back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Tragjedia e Kripores së Ulqinit – nga Frank Shkreli

Gazeta

Kriporja e Ulqinit (Mali i Zi)
Kriporja e Ulqinit (Mali i Zi)

Tragjedia e Kripores së Ulqinit

nga Frank Shkreli

Të vizitosh Ulqinin në shtator të vitit 2023, është të përballesh me ankesa e zhgënjime nga vendasit – përballë gjendjes së rëndë ekonomike, mosinvestimeve nga qeveria qendrore në Podgoricë dhe keq-qeverisje vendore. Një gjendje e rëndë kjo që po keqësohet gjithnjë e më shumë, duke përfunduar për fat të keq – ashtu si edhe anë e mbanë trojeve shqiptare – edhe në zbrazjen e trojeve shekullore iliro-arbërore nën Malin e Zi, sot të pavarur e anëtar i NATO-s – por që për shqiptarët e atyre trojeve kjo zbrazje ka filluar më shumë se një gjysëm shekulli më parë, nën ish-Jugosllavinë komuniste.
Mungesa e investimeve të mbrendshme dhe të jashtme në Ulqin me rrethe shihet kudo. Komuna e Ulqinit e banuar – tani për tani – me shumicë shqiptare – është komuna ku, sipas bashkëbiseduesve në Ulqin, qendra (Podgorica) investon më së paku, ose aspak, në krahasim me komunat e tjera, sidomos ato bregdetare të Malit të Zi.
Gjatë një vizite të shkurtër në fillim të shtatorit në Ulqin, në biseda e sipër me vendas, mbi gjendjen ekonomike e shoqërore të asaj zone, ishte vështirë të anashkalohej subjekti i gjigandit ekonomik të dikurshëm, Kripores së Ulqinit – një krijesë e njeriut dhe e natyrës – por tani një objekt ekonomik i falimentuar ndonëse me rëndësi për atë zonë – tani është shtetëzuar, më mirë të thuhet i shkatërruar nga shteti dhe nga interesa dhe individë e qarqe të panjohura që, në sipërfaqe, është vështirë të identifikohen.

Kriporja e Masakruar e Ulqinit
Kriporja e Masakruar e Ulqinit

Për ata që nuk kanë njohuri për atë motor ekonomik të dikurshëm të asaj zone – Kriporja e Ulqinit është një sipërfaqe e gjërë ligatinore shumë e çmuar prej nja 15-kilometrash katrorë, në afërsi të qytetit mijavjeçar – Ulqinit. Kriporja e njohur për një shekull tani në Ballkan dhe më gjërë, është e vendosur në një pjesë të një lagune natyrale në Deltën e lumit Buena, jo larg kufirit malazezo-shqiptar. Gjatë periudhës së sajë të artë (1934-2013), Kriporja e Ulqinit ishte në kulmin e veprimtarisë së saj, ku në kohë të ndryshme punësoheshin qindra puntorë, dmth., një ndërmarrje me rëndësi ekonomike pra për një qytet të vogël, siç është Ulqini.
Në kulmin e saj të prodhimtarisë, në vitet 1960-ave, thuhet se Kriporja e Ulqinit furnizonte 60% të ish-Jugosllavisë me kripë. Por, Kriporja privatizohet në vitin 2005 nën rrethana që disa i quajnë si tepër të dyshimta dhe që nga viti 2013 në atë kripore, nuk prodhohet më kripë. Viti 2013, shënoi vitin që ndaloi prodhimi i kripës në Kriporen e Ulqinit dhe si rrjedhim, u pushuan nga puna të gjithë punonjësit e punësuar aty deri më atëherë. Mbetën pa punë, pra, shumë punëtorë vendas dhe Kriporja – dikur krenaria e Ulqinit – filloi degradimin e saj si përfundim i keqmenaxhimit. Ndërsa digat dhe makineritë kanë degraduar deri në atë pikë që jo vetëm jeta ekonomike e banorëve vendas është vështirsuar, por madje edhe jeta e zogjëve është rrezikuar – biodiversiteti – ku me qindra e mijëra shpendë, varësisht nga stina – shërben si mbarështrim, pushim dhe dimërim për qindra lloj zogjësh.
Megjithse Kriporja e Ulqinit është shpallur si një hapësirë e rëndësishme për zogjtë dhe shpendë të ndryshëm nga organizata “Bird Life International”, nën Konventën e Bernës – autoritetet e shtetit malazez duket se me vendimin për të shtetëzuar dhe për të mbyllur Kriporen njëherë e përgjithmonë, ia kanë dalë që ky objekt ekonomik i rëndësishëm për punësimin e banorëve vendas me shumicë shqiptare dhe si strehim për zogjtë e mbrojtur nga konventat ndërkombëtare – të mos ekzistoj më si një burim i fuqishëm ekonomik për banorët e asaj zone, kryesisht e banuar nga shqiptarë. Një krim i vërtetë, me miratimin e shtetit, sipas disa vendasve, i cili ka rrezikuar jetën e qindra puntorëve dhe familjeve të tyre.

Kriporja e Ulqinit
Kriporja e Ulqinit

Por një vendim i mrekullueshëm ky, nga pikëpamja e autoriteteve shtetërore, natyrisht -që me mbylljen e Kripores – të zhdukin njerzit vendas duke i detyruar ata të largohen, të zbrazin trojet e tyre shekullore për një mbijetesë në mërgim. Por me mbylljen e Kripores, prishet edhe ekosistemi në atë zonë, që po rrezikohet edhe ekzistenca e shumë llojeve të zogjëve që jetojnë ose frekuentojnë hapësirën e asaj zone.
Ulqinakët e dikurshëm citohen të kenë thënë për rëndësinë e Kripores, se pa bukë disi jetohet, por pa kripë, jo! Kështu pra, falimentimi dhe mbyllja/ shtetëzimi i Kripores së dikurshme të Ulqinit është kthyer në një tragjedi ekonomike për qindra vendas me shumicë shqiptare, që kanë punuar në atë kripore, ndërsa përbën edhe një rrezik të dukshëm për zogjtë dhe ekosistemin në përgjithsi. Por duket se mbrojtja e zogjëve dhe ekosistemit në atë Kripore ka tërhequr interesimin e ndërkombëtarëve, por jo edhe interesimin për fatin dhe mirëqenjen ekonomike të banorëve vendas për të cilët Kriporja e Ulqinit ishte, për shumë dekada, një burim i rëndësishëm punësimi e mbjetese ekonomike për bukën e gojës, për ta dhe familjet e tyre. Ekoturizmi nuk do të prodhojë kurrë qindra punësime për vendasit siç siguronte dikur Kriporja e Ulqinit.
Në biseda e sipër me vendasit, është shumë e vështirë të mësohet e vërteta e historisë tragjike të mbylljes së Kripores së Ulqinit dhe kush mund të kenë qenë aktorët e vërtetë të falimentimit të saj. Kriporja e Ulqinit sot e mbyllur, ndonëse e shtetëzuar – zyrtarisht është sot pronë e shtetit – ndërkohë që duket si një vend i bombarduar nga ajri. Askush nuk e di se si është arritur deri këtu, sepse Mali i Zi importon kripë nga jashtë me vlerë prej miliona eurosh/dollarësh, kur dihet se Kriporja e Ulqinit dikur furnizonte me kripë një përqindje dërmuese të popullsisë së ish-Jugosllavisë dhe më gjerë.
Kushështë përgjegjës për gjendjen e krijuar dhe pse? Autoritetet qendrore në Podgoricë? Po roli i autoriteteve vendore, cili është? Ndërkohë që përfaqësitë diplomatike në Podgoricë duket se janë më të interesuara për shpëtimin e biodiversitetit dhe zogjëve të malit se sa për miqëqenien ekonomike të banorëve vendas, të rrezikuar nga shtetëzimi i Kripores së mbyllur të Ulqinit. Dhe pyetja më kryesore që duhet të bëhet është se a do kishte pasur të njëjtin fat Kriporja e Ulqinit, po të kishte qenë në një pjesë tjetër të bregdetit të Malit të Zi, le të themi në Budve, Hercegnov, Kotorr ose Tivat???!!! Çdo gjë në lidhje me Kriporen e Ulqinit – përfshi masën më të fundit, shtetëzimin e kësaj prone/pasurie lokale – është bërë në rrethana të dyshimta dhe aspak transparente, shprehen ekspertët vendas.

Kriporja e Ulqinit si strehe e biodiversitetit e mbrojtur nga Oraganizatat ndërkombetare
Kriporja e Ulqinit si strehe e biodiversitetit e mbrojtur nga Oraganizatat ndërkombetare

A po falimentimi i saj dhe mbyllja eventuale e kësaj “parajse natyrore”, për njerzit dhe shpendët – në mungesë të së Vërtetës dhe të një shpjegimi zyrtar – është dhe mbetet një krim i shtetit të Malit të Zi kundër Ulqinit dhe banorëve të kësaj zone – për të cilin askush nuk flet – e shqiptarët jo se jo?! Po në sytë e ndërkombëtarëve, a nuk kanë rëndësi kompetencat e autoriteteve vendore në lidhje me vendime të tilla të rëndësishme për jetën dhe zhvillimin lokal të ekonomisë dhe burimeve natyrore? Po autoritetet e Komunës së Ulqinit me shumicë shqiptare – zyrtarët aktualë dhe autoritetet ulqinake në të kaluarën – e kanë ngritur ndonjëherë zërin në mbrojtje të burimeve ekonomike – siç është Kriporja e Ulqinit – të komunës me shumicë shqiptare që ata administrojnë? E kujt pronë është Kriporja e Ulqinit, e Komunës së Ulqinit, apo e shtetit të Malit të Zi?
Mali i Zi, si një vend anëtar i NATO-s dhe me aspiratë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, i ka borxh të Vërtetën e falimentimit të Kripores së Ulqinit, sidomos banorëve vendas por edhe ndërkombëtarëve, të cilët kanë treguar një interesim sipërfaqësor, ndonëse jo ndaj pasojave ekonomike për banorët e zonës – por për rrezikun ndaj zogjëve dhe biodiversitetit – që ka shkaktuar mbyllja dhe shkatërrimi i Kripores së famëshme të dikurshme të Ulqinit.
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.