back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

25 vite… pa Nickun e Merrnaçajve të Kelmendit nga Jozef Radi

Gazeta

Nick Mernaçaj me flamur në protestë
Nick Mernaçaj me flamur në protestë 

25 vite… pa Nickun e Merrnaçajve të Kelmendit

nga Jozef Radi

Nick Mërnaçaj kthehej në Nju Jork me nji grup shokësh,
mbasi kishin marrë pjesë në nji demonstratë antikomuniste
në qytetin Detroit, ku rrugës… gjen vdekjen!!

Gjithçka ndodhi në nji natë të kobshme, me 22 janar të vitit 1990, kur Nick Mërnaçaj kthehej në Nju Jork së bashku me nji grup shokësh, mbasi atë ditë kishin marrë pjesë në nji demonstratë antikomuniste në qytetin e Detroitit, në përballje me regjimin e Ramiz Alisë, i cili asokohe edhe pse ishte në gërhamat e fundit të sundimit, përpiqej ta mbante Shqipninë nën kthetrat e mashtrimit të diktaturës ma të egër në Europë. E ndërsa kishin protestuar paqësisht, dhe udhëtonte me makinë ai humb jetën në mënyrë aksidentale(!!), duke lanë mbas shumë dhimbje, po edhe djalin 5-vjeçar, Michel(Mikeli), prindët e tij fisnikë Marashin dhe Mrijen, gruan e vet dhe mjaft të afërm të tij.
Mbas kësaj ngjarjeje tragjike, dhe duke e vlerësuar respektin dhe kontributet e Familjes Mërnaçaj që jetonte prej vitesh në Nju Jork, qarku i Westchesterit, caktoi datën 22 prill “Ditën e Lirisë Shqiptare – Nick Mërnaçaj”
Ndërsa, pak vite ma vonë, në vitin 1993, Nick Mërnaçaj u nderue me titullin “Martir i Demokracisë”, me motivacionin: “Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për demokraci”. Kurse sot në vendlindje, emrin “Nick Mernaçaj”, e ka shkolla e mesme e Tamarës në Kelmend.

Familja Mernaçaj në nderim të Nick Mernaçaj
Familja Mernaçaj në nderim të Nick Mernaçaj

Po kush asht Familja Mërnaçaj, dhe cila asht legjenda e tyne antikomuniste…
Nikoll, Marash dhe Pjetër Mërnaçaj ishin tre vllazën nga Tamara e Kelmendit, që kishin pësue mjaft prej komunizmit, aq sa nji ditë vendosin me u arratisë familjarisht. Marash Merrnaçaj, kishte marrë vajzën e Dedë Gjonit të cilin regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe “Forcat e Ndjekjes”, megjithëse të plagosun, e masakrojnë dhe e djegin të gjallë brenda Kullës, duke iu vu flakën në sy të fëmijëve tw tij.
Kështu në vitin 1959, dy vllaznit Marash dhe Pjetër Mernaçaj vendosin të arratisen nga Kelmendi, bashkë me krejt familjet e tyne, duke marrë me vedi edhe nanën Mrikë 90 vjeçare. Ata ma së pari kalojnë në Mal të Zi, e ma vonw në kampet e refugjatëve në Europë, derisa në vitin 1967, mbas shumë peripecish mbrrijnë në New York. Ndërkohë në Shqipëri, u ka mbetë i vëllai i madh i tyne, Nikolla me të shoqen Dranen dhe nji vajzë 6 vjeçe Diellën, për të cilwt do të fillonte kalvari pafund i burgjeve dhe kampeve të interrnimit, plot 32 vjet.
Po ngjarja që bani ma shumë bujë, dhe e vuni familjen Merrnaçaj në qendër të opinionit amerikan, po njiherit edhe në “synin e ciklonit” komunist ishte dhania e shtetasisë amerikane nanës së tyne Mrikë Mernaçaj, me dekret të veçantë të Presidentit amerikan Gerald Ford.
Ngjarje që aso kohe, befasoi Amerikën…

Mrikë Mernaçaj dhe i shoqi
Mrikë Mernaçaj dhe i shoqi

Gazeta njujorkeze “The Brownsville Herald” (5 November 1975 – faqja 16) ishte e para që do të shkruante: “Edhe pse ma të sigurt politikisht në Jugosllavi, Znj. Mernaçaj – përfundimisht kishte kërkuar për ta lanë atë vend – për të emigruar në SHBA, duke i thënë avokatit të saj se: “…dëshira e saj ishte të jetonte dhe të vdiste në nji vend të lirë”.
Nji nga djemtë e saj, në Yonkers – New York, kujton: “Dy ditë mbasi mbrritëm këtu në Amerikë, shkova në zyrën e avokatëve. Kur avokati pa datën e lindjes së saj më tha: “Ky asht lajm sensacional, dhe duhet të njoftohen për kët gjë televizionet dhe gazetat….” dhe vërtet, ai fillimisht bani telefonatë nji gazete lokale (The Brownsville Herald) e cila, e botoi menjiherë lajmin!”.
Prej asaj telefonate dhe lajmit të botuem në at gazetë, ma shumë se 10 kanale të lajmeve, po edhe gazeta anembanë Amerikës, kontaktuen me dy djemtë e saj Marashin dhe Pjetrin, duke iu kërkue informacione në lidhje me nanën e tyre. Në kët histori u përfshi edhe nji kongresmen, i cili qe me ndikim në Washington – Mario Biaggi.
 Kongresmeni Biaggi, thuhet kontaktoi drejtpërsëdrejti me Presidentin Ford dhe e informoi atë se znj. Mernaçaj ishte personi ma i moshuem në historinë amerikane, që jetonte në New York dhe se kishte kërkue: “me jetue në Amerikë e lirë, me votue, dhe me vdekë si qytetare amerikane…”

Marash Mernaçaj, me portretin e te birit Nick
Marash Mernaçaj, me portretin e te birit Nick

Sipas gazetës “The Brownsville Herald”, Presidenti Gerald Ford i ktheu menjiherë përgjigje me miratimin e kërkesën, dhe në harkun e nji jave ajo Mrikë Mernaçaj do të merrte jo vetëm shtetësinë amerikane, po do të hynte në faqet e historisë së emigracionit… aq sa shtypi amerikan i kohës do ta cilësonte kët ngjarje si “…rast i rrallë, i pari dhe i vetmi i tillë deri tani, në historinë e emigracionit amerikan…”
Kështu në dhjetor të 1976, në prag të Krishtlindjeve, Presidenti i 38-të i SHBA-ve, Gerald Ford, me dekret të veçantë do të firmoste nga Zyra Ovale, dekretin e nënshtetsisë për Mrikë Mernaçaj, që ai ia pat kërkuar Kongresit Amerikan, në aprovimin e qytetarisë (shtetësisë) së kërkueme nga nji e moshueme që jetonte në Amerikë, nji nanë shqiptare, e quejtun Mrika Mernaçaj, e cila në moshën 105 vjeçare, para se të vdiste, i qe drejtue: “Zoti President i SHBA-ve, jam nji nanë tepër e moshueme e kombësisë shqiptare, që s’di se kur, por dua me vdekë me dyshtetësi, at që e kam, të vendit ku kam le – Shqipnisë, po edhe atë të Amerikës, shtëpinë e dytë temen, që ma hapi derën e mikpritjes!”.
Kështu Zyra Ovale, duke nënshkrue nënshtetsinë e nji qytetareje tejet të moshueme shqiptare, pa marrë parasysh procedurat e zyrave të emigracionit, kishte shpallë nji dekret të ri presidencial, i cili asht edhe sot e kësaj dite në fuqi: Presidenti i SHBA, ka të drejtë, gjithnji nëse ai e sheh të arsyeshme, personave të veçantë: “Kur personi është para vdekjes, nga ndonji sëmundje e rëndë ose në moshë të madhe – t’u jepet nënshtetsia nëse ai e kërkon që të vdesë si shtetas Amerikan.”

Presidenti i 38 i Sh.B.A. - Gerald Ford
Presidenti i 38 i Sh.B.A. – Gerald Ford

Ky lajm sensacional i marrjes së nështetsisë së nji shqiptareje 105 vjeçare e arratisun, me dekret të veçantë të Presidentit Amerikan Ford, qarkulloi nëpërmjet kanaleve të errta të Sigurimit (Misoni i Përhershëm Shqiptar pranë OKB-së) dhe mbrriti sa hap e mbyll sytë edhe në Shqipërinë komuniste të krimit dhe terrorit, e cila vigjëlonte “armiqtë” dhe i kishte gati “pengjet” e saj për t’i ndëshkuar! Sigurisht kët ngjarje, regjimi diktatorial shqiptar, nuk mund ta kapërcente në heshtje. Prej gati 20 vitesh, në kampin e Interrnimit në Savër, vuante pasojat e arratisë së vllazënve Mernaçaj, Nikolla dhe familja e tij, gruaja dhe tre fëmijët, dy të lindun aty në kampin e Savrës: Maria dhe Marku që ishin ende fëmijë Maria 14 dhe Marku 11 vjeç, ndërkohë që i ati i tyne Nikolla, i kishte kaluar të 60, po vazhdonte të punonte.
Si ndodhte random në raste të tilla, nuikollën e arrestuan publikisht, si i lidhun me “imperializmin amerikan” dhe me tre dëshmitarë të rremë, Nikollw Mwrrnaçaj u u dënua për agjitacion e propogandë kundër Pushtetit Popullor, me 10 vite burg, dhe duke e lanë gruan e smurë me zemer dhe dy fëmijet e mitur në dore të fatit…

Fëmijët e Nikollës të lindun në Savër (Marku e Maria)
Fëmijët e Nikollës të lindun në Savër (Marku e Maria)

Mbas 9 vitesh e disa muajsh burg, ai u lirua në gjendje të rëndë shëndetsore dhe vdiq të nesërmen e ditës së lirimit nga burgu, aty në kampin e internimit në Savër të Lushnjes, duke i lanë në nji trishtim të thellë gruan dhe tre fëmijët e tij, të cilët kishin shpresue nji ditë të bardhë për babën e tyne…
Kjo asht në vija të trasha edhe legjenda e Familjes Merrnaçaj… malsorë të paepun e krenarë, që edhe sot e kësaj dite ruajnë zakonet ma të mira të “rodit shqiptar” e dera e tyne asht e hapun dhe mikpritse ashtu si dikur atje mes maleve të Kelmendit…

Lazër Radi me Mernaçajt në Kelmend
Lazër Radi me Mernaçajt në Kelmend

Si mik, si bashkvuajtës dhe si i afërm i tyne u përpoqa sot, në kët ditë të dhimbshme po krenare të këtij fisi, me e përcjellë kët 25 vjetor të vdekjes tragjike të nji djali fisnik prej kësaj dere fisnike, që s’u pajtua kurrë me të keqen që pësoi familja e Tij malsore, po edhe nji pjesë e mirë e popullit shqiptar… Emni i Tij, nuk do të kishte kuptim pa gjithe të tjerët e këtij fisi…
Nderim dhe respekt për krejt Familjen Mernaçaj edhe për djalin e tyne, djaloshin guximtar Nick Merrnacaj, në të 25 vit të ngjitjes së tij në qiell…

20 janar 2015

Nick Merrnaçaj
Nick Merrnaçaj

Na i mbushe sytë me lot, o Jozef Radi

nga Marash Merrnaçaj

Na solle në kujtesë kohë të vshtira që kaloi familja jonë asokohe me vuejtjet e vllajit tonë Nikollës që u persekutu burgjeve e internimeve tanë jetës së tij e deri me humbjen e djalit tonë Nikës. Prej vuajtjeve të kalume, jo vetëm unë por në përgjithësi krejt familja jonë kisha mujt me thanë se: po të më jepej jeta edhe nji herë me kusht që të bie në të njejtën rrugë, do të kisha thanë me siguri: Jo!
Nikën e ka mbajtë nana e vet Mri Mërnaçaj në djep atë natë kur ne ikëm. Ka kenë vetëm 9 muejsh. Kur u rrit e filloi të kuptojë se si ishin gjanat në atdheun tonë , ai ishte i gatshëm për me protestu në vdo rast…
Atë ditë… ai bashkë me shokët e vet mbasi kishin protestu në New York City, u nisën për në shtetin e Michiganit, për të protestu rishtasi. Ai nuk u kthy ma prej asaj rruge që mbeti enigmë e që për ne prindët e tij, mbeti nji plagë e pambyllun për tanë jetën, por kur shofim se dikush mendon me i dhanë atij vendin që i takon, e dikush e thotë të vërtetën ashtu siç asht, ne sikur na mjekohet ajo plagë e randë që në vdo përvjetor na dhemb sikur të kishte ndodhë dje!!
E vërtetë asht se Protestat e para e patën zanafillën këtu në NY e kur u arrit që të çlirohej vendit prej atij regjimi gjakatar na u dukte edhe se djali jonë nuk shkoi kot… por për nji ideal të madh…

Familja e Marash Merrnaçaj
Familja e Marash Merrnaçaj (mes tre djemve Nicku)

Për atë liri që gëzojmë si ne këtu në USA, edhe shqiptarët si gjithë kombet e tjera të botës.
Marrja e pasaportës amerikane prej nanës tonë Mrikë Mernaçaj ishte nji rast unik dhe s’kishte si mos t’na gëzonte të gjithëve, por gëzimin tonë siç e përmend edhe ti, na e këputën përgjysë kur na e riarrestuen vëllanë tonë Nikollën për të dytën herë, prej internimit e neë burg të dytë!
Por jeta i paska këto… e kjo jetë na kaliti e na bani ma të fortë. Sot këto gjana e kryesisht në brezin e ri duken si të largeta e disi të pakuptueshme, e të pabesueshme… por ky ishte realiteti ynë në shtetin tonë amë.
Sa here baj ndonji bisedë me djalin tim Aleks Mernaçaj ai e ka të vështirë me e kuptue se si mundet të ndodhin veprime të tilla… Po ja që kanë ndodh, e jo pak po për 50 vite…
Të falnderojmë nga zemra jo vetëm unë Marashi, Pjetri e Mrija, po krejt Familja Mernaçaj.
Dersa pena jote ka me i shkru të vërtetës gjithmonë, ajo ka me kenë e dashtun për ne, e për shumëkend.
Prej Lazër Radit, ruej kujtimet ma të mira që mund të ruhen për nji burrë shqiptar dhe intelektual si ai.
Nderim e respekt edhe për ju i nderuemi Jozef Radi!

4 shkurt 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. E lexova me shumë kënaqësi këtë material të nxjerrë nga penda juej gjithmonë e dashtun Jozef Radi. Tuj kenë edhe kushëri i kësaj familje, jam në njohje të gjithë asaj çka ju keni pasqyru në shkrimin tuaj dhe natyrisht gjuha e përdorun më bani aq shumë tërheqje sikur ta lexojshe për herë të parë.
    Në çdo përvjetor, kur s’kam mundësinë me ba një vizitë në shpinë e Marash Mernaçajt, së paku një telefon do t’ja baj, mbasi dihet ajo që për cilindo prind humbja e një djali siç ishte Nika, mbetet i pashlyem përjetë. Përkujtimi i rënies së tij bahet çdo vit në Kensiko Dam Plaza, në Westchester County në New York të USA, dhe disa herë edhe kam shkru për këtë datë përkujtimore që zbukurohet edhe ma shumë me pjesmarrjen e shoqatës kulturore-artistike “Kelmendi”, që me kangët e vallet e krahinës, i japin ngjyra festive. Këtë madhështi e shton edhe ma tepër pjesmarrja e autoriteteve të Westchester Countit dhe përkujtimi në vendin ku asht vendosë memoriali i të gjithë të rënëve të këtij county në 9/11.
    Marashi është njohur edhe me Lazër Radin e madh, dhe këtë e difton ma së miri edhe fotoja që kanë dalë sëbashku.
    Unë do të desha të falnderoj përzemërsisht për këto të vërteta që shkruen dhe gjithashtu të shpreh mirënjohjen time dhe respektin e thellë për familjen Mernaçaj, që kanë kenë kurdoherë derë e hapun e shqiptarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.
    Kontributi i kësaj familje në lëvizjen demokratike të viteve ’90, ishte shumë i madh! Demostratat e djemve shqiptarë të New Yorkut me në kry Nikën me shokë u pasuen nga Djemtë e Shkodrës në përmbysjen e nji sistemi të padëshiruar ma, për shumicën e shqiptarëve!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.