“Poeti i vizatuem në shpirtin e grues së tij…” nga Gjergj Jozef Kola

“Poeti i vizatuem   në shpirtin e grues së tij...

Poeti i vizatuem në shpirtin e grues së tij…

“Poeti i vizatuem në shpirtin e grues së tij…”

nga Gjergj Jozef Kola

Impresione surreale nga shfaqja e dramës

 
Martin Camaj kishte nji jetë surreale, ndaj edhe drama e tij nuk mund të ishte ndryshe, veçse e mbushun me nji olimp surreal poezie. Çdo element, çdo kthesë e jetës së Martin Camajt asht e lidhun me nji “formulë poetike”, të cilën drama në fjalë asht përpjekë me tanë forcën njerzore të protogonistëve të saj, me e reflektue edhe nji herë në shekullin 21.
Drejtori i institucionit të naltë të kulturës gjermane VHS, Dr. Michael Widl-Stüber në fjalën e mirseardhjes, shprehu entuziazmin e tij për sallën, e cila “për herë të parë mbas kaq kohësh ishte e mbushun plot”. Ky poet, Martin Camaj, duket se ka nji lidhje të veçante në jetën e çdo shqiptari që asht formue me kulturën perëndimore.
Nga tana trevat tona, gjithandej ku flitet shqip, nga Shkupi dhe Prishtina, nga Cosenza dhe Tirana, erdhën dashamirë të poezisë shqipe, në 90 vjetorin e poetit të saj.
.
Pamje nga salla e shfaqjes ne Mynih

Pamje nga salla e shfaqjes ne Mynih

Në rreshtin e parë, sytë e mbushun me lot të znj. Erika Camaj ndjekin dy sy të tjerë të mbushun me lot malli dhe dashunie, ata të regjizores dhe njiherësh aktores që luen Erika Camajn, shkodranen e jashtzakonshme, Rita Ndoci.
Unë, si autor dhe aktor në rolin e poetit Camaj, para se me nisë shfaqja, hina, falë motrës së Erikës dhe burrit të saj, në jetën e Martinit, e ishte ky nji moment kaq i fuqishëm, në të cilin m’dukej se Martini po mishërohej në mue.
Monologu i Martinit me Lulen e tij që e ka ndeshe për herë të fundit në moshën 19 vjeç në oborrin e Katedrales së Shkodrës dhe harku kohor i kalimit në Romë ku Martini, (që ka folë nji italishte të pastër) e ndesh si vegim, Lulen e tij, mbeten për mue emocionalisht si pika kulmore e dramës.
Me interpretue Silvia-n e Leopardit me zanin e Martin Camajt asht nji quintesencë thellësisht dramatike e poezisë së dashunisë njerzore.
Kush ishte kjo dashunia e fshehtë, Lulja e Martin Camajt?
Megjithse askund nuk ka prononcime apo kujtime nga “Lulja shkodrane”, spektatori e mëson këtë mbasi ta ket pa përfundimisht dramën.

.

Pamje nga shfaqje e Drames - Munih 2017

Pamje nga shfaqje e Drames – Munih 2017

Momenti ma kulmor, natyrisht, menjiherë mbas Monologut të Lules, mbetet kanga Luleborë, të cilën Rita Ndoci e nxori nga shpirti i saj dhe ja vuni në gojë e zemër spektatorit. Nji sallë e mbushun plot që këndon në mes të dramës hymnin shkodran të Luleborës, nuk ndodhë përditë, ndaj dhe emocionet ishin të jashtzakonshme.
Gjermanishtja e pastër dhe loja virtuoze, e nji biri tjetër të Shkodrës, të rritun në Gjermani, pianistit dhe aktorit Besar Mitku ishte nji tjetër element cilësor që e befasoi sallën.
Në tana muret e sallës, fotografitë e Leonora Milanit kishin evokue kohën e “ndejun në vend” në Dukagjinin e Martin Camajt. Pra, e gjithë salla ishte nji skenë e madhe, nji trup i vetëm. Familja Milani ishte nji përfaqsuese e denjë e mbarë Trevës së Dukagjinit, ku poeti dhe studiuesi Prelë Milani, në fund të shfaqjes ju përgjigj pyetjeve të shumta të spektatoreve, ndërsa Anila, vajza tjetër e Milanëve, me anë të fotografimit të saj përjetsoi në digital pamje te dramës.
Motrat Camaj shtërngonin njena tjetrën e ju dukej se Martini ishte aty bashkë me to dhe kremtonte ditën e poezisë shqipe. Gërshetimi i elementeve realiste me ato poetike i dha k’saj drame në 90 vjetorin e poetit, nji eveniment të papërsëritshëm.
Në fund të shfaqjes njerzit na mbushën me superlativa, për të cilat uroj të shkruejnë vete gazetarët e pranishëm të diasporës.
Mue si autor më ka ba shumë përshtypje dëshira e njerzve mos me dalë prej salle dhe sikur të mos ishte drejtori me na kallxue se ka ra ora 21 dhe duhet me mbylle sallën, besoj se do kishim ndejë deri nadje aty.
Shqiptarët e dojnë të bukurën dhe artin e vërtetë, sa keq që nuk kanë ende nji shtet dashamirës ndaj kulturës autentike shqiptare.
.
E shoqja e Poetit Camaj ne shfaqjen per 90 Vjetorin e Lindjes

E shoqja e Poetit Camaj ne shfaqjen per 90 Vjetorin e Lindjes

Ardhja e kameramanit profesionist, nga Bologna bani të mujtun fiksimin në digjital të preludit të dramës së Martin Camaj. Uroj që teleshikuesi shqiptarofolës të njihet sa ma parë me të.
Mungesa e shtypit, radiotelevizionit shqiptar, megjithse të ftuem në kët takim, kallxon edhe njiherë hijen e randë që mbulon gropën e zezë ku asht mbyllë kultura jonë në atdhe.
Nga ana tjetër, organizimi pasional dhe në bazë vullnetare i aktivitetit nga zonjat, Monika Zyla Zonja dhe Anila Xhani Stajka, banuese në Mynih, nisë që nga ftesat dhe akomodimi i konsujve Shqipni-Kosovë, shoqatës Martin Camaj, Institutit të albanologjisë, tregon se në mbarë botën ka shqiptarë, dashamirës të artit.
Heshtja primitive e ministrisë së kulturës shqiptare për mbështetje të Projektit CAMAJ, nuk mund ta thyente vullnetin tonë të fuqishëm, me rikthye në “jetë” shpirtin poetik, të Poetit tonë të vërtetë, modernit të letrave shqipe.
Ndihma e Institucionit gjerman te VHS dhe shoqatës Camaj në Mynih ishin dy kolona të këtij evenimenti, ku padyshim, kolonat e tjera, si financiare ashtu dhe organizative i mbajti Autori i dramës.
Drama, “Shpirti i poetit, i vizatuem në sytë e grues së tij” ka gjithsejt 4 akte, dhe zgjat mbi 4 orë. Padyshim ajo asht nji realizim dinjitoz i dramaturgjisë së re shqiptare, të pakontaminueme me realsocializëm.
Vendosja në skenë e dramës së plotë, kërkon mbështetje të gjithanshme të shoqnisë civile, të institucioneve, të meceneve të kulturës, dhe unë uroj që akti i parë i saj “Fejesa e Martinit dhe Erikës” t’i hapë rrugë këtij qëllimi fisnik.
Mynih, 22.07.2017.
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook