back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Të jetosh i përjashtuar… nga Adriana Dine

Gazeta

Adriana Dine
Adriana Dine

Të jetosh i përjashtuar…

nga Adriana Dine

Një nga ngjarjet më të dhimbshme të jetës sime, ndoshta ngjarje e cila ndryshoi shumçka brenda meje qe përjashtimi nga gjimnazi.
Mund të them pa droje se ajo qe tronditja e parë dhe e madhe që mora në jetën time. Sa herë e mendoj kët ngjarje, kur ende si kisha mbushë të pesëmbëdhjetat, gjë që ajo kohë me gjithë grushtat që më dha, më la të kuptoj se përjashtimi ishte pjesë e jetës së gjithsecilit prej nesh, por në të njejtën kohë ajo më forcoi si njeri… Unë s’kam urrejtje për askënd në qenien time, përkundrazi jam sa e ndjeshme po aq edhe e forte ndaj gjithçkaje… S’kam menduar kurrë se prindët e mi qenë të fajshëm për jetën time… Ata vetë paguan mjaft me jetën e tyre për idetë dhe pozitën shoqërore, dhe ajo pagesë qe shumë e shtrenjtë, shumë e gjatë dhe shumë torturuese… Mendo vuajtjen e tyre kur shihnin fëmijët e tyre të penguar në çdo hap të jetës me gjithë vlerat e tyre… Ne, si pasaardhësit e tyre s’e patëm të lehtë të mbijetonim, edhe pse si fëmijë ishim të pafajshëm.
Jo, s’është e paktë ajo që pësuam…
Kur je akoma një fëmijë i brishte, të rritesh çdo ditë me mendimin se në mos sot, nesër mund të ndodhë të arrestojnë prindin tënd, ky ankth bëhet nji traumë pothuaj e pariparueshme.
Në këtë rast flas për babën tim të dashur…
Ai ishte gjithçka për ne… Jo vetëm që ishte i vetmi që na siguronte bukën e gojës, mbasi mama jonë shpesh vuante nga tensioni e mushkëritë… Unë, si vajzë e vetme, frikesha shumë për arrestimin e tij, dhe s’mund ta imagjinoja jetën pa praninë e tij. Dhimbja që ndjeja kur ai nisej çdo mëngjes herët për në punë ishte e madhe, po aq e madhe duhet të ketë qenë frika që më shtynte të mendoja: “A thua do të kthehet në darkë përsëri baba im?” Mbasi shumë fëmijë të kampeve një mbrëmje uleshin të hanin darkë pa prindët e tyre. Ishte diçka e paimagjinueshme për mua ideja e moskthimit të tij… Dhe kam nji pafundësi ditësh në jetën time, që dilja atje në rrugë dhe shihja deri larg të më shfaqesh ajo koka e tij e bardhë mbi biçikletë… dhe shpirti im fluturonte prej gëzimit…
Sa herë filloj të shkruaj diçka, më vijnë në mendje mijra vogëlsira, dhe midis tyreka mjaft nga ato që ende më lëndojnë shumë, aq sa s’mund t’i harroj kurrë.
E përsëris, që si fëmijë jam rritur në at Savrën e ndarë më dysh, ku gjysma qe kampi i të internuarve me shtatë barakat e famshme dhe gjysma tjetër në shtëpitë prej guri e tulle të të lirëve. Ishin të dhimbëshme nofkat që përdornin ndaj nesh pjesa e lirë e kampit si fjala vjen: kulakë, armiq, tërrnuar, ballistë, zogistë, caristë, fashistë, shumica e të cilave ne si fëmijë as i kuptonim, dhe as e kishim ide se çdo të thonin…
Shpesh herë në shkollë, më kujtohet aty nga fundi i 8-vjeçares, na nxirrnin nga klasa duke na thënë: Armiqtë përjashta, se kemi mbledhje rinie…! dhe shumë e shumë raste të tilla prekëse që kalova jo vetëm unë po shumë të tjerë si unë…

Gjimnazi i Lushnjes
Gjimnazi i Lushnjes

Tani dua të ndalem pak më gjtaë te tronditja e parë e jetës sime…
Nuk më kujtohet mirë, por më duket se një vit përpara se të mbaroja klasën e tetë, qe ndaluar që ne fëmijët e të internuarve të vazhdonim gjimnazin… Po e mbaj mend shumë mirë që baba im, luftoi mjaft, dhe si përfundim na lejuan pak vetëve që ta vazhdonim at vit gjimnazin.
Meqë shpresa vdes e fundit, prindët tanë të gjorë vazhdonin të kishin shpresë se kohët nji ditë do të ndryshonin, dhe se një shkollë të mesme duhej bërë patjetër, që të mos mbeteshim injorante, ashtu siç synonte pushteti komunist, që edhe nëse vinte ajo ditë të na gjente të papërgatitur, pra të mos kishim as mundësinë e integrimit normal në jetë…
Një vit më parë, e kishin përjashtuar pa motive edhe vëllanë tim të madh, nga po e njejta shkollë, dhe po at vit edhe babën e kishin hequr nga sektori i investimeve edhe pse në prag të pensionit i duhej të punonte në bujqësi…
Kështu me mjaft entuziazëm e nisa at vit Gjimnazin në qytetin e Lushnjes. Vërtet qe nji sakrificë, sepse ishin pothuaj dhjetë kilometra në kambë çdo ditë… por ëndrra ime që të kisha shkollën e mesme ma bënte më të lehtë…
Nuk kishin kaluar veçse pak muaj, kur nji ditë shoqja ime e bankës, Silva M., mbesë e nji kryeministri dhe personaliteti me emër në histori më kish sjellë në klasë disa fotografi revistash të huaja veshjesh… dhe disa të afërm të saj në Itali… Si vajza të reja që ishim, me dëshirë flisnim me njera tjetrën, kishim edhe mjaft kuriozitet për jetën, për muzikën, për filmat e për librat. Shoqja ime e kishte gruan e xhaxhait italiane… pra fotot që kish sjellë ishin familjare, foto të nipit dhe mbesës së saj nga Italia, e bashkë me fotot kish sjellë edhe disa fletë revistash me modele veshjesh dhe artistesh.
Ishim në një nga orët e pushimit kur ne të dyja me njëra tjetrën ishim duke i parë fotot dhe duke folur me njëra tjetrën, kur njëri prej djemve të klasës, një i quajtur B. B., na afrohet tinzisht dhe na i rrëmbeu ato nga dora dhe menjëherë na futi në politikë, duke na bërë edhe presion. “Ju na paskemi sjellë edhe shfaqje të huaja në shkollë… Po ju vini këtu për të na treguar se ç’bëhet në botën kapitaliste… Pse nuk ju mjafton që vini nga interrnimi dhe në vend që të ulni kokën dhe të rrini urtë…
Ai këmbënguli në të vetën, edhe pse ne u përpoqëm t’i shpjegojmë se nuk ishin gjë tjetër veçse fotot e njerzve të Silvës…  Ai i çoi fotot në drejtorinë e shkollës…
Mbas një kohe të gjatë heshtjeje, kur mendonim se tashmë qe harruar kjo punë, nga fundi i vitit shkollor, papritmas mblidhet organizata e rinisë së klasës, (ne s’ishim në rini!!!, atë ditë për çudi na thanë se do të merrni pjesë edhe ju!!!). As e kishim idenë se për çfarë mund të bëhej fjalë…
Mbasi e kish shqyrtuar organizata e Partisë së Shkollës, bashkë me atë të Rinisë së klasës, kishin vendosur bashkarisht që “…të dyja ‘armiket’ që kishin sjellë modën dhe shfaqjet e huaja në shkollë, së pari do të ndëshkoheshin me një Fletë-rrufe mes të shkollës… dhe së dyti përjashtoheshim për mos t’u kthyer më në atë shkollë…
Gjatë gjithë kohës vetëm qamë… sepse ndjeheshim dy vajza të pafajshme, as kishim folur me kënd veç me njëra tjetrën, dhe as i kishim thënë kujt gjë… Nuk na lanë as të mbroheshim, as të tregonim të vërtetën… mbasi ajo lukuni ujqish po na gjykonte aq ashpër… dhe i vetmi krim, ishin ato foto familjare të shoqes time, dhe disa fletë të shkëputura me veshje nga revistat. Ajo çka më habiste më shumë ishte fakti se si mjaft prej shokëve të klasës, që s’ishin më shumë se 15 vjeçarë, flisnin me nji gjuhë të ashpër e të drynjtë ndaj nesh… Kjo ngjarje e vitit 1974-75, qe edhe fundi i shkollës për ne të dyja.
Prej aty mori rrokullimën edhe jeta jonë.
Nuk mund të them për mirë a për keq… por di të them se morën fund ëndrrat dhe iluzionet tona për të qenë të shkolluara dhe për pasur edhe nji fat më ndryshe… Dukej sikur ky kish qenë fati ynë… tani duhej t’i mbijetonim atij fati të trishtë që na erdhi papritmas duke e bërë të plotë përjashtimin tonë….
Qe nji ngjarje mjaft e dhimbeshme… sepse për ne jeta posa kishte filluar, në të vërtetë çdo gjë kish marrë fund…
E rrëfeva këtë të vërtetë të jetës sime sepse e di që me këtë shkrim identifikohem me të gjithë ata fëmijët e dikurshëm, që ashtu si unë përjetuan mbi shpinë fatin e prindërve të tyre, fëmijë që u përbuzën me gjithfarë emrash e nofkash poshtëruese, fëmijë që pamë dhe që hoqëm shumë të zeza nën atë regjim të mallkuar, për të cilin sot ndokush ndjen edhe nostalgji.
Sot shumë prej nesh janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës, dhe shumë prej nesh janë përpjekur të realizojnë at rininë e humbur… jam e bindur se prapë jemi të fortë, pse secili prej nesh punon me djersë dhe mundohet ta bëjë jetën e tij dhe jetën e fëmijeve të vet sa më mirë që të jetë e mundur.
Ndjehem krenare për veten dhe për secilin prej atyre që patën të njejtin fat me mua.
Vendi jonë edhe pse hoqëm shumë e shumë të këqia na dha edhe gjëra të pozitive, ato gëzimet e vogla njerzore që e bëjnë jetën e bukur, ato miqsitë e shoqëritë që sot është vështirë t’i gjesh, ata njerëz të mrekullueshëm që rrallohen përditë dhe që s’mundesh as t’i gjesh e as t’i zëvendësosh me gjithë të mirat e botës…
nëntor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.