back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Miqësia Kroato-Shqiptare… Ngjarje dhe dokumente

Gazeta

Krijimi i Shoqatës Kroato-Shqiptare
Krijimi i Shoqatës Kroato-Shqiptare

Miqësia Kroato-Shqiptare…

Ngjarje dhe dokumente

“Miqtë janë gjithmonë bashkë!” – Mbrëmje tematike

Me rastin e 70 vjetorit të themelimit, Shoqata kroato-shqiptare në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb, organizoi  ditën e enjtë me datë 16 tetor 2014, mbrëmjen tematike dygjuhëshe “Miqtë janë gjithmonë bashkë!”
Pasi u dëgjuan hymni kombëtare si ai kroat dhe ai shqiptar, kryetarja e shoqates znj. Mirjam Deponte, përshëndeti të pranishmit dhe në mënyrë të veçante; Ambasadoren e Rep. së Kosovës në Rep. e Kroacisë, znj. Shkëndie Geci-Sherifi, përfaqësuesit e parlamentit, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të shoqatave shqiptare dhe shoqatave kroate të miqësisë.
Në emër të Kryetarit të Parlamentit kroat , Z. Josip Leko, përshendeti z. Damir Rimac, kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Kroaci-Shqipëri.

Takimi Kroato-Shqiptar maj 2014
Takimi Kroato-Shqiptar maj 2014

Ne fjalën e tij, ai tha se: “…e kishte vizituar Shqipërinë në pranverën e këtij viti, si anëtar i delegacionit Parlamentar kroat të kryesuar nga kryetari i parlamentit. Gjithashtu shprehu përshtypjet e tij nga kjo vizitë dhe nga të papriturat pozitive që kanë pasur në Shqipëri.
Sekretari i përgjithshëm i Koordinacionit të shoqatave të miqësisë në Kroaci, z. Andrija Karafilipoviç, pershendeti ne emer te koordinacionit, i uroi shoqatës punë të mbarë dhe tha se me këtë aktivitet është arritur në 1223 numri i aktiviteteve të shoqatave të Miqësisë në Kroaci.
Pas fjalës së hapjes, Kryetarja Deponte bëri një përmbledhje të shkurtë të historikut të shoqatës që nga themelimi i saj. “Ky historik – përmendi ajo – në fjalën e saj është nxjerrë nga dokumentat origjinale të mbledhjeve të themelimit të shoqatës kroato-shqiptare në Zagreb, me 17 shkurt 1944, dhe tre muaj më vonë, me 20 maj të të njëjtit vit, kur u themelua shoqata shqiptare “Miqtë e Kroacisë” në Tiranë. Këto materiale, tha ajo më tej, janë ruajtur për më se gjysëm shekulli nga Doktori i shkencave juridike, i ndjeri Zoti Lazër Radi dhe na janë dorëzuar me zemergjerësi nga Kryetari i Nderit dhe ish kryetari i shoqates prof. Aleksandër Stipçeviç. Me këtë rast ju dërguan përshendetje Prof. Stipçeviçit dhe urimet për shërim të shpejtë.

Aktiviteti Kroato-Shqiptar
Aktiviteti Kroato-Shqiptar

Për marrëdhënjet shqiptare-kroate, foli Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Rep. së Shqipërisë në Rep. e Kroacisë: Z. Ilir Melo. Ambasadori shqiptar bëri një pasqyrë të marrëdhënjeve shumë të mira dhe miqësisë së vërtetë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve. Ai theksoi se “…miqësia e vërtetë bazohet në vlera të vërteta që i bëjnë miqtë të jenë gjithmonë bashkë…”
Dr. sc. Mladen Andrliç, ambasador  dhe udhëheqës i sektorit për pregatitjet dhe perfeksionimin europian dhe diplomatik në MPJ RH, përshëndeti të pranishmit në emër të Ministres së Punëve të Jashtme të Kroacisë znj. Vesna Pusiç. Në fjalën e tij, rreth marrëdhënjeve  kroato-shqiptare, ai theksoi se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kroatëve dhe Shqiptarëve janë pasqyruar edhe në marrëdhenje të shkëlqyera diplomatike. Të dy vendet kanë mbështetur dhe përkrahur njeri tjetrin sa herë ka qenë e nevojeshme si në çeshtjet rajonale dhe më gjerë. Me pas ai, u përqëndrua në periudhën aktuale, kur Kroacia shpreh deshirën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë me eksperiencën e saj, në procesin e integrimit europian.
Tema dhe ligjëratat zgjuan një interes të madh në publikun kroat dhe shqiptar, gjë e cila u pasqyrua me pjesëmarrjen me kapacitet të plotë të sallës ku u zhvillua aktiviteti.
Interes tregoi  edhe mass-media kroate. Radio “Sljeme” njoftoi për tribunën me vendin dhe orën kur do të mbahej, ndërsa kanalet televizive “Z1” dhe “Jabuka” ndoqën takimin…

Znj. Mirjam Deponte dhe Presidenti Nishani
Znj. Mirjam Deponte dhe Presidenti Nishani

Takim i Kryetares së Shoqatës kroato-shqiptare

zonjes Mirjam Deponte

me Presidentin e R.SH. Z. Bujar Nishani

dhe Zv. Ministrin e Jashtëm Z. S. Dervishaj

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me datën 12 nëntor 2014, priti në takim të veçantë në selinë e Presidencës në Tiranë, Kryetaren e Shoqatës kroato-shqiptare, znj. Mirjam Deponte, ambasadore, të shoqëruar nga zv. ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Republikën e Shqipërisë, znj. Jelica Krišto dhe përfaqësues të biznesit kroat në Shqipëri.
Në fjalën e saj, znj. Deponte njohu Presidentin shqiptar me historinë e krijimit të Shoqatës, qëllimet e saj dhe aktivitetet që zhvillon shoqata për realizimin e këtyre qëllimeve. Ajo tha se përveç punës për afrimin e bashkëpunimit të dy vendeve dhe popujve tanë, e rëndësishme është edhe paraqitja e Shqipërisë në Kroaci në mënyrë bashkëkohore, pra Shqipërinë e sotme me zhvillimet e saj në fushat politike, shoqërore dhe ekonomike.

Znj. ambasadore Mirjam Deponte
Znj. ambasadore Mirjam Deponte

Presidenti Nishani vlerësoi misionin e Shoqatës si një urë lidhëse ndërmjet dy vendeve, dhe theksoi se ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë gjithmonë ka qenë një miqësi dhe bashkëpunim i sinqertë dhe se marrëdhëniet diplomatike dhe politike ndërmjet dy vendeve i cilësoi shumë të mira. Kroacia është një shembull në rajon edhe për rrugën e ndjekur për integrimin europian dhe ne jemi të sigurt që nuk do të na mungojë ndihma e saj, shtoi Presidenti Nishani. Gjithashtu, Ai shprehu mbështetjen e plotë për veprimtarinë e shoqatës në funksion të njohjes më të mirë të Shqipërisë në Kroaci dhe ndihmesën në bashkëpunimin më të ngushtë në fushat me interes të përbashkët… (fragment)

Nga historiku i Shoqatës Kroato-Shqiptare

Pasi u bënë disa takime dhe u pregatit Statuti, një grup intelektualësh të shquar kroatë me 17 shkurt 1944, formuan në Zagreb Shoqatën Kroato-Shqiptare.
Në mbledhjen themeluese ishin të pranishëm shumë persona të njohur nga fusha e politikës, shkencës, kulturës, fesë dhe gazetarisë. Në mbledhje u theksua se qëllimi i themelimit të shoqatës kroato-shqiptare, është afrimi i dy popujve në fushën e kulturës, ekonomisë dhe marrëdhënieve sociale. Kjo do të arrihej nëpërmjet organizimit të temave dhe ligjëratave mbi jetën, historinë, letërsinë dhe kulturën, duke nxitur median e shkruar dhe radion në programe, përkthimin në gjuhën kroate të librave nga literatura shqiptare, dhe botimi i përvitshem me përmbledhje të artikujve të shkruar nga studiues kroatë mbi Shqipërinë.
Në të njëjten kohë dhe me të njëjtin qëllim një grup intelektualësh shqiptarë në Shqipëri pregatisin themelimin e shoqërisë shqiptare “Miqte e Kroacisë”. Këto pregatitje janë përcjellë nga gazetat e kohës me artikuj mbi Kroacinë, nëpërmjet të cilave njihet populli shqiptar me historinë, kulturën dhe karakterin patriotik të popullit kroat.

Dr. Milan Shuflaj (1879-1931)
Dr. Milan Shuflaj (1879-1931)

Në gazetën e përditeshme “Bashkimi i Kombit” të datës 9 maj 1944, është botuar artikulli rreth pregatitjeve për formimin e shoqatës “Miqtë e Kroacisë”, në të cilin shkruhet se: “…grupi iniciator duke vlerësuar kontributet e Kroacisë për çështjen shqiptare në mbledhjen e mbajtur me 8 maj 1944, shprehu dëshirën për themelimin e shoqatës “Miqtë e Kroacisë”. Në fund të artikullit jepen adresat dhe informatat për personat që janë të interesuar për shoqatën.
Përpara kësaj, me 12 prill 1944, botohet artikulli me titull “Kroacia dhe populli kroat” në të cilin me një gjuhë letraro-artistike thuhet se: “…populli shqiptar gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një mik i sinqertë dhe i vërtetë i popullit kroat me karakter historik paqedashës dhe të cilit nga zemra i urojmë prosperitet.
Në letrën që grupi iniciator i ka dërguar qeverisë shqiptare shkruhet: “Kemi dijeni se para disa kohësh në Kroaci është themeluar Shoqata kroato-shqiptare, gjest me të cilin tregohet respekti i popullit kroat për popullin tonë. Disa intelektualë shqiptarë, disa nga të cilët i njohin edhe personalisht themeluesit e kësaj shoqate dhe e dinë se themelimi i shoqatës është një shprehje e sinqertë e ndjenjave shoqërore dhe dëshirës për marrëdhënie të mira ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve, propozojnë krijimin e Shoqatës “Miqtë e Kroacisë”
Me 20 Maj të vitit 1944, në sallën e madhe të Hotel “Dajti” mbahet asamblea për themelimin e Shoqatës “Miqtë e Kroacisë”.
Në fjalen e hapjes u tha se: “Me 17 shkurt 1944, në kryeqytetin e Kroacisë në Zagreb, është themeluar shoqata kroato-shqiptare. Të frymëzuar nga ky gjest fisnik dhe miqësor, një grup intelektualësh shqiptarë ka pregatitur asamblenë për krijiminë Shoqatës shqiptare “Miqtë e Kroacisë”. Populli shqiptar dhe ai kroat ushqejnë ndjenja të sinqerta të miqësisë, pasi kanë kaluar të njejtën rrugë të veshtirë deri në pavarësi, dhe shpresojmë se kjo shoqatë do të punojë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve…”

Eshtë interesant fakti që edhe pse këto evenimente kanë ndodhur 70 vjet përpara kur mundësitë e komunikimit, sidomos jashtë kufijve kanë qenë shumë të kufizuara, neni 2 i Statutit, ku flitet për qëllimet e shoqatës, në të dy shoqatat kanë qenë identike, dhe të tilla kanë mbetur edhe sot.
Agjensia kryesore e lajmeve ATSH, shkruan artikullin “Shqipëria dhe Kroacia”, një ditë pas themelimit të shoqatës. Në këtë artikull, përveç lajmit mbi themelimin e shoqatës, shkruan edhe mbi historine, kulturën dhe ndodhitë shoqërore në Kroaci.
Sipas dëshmive të shkruara, Shoqata “Miqtë e Kroacisë” ka vepruar edhe në Kosovë, dhe ka pasur zyrat e saj në godinën e bankvs italo-shqiptare në Prishtinë.
Situata politike dhe ekonomike gjatë këtyre 70 vjetëve nuk ka lejuar një veprimtari normale të Shoqatës. Me ndryshimet demokratike të viteve ’90, në Zagreb riaktivizohet Shoqata kroato-shqiptare dhe për një kohë të gjatë kryetar i saj ka qenë Prof. dr. sc. Aleksandër Stipçeviç.
Në 70 vjet të historisë së shoqatës kroato-shqiptare janë ndërruar shumë sisteme politike, dhe shumë qeveri, por ajo që ka mbetur dhe do të mbetet e pandryshuar është miqësia ndërmjet dy popujve tanë.

P.s. Dëshirojmë të theksojmë se permbledhja e historisë së shoqatës është nxjerrë nga dokumentet origjinale të materialit arkivor dhe shtypit kombëtar shqiptar për formimin e shoqërisë “Kroato-Shqiptare” të vitit 1944, me autor Dr. Lazër Radi, me funksionin: referent kulturor i shoqatës shqiptare “Miqtë e Kroacisë”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.