back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Maj, 2024

Ylli Krasniqin e arrestuan vetëm 18 vjeç?! – nga Roland Zhezha

Gazeta

Ylli Krasniqi (1965-2023)
Ylli Krasniqi (1965-2023)

Ylli Krasniqin e arrestuan vetëm 18 vjeç?!

nga Roland Zhezha

Më 13 shkurt 2023, u shua në Gjermani ku jetonte prej disa vitesh, ish – i dënuari politik, Ylli Krasniqi. Ai hyn te personat të cilët regjimi i dënoi në moshë fare të re.
Ylli Krasniqi lindi në Fier më 29 mars 1965. Babai i Yllit, Myslimi, kishte lindur në vitin 1920, në Sibofcë të Prishtinës, ku si rezultat i persekutimit nga serbët, erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ‘50. Shteti Shqiptar i asaj kohe i vendosi në fermën e Llakatundit, së bashku me emigrantë të tjerë si Ukë Selimi, Alush Berisha, Kolë Berisha.
Ai u orvat të arratisej nga kampi, në drejtim të Greqisë, por u pikas nga organet e Sigurimit dhe u arrestuan jo shumë larg kampit. Edhe ndaj djalit të tij, Yllit, pritej të ishte po i njëjti qëndrim i ashpër.
Ylli Krasniqi u arrestua në 5 nëntor 1983 në moshën 18-vjeçare, në kinemanë e vjetër, në lagjen “Kastriot” në Fier, në kohën kur po zhvillohej një mbledhje me të rinjtë e Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë.
Këtë veprim publik e bënë me qëllim që arrestimi të kishte efekt në popull. Fillimisht, ishte kryetari i Degës së Punëve te Brendshme Fier, që mbajti një fjalim kundër Yllit. Hetuesi i kësaj çështje, Bujar Sheshi, rrinte mbas Yllit. Synimi ishte që të poshtërohej publikisht. Në mes të mbledhjes, hetuesi i çeshtjes do t’i deklaronte arrestimin “në emër të popullit”! Ai e lidhi me tel dhe e dërgoi në birucën nr. 18, të Degës së Punëve të Brendshme Fier, e ngushtë sa për një person.
U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 11/2, 55/1 të Kodit Penal. Gjykata arsyetonte se i pandehuri: “Duke patur zbrazëti në formimin e tij politik dhe ideologjik, ka arritur të armiqësohet me pushtetin popullor deri në atë shkallë sa të kryejë krime të rënda kundër shtetit siç janë krimi i tradhtisë ndaj atdheut, vepër e cila është shoqëruar dhe me agjitacion dhe propagandë kundër shtetit”.
Argumenti kryesor ishte se në vitet 1981-1982, në familjen e tij erdhën disa vizitorë nga Kosova, si motra e tij me bashkëshortin dhe gjyshja. Sipas akuzës këta e kishin përpunuar “e nxitur që të braktiste atdheun nëpërmjet arratisjes…”, mbasi ishte interesuar për të njohur terrenin në Kukës e Tropojë, duke gjetur dy harta të Shqipërisë. Po ashtu i lidhen shprehje se këtu nuk jetohej mirë, se jashtë kishte liri, etj. Për të realizuar arratisjen, ishte nisur më 8 tetor 1983, në Rrëshen. Fjeti një natë aty dhe shkoi në qytetin e Kukësit, por u kthye pa avancuar më tej. Pavarësisht se nuk iu drejtua kufirit, iu hap procesi penal.
Gjykata e Rrethit Fier, e drejtuar nga Dalip Bushi, me pjesëmarrjen e prokurorit Thoma Gallani, me vendimin nr. 29, datë 7.12.1984, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Ylli Krasniqi dhe bashkeshortja...
Ylli Krasniqi dhe bashkeshortja…

Ylli Krasniqi e vuajti pjesën më të madhe të burgimit në Repartin nr. 311, Qafë-Bari. Kështuqë, rinia i shkoi duke nxjerrë mineral në atë vend të mallkuar. Puna e rëndë i la pasoja.
U lirua më 7 gusht 1990, nga Reparti nr. 305 Përparim. Nuk ndenji shumë, por realizoi arratisjen në Jugosllavi, nga Mali i Zi. Ku tani do të ishin jugosllavët që e arrestuan. E mbajtën 5 muaj të burgosur në Prishtinë. E akuzuan si antijugosllav e antiserb. I paraqitën si prova po atë dosje hetimore që i ishte përgatitur në Fier, në të cilën gjendeshin deklarime e tij kundër serbëve dhe jugosllavëve…
Deri në fund të jetës së tij, Ylli Krasniqi i kallëzoi me emra dhe mbiemra persekutorët e tij.
Kishte në plan botimin e një libri mbi jetën e vet, të cilin fati i keq nuk e ndihmoi ta realizonte.

Marrë nga Muri i FB i Roland Zhezhës, 20 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.