back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

14 Qershori i 2020 i një bijë, që rrëfen 100 vjetorin e atit të saj të shtrenjtë… Mirlinda Sokoli për Ramadan Sokolin

Gazeta

Ramadan Sokoli (1920-2012)
Ramadan Sokoli (1920-2012)
Ramadan Sokoli (Shkodër, 14 qershor 1920 – Tiranë, 12 mars 2008)
qe muzikant, kompozitor, shkrimtar dhe etnomuzikologu i parë shqiptar.
Çmohet si njëri prej studiuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike
Gjatë gjithë jetës Ramadan Sokoli u mor pa ndërprerje me studime
në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet
një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë.
Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë një sërë lëndësh të ndryshme si:
flaut, folklor muzikorë, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome etj.
Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme
dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse,
të cilat studiohen akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim edhe
në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet me radhë duke përgatitur dhe
laboratorë përkatës tepër të pasur me instrumente të larmishme.
 .

Ramadan Sokoli dhe e shoqja
Ramadan Sokoli dhe e shoqja

14 Qershori i 2020 i një bijë që rrëfen

100 vjetorin e atit të saj të shtrenjtë

Mirlinda Sokoli për Ramadan Sokolin

Sot është një datë e shënuar për familjen time!
Kjo ditë shënon lindjen tënde babi,
dhe sot mbushen plot 100 vite nga dita që ti erdhe në jetë.
Linde në një familje të madhe, patriotike e të nderueme të Shkodrës
dhe ishe deri në fund mbete nje bir i denjë i saj.
 
Prej 12 vjetësh nuk je më mes nesh, por unë dua të kujtoj kur ishe dhe kur vinte kjo ditë. Sa shumë të gëzonte qoftë edhe një dhuratë simbolike, një lule, sa të ndrisnin sytë për diçka fare të vogël, por që për ty kishte kuptim të madh… sepse dikush të kishte menduar e kujtuar atë ditë!
Edhe sot unë erdha, erdha te varri yt e të solla lule, lule të bukura si të pëlqenin ty, por aime, pashë vetëm fotot tuaja.
Nuk di të them sa na mungoni, ti dhe mami e prej vitesh, e ne kënaqemi veç me kujtimet që na keni lënë!
Ti ishe një burrë, një prind, një i afërm dhe një mik shëmbullor. Kush pati fatin me të ndejtë afër mësoi shumë prej teje. Unë pata fatin e keq e të mirë njëkohësisht t’i mbyll ditët e tua të fundit, duke ndejtë natë ditë me ty.
Kalove momente shumë të vështira në pesë vitet e fundit të jetës, humbe shoqen e jetës, engjëllin e familjes tonë, Lilin që siç i thoje me të drejtë ti “ishte bash Lil, mes ferrave të jetës tënde!”. More lajmin e hidhur të djegjes së shtëpisë atnore në Shkodër, për të cilën vuajte heshturazi pa u ankuar kurrë. Humbe motrën e vëllanë (Hodon e Safetin) të dy të shumëvuajtur, të martirizuar e sakrifikuar deri në ekstrem. Pesha e rëndë e gjithë helmeve e halleve të vazhdueshme të përkulën babi. Gjatë jetës time nuk të kisha parë kurrë të derdhje lot, por mbas gjithë këtyre vuajtjeve sa herë që uleshe për të ngrënë apo për të pirë një kafe, dy pika lot të rridhnin, mbasi ky ishte një ritual i përditshëm me mamin për 50 vite me rradhë, e që tashmë ajo s’ishte më… U munduam shumë të gjithë me ta mbushë sadopak këtë boshllëk, por ne atë nuk e zëvëndësonim dot.
.
Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008)
Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008)
Ka shumë për të thënë për ty, e unë jam shumë krenare që isha bija jote e si une dhe Tesi, urojmë që të mos ta kemi ul për asnjë moment emrin tënd të mirë, por t’i kemi dhënë sado pak kuptim jetës tënde.
Giulia, Sokoli e Lejdi kanë qenë gëzim në jetën tuaj. Ju i deshët po aq sa edhe ata ju deshën Juve.
Së fundi dhe Hana e Edoni dhe pse nuk ju njohën nga afër ju përmendin shpesh, mbasi shohin kudo nëpër shtëpi fotot e portretet tuaja, e pyesin shpesh ku janë nëna Lili e gjyshi Rado? “Janë në qiell, në parajsë!” ju them unë, se ju ishit dy engjëj e vetëm atje mund të jeni.
Për fat të mirë kishe miq e shokë, ish nxënës që s’të harruan kurrë, përkundrazi me mënyrat e tyre mundoheshin me t’i hijeshu ditët e vetmisë. Shtëpija ku jetuam bashkë ishte gjithnjë derëhapur për miqtë e shokët e tu.
Respekti e mirënjohja për ty i bënte ata të vinin shpesh e të të vizitonin, madje dhe tani janë po ata miq e shokë që të kujtojnë duke shkruar, duke botuar apo duke luajtur punët e tua. Ti ishe krenari jo vetëm për ne, po për këdo që jetoi e punoi pranë teje e që sado pak arriti të të njohë.
E deshe shumë vendin tënd, e u mundove nëpërmjet punës tënde me i dhanë vlerat e duhura, ato vlera që për shume kohë i ishin mohuar.
Uroj të jesh i qetë atje në amëshim me mamin e të dashurit e tu pranë. Ne na mungoni shumë, por ju kujtojmë gjithnjë me shumë dashuri U prehsh në paqe babi im!
20 qershor 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.