back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Vendosëm shkëputjen e kishës tonë edhe nga Rusët… – Mihal Grameno i shkruan Luigj Gurakuqit

Gazeta

Mihal Grameno (1871-1931)
Mihal Grameno (1871-1931)

Mihal Grameno (Korçë, 13 janar 1871 – 5 shkurt 1931)

Mihal Grameno (Korçë, 13 janar 1871 – 5 shkurt 1931) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, botues dhe shkrimtar shqiptar. Vlerësohet se vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës politike… U lind në Korçë, i biri i Ilo Gramenos dhe Lina Mitkos, u shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare, ku më 1889 u zgjodh edhe sekretar i shoqatës “Drita”.
Më 1907 doli kaçak dhe iu bashkua çetës së porsaformuar të Çerçiz Topullit, duke marrë pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Cilësoheshin Apostuj të shqiptarizmës ngase shkonin fshat më fshat të kuvendonin për idenë kombëtare. Grameno si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Më 1908 çeta shkoi të takonte Njazi bej Resnjën për të diskutuar më 23 korrik duke diskutuar për përparësitë që do t’i jepte shqiptarëve shpallja e një kushtetute. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Më 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë 1909–1910. Më 1910 organizata proklamoi themelimin e një kishe shqiptare, dhe nuk u njoh nga Perandoria Osmane. Grameno u arrestua më 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën Bashkimi i Kombit.
Gjatë kryengritjeve të vitit 1911, Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen Koha të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York ku jetoi nga 1915 deri më 1919. U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris, dhe si korrespondent i gazetës Albania që botonte A. G. Naçe në New York. Pas një viti u kthye në Shqipëri.
Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. (marre nga Wikipedia)
.
Cerçiz Topulli dhe Mihal Grameno luftëtarë të lirisë
Cerçiz Topulli dhe Mihal Grameno luftëtarë të lirisë

Vendosëm shkëputjen e kishës tonë edhe nga Rusët…

Mihal Grameno i shkruan Luigj Gurakuqit

Në Paris
Gëzonj që të jini mirë si edhe unë. Tani ca dit u shkrojta edhe u çova “Diellin” ku shkrova për gjendjen e atjeshme, besonj që t’i kini marrë.
Unë sot shkonj për në Detroit Michigan ku ndodhet nëna e zonja time edhe si t’i marr do të kthehem prapë këtej ku do të botonj gazetën. Shpreh që me u lajmëruar për botimin do të më përkrahni me lajmet e atjeshme si edhe letrarisht, siç m’u zotuat.
Nënshkrime po mblidhen shumë pas kërkimit që bëtë nga të Krishterët e Toskërisë edhe për së shpejti do t’u dërgohen.
Siç u shkrojta z. Gurakuqi që Shqiptarët kanë një simpati edhe besim tek juve edhe kam kuvenduar me z. Kryetar të Vatrës, Kolë Tromara, me Komisjonin edhe me gjithë kombëtarët edhe që të gjithë kanë besim të plotë, po duan çpjegime mbi programin e qeverisë aqë për sot si edhe për pritjen, prandaj është detyra jote më shumë që t’ua dëftesh se më të shumët juve u njohin dhe u kanë dëgjuar. Sa për Partinë ajo është në të rënë dyke mos u udhëhequr mirë edhe nga gabimet.
Mësoni që Noli i zgjedhur Piskop, nga mbledhjet kishtare Ruse edhe Shqipe dhe i dorëzuar nga Arqiepiskopi Rus, gjeti tani në fund pengime në të mbushurit të formës d.m.th. për t’i dorëzuar robat edhe shkopin Piskopal, duke thënë që Grekrit kanë bërë protestime edhe do të shtrojnë dokumenta zyrtare kundra Nolit.
Kështu pra vendosëm çkëputjen të Kishës tonë edhe nga Rusët edhe pasnesër kleri kombëtar do t’i veshë rrobat Piskopale duke deklaruar Kishën Ortodokse shqipe autoqefale. Me këtë mënyrë shpëtojmë njëherë e mirë nga maskarallëqet e vjetra edhe nisim jetën e re të kohës së re. Monsignor Bumçit i puth dorën si edhe Patër Fishtës. Berattit* e të gjithëvet të fala. Prit të falura nga të gjithë atdhetarët.
U puth me mall e mbetem për jetë juaji, Mihal Grameno (d. v.)
P.sh. Nga Korça na vijnë shumë lajme gazmore për çështjen kombëtare. Dërgomë fotografinë tënde dhe të At Fishtës.
.
* Eshtë fjala për Dhimitër Berattin…
.
Marre nga https://njekomb.org/mihal-grameno-leter-gurakuqit
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.