back to top
23.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024

Erifili Bezhani – Historia e dhimbshme e avokates së parë shqiptare… nga Nini Mano

Gazeta

Erifili Bezhani - Foto e diplomimit në Montpelie, Francë.
Erifili Bezhani – Foto e diplomimit në Montpelie, Francë.

Erifili Bezhani,
mbasi mbaroi Kolegjin Katolik në Korfuz,
mbrojti gjuhën frënge në Athinë dhe studioi në Montpelie, Francë
ku u Diplomua për Drejtesi e mbrojti Doktoraturën për Kriminalistikë në Paris.
Në vitet 1942-’43, u rikthye në Shqipëri.
U dënua me 20 vjet burg me Grupin e Deputetëve.
U akuzua se kishte përgatitur programin e Partisë Social-Demokrate.
Ju fal pjesërisht dënimi dhe vdiq befas nga kanceri në stomak në moshën 53 vjeçare.
Erifili ishte poliglote,
ajo njihte mirë gjuhët greke, italiane, frënge
dhe në Burgun e Burrelit mësoi gjuhën ruse.
Burgun e Burrelit vuanin katër femrat e para dënuar prej komunizmit:
Musine Kokalari, Shega Këlcyra, e bija e Qazim Koculit dhe Erifili Bezhani.
Përktheu nga rusishtja literature juridike
që u botua në revistat e kohës, natyrisht pa emrin e përkthyeses.
Në dorëshkrim gjendet përkthimi i Ligjit të Trashëgimisë në BRSS.

Nini Haxhistasa - Mano
Nini Haxhistasa – Mano

Erifili Bezhani –

Historia e dhimbshme e avokates së parë shqiptare…

nga Nini Mano

Kjo është historia trishtë e kushërirës së parë të tim eti, Erifili Bezhanit, e cila mbeti në sallën e operacionit, po që për fisin mbeti enigmë: ishte fat i keq i saj, apo vrasje?!
Erifili Bezhani, qe avokatja e parë shqiptare, që ushtroi profesionin e vet në Marsejë të Francës
Portreti i Erifili Bezhanit, si vajzë e tezes së tim eti, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, është një imazh i përftuar ashtu vjedhurazi, prej bisedave të kujdesshme të të mëdhenjve, dhe ishte thuajse i pakapshëm.
Ajo ishte shkolluar në Greqi dhe më pas në Francë. Fotografitë e Erifilit në albumet e familjes, më ofronin imazhin e nji personazhi magjepsës të tregimeve dhe novelave, rrëfyer aq bukur nga motra e saj, Evrinomi (e diplomuar për letërsi frënge, por që nën kujdesin e Partisë përfundoi si infermiere në spital. Nuk lejoi kurrë askënd ta thërisnin “shoqe” thjesht Zonjë!)  Ajo na tregonte ne të vegjëlve ngjarje të rinisë së dikurshme mbrëmjeve të gushtit, aty buzë detit, në lagjen Skelë të Vlorës, nga mesi i viteve 60-të.
Vizioni i kalorses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja Goricë, ku banonte gjyshja e deri në Kala ku banonte tezja në Berat, e merrte me gallop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njejtës moshë, e që mua më afronin zanën e bukur të përrallave.

Nëna dhe motra e Erifilit - Amalia Bezhani (Kolea) dhe Evrinomi (foto e vitit 1940)
Nëna dhe motra e Erifilit – Amalia Bezhani (Kolea) dhe Evrinomi (foto e vitit 1940)

Me kalimin e viteve, kur si më e rritur, fillova të merrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit u paraqit ashtu, siç ishte në të vërtetë: plot vitalitet, ëndrra dhe ambicje profesionale, të cilat u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve të lirisë, përpjekje e saj intelektuale për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri, u bë tragjedia e saj.
Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike në familje me prejardhje të hershme intelektuale.
Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Koleas nga Berati. Pavllo ishte bir i familjes së njohur Bezhani, familje e pasur, me aktivitet tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjyptin e largët. Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850, ata hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”. Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Koleas, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në teritorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni.
Amalia Bezhani ka qenë poete dhe para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjypt, në fund të shek. XIX, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.
E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mençuri të veçantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të 3 fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studjuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studjoi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve ’30-të. Për të tre, ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më produktive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Nëna e Erifilit - Amalia Kolea - Bezhani
Nëna e Erifilit – Amalia Kolea – Bezhani

Kush ishte Erifili Bezhani

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16 nëntor 1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma, e dërgon për shkollim në Korfuz dhe pas mbarimit të shkollës së mesme atje, shkon në Francë me të motrën, ku studion fillimisht për Letërsi Frënge dhe, më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron 2 vjet profesionin e avokates në Marsejë. Në vitet 1941-42, fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez, dhe kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fakeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe ajo si “Profesore e D’Etudes Francaises” në të njejtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithçka dhe e shoqëron të motrën në Shqipëri.
Ishte dimri i egër i vitit 1943, kohë lufte, kur të dy motrat zbritën në Portin e Vlorës, për të mos u larguar më kurrë për shkak të luftës, deri në vdekje nga Shqipëria…
Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, dy motrat Bezhani së bashku me nënën, largohen nga Vlora dhe në vitin 1944, vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qendër të grupimeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, të shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të çlirimit, me fillimin e pushkatimeve të nacionalistëve. Erifili e kupton se ardhja e PKSH në krye të vendit, nuk ishte rruga që mund të vendoste një sistem pluralist demokratik.
Ajo, si shumë prej intelektualëve të kohës, bashkë me shkollimin jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, edhe normat e edukimit perëndimor: modelin e shoqërive të vërteta demokratike.
“Kjo që po ndodh… është një raprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur…”, shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Kështu ajo nis e aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demokrateve, social-demokratët, etj.
Miqtë e saj të përhershëm me të cilët ajo shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si: Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doktor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari, etj.
Andromaqi Noçka, kujton: “Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu siç duhet të jetë edhe sot një politikan. Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, e takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin. Ishte me Dhimitër Paskon. U ulëm në një lokal dhe të dy, mbaj mend që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmendjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte çdo njeri. I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili, ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë dhe vazhdimisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizimit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor tejet të pasur, që e shoqëronte argumenta bindës rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj!”.
Për guximin e vendosmërinë që e karakterizonte Erifilin, ish i dënuari politik, Dr. Isuf Hysenbegasi ka lënë këtë kujtim: “Mes viteve 1945-’46, një përfaqësues anglez organizoi një takim me inteligjencën e Tiranës, ku mes të tjerave tha: “Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve…!”. Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke i thënë: “Shikoni Egjyptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë!”. “Kush jeni ju zonjë!?”, e pyeti anglezi. “Jam një grua shqiptare!”, – iu përgjigj Erifili Bezhani.
Në 16 Maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të grupit të Deputetëve, liberal-demokratëve, etj, arrestohe edhe Erifili Bezhanit dhe nga fundi i atij viti dënohet me 20 vjet “heqje lirie” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës dhe dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve, 4 femrat e para shqiptare antikomuniste, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur të torturave nga më çnjerëzoret. Ish i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij se: “Erifili u dënua pothuajse në të njetjën kohë me Musine Kokalarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, e bija e Qazim Koculit. Ato ishin 4 femrat e para që u futën në burgun ferr të Burrelit. Më vonë erdhën edhe Drita Kosturi e Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura!”.

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin gratë e burgosura në burgun e Burrelit, përmend qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj në tmerrin e atij burgu: “Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë. Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ato ndodheshin. Janë nga ato gra, të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rrëshqisnin faqeve. Mes tyre veçoj Musine Kokalarin, Erifili Bezhanin, Frida Sadedinin e mjaft të tjera!”.
Në Nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri i Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes si Hysni Kapo, por edhe sepse familja e saj e kishte mbështetur financiarisht luftën Nacional-Çlirimtare.
Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, një jetë me shumë mundime, poshtërime dhe privime.
Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrjesh nga miq, arrin të futet në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës, ku edhe nis punën si e para femër avokate. Im atë, Thoma Haxhistasa, avokat i diplomuar në Firence në fundvitet ’30-të, dhe djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton: “Erifili ishte ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindura dhe të kultivuara me finesë; falë forcës së brendshme të veçantë, ajo arrinte të bënte mbrojtje të pakundërshtueshme. Brenda një viti në punë, ajo u bë nga klientët një ndër avokatet më të kërkuara të Kolegjit të Avokatëve të Tiranës. Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht!”.
Punoi vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin “e pa denjë dhe e pa zonja!!”. Mban datën 13 Tetor 1953, Promemorja, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të veçantë, i drejtohet Këshillit Mbikqyrës të Avokatisë, ku me argumente llogjikë të hekurt, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar të dëgjohet mbrojtja e saj:
“Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale. Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, paraqitjen e provave… Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk e dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë “avokaten e trashë”… Përveç punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frëngjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, nga e cila ka përfituar e gjithë Kolektiva, si psh, Kodi Civil Sovjetik, që trajton të drejtën e trashëgimisë… Unë nuk jam e padenjë! Përsa i përket moralitetit, mua më njohin shumë mirë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa i përket çështjeve politike, unë vërtetë kam qenë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë janë të shumtë ata që kanë qenë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët, jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Derisa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve se unë u përjashtova pse nuk kam triskën e Frontit…”.
Erifili Bezhanit nuk iu dha kurrë Triska e Frontit, çka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ridënimit. Prej vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion të cilit ajo i kish kushtuar vite studimesh, si dhe përvojën 2-vjeçare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që Erifili Bezhanit i dha shteti demokratik i Francës, ia mohoi në vendlindje regjimi komunist shqiptar.
Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk i rreshti deri në fund të jetës së vet.
Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik i vjetër i familjes, ku ajo i kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën si dhe rifutjen në punë si avokate.
Pas përvojës së tmerrshme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, por krenare, Erifili Bezhani nuk ngurroi t’i drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke i vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit: “…Unë dua që ju ta dini çështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik i familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”.
Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë iu mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si Frëngjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht dhe Rusisht (mësuar shkëlqyeshëm gjatë burgut), ajo punon si përkthyese për institucione të ndryshme. Lidhi kontrata përkthimi me Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS”, shumë të tjera që gjenden në ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, janë përkthime të Erifili Bezhanit, e shumta pa emrin e saj… Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mënçurinë e saj, i hapën rrugën kontratave.
Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga Rruga e Elbasanit, ku jetonin në një vilë dhe i çuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen 1 Maj, rruga “4 Dëshmorët”, Nr. 36, në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njejtin korridor si vend për gatim dhe një çezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh. Z, polic injorant, por që për militantizëm komunist dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as çezmën, as vendin e gatimit. E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit lokal, që ranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë!!!
Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulcera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes. Ishte data 15 Shkurti i vitit 1959, kur mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Askush s’e mori vesh se si i erdhi kjo vdekje kaq e shpejtë?!
Erifili Bezhani. ishte vetëm 49 vjeçe. Edhe pse avokate e diplomuar për Drejtësi në Francë, jeta në vendlindje i rezervoi një fat tragjik, si rrallë femrave të shkolluara jashtë vendit.
Përveçse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë i emancipimit për brezin femëror shqiptar të viteve ’30-të.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.