back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Tri ditë në mërgim… rrëfim nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani
Tri ditë në mërgim…
rrëfim nga Meti Fidani

Kloni filloi të bëhej vrima-vrima…
Turmat e devollinjve nuk përmbaheshin. Burra, gra, fëmijë, kush të mundte të dilte në botën kapitaliste, një botë të cilës i dërgoi “një vapor me grurë” – shoku Enver… Se kapitalizmi po vdes për bukë, na thanë…!! Shqipëria ky fener ndriçues në botë, me në krye partine heroike, çante bllokadën!
Ishim shumë devollinj. Me qindra… Mësuam përmendesh vetëm dy fjalë: Psomi dhe Ruka.
Lipcarë në fshatrat tej kufirit. Greket na jepnin ç’të mundnin. U vinte keq që na shihnin ashtu. Fytyrat tona ishin si mish i tymosur… Por ishim shumë…
Edhe kishat i hapën hambaret e tyre. Por u zbrazën shpejt, mbasi nuk ishim një e dy. Turma e devollinjve ndahej në tufa të vogla… Shumica e tufave kërkonin në vendet e grumbullimit të plehrave të çdo fshati. Preferonim shishe coca-cola-sh, bidona detergjentesh, lodra fëmijësh, veshje, radio, çfarë nuk mblidhnim. Pa e ditur se gjithë ai thes duhej çuar përsëri në Devoll..
Një turmë ishte në qendër të Eptahorit. Aty ishte një dyqan me artikuj të përzier. Ne xhamarinë e dyqanit shitësi kishte ekspozuar mallrat e tij. Mes të tjerash dhe një grua kauçuku kukull, të veshur vetëm me të brendshme. Ishte diçka e pazakontë për ne të paparët…
Tek ne të brendshmet e grave, në njësitë e shitjeve mbaheshin ose nën banak ose në rafte… Bile nëse shitësi ishte burrë, gratë blinin ndërmjet gruas së shitësit. Nëse shitësi ishte grua, atëhere gratë i blinin veshjet e tyre të brendshme, vetëm kur në dyqan të mos kishte burra…!
Kurse greku na befasoi me kukullën e tij modele, të cilën e shikonim me habi. Bile një djalë i ri, me një shkop ja hapi pak mbathjet kukullës, ta shikonte që e kishte muninë nën brekë, apo ishte kukull pa muni…
Dikush, që kishte erdhur disa ditë më parë, edhe kishte punuar, si zakonisht në ndonjë ndërtim shtëpie, në ndonjë arë apo bagëti.
Greku, të cilit i thoshin pronar, i kishte paguar 4000 ose 5000 dhrakmi…
Ne i quanim parallinj ata devollinj që kishin punuar qoftë edhe një ditë… Bile edhe u serviloseshim se mos na blinin diçka për të ngrënë… Unë kisha disa dollarë australianë, por shitësi nuk m’i pranonte, se nuk i njihte…
Kuriozë ishim edhe për çmimet. E mbytnim shitësin me pyetje..
-Sa sheqer mund të marrim më këto 5000 drakmi, e pyesnim.
-Një thes – thoshte shitësi, ose të gjithë sheqerin që kam këtu në rafte..
-Po oriz?
-E njëjta gjë
-Po miell?
-Ja të gjithë miellin që kam në dyqan..
Habiteshim..
Devollinjtë e gjorë, punonin gjithë ditën për një kg sheqer apo oriz apo miell gjithashtu… edhe me listë. Një kile në muaj. “Eh o komunizëm, komunizëm…!”
Askujt nuk i bënin më krahët të punonte më në kooperativë!
Pak me larg nga dyqani ishte një floktore grashë. Edhe para floktores plot devollesha që shikonin të habitura klientet që hynin e dilnin… Ishin dy gra të reja në moshë që punonin aty. Dilnin, na flisnin me ndonjë fjalë shqip, trishtoheshin që na shikonin ashtu, si lipcarë… Trishtoheshin më shumë për gratë shqiptarë. Të gjitha kooperativiste.

Drama e mërgimtarit
Drama e mërgimtarit

Para se ta mbyllnin lokalin e tyre, ato morën një grua, nuse të re devolleshë, Mirkën. Menduam se do t’i jepnin ruka, patjetër… por u vonua shumë. I shoqi u shqetësua tej mase..
Ato dolën kur ishte errur. Ishin disa gra bashkë. Njëra mbylli derën dhe do ta kyçte. Saliu i vajti me vrap, dhe nuk e linte ta mbyllte.
-Ku e kam nusen, ku e kam nusen, pse ma mbyllet brënda Mirkën!
Greçka po habitej..
-Po ja ku jam, o Sali, ja ku jam. Nuk të shikojnë bebet..
Jo vetëm Saliu, por edhe ne bashkëfshatarët e saj nuk e njohëm. Greçkat e kishin larë dhe rregulluar Mirkën dhe devollesha nuk njihej më fare. Dukej si artiste filmi, nga ato të RAI Unos..
-Po sa e mirkë që qënke bërë me Mirkë! – i tha Sala, dhe ja ledhatonte flokët, duke mos u besuar syve akoma. Ishte Mirka e tij apo ishte ndonjë greçkë!!
Nata ra dhe fushimi ishte nga kodrat mbi fshat. Grupe grupe dhe secili grup kishte zjarrin e tij. Ishte prill, por dimri nuk ishte dorzuar akoma. Flinim të mbështjellë me batanije, apo veshje të trasha, që na kishin dhënë grekët ose i kishim gjetur ne plehrat…
Kush e kishte mbushur thesin, do të nisej të nesërmen për në Devoll.
E ikura kishte dhe hallet e saj me vehte. Shumica e atyre që hynë në Greqi, punonin tokat e kooperativës me bel, matanë klonit. Ishin buzë kufirit dhe u hodhën në shtetin fqinj. Belat i lanë të ngulur në tokë.
Por në të kthyer duhej kaluar kloni. Përballje me kufitarët tanë. Ata ta marrin thesin pa një pa dy, se kanë armët. Bile për të pabindurit të lëshojnë edhe qenin e kufirit. Por edhe mund të qëllojnë, edhe të vrasin ata… Ku i dihet atyre!!
Nga njësi kufitare, tani ishin kthyer në banda. Të merrnin me forcë gjithçka që kishe grumbulluar, kishe blerë, apo ta kishin dhuruar nga grekët..
“E keqja jonë na vjen prej vetvetit!” – ka thënë një shqiptar i mençur!
Ushtarët apo policia greke na linin të lirë, ndërsa tanët na grabisnin.
Kalimi i kufirit për në kthim duhej bërë vetëm natën. Edhe unë me dy shokët e mi të ngushtë, natën pritëm. Bile binte shi përzierë me dëborë. Por ushtarët na ndjenë e na ndoqën, duke zbrazur edhe armë. Rreth dy km vrap, e çfarë vrapi… edhe të ngarkuar..
Hymë direkt në oborrin e dajos dhe e mbyllëm portën nga brënda. Ushtarët mbrritën me ulërima dhe thërrisnin të hapej dera. Doli dajë Perendi, se u bërtiti njëherë me inat dhe ata ikën..
Edhe pse aq të lodhur, nga udhëtimi 3-ditor nëpër Greqi, atë natë thuajse e gdhimë, në mes dajave të mi të mrekullueshëm, Yllit dhe Perendit dhe fëmijët e tyre..
Të nesërmen arrita në shtëpi. E çfarë nuk kishte brenda thesi im. Të nevojshme e të panevojshme. Mes të tjerave edhe një shishe coca cola 1,5 litroshe. E vumë në bufenë tonë shtatmijshe për zbukurim!!
Plakat e mëhalles vini të shikonin se ç’kisha sjellë nga kurbeti..
-Po kjo në bufe çfarë është moj Trënde?
-Nuk e di ç’i thonë… Meti e solli nga Greqia…
E provonin plakat…
-E po liker do jetë. Shumë liker i mirë!
Plakat mblidheshin thuajse përditë në oborrin tonë. E kemi shtëpinë karshi diellit por kishim edhe një çezmë në oborr të cilën e përdornin edhe mëhalla..
-Me çfare t’u qeras – u thoshte nëna shoqeve të saj..
-Ja, po ke ndonjë çikë nga ai likeri i grekut, të keqen…
Dhe u mbushte nëna nga një gotë rakie 7-lekshe plakave të mira të mëhallës time.. Edhe nëna, edhe shoqet e saj e dinin se pinin liker!!!
Dhe liker pe greku… jo dosido!
Greku i hapi kufijtë, kur ne ishim në kufijtë e mbijetesës, kur komunizmi po na çonte drejt greminës. Populli grek hapi zemrën për ne të paparët. Me atë ritëm banorët e fshatrave ndërkufitare të dy shteteve do kishin hyrje-dalje të lira, pa përdorur doganat kufitare.
Por tregojnë se një fshatar dikur gjeti një gjarpër të ngrirë në mullarin e tij të kashtës. E mori gjarpërin brenda në shtëpi, e ngrohu pas zjarrit dhe gjarpëri u ngjall. Mbasi u ripërtërit mirë e mirë, gjarpëri e sulmoi fshatarin për ta kafshuar…
Edhe ne të pangrënët e të paparët pak nga pak u bëmë tahmaqarë, kusarë, grabitqarë.. Jo të gjithë, sigurisht..
Rrobat e trupit të ndera nëpër oborre i rrëmbenim, shtëpi bastisnim, bagëti, kisha. E kam parë vetë shqipfolsin me një frigorifer të madh në kurriz. Ka kaluar male me frigorifer të vjedhur, derisa e çoi në shtëpi.
Edhe mushkë të ishte, do të kishte ngordhur..
Në këto kushte Greqia vuri në përdorim ushtrinë dhe pasojat dihen. Nuk është e nevojshme të zgjatem. Ndoshta kishin edhe të drejtë..
Dhe jo vetëm ndoshta…

Marrë nga Muri i FB i Meti Fidanit, 8 shkurt 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.