back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Vlerësimi i ballistëve të Lushnjës: “Martirë të Demokracisë” është i drejtë! nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Goya - Pushkatimi i 3 majit 1808
Goya – Pushkatimi i 3 majit 1808

Vlerësimi i ballistëve të Lushnjës:

“Martirë të Demokracisë” është i drejtë!

nga Thanas L. Gjika

(Mendësia komuniste
na pengon të ndëshkojmë si e sa duhet
krimin komunist)

Thanas L. Gjika
Studiuesi Thanas L. Gjika

Në shtypin shqiptar në atdhe dhe në diasporë, si dhe në biseda të ndryshme më ka rënë rasti, të lexoj e të dëgjoj ish pushtetarë të diktaturës, ose bijtë e tyre, të cilët vijojnë të mbrojnë mentalitetin e vjetër komunist dhe ta quajnë kohën e diktaturës “kohë e një qeverisje normale me disa gabime”. Të tillë njerëz asnjëherë nuk shkruajnë e as e hapin bisedën të parët për të dënuar krimet e sistemit komunist dhe me shumë zor e pranojnë që ai sistem ishte një sistem i gabuar, se ai sistem ishte i turpshëm sa dhe nazizmi e fashizmi dhe se krimet e tij duhen ndëshkuar po ashtu si u ndëshkuan krimet e nazi-fashizmit prej popujve që i përjetuan ato, gjermanëve dhe italianëve. Mirëpo mbas vitit 1991, kur në Shqipëri u pranua kapitullimi i sistemit diktatorial komunist, të tillë njerëz u përpoqën ta lenë në heshtje dënimin e krimeve të atij sistemi, t’i harrojnë poshtërsitë dhe krimet që kryen ata ose prindërit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) dhe gjatë diktaturës. Kurse, kur presidentët e republikës, kanë marë mbas vitit 1992, ndonjë vendim që ua skërmit koret atyre plagëve dhe krimeve, hidhen përpjetë dhe aktivizohen në kor duke diskutuar me shkrim ose me gojë plot fyerje e sharje njësoj si në kohën e ditaturës, kur çdo ballist e nacionalist cilësohej thjesht tradhëtar e bashkëpunëtor me pushtuesin.
E vërteta historike dihet se ballistët e nacionalistët kishin dalë malit e luftonin kundër pushtuesve fashistë italianë para se të mbahej Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, kur u krijua Fronti Nacional, ku bënë pjesë gjithë forcat luftarake antifashiste pa dallim krahine, besimi dhe ideje. Kjo konferencë zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional të përbërë nga zotërinjtë: Kamber Qafmolla kryetar, Mustafa Gjinishi sekretar, Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha dhe Ymer Dishnica. Pra katër ishin nacionalistë e tre komunistë. Po ashtu dihet se më 1-3 gusht 1943, u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku forcat balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili përbëhej nga 24 vetë prej të cilëve dymbëdhjetë ishin përfaqësues të Ballit Kombëtar, gjashtë të Partisë Komuniste (PKSh) dhe gjashtë të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Proklamatën e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Proklamata e këtij komiteti ishte kjo: Popull shqiptar! Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim. Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Shqiptarë! Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona. Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare. Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi! Jashtë armiku zaptues! Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit! Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik! Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit
Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit

Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës Proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PPSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo në atë kohë doli nga çadra e tij Miladin Popoviç, i cili u afrua dhe kërkoi ta lexonte vetë proklamatën. Pasi arriti te pika e dytë, ku përmendej e drejta për vetvendosjen e popujve dhe Shqipëria etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver, mohoje sa më parë!” Kështu u hodh poshtë marrëveshja e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, duke qenë një ushtar i bindur i Miladin Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë Marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943 dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej Balli Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate nuk kishin kryer asnjë bashkëpunim me pushtuesin, por e kishin luftuar atë së bashku me partizanët. Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar sa më rëndë. Ndërsa deri sot historiografia jonë e ka konsideruar thjesht si një nënshtrim ndaj emisarëve jugosllavë, pa gjykuar pasojat shkatërrimtare që solli ky vendim për të ardhmen e lëvizjes antifashiste të popullit tonë. Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve krijoi një gjendje çoroditëse ndaj forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas disa javësh filluan të ndodheshin edhe përballë pushkëve të pushtuesve të rinj, gjermanëve. Të ndodhur midis dy zjarresh, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i asgjësuar. Kështu Balli Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit nga zgjedha fashiste, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist, i cili për demogogji shpalli se nuk erdhi në Shqipëri si pushtues, por vetëm për të ruajtur hapur rrugët e lidhjes me forcat e veta të vendosura në Greqinë fqinje. Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelektuale demokratike shqiptare që ishte formuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri dhe kishte fituar simpati të madhe në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Por duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane. Ndryshimi që ndodhi në forcat partizane duke u kthyer ato nga forca që luftonin për liri në aleancë me forcat e Ballit Kombëtar, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit, por dhe kundër aleatit të tyre, ishte tregues i pamohueshëm se PKSh-ja e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, dha sinjalin e fillimit të luftës për marrjen e pushtetit si forcë e vetme politike, pra i dha luftës çlirimtare tipare të luftës civile. Në Mbledhjen e Mukjes u vendos që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. Mirëpo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën se komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë Partia Komuniste Shqiptare përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bollshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës komuniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga Anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre: Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrihej lart Bashkimi Sovjetik, të flisnin me lavdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurcillin dhe Rusveltin. Në situatën e re që krijoi PKSh-ja me propagandën e saj për ta paraqitur veten si e vetmja forcë që po luftonte pushtuesin e ri gjerman, Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit. Kështu jugosllavët ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe forcash që nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre. Luftëtarët e Ballit Kombëtar, në shumicën e tyre, duke qenë të ndikuar prej elitës drejtuese ishin njerëz me bindje antikomuniste. Kështu, lufta që u shpalli atyre Partia Komuniste e shoqëruar dhe me propagandën e saj pro Bashkimit Sovjetik, ua qartësoi ballistëve faktin se PKSh-ja ishte armik i papajtueshem i tyre dhe se lufta për marrjen e pushtetit për këtë parti ishte problemi themelor.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Kjo situatë e prishi drejtpeshimin e shumë komandantëve të Ballit dhe i shtyu drejt gabimit fatal: bashkëpunimit me pushtuesit gjermanë. Mirëpo duhet të pranojmë, se në rast se në gusht 1943 PKSh-ja nuk do ta kishte hedhur poshtë Proklamatën (marrëveshjen) e Mukjes dhe në shtator të atij viti nuk do ta kishte shpallur Ballin Kombëtar tradhëtar e armik, nuk do të kishte ndodhur përçarja midis forcave shqiptare antifashiste dhe do të ishte arritur çlirimi i vendit si rezultat i luftës së përbashkët të forcave balliste, komuniste dhe nacionaliste. Kurse çështja e llojit të pushtetit do të ishte vendosur prej popullit me anën e votimit të lirë, për krijimin e një Shqipërie të lirë popullore e demokratike, si ishte formuluar në pikën e tretë të Proklamatës së Mukjes. Një Shqipëri e tillë që do të drejtohej prej forcave pluraliste (demokratëve ballistë, nacionalistëve pro mbretit dhe komunistëve, nuk do të krijonte atë klimë që krijoi PKSh-ja si forcë e vetme në pushtet e cila instaloi diktaturën e ashpër komuniste. Sot, pasi kemi përjetuar kapitullimin e sistemit njëpartiak të diktaturës së proletariatit, pasi në Europën Lindore janë dënuar krimet e komunizmit, pasi kemi parë se sa thellë e dënuan fashizmin dhe nazizmin Italia e Gjermania që solli si pasojë ecjen e tyre të shpejtë përpara, nuk duhet ta mohojmë aspektin heroik që ka pasur çdo person që kundërshtoi kërkesën e Mehmet Shehu për bashkëpunim me të, kur dihej se ai ishte një shërbëtor besnik i Dushan Mugoshës, këtij sërbi antishqiptar e kriminel, që punonte për realizimin e instalimit të një pushteti sa më të keq për popullin tonë dhe vasal të Jugosllavisë. Në atë kohë një djalosh partizan shikonte tek Mehmet Shehu udhëheqësin trim të Brigadës së Parë Sulmuese, kurse një ballist me bindje antikomuniste shikonte tek Mehmet Shehu një kriminel që ishte betuar për të përhapur yllin e kuq të komunizmit në të pesë kontinentet e botës. (Betimi që bënin para Dushan Mugoshës partizanët shqiptarë kur ky i projektonte për t’u bërë kuadro drejtues të ushtrisë partizane dhe të PKSh-së, ishte: “Betohem për yllin e kuq se do të zbatoj çdo urdhër që do të më jepet prej eprorëve të mij edhe sikur të më duhet të vras nënë e babë!”). Mehmet Shehu ia kishte bërë Dushan Mugoshës këtë betim që në vitin 1942, kur ky kishte shkuar për të rekrutuar kuadro në krahinën e Vlorës. Po ky Mehmet Shehu, kur i tha Tahir Kadareja, një nga kuadrot e Brigadës së Parë: “Mehmet ne po vrasim shumë shqiptarë dhe jo pushtues të huaj”, iu përgjigj: “Partisë sonë i mjafton një Shqipëri edhe me njëqindmijë banorë, mjafton që të jenë kokulur e të bindur”. Këto e shumë fakte të tjera tregojnë se Mehmet Shehu në marrëdhenie me pushtuesit italianë e gjermanë ishte një luftëtar trim, por në marëdhënie me popullin shqiptar ishte një zbatues besnik i urdhrave të Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës, të cilët e shtynin vazhdimisht të kryente vrasje e krime, me qëllim që përmes terrorit të nënshtronte popullin shqiptar. Përmes të tilla krimeve synohej edhe kthimi i vetë partizanëve të Brigadës së parë në ushtarë të bindur e pa ndërgjegje kritike, pra njerëz të nënshtruar e pa dinjitet personal. Të vijmë tani tek 67 ballistët e zonës së Lushnjës, shumë prej të cilëve deri në gusht 1943 kishin luftuar krah për krah me forcat partizane, kurse më 21 tetor mbas përpjekjes me këto forca u zunë rob prej partizanëve të Mehmet Shehut. Kur Mehmet Shehu u kërkoi këtyre robërve të hidheshin në anën e tij e të luftonin krahas forcave të tij, ata e kundërshtuan këtë kërkesë. Ata i thanë se donin të shkonin në shtëpitë e tyre dhe nuk donin të merrnin më pjesë në luftë. Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha që ndodhej prezent, i pushkatuan këta robër në kundërshtim me ligjin e luftës, sipas të cilit duhej të liheshin të lirë.

Martirët e Ballit Kombëtar - 21 Tetor 1943
Martirët e Ballit Kombëtar – 21 Tetor 1943

Para disa ditësh, Presidenti i Republikës i shpalli këta ish ballistë “Martirë të demokracisë”. Ky vlerësim shkaktoi diskutime të zjarrta midis opinionistëve dhe historianëve shqiptarë, disa e arsyetonin të drejtë vendimin e Presidentit, disa e quanin të padrejtë. Unë mendoj se z. Bujar Nishani, Presidenti i Republikës, ka pasur të drejtë. Them ka pasur të drejtë mbasi kundërshtimi i robërve ballistë ndaj kërkesës së Mehmet Shehut për t’u bashkuar me të, nuk duhet marrë thjesht si kundërshtim për të mos luftuar pushtuesin, por si kundërshtim ndaj bashkimit me Mehmet Shehun, i cili ishte i njohur si shërbëtor i Dushan Mugoshës, njeriut që kërkonte terror ndaj shqiptarëve. Përsa i përket çështjes se ata ishin apo nuk ishin për luftën çlirimtare, kjo ishte zgjidhur prej kohësh, kur shumica e tyre dhe sidomos komandantët e tyre kishin rëmbyer armët e kishin dalë malit si luftëtarë për lirinë e atdheut, ishin bërë anëtarë të Frontit Nacional që u formua në Konferencën e Pezës dhe kishin luftuar së bashku me forcat partizane deri në mes të gushtit 1943. Vlerësimi i tyre si “Martirë të Demokracisë” është një mësim për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shiptar. Ky vlerësim na mëson që mbas sodit të mos ketë më bindje të verbër e nënshtrim ndaj komandantëve të shitur tek të huajt, si ishte Mehmet Shehu që kreu trimëri në luftë kundër pushtuesve të huaj, por terror e krime ndaj popullit të vet, si vegël e Dushan Mugoshës dhe emisarëve të tjerë të PKJ-së. Na mëson se komandantë si Mehmet Shehu nuk i janë dashur dhe nuk i duhen ushtrisë sonë. Na tregon se kundërshtimi i së keqes që në fillimet e saj është akt heroik, shumë më i vlefshëm se kundërshtimi i saj kur ajo është përhapur e bërë sunduese. Na mëson se është e turpshme për ne të mos e dënojmë të keqen komuniste as sot pasi ajo na ka shtypur e përdhunuar më shumë se gjysëm shekulli dhe për më keq akoma, kur sistemi i saj ka kapitulluar me turp para 26 vjetësh.
saj kur ajo është përhapur e bërë sunduese. Na mëson se është e turpshme për ne të mos e dënojmë të keqen komuniste as sot pasi ajo na ka shtypur e përdhunuar më shumë se gjysëm shekulli dhe për më keq akoma, kur sistemi i saj ka kapitulluar me turp para 26 vjetësh.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.