back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Toponimia e Darsisë nga Muarrem Sharka

Gazeta

Darsia - Liqeni i Kasharajt (foto Luan Kotorri)
Darsia – Liqeni i Kasharajt (foto Luan Kotorri) 

Toponimia e Darsisë…

nga Muarrem Sharka

Mbi etimologjinë e toponimit Darsi-a
Të shprehesh për etimologjinë e emrit të një krahine pa vërejtur më pare se ç’toponime të tjera mbulohen në atë terren, puna bëhet më e vështirë. E shohim me vend dhe dobiprurëse, që zgjerimi i fushës së kërkimit, duke u mbështetur në dritën e mikrotoponimeve, hidronomisë, emrat e rrugëve, të vendbanimeve, arave, kodrave, etj., na ndihmon më shumë për të dhënë një mendim të drejtë në etimologjinë e toponimeve.
Në lidhje me toponimet E. Çabej sqaron se: Ka dhe emra, sidomos toponime, me kuptim të paditur si: Lura, Dajti, Erzeni, Darsia,Vjosa, Labëria, Çamëria e plot të tjera. Në vija të përgjithshme mund të thuhet se emrat sa më të reja të jenë, aq më të qarta paraqiten për nga ana e domethënies dhe e burimit të tyre; sa më të moçme të jenë, aq më të paqarta e më të errta janë…
Duke i parë të veçuar, këto toponime që numëron Çabej, natyrshëm që paraqesin vështirësi në qartësimin e origjinës së tyre. Mendoj se do ishte me vend që të bëjmë një ndarje, konkretisht kur përmendim Erzeni apo Vjosa, zgjidhja është e kufizuar vetëm rreth një toponimi, ndërsa në rastin e Lurës, Darsisë, Labërisë, Çamërisë, etj., që janë emra krahinash, problemi duhet parë ndryshe.
Të kihet parasysh se toponimet në përgjithësi, janë parë të veçuar, duke i krahasuar me fjalë të gjuhëve të tjera, janë parë në lidhje me ndryshime të karakterit fonetik e gramatikor, duke lënë mënjanë një vështrim të tyre në bashkësi e në marrëdhënie midis tyre.
Konkretisht, rrugën e hapur nga gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Çabej, në lidhje me etimologjinë e emrit Darsi, mund ta mbështesim më tej, nëse e shohim atë bashkë me toponime të tjera.

Eqerem Çabej (1908-1980)
Eqerem Çabej (1908-1980)

Sipas Çabejt: Një nga parimet që duhet të ketë parasysh etimologu, dhe që për gjuhën shqipe e ka theksuar dhe sqaruar Norbert Jokli, në disa raste është ky, që në shpjegimin historik të një fjale, para se ta krahasojmë atë me fjalë të gjuhëve të tjera, duhet ta vështrojmë njëherë se mos lidhet përbrenda gjuhës me ndonjë fjalë a me fjalë të tjera… Atëherë dhe interpretimi etimologjik i saj s’ka se si të mos jetë më i mire, duke qenë më real dhe i mbështetur mbi një bazë të shëndoshë.
Po për të parë një toponim në një marrëdhënie më të gjerë, nevojitet lënda. Këtu qëndron dhe problemi, se për një mendim të drejtë dhe një qasje bindëse, në rastin tone, toponimit Darsi, i nevojitet vargu i gjatë i toponimeve të gjithë zonës.
Etimologjia nga Çabej se Dars, nga një Dardhës, Dardhs me zhdukje të spirantit në një grup tri konsonatesh. E më tej: Aty sipas gjase, si një zgjerim kolektiv më -i, emri i krahinës Darsi-a në Shqipëri të Mesme, në qoftë se ka dale nga një Dardhsi; për kuptimin kolektiv të sufiksit -i Xhuvani-Çabej 47.
Megjithatë toponimia e një krahine jo domosdoshmërisht lidhet ne mënyrë të drejtpërdrejtë me emrin e saj. Hulumtimi i toponimeve ne një territor më të gjerë mund të japë një pamje më të plotë. Mund të shohim konfiguracionin e toponimeve dhe brenda një njësie, pra brenda territorit të një krahine, megjithëse kjo rruge jo gjithmonë është gjithpërfshirëse dhe ndriçon si duhet dritëhijet në çështje që janë unike ne rastin e tyre, pra që nuk mund të përgjithësohen.
Në mbështetje të variantit të dhënë nga Prof. Eqerem Çabej mbi etimologjinë e toponimit Darsia, mund të themi që kjo fjale përveçse jeton dhe si mikrotoponim, ka në dukje dhe një tendence drejt dendronomisë (emërtime nga drurët), e cila shfaqet në të gjithë zonën, në emra vendbanimesh, lagjesh, malesh (në fakt kodrash), grykash, etj.
Është e udhës të përmendim këtu emra fshatrash si: Dushk, Shegas, Mollas, Murriz, ndoshta dhe Xibrrake, Manasufaj e Gramsh; emra lagjesh si: Dardhas (Gjyshaj), “Lagja e Poshme” e “Lagja e Cipme” që thirren ndryshe edhe “Dardha e Kuqe” e “Dardha e Zeze”, (Matjan), “Lagja e Qarrit” (Karbunarë e Vogël); emra malesh e kodrash si “Mali i Dardhas” (Gjyshaj), “Kodra e Ferrës” (Matjan), “Sopi i Qarrit” (Çelhakaj), “Sopi i Drizës” (Karbunarë e Vogël); një varg i gjatë toponimesh e mikrotoponimesh si “Gryka e Blinave”, “Fusha e Frashnit”, “Gryka e Fikut” (Gramsh), “Gryka e Hisllit”, “Ullijtë e Gjatës”, “Ullijt e Shumtë”, “Shkoza e Zezë”, “Thonat e Shpeshta” (Çelhakaj), “Mollas”, “Gryka e Larushkut”, “Shkoza e Matjanëve”, “Shkoza e Gështenjës”, “Shpati i Dardhës Zezë”, “Gryka e Blinit”, “Shpati i Lithatës” (Matjan), “Linorja”, “Fiku i Paleut”, “Bathorja”, “Baça e Çaponëve”, (Vashaj), “Qarri veç”, “Meli i Sinapit” (Shegas), “Dardha e Zezë”, “Gryka e Dërdhockës”, “Shpati i Mollës” “Blinishta”, “Shkoza”, (Garunjas), “Dardha Lbores”, “Qafa e Lbores”, “Shkëmbi i Lbores” (lbore – emër dardhe, ndoshta dardhë elbore, që piqet në një kohë me elbin), (Hajdaraj), “Shkoza e Gjinalit” (por dhe gjinarit), “Shkoza e Sharkës”, “Frashnët”, “Tranafilas”, “Dardha e Bardhë”, “Qarrishta”, “Vau i Vidhit”, “Gorica Vgjethit”, “Dardha e Mokut”, (shqiptohet edhe dardamoku), “Dardha Shytë”, (Ballagat); e kështu me radhë një varg i gjatë toponimesh të kësaj natyre, të cilat nuk po i rendisim të gjitha këtu.

Darsia - Fshati Matjan
Darsia – Fshati Matjan

Prania e një konfiguracioni të tillë toponimesh dhe mikrotoponimesh, mbështetur në emra bimësh e drurësh, nuk është se justifikon plotësisht mundësinë e emërtimit të zonës Darsi-a, nga “Dardhë”, “Vend dardhash”, por duke parë logjikën fonetike të ndjekur nga Prof. Eqerem Çabej, si dhe shfaqjen në masë të toponimeve dhe të mikrotoponimeve, aq sa mund ta quajmë një fenomen, mendoj se kjo etimologji duhet pranuar si e tillë.
Mund të sjellim raste të ngjashme, ku emri i një bime shërben për të emërtuar një vend, pra ka kaluar në funksionin e një mikrotoponimi: dardhas, mollas, përcëllimas (nga një lloj bime e quajtur përce), tranafilas, lqinjas, shegas, shpardhas (lloj bime e quajtur shpardhë); dhe më tej fjalë që lidhen me karakteristikat e terrenit apo veçori të tjera si: rremas, shalcas guras, burgjas, vështallas, shemas, kuqas, fushas, toshas, etj.
Në planin tjetër, për ta parë më gjerë këtë ecuri fonetike, duke e krahasuar me fjalë të tjera që ligjërojnë këtë dukuri, na duhet të shohim raste të ngjashme. Problemi që e kufizon këtë etimologji, është se forma të tilla të ngjashme, të një shumësi në -i (thanas, thanas-i; dushk, dushkës-i, etj.) mungojnë ose janë shumë të rralla. Një rast që mund ta marrim si të tillë (gjithmonë nëse kjo etimologji qëndron) lidhet me toponimin “Gryka e Verrisë”, “Verria”, ku verr – lloj plepi i bardhë, në shumës verr-i~verri~verria. Këtë fjalë e shqyrton edhe Çabej në librin “Në botën e arbëreshëve të Italisë”, verr, verrë, verri, (lloj plepi, plep i bardhë).
Jo për të anashkaluar çështjen e mësipërme, por është e njohur ndër gjuhëtarë marrëdhënia mes teorive dhe fakteve gjuhësore, dhe shihet më e suksesshme rruga nga faktet gjuhësore, nga studimi i tyre në tërësi e në mënyrë shteruese, dhe duke kaluar nga përshkrimi filologjik në interpretimin historik të tyre, arrihet në përgjithësime teorike më të shëndosha sesa kur rrihet udha e përkundërt, kur zbritet nga disa teori në faktet gjuhësore.
Për më tej duhet shtuar që përveç toponimit të zonës, Darsia, kjo fjalë na del dhe si mikrotoponim në formën Darsias, ke Darsias, Arat e Darsias (në fshatin Gjuzaj). Prania e një mikrotoponimi me përbërje fonetike të njëjtë, brenda territorit të zonës, na shtyn të mendojmë që edhe nëse nuk është ky mikrotoponim burimi i emrit të kësaj krahine, duket i pamohueshëm fakti që funksioni emërtuesi tij lidhet me një tendencë a veçori që vepron në të gjithë zonën në fjalë.
Në funksionin e toponimit, kjo fjalë shfaqet dhe në vise të tjera. Të tilla kemi: Dardha, fshat në rrethin e Korçës, në anën jugore të malit të Moravës; Dardha, fshat në rrethin e Librazhdit, që përmendet në regjistrat osmanë të vitit 1467 me emrin “Dardan”; po ashtu Dardha, fshat në rrethin e Pukës, në rrëzë të malit të Korabit, i përmendur si vendbanim që në shekullin e XV; Darsi, fshat në rrethin e Matit, përmendet që në shekullin e XV në trajtën Dardas dhe në pjesën perëndimore në kufi me Xibrin, ndodhet kalaja ilire e shek. të IV p.e.r; Darzeza, fshat në rrethin e Gramshit, në bregun e majtë të Devollit, njihet me këtë emër që në fund të shekullit të XVII, më parë quhej Dardhë e zezë; njëkohësisht Darsia, zonë kodrinore midis fushës së Myzeqesë në perëndim e në jug, dhe pllajën e Dumresë në lindje.
Duke rimarrë dhe njëherë atë që thamë më lart, tendencën e toponimeve të zonës drejt një fenomeni që mund ta quajmë dendronomi, pra emërtimi i vendeve nisur nga emrat e bimëve; praninë e një mikrotoponimi darsias, që shkon në të njëjtën rrugë me emrin e zonës, toponimin verri-a, parë në këndvështrimin tonë si një shumës i verr (plep i bardhë): verri; toponimi Darsi, Darsia, me një shpërngulje të theksit (aksentit) inicial, në theksin parafundor, mendoj se i jep një mbështetje etimologjisë së gjuhëtarit tonë të madh Eqerem Çabej, dhe pse jo, pa “nëqoftëse…”.

Drejtuesit e "Orës së Fjalës" - Sallaku, Hajdari, Greca
Shpend Sollaku, me djemte e Darsise Hajdari e Greca

Duke e parë këtë problem më gjerë, pra dhe në rastin e krahinave të tjera të përmendura më lartë ose jo, besoj se një fakt është i qartë, që studimi sistematik i toponimeve në Shqipëri do të sillte dritë dhe fakte të reja, në ndihmë të një gjykimi objektiv mbi origjinën e toponimeve në trojet shqiptare. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu gjuhëtarin tonë të madh E. Çabej, i cili duke shqyrtuar qëndrimet e studiuesve të huaj, del në përfundimin se shumë deduksione të tyre,e në veçanti argumenti i G. Vajgandit për mbizotërimin e toponimeve sllave në trojet shqiptare, do të jetë e nevojshme të rishikohen, po të kemi përpara një listë të toponimeve e mikrotoponimeve nga gjithë territori ku jetojnë shqiptarët. Duke shmangur metodat selektive në mbështetje të qëndrimeve të ndërtuara mbi baza teorike,dhe gjykimeve nisur nga harta, mund të jemi më të plotë e të drejtë, kur nisemi nga mozaiku i plotë i vend emërtimeve, pa shmangur asnjë prej tyre. Nëse ne nuk do të kemi një studim tërësor të lëndës toponimike, kuptohet natyrshëm që debatet në këtë lëmë do të jenë të pambështetura dhe në kufijtë subjektivitetit.
25 korrik 2014
gazetadielli.com/toponimia-e-darsise

Shenim Haki Murati, Xibrake
Jam plotësisht dakord me analizën e mësipërme në lidhje me toponimet, por unë do të shtoja se në zonën e Darsisë dhe në fshatin Xibrrakë e rreth tij ekzistojnë emërtime të tilla të cilat e përforcojnë më tej idenë e Toponimisë së Darsisë, pasi vetëm në fshatin Xibrakë ka të paktën mbi 10 emërtime me përkufizim ‘dardhvn’, por krahas këtyre ekzistojnë edhe toponime të tilla si “Gryka e Markut”, “Kodra e Palit” (Palaringa), “Zhuri i Mihalit”, “Kodra e Gjineshtres”, “Ullit e Kadones”, “Zabeli i Dardhës”, ke “Dardha e Butë”, “Përcëllima”, “Çarja”, “Burimi i Kroit”, “Dardha Kuqe”, toponime të cilat janë karakteristikë e zonës tonë, e quajtur ndryshe Zona e Darsisë por, që sipas emërtimeve edhe më të vjetra si “Kodra e Palit”ose Palaringa, tregojnë lashtësinë e jetës në këtë zonë, sa që edhe gjyshërit tonë me këto emra i kanë njohur…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.