Tue ju sjellë rreth – Zotit të shqipes! – esse plotsuese nga Jozef Radi

0
12
Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016
Jozef Radi 2016

Tue ju sjellë rreth – Zotit të shqipes!

esse plotsuese nga Jozef Radi

Zoti i shqiptarëve përveçse figurë që përfaqëson të Plotpushtetshmin e qiellit, tokës dhe botës së tyne thellsisht pagane, asht edhe ndër fjalët ma të lashta e ma të përdoruna të gjuhës së tyne.
Sigurisht, fjala Zot, hyn te ato që mund të quhen fjalë primordiale të ardhuna deri në kohnat tona me nji ngarkesë fuqie dhe energjie të dobishme.
Si e tillë, fjala Zot fillimisht ka qenë nyje mbrojtse e jetës së tij, mandej nyje mbrojtëse e gjuhës, e sigurisht rreth Zotit asht mbrojtë në nji farë mënyre edhe fati i tij në histori.
Njiherit fjala Zot, krahas së mbinatyrshmes dhe fuqisë së saj, asht paralele e fjalës së lashtë helene Zeus, çka dëshmon edhe at fqinjësi semantike, po edhe fqinjësi lashtësiu midis këtyne dy popujve të Ballkanit që kanë pasë sigurisht edhe ndikime të ndërsjellta mes tyne! E ndërsa në shqip fjala Zot e ka ruejtun integritetin e kuptimsisë, asht në karakteristikën e fjalëve të saj njirrokshe, po edhe e përdorimit të përditshëm, Fjala Zeus, në greqisht s’e ka ruejtë dot atë integritetin e kuptimsisë së lashtë, as përdorimin e saj përditshëm, pra ajo asht fjalë e arkivueme dhe jo si në shqip fjalë ende në përdorim dinamik.
Si e tillë fjala Zot asht ma s’pari fjalë parakristiane (ma shumë se 2000 vjeçare), e qartësisht paramyslimane (ma shumë se 1400 vjeçare), pra ajo mbetet gur themeltar, e fjalë substanciale e qenies së nji populli dhe ecunisë së tij ndër mijavjeçarë. Ajo asht përcjellë e pacënueme ne krejt transformimet e mundshme që mund të ketë pësue ky popull i lashtë në linjën tashma të diskutueshme pellazgo-ilire-arbnoro-shqiptare, çka përban edhe nji element studimi të qenësisë së tij prej lashtësie, në krejt travajet e mbijetesës.
Shpesh besimi në Zot ka qenë kaq i gdhendun mbrenda strukturave të tij shpirtnore, mbrenda moralit të tij, aq sa un mendoj se asht themeltar si në besimin, si në organizimin edhe në gjuhën e tij. Pikërisht në trajtat e shumllojta të përdorimit të tij të mbrrituna deri në ditët e sotme, un po përpjekem nji çils ma të përtejmë të kuptimit të kësaj fjale!
Përdorimi i shpeshtë asht edhe rrjedhojë e të ndjemit i pafuqishëm me ndryshue rrjedhën e gjanave, po edhe ndaj njerzve të fuqishëm ekonomikisht, ndaj bakeqasave, po ma së shumti ndaj pushtetit, apo sunduesve!
Me fjalën Zot – janë të lidhuna nyje edhe disa elementë të tjera mjaft të rëndësishme të qenësisë së linjës së sipërpërmendun. Kështu edhe Urimi, edhe Bekimi, edhe Mallkimi, edhe Betimi po edhe Besa, të gjitha janë të lidhuna mjaft me strukturën e organizimit të tyne rreth fjalës Zot.

Urimi – “Rujna Zot!”; “Mbrona o Zot!”; “Pshtomë o Zot!”; “Ndihmomë o Zot!”; “O njeri i Zotit”; “Asht rob Zoti”; “Rujna Zot rrezikut!”; “Njeri i Zotit”; “Mos o Zot”, etje

Bekimi: Zoti ta baftë dritë”; “Zoti të Bekoftë”; “Zoti e baftë mirë”; “E ka bekue Zoti, ardhjen tande!”; “Kurrë Zoti mos pruftë keq ndër ju!”; “Zoti para e na mbas!”; “Kush beson në Zot, asht i pshtuem!”; “Kurrë Zoti mos çoftë keq ndër ju!”; “Zot, mos m’truej!”; “M’ka Pa Zoti!”

Mallkimi: “Hej, Zoti të vraftë!”; “Zoti, të lashtë pa sy në ballë!”; “Zoti të vraftë, ma zi se t’ka vra!” “Zoti shef, e t’gjen!”; “Mos e xen Zotin n’rrenë!”; “Merre(më) o Zot!”; “T’marroftë Zoti”; “Të lëntë Zoti pa sy n’ballë”; “T’kam lanë Zotin!”; “Veç Zoti i ardhtë hakut!”; “Ia kam lanë Zotin havale!”;

Betimi: “Për njat Zot!”; “Pasha Zotin, që na jep jetën!”; “Pasha t’madhin Zot!”; “Për Zotin!”; “M’vraftë Zoti, n’rrejsha!”; “Unë jam me Zotin!”; “T’baj bè n’Zot!”

Besa: “Shpia e Shqyptarit asht e mikut dhe Zotit!”, “Ta jap fjalën e Zotit!”; “Ta nap besën e Zotit!”; “Për Besë të Zotit!”; “N’dorë t’Zotit!” “O i Zoti i shpisë a don miq?”; “A ka Zot kjo shpi?”

Veç këtyne elementeve fjala Zot, mund të konsiderohet si një ndër strukturat fjalëformuese themelore dhe ndër ma të fuqishmet e gjuhës shqipe si në emrat: zot, krye-zot, zot-ynë, zot-eshë, zot-shpie, zot-ësi, zot-ni, zot-nim, zot-im, Baba-Zot, mbi-zot, ag-zot; apo foljet zot-noj, mbi-zot-noj apo mbiemnat: i zot-i, zot-nues, zot-nisht...

Gjithashtu ajo asht e trupëzueme ashtu rrallë edhe ndër togfjalsha të veçantë duke krijue fjalë të nji bukurie dhe të nji kuptimi që pak ndër gjuhët e botës munden me i ba sfidë: si fjala vjen: Sha-Zot-in ose Sha-Zot-en (ka kuptimin Pasha Zotin po e trungëzueme), Mo-Zo(t)-ma-keq, (mos e dhantë Zoti ma keq) apo fjala Shto-Zo(t)-valle (Shtoji o Zot vallet – që ka kuptimin e zanave që dilnin në livadhe e vallzonin), Dala-zot-as (dikush që i del për zot nji situate, apo nji njeriu), Zot-ynë-madhi! (vetë Përëndia e madhe)
Prej fjalës Zot ka dalë edhe fjala “Zojë”, o plotsueme si Zoja e Bekueme; apo në Jug e gjejme përdorimin e fjalës Zot në trajta “Për Zonë!”; “Për Zonë e Madh!”

Fjala Zot asht përdorë edhe prej mjaft shkrimtarve edhe poetve shqiptare. Sigurisht, me nji kërkim modest në kujtesë e ndër libra gjeta diçka plotësuese, të këtij argumenti si: “Zoti të dhashtë!” – Migjeni; “Zot i madh e i vërtetë” N. Frashëri; “O Zot! Po rroj pendesën e jetës më të nxirë…”, dhe “Njeriu dhe Zoti”, L. Poradeci; “O Zot! U ngjall Lumi i Vdekur, mjerë të gjallët!” J. Xoxa; “O Zot, përmbyse botën mbarë!” D. Agolli; “Perëndia jonë është i vetmi Zot që bëri botën…” E. Tupja; “Dashtë Zoti që prekjet e mia të kenë hedhur rrënjë prore…” A. Tufa; Bota asht vepër e nji Zoti qi vuen…” E. T. e mjaft të tjerë…

Kur u shpal lufta kundër fesë, nji prej fjalve që pësoi persekutimin ma të madh ishte fjala “Zot”. Shpesh ndodhte që ndër njerëz të thjeshtë u buronte natyrshëm dhe instinktivisht shprehje nga ma të ndryshmet që lidheshin me “Zotin” dhe njerëzit e Partisë mezi ç’prisnin me ba nji ofensivë me arrogancën e dogmës: “Nuk ka Zot”; “Kush e ka parë Zotin”; “ç’është ky zot?!”“Akoma me Zotin ju!”; “Turp, që vazhdoni me besim në Zot”; “Zot është Partia”… E si t’mos mjaftonte kjo edhe gjuhtarve të ’72 “U doli punë edhe me Zotin” dhe banë përpjekje me deklasifikue… Ata vendosën rregull që zoti me u shkrue me germë të vogël, bile tjerë gjuhtarë e zgjanuen ketë ide tue kërkue edhe me e zhgulë me themel prej fjalorit të shqipes, si t’ishte gram!!!

Mbas kësaj analize, sigurisht modeste e disi e sipërfaqshme vazhdoj e punoj prej vitesh mbi “Fjalën Zot” – kët njirroksh primordial të shqipes, kët strukturë pagane ende të ruejtun kokfortësisht, me gjithë mbivendosjet e feve, apo shtypjen që ato ushtrojnë, për devotshmëninë e besimeve të shumta! Pyetja që m’lind njashtu krejt thjesht e natyrshëm asht kjo: A ka ndoj popull i këtij rruzulli që kët fjalën dhe kuptimësinë në Zot-it ta ketë kaq të trupzueme në të përditshmen e vet bisedimore, ndër sjellje e ndër struktura siç ndodh në gjuhë shqipe e ndër shqiptarë?!

ancona, 2020-2023

P.s Kushdo që mund të sjellë ndonjë shprehje që lidhet me Zotin e nuk është përdorë në kët trajtim me kënaqësi do të merrët në konsideratë e do t’i bashkangjitet shkrimit!

Related Images:

Artikulli paraprakAnton Çehov, mjeku që u bë gjeniu i novelës ruse, vëzhguesi symprehtë e qëmtuesi sqim i shpërfaqjes rrëfyese – esse nga Albert Vataj
Artikulli tjetërMbrojtësve mjeranë të Kadaresë… – nga Adriatik Riza Dosti
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.