23 vjetori i Masakrës mbi Deliajt në Abri të Epërme! – nga Afrim Hysenaj

0
14
Afrim Hysenaj dhe libri i tij
Afrim Hysenaj dhe libri i tij "Toka skuq e qielli nxin"
Afrim Hysenaj dhe libri i tij "Toka skuq e qielli nxin"
Afrim Hysenaj dhe libri i tij “Toka skuq e qielli nxin”

23 vjetori i Masakrës mbi Deliajt në Abri të Epërme!

nga Afrim Hysenaj

26 Shtator 1998 – 26 Shtator 2021

Si janë sot Deliajt? Ç’ndiejnë e si gjykojnë ata të djeshmën e të sotmen?
Ç’thonë Deliajt 20 vjet pas masakrës:

Imer Salih Deliu:
Më duhet patjetër të kthehem njëzet vite mbrapa, për t’i kujtuar ato momente tmerri, dhe për t’i kujtuar e falënderuar të gjithë ata njerëz që në ato momente të vështira, i qëndruan pranë familjes Deliu. Dua ta falënderoj dhe i jam mirënjohës fshatit tim, Abrisë së Epërme, Drenicës dhe më gjerë, për përkrahje në momentet më të vështira dhe deri sot.
Në asnjë moment, familja Deliu nuk e ka ndjerë veten të vetmuar, por çdo herë fshati ka qenë me ne dhe në përkrahjen tonë. Falënderoj të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, që vepruan në këtë zonë dhe në zonën e Drenicës, për përkrahjen dhe kontributin e madh që dhanë.
Dua të cek katër momente që ia vlen t’i mësojë çdo lexues:
Pasi kishim filluar hapjen e varrezave në një luginë, Afrim Hysenaj më propozon që t’i lajmërojmë mediat e mos të bëjmë varrimin. Unë pranova dhe kjo dha efekt pozitiv.
Më 26 shtator 1998, ranë për të mos vdekur kurrë edhe dëshmorët e kombit të fshatit Abri e Epërme: mësuesi Vesel Mursel Demaku, Valdet Salih Xhemajlaj dhe Afrim Fazli Hajdaraj. Me ta, gjatë luftimeve ishte plagosur rëndë me granata dore dhe me armë zjarri edhe ushtari, Arben Salih Xhemajlaj, i cili në atë kohë ishte në luftë për jetë a vdekje nga plagët e marra. Kjo ngjarje preku rëndë edhe mixhën Sokol, gjyshin e Valdetit dhe Arbenit.
Sokol Halil Xhemajlaj plak afër 80-vjeçar, kishte gjetur forcë të vinte në varrimin e familjes Deliu, të na ngushëllonte dhe të na jepte kurajë për qëndresë. Më kujtohen fjalët që na pat thënë: “Baco, pas shiut rritën bimët, e pas gjakut rrjedhë liria”.
Fjalët e tij ishin frymëzim për ne Deliajt dhe ushtarët që ishin të pranishëm.
Më 29 shtator 1998, gjatë varrimit kishte aty edhe gazetarë edhe kameramanë. Në një moment Fadil Haxhi Demaku më largon pak nga shokët dhe më jep disa udhëzime se si të paraqitem më mirë para opinionit. Ishin momente kur unë isha gjysmë i humbur dhe kisha nevojë për ndihmë. Ende i kujtoj udhëzimet e Fadilit.
Momenti tjetër i paharrueshëm është përkushtimi i Komandantit të Zonës së Drenicës, z. Sylejman Selimit, i cili gjatë luftës dhe më pas, në asnjë moment nuk e la anash përkujdesjen për mua dhe ndaj të mbijetuarve.
Në rrafshin ekonomik vendi ka shënuar progres të dukshëm dhe ky progres është i prekshëm çdo kund për qytetarin, edhe pse gjithmonë ka vend për përmirësim dhe avancim. Në aspektin social është punuar më pak, sidomos në shërimin, rehabilitimin e pasojave dhe traumave që la lufta. Ne ende përballemi kohë pas kohe me pasojat e saj.
Masakra mbi Familjen Deliu, më 26 shtator 1998, pati një jehonë të madhe dhe të dhimbshme si në opinion vendas, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Bota demokratike reflektoi pas raporteve që pa nga kjo ngjarje.
Këshilli i Sigurimit nxori Rezolutën 1203 për Kosovën. Kjo Rezolutë vuri në lëvizje mekanizmat e NATO-s dhe e detyroi Millosheviçin të nënshkruante marrëveshje me Holbrukun, marrëveshje që e lejonte futjen e OSBE-së në krye me Wokerin në Kosovë; detyronte zvogëlimin e trupave serbe në Kosovë për 30% duke i mundësuar hapësirë veprimi më të madh UÇK-së.
Marrë parasysh të gjitha këto ne, Familja Deliu, nuk jemi edhe aq të kënaqur se si është trajtuar kjo ngjarje deri më sot. Kur flasim për masakrën e Familjes Deliu, ku u masakruan 23 anëtarë, nga mosha gjashtë javësh e deri të plaku 94 vjeç, patjetër duhet të flasim edhe për drejtësinë e cila na ka zhgënjyer tërësisht, sidomos drejtësia ndërkombëtare ku, me politikat e saj selektive, ka barazuar agresorin me viktimën.
Ne Deliajt, kemi pak shpresa për ndonjë gjykim ku do të përballëshin kriminelët që bënë masakrën mbi Familjen Deliu. Ata bënë shumë masakra në Drenicë e gjithandej në Kosovë. Drejtësia tani po merret me viktimën e jo me agresorin që bëri gjenocid.

Afrim Hysenaj, me një pjesë të familjarëve të Deliajve!
Afrim Hysenaj, me një pjesë të familjarëve të Deliajve!

Feriz Fazli Deliu:
Si anëtar i familjes Delijaj që ka pësuar gjatë luftës në Kosovë, (ne kemi humbur pesë (5) anëtarë të familjes) shpreh shqetësimin tim se çfarë është duke ndodhur kështu me ata të cilët janë të thirrur për të vendosur drejtësi, qofshin ndërkombëtarë apo vendorë.
A thua a është neglizhencë kjo?
A thua a është e pafuqishme kjo?
Mendoj se ekziston e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por deri me tash nuk është zbatuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe as nga drejtësia vendore. Ne ende e kemi të freskët ngjarjen dhe kujtimin për familjarët e masakruar nga forcat serbe. Madje kemi familjarë të cilët nga kjo tragjedi kanë pësuar edhe trauma lufte. Askush nuk është përkujdesur për ta. Nëna ime e ndjerë, Fazile Delijaj, në ditën kritike të vdekjes është zgjuar me fotografi të familjarëve të masakruar (Fazli Deliut – bashkëshortit të saj, Hajriz Deliut – djalit të madh, Zahide Bajraktarit – Deliut, reja e saj, e në veçanti me fotografi të mbesave të saja, Gentiana e Donjeta Deliu). Nga dëshpërimi i madh ka pasuar atak në zemër dhe ka vdekur më 28.11.2015.
Ne si familjar të kësaj masakren që nga 26 shtatori 1998, jetojmë të zhvendosur nga vendi ku kemi lindur. Tani e njëzet vite askush nga autoritet vendore nuk na kanë ofruar në asnjë pikëpamje interesimin e tyre, madje as të na vizitojnë se ku dhe si jetojmë.
Si familjarë nuk kemi gëzuar kurrfarë benefiti (as vendbanim e as punësim) nga shteti për të cilin sakrifikuam, derdhëm gjak. Thjesht jetojmë me forcat tona vetjake pa ndihmën e askujt. Prandaj, si familjar jemi në pritje që organet të cilat janë të thirrura për drejtësi të zgjohen dhe t’i vënë para drejtësisë ata të cilët kanë bërë këto krime ndaj familjarëve tanë masakruar nga forcat kriminale serbe.

Dr. Sami Habib Deliu:
Siç dihet Masakra e Deliajve është njëra prej masakrave më të mëdha që ka ndodhë gjatë luftës në Kosovë. Si rezultat i kësaj masakre në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është bërë një rezolutë me numër 1203 e cila ka pasur për qëllim ndaljen e menjëhershme të persekutimit dhe të masakrimit të popullatës civile nga forcat paramilitare serbe, me ç’rast i ka dhënë shans faktorit ushtarak dhe politik që të riorganizohet në luftën e mëtejme për çlirimin e Kosovës.
Unë si familjar, nuk jam i kënaqur në kuptimin e vlerësimit të rëndësisë së madhe të kësaj masakre e cila asnjëherë nuk po cilësohet në piedestalin më të lartë nga vetë institucionet, si ato lokale dhe ato qendrore. Në kuptimin e asaj se vlera e saj në krahasim me atë se çka ka qenë reale, është shumë ma e vogël.
Shumë ma pak flitet, shumë më pak kujdesen për të, shumë më pak ka programe dokumentare, shumë më pak ka kujdesie institucionale, sidomos kujdesi institucional ndaj atyre njerëzve që kanë mbetë gjallë.
Fati ka deshtë dhe ka qenë pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, kurse rëndësi e pa kontestueshme në zhvillimin e një epoke të Kosovës të pas luftës. Unë personalisht jam tejet i pa kënaqur me pakujdesinë që kanë institucionet e Kosovës, si ato lokale dhe ato qendrore, për shkak se në asnjë rast nuk janë marrë në mënyre serioze në kuptimin e asaj të ofrimit të ndihmës institucionale në shkollim dhe punësim.
Faktikisht këta njerëz kanë mbetë vetëm në forcat e tyre, qoftë për kujdesje mjekësore, qoftë për ato të shkollimit dhe punësimit. Në pamundësi punësimi shumica prej tyre e kanë ndërpre shkollimin e mëtejmë. Edhe në kuptimin e ndarjes së kujdesjeve tjera ekonomike sociale, siç ka qenë përkrahja në kuptimin e trojeve dhe gjërave tjera, por edhe në kuptimin e shkollimit, respektivisht nuk është kujdesë askush për ta as për t’u shkolluar as për t’u punësuar. Gjë që kjo ka qenë një detyrim i tyre për hir të asaj që kjo masakër bënë pjesë në masakrat më të ndjeshme, e cila rezultoi edhe me rezolutë të KS të OKB-së .
Ne, familjarët që humbëm më të dashurit tanë, që nga pas lufta akoma nuk kemi dëgjuar që në Serbi është dënuar dikush për masakrën e Abrisë. Natyrisht kjo është edhe me fajin tonë si institucione.
Askush nuk është marrë me këtë punë, sepse nuk është bërë padi e veçantë për rastin e Deliajve, është rast i veçantë dhe specifik i cili është zbuluar dhe vizituar edhe nga monitoruesit dhe vëzhguesit diplomatik të OSBE-së.
Në këtë formë nuk është marrë asnjë masë për me i zbuluar shkaktarët apo kriminelët që e kanë bërë atë masakër. Kjo në radhë të parë u ka takuar institucioneve për shkak se i kemi institucionet, pastaj KMDLNJ-së por në njëfarë forme ndoshta ka pas edhe një lloj neglizhence edhe nga ana jonë.
Tani 20 vite pas, mbetem me shpresë shumë të madhe për shkak se ka me u bë forcimi i shtetit të Kosovës. Jam shumë krenar që i takoj kësaj familje, me të cilën kemi pasë mundësi me dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e Kosovës bashkëkohore të pas luftës.
Natyrisht që në përgjithësi nuk jam i kënaqur me rrjedhat, intensitetin dhe dinamikën e proceseve, por në përgjithësi kam shpresa të mëdha që Kosova ka me qenë një nga shtetet më të mira demokratike Evropiane, edhe gjaku jonë ka me qenë gjithmonë i çmuar nga shteti ynë.
Mentor Hysen Deliu (Ishte vetëm nëntë vjeçar kur i shpëtoi masakrës):
Kisha pas qef me ni një ditë se ata kriminelë janë dënua për krejt çka na kanë ba neve… me dal n’dritë me ditë se kush janë ata dhe m’u burgosë me burg përgjithmonë. Jo veç për familje teme, po për krejt çka kanë ba mbi familjet e Deliajve.

Afrim Hysenaj, me një pjesë të familjarëve të Deliajve!
Afrim Hysenaj, me një pjesë të familjarëve të Deliajve!

Elmi Sherif Deliu:
Masakra e Familjes Delijaj ka pas një jehone të madhe në kohën kur ka ndodhur. Ka qenë një sensibilizim i opinionit botëror për atë se si pushteti i atëhershëm kriminal serb kishte për qëllim vrasjen, dëbimin dhe rrënimin e pasurisë së popullatës shqiptare. Por, tani që kanë kaluar 20 vite nga masakra, institucionet ndërkombëtare, ato vendore si dhe organizatat që merren me të drejtat e njeriut, nuk kanë bërë asgjë që kriminelet serbë që kanë marrë pjesë në këto akte barbare të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga masakra e familjes Delijaj, ne si familjarë i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë, që të bëjnë më shumë, që së paku me emra e mbiemra të dihen kush urdhëroi dhe kush zbatoi urdhra për masakrimin e fëmijëve, grave dhe pleqve të kësaj familje. Ne nuk mund rrimë të qetë derisa autorët e masakrës të lihen jashtë grilave dhe mos ta marrin dënimin e merituar…

Avni Zeqir Deliu:
Më 26 shtator 1998, në fshatin Abri të Epërme në lagjen time, forcat paramilitare serbe, në mënyre shumë të organizuar, kanë kryer njërën ndër masakrat më mizore kundër popullatës civile. Target i kësaj masakre ishin familjarët e familjes Delijaj, në mesin e tyre edhe babai im Zeqir Delijaj.
Ishte ndër masakrat më çnjerëzore e cila nuk kurseu as fëmijët e djepit dhe as njerëzit e shtyrë në moshë. Ishte njëra ndër masakrat e para në luftën e hapur që kishte marrë jehonën në mediat ndërkombëtare. Kjo masakër, në kohën kur ka ndodhur ka luajtur një rol kyç në vetëdijësimin e bashkësisë ndërkombëtare për atë që ishte duke ndodhur në Kosovë.
Tani u bënë njëzet vite dhe ende nuk është bërë asgjë nga bashkësia ndërkombëtare apo nga institucionet e Republikës së Kosovës, që kjo masakër të ndriçohet dhe kryesit të marrin përgjigjen e merituar. Vendi ynë ka bërë hapa të mëdhenj pas lirisë dhe pavarësisë, por ne ende presim që rrethanat e masakrave ndaj popullatës civile të ndriçohen dhe të adresohen në instancat më të larta ndërkombëtare për një përgjigje meritore për krimin, dëbimin, shkatërrimin total, spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga shteti i Serbisë dhe politika vrastare e Millosheviqit.
Ne jetojmë me ëndrrën se këto akte makabre duhet të ndriçohen sa më shpejt dhe akti i kërkimfaljes nga Serbia është i pashmangshëm për të jetuar në paqe ne dhe të gjithë rreth nesh.

 

Masakra e Abrise 26 shtator 1998
Masakra e Abrise 26 shtator 1998

Naim Pajazit Deliu:
…Ndonëse kjo ngjarje i preku rëndë familjen Deliu dhe mbarë popullin shqiptar, nuk arriti të gjunjëzojë përpjekjet për rezistencë, përkundrazi u rrit edhe më shumë duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave pushtuese.
Pas 20 viteve nuk jemi të kënaqur me rrjedhat nëpër të cilat po kalojmë, me një fjalë nuk është arritur ajo për të cilën është sakrifikuar. Ende pas 20 vitesh ka familjarë që ballafaqohen me kushte shumë të rënda ekonomike dhe sociale.
Vërejtje të shumta ka edhe sa i përket vëmendjes së pushtetarëve ndaj kërkesave të familjarëve për hallet e tyre e kështu me radhë. Me një fjalë, pa gjetjen dhe dënimin e kryerësve të krimit, Delijajt nuk ndihen të qetë! Në aspektin tjetër, mund te thuhet se është shënuar një progres, por jo aq sa duhet…

Alush Ali Deliu:
Ne familjarët që na i vranë anëtarët e familjes sonë, në një mënyrë jemi të zhgënjyer nga drejtësia ndërkombëtare, po ashtu edhe nga institucionet lokale dhe ato qendrore të shtetit tonë. Drejtësia ndërkombëtare e ka barazuar viktimën me agresorin, me ata që bënë gjenocid mbi ne.
Na vizitohemi nga disa qeveritarë vetëm kur i kemi përvjetorët e të rënëve. Rrallëherë u bie ndërmend të na vizitojnë për të ditur gjendjen tonë psikike, sociale dhe ekonomike. Kemi nevojë më shumë ta ndjejmë përkrahjen dhe kujdesin e shtetit tonë, kanë nevojë fëmijët tanë për një kujdes më të veçantë.
Sot, pas njëzet viteve akoma nuk ka një kriminel të dënuar për Masakrën Abrisë, akoma organizatat për të drejtat e njeriut dhe organizatat e tjera jo qeveritare nuk e kanë ngritur zërin e tyre, që të kërkojnë dënimin për kriminelet të cilët jetojnë të lirë në Serbi. Nuk di a ka diçka më tragjike se sa ne sot të ballafaqohemi me probleme psikike, sociale dhe ekonomike, derisa ata që bënë krim të jetojnë jetë të lirë dhe luksoze, të përkrahur nga shteti i tyre për aktet barbare që kanë bërë ndaj neve.
Thirrja jonë është që sa më shpejt shteti ynë të kërkojë që të dihen me emër e mbiemër kriminelet dhe ta marrin dënimin e krimit që kanë bërë në Abri të Epërme.

Afrim Hysenaj, autor i librit "toka skuq, e qielli nxin...
Afrim Hysenaj, autor i librit “toka skuq, e qielli nxin…

……..
Të gjitha familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë masakër, pothuajse unanimisht, shprehen se kriminelët që kryen këtë gjenocid duhet të dalin para drejtësisë ndërkombëtare dhe të marrin dënimin e merituar.
Po ashtu u bëjnë apel institucioneve vendore të shtetit të Kosovës që në të gjitha instancat botërore të kërkojnë identifikimin dhe dënimin e atyre që kryen krime çnjerëzore, jo vetëm në Abri të Epërme, por në gjithë Kosovën.
Nga libri “Toka skuq e qielli nxin”!
.

Related Images:

Artikulli paraprakAt Gjergj Fishta – Projektues e ndërtues i Botës Shqiptare në tekst – Kristaq Jorgo & Edlira Birko
Artikulli tjetërPër liderin e shekullit të ri nga Marjana Bulku
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.