiote, sa të mos marrë masa preventive, ndaj Intelektuales së Lartë!
Kur mbaron së lexuari kët letër, ndjen se në çdo gërmë të saj pikon dhimbje, pse jo – edhe gjak intelektual, kur përcjell shënimin e përmbledhur të kësaj letre nga zyra e shtypit e Diktatorit, dhe ndalesh te ajo egërsia e atyre pak fjalëve të mbivendosura mbi tekstin e përmbledhjes, e që nënkuptojnë se ajo letër s’ka nevojë për asnjë përgjigje, (po thjesht vazhdimin e terrorit mbi intelektualët), duke shkelur e shpërfillur edhe rregullat më themeltare të korrespondencës zyrtare, që kur i drejtohet shtetit, edhe më i fundmi qytetar i republikës, është e domosdoshme që dikush t’i kthejë një përgjigje, sado formale dhe hipokrite të jetë ajo…!
Si të mos mjaftonte e keqja e pësuar, hyjnorja Musine, befas ndjen se ajo bëhet shkak që te Bisha të rizgjohet në instinkte edhe më të egra… Mbas asaj letre, një urdhër i pazëshëm, i padukshëm, një urdhër hijesh dhe hijenash kërkon që jo vetëm ajo, po edhe të afërmit e saj të largohen nga Tirana…
.
Shënimi i Diktatorit mbi letrën e Musine Kokalarit
Shënimi i Diktatorit mbi letrën e Musine Kokalarit
Pra, ndëshkimi mbi ndëshkim… Bisha ka kërkuar kështu vdekjen e ngadaltë të Muzës, duke kërkuar ta armiqësojë edhe me ata që i kishin shpëtuar përkohësisht gijotinës së tij…
Ndaj edhe ajo zyra e shtyp(jes), me firmën e njëfarë Stratobërdhe, duke ia njohur shpirtin katran të Bishës, e plotëson më të zeza shtojcë, që s’i përkasin Musinesë, duke dëshmuar atë tepri zelli të këlyshëve të diktaturës, përtej asaj çka pretendonte letra… përtej asaj çka vetë Bisha e njeh mirë, ndaj mbi Të, kahera është lëshuar gjithë urrejtja e tij dhe e të tijve, një urrejtje e ulët, e egër dhe primitive. Ajo çka dhemb edhe më shumë, është fakti se Shkrimtarja e Parë Shqiptare ka punuar me stoicizmin e saj edhe në burg, dhe u ka dorëzuar 500 faqe dorëshkrime në drejtoritë e burgjeve ku ka vuajtur, dhe kërkon që ato t’ia kthejnë…
Ata jo vetëm nuk ia kthejnë, por gjejnë edhe arsye për ta vënë në lojë… Ku janë këto materiale, ku është kjo vepër e kësaj gruaje të pashoqe, që edhe burgun e shëndrroi në institut kulture…?! A mban kush përgjegjsi, a ndjen kush dhimbje kur flitet për kulturën shqiptare…?! Gjysma e së keqes do të ishte edhe sikur të ishin vjedhur dhe botuar prej hajdutëve me grada shkencore të partisë së Diktatorit Bishë…
Së fundi, problemi merr edhe ca qartësi, mbasi diktatori na paska thirrur në telefon Kadrinë e Sigurimit, dhe Kadriu si Kadi që na qënkesh, na i paska theksuar: “qëndrimin e saj shumë të keq” sepse për faqeziun e Sigurimit, (s’do shkonte gjatë e do ta merrte gjysmën e lekut prej Partisë së tij dhe Bishës dhe jo vetëm, po edhe me të tjerë të tij… Muza mban qëndrim të keq!!
Sepse “qëndrimi i mirë” nënkupton rekrutimin si bashkëpunëtor të Sigurimit, puthador i partisë së djajve të kuq, nënshtrim deri në të qenit asgjë…
E Bukura Musine, merr si përgjigje të kësaj letre të rrallë, heshtjen, dhe si adresë të përjetshme banimi: Rrëshenin, ku poshtërsia e gjithë hallkave të diktaturës, ka ngarkuar një dyzinë spiunësh që ta vëzhgojnë çdo çast, 24 orë në 24, e ndokush ta zbusë të keqen e vet, duke rënduar mbi fatin e Musinesë…!
E Bukura Musine, u ndëshkua jo vetëm me vdekjen e parakohshme, por edhe me dhunimin e përdhosjen edhe të vdekjes së saj… E lidhur me tela me gjemba, në një arkivol dërrasash të egra, mbi një riportabël të NSHN së Rrëshenit, shoqëruar nga dy-tre të panjohur përplaset në varr…!
E gjitha kjo, s’është tjetër veç ato 5-6 fjalë me të Kuqe të Bishës së kuqe, të cilat sintetizojnë urrejtjen e një barbari të pashoq për dritën, për dijen, për gruan, për shkollën, për kurajon, për lavdinë…
Mjafton kjo letër për ta dëshmuar si shtetin e djeshëm, edhe vazhdimësinë e tij në shtetin e sotëm… Sepse brohorima e sotme shtetërore ndaj lopçareve sillet sërish si baltë mbi Musinene.. Baltë që lotët tanë të dashurisë, me kohë e kanë gdhendur në mermer lavdie, emrin e saj…
.
Shkruar rrugës për në Londër, mbi qiellin e Parisit, 20 dhjetor 2020
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.