back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Studenti Agjent – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Studenti Agjent

nga Muçi Xhepa

Në sallë s’e lanë babanë t’më shoqërojë, – fshin sytë, – nënën nuk e morëm, është e ndjeshme, s’do ta mbante veten. Dhe, unë pas saj – do turpërohesha. “Zemrën e ke të butë, ke ngjarë nga unë. I pashëm, si yt atë”, eh, nënë ta shihje si u ligështua, lotët e tij m’u bënë të rëndë. S’i mbajta dot. Ndarja pas një jete të lidhur ngushtë emocionalisht të pikëllon. Ëmbëlsia e kujtimeve ta thellon… dashurinë, dhimbjen.
Avioni vazhdon të ngrihet që pa zbardhur. Hap mbulesën e kauçuktë. Pak drita si të mekura dallohen përreth godinës së vogël të aeroportit. Rinasin e kisha ëndërruar ndryshe. “Shkon për të studiuar, të zgjerosh dijet. Gjuhën frënge. Krahasimet lëri mënjanë. Të ngatërrojnë dhe bie në prehrin…” Më këshilluan te ministria e jashtme.
Jam nga qyteti që ka lidhje të hershme me Francën. Di mjaft rreth vendit. Mërgimtarët e para 44-ës. “Do të të afrohen. Tregohu i dashur. Dhe, si do të veprosh të mëson i ngarkuari në ambasadë”. Punonjësi gri te ministria e brendshme ishte i prerë. U drithërova. Po shkoj për të mësuar. Shkollë, bibliotekë e asgjëkundi. “Ore të kemi zgjedhur se je familje e dedikuar, besnike. Babanë ta njeh vetë udhëheqësi. Ja këtu ke dokumentin, betimin se do t’i shërbesh atdheut. Organit”. M’u errën sytë. Avull i nxehtë më përshkoi të tërin. “Përse u skuqe. Prush. Këtë ta kesh detyrë parësore. Të tjerë presin pas derës të venë”. Oh, Perëndi. Një firmë. E pastaj… Të lidhin.

***
-Mos më harro!
Ia mora kokën në duar. Me gishtërinj fillova t’i prek vetullat e harkuara, mollëzat e ngritura, hundën e drejtë, buzët e mbushura që digjeshin…
-Ç’po bën?
-Do të t’i marr me vete.
Vuri kokën pranë zemrës.
-Këtu më fshih!
Dhe, më puthi duke më njomur me lot të nxehtë.

***
Avioni fluturon mbi Paris. Presim të ulemi në “Aéroport de Paris-Charles-de-Gaulle”. Nga dritarja e vogël, nën driçimin vezullues të diellit, shfaqet kryeqyteti francez. Gjigant, them me vete dhe zemra nis t’më rrahë fort. Kërkon të shpërthejë kraharorin dhe të zbresë e para. Piloti lajmëron, “…po ulemi në aeroportin më të madh ndërkombëtar në Francë. Është hapur në vitin 1974. 23 kilometra në verilindje të Parisit. Emëruar sipas burrit të shtetit të Luftës së Dytë Botërore, Charles de Gaulle”. Te kontrolli i pasaportave më bëhet sikur më shohin të tërë. Kostumin e bëra të ri, terital të shtrenjtë, gri në bojë qielli. E zgjodhi mamaja, “…të shkon me sytë”. Valixhen ma solli dhuratë tetoja, e kish siguruar me të lutura shitësen e mapos, fqinjë e saj. Lëkurë bezhë me zinxhir, e modës. Këpucët i bëra me porosi, lëkurë kafe.
-Mund të shkoni përpara.
-Faleminderit! Ju lutem, shkoni ju!
Vazhdon t’më buzëqeshë. Përse më duket…
-Jeni mjaft i mirësjellshëm. Faleminderit!
Ka diçka të ëmbël. Sytë. Buzëqeshjen.
-Nga vini?
Eh, për dreq, sa vura këmbët. “Qëndroju larg vajzave…” porosia e veçantë e punonjësit gri.
-Albania.
-Prisja tjetër gjë. Nordik.
-Radha juaj.

***
Këtij i nxin fytyra.
-E njihnit vajzën?
-Jo, në radhë më foli.
-M’u bë se të kish kapur prej dore.
-Kërkoi të shkonim te bari, të merrnim diçka e të njihej me vendin tonë.
-Ti je djalë i pashëm, oferta të tilla do të keshë plot. Nga sot do të punojmë bashkë, bashkëpunëtor. Më kupton. Ka vajza të bukura nga familjet që janë arratisur. Armiq. Atje duhet të gjuash. Jemi në shërbim të atdheut. Do të kemi plot kohë për këtë, tani shkojmë në ambasadë e hamë drekë. Pasdite do të shpie në Sorbonë, universitet.

***
Sorbona, universiteti i Parisit, ëndrra ime. Në mësime po shkëlqej. Viti i dytë ka nisur edhe më i bukur. Punonjësi gri i ambasadës më është larguar. Babai foli me lart dhe i bindi se djali nuk është për punë… Zbulimi. Kështu vizitat në ambasadë i kam rralluar. Sot provimin e gramatikës e kalova lehtë. Ndihmova edhe Koletën, bukuroshen e kursit. E lakmojnë të tërë. Por, ajo… kemi kaluar çaste intime. Fshehurazi. I pëlqen të mos e mësojnë të tjerët. Mua të jem larg syrit gri.
-Kam dëshirë të të ftoj për drekë. Restoranti “Aux Trois Mailletz”.
Jemi tek oborri i shkollës. Pas provimit. Heshtjen e merr për po.
-Në katin e poshtëm të pres. Ke qenë më parë?
Çfarë t’i them. Se paratë s’më dalin për libra.
-Është si shpellë. Me qirinj në tavan. Fantastike.
Fjala shpellë më ngroh. Më mbron nga syri… vigjilent. Frenon frikën që më bën të parashikoj ngjarje të tmerrshme.
-Merr taksi.

***
Ku jam. Sa kohë. Ç’është ky shtrat. Dhomë. Perëndi ç’ka ndodhur me mua.
-Mos u tremb, jemi larg.
Koleta. Me këmishë nate. Kokën e kam të rënduar.
-Si gjendemi këtu?
-Nuk të sheh kush. Jemi në Bruksel. Hotel.
-Je çmendur. Ku janë teshat e mia?
-Ja t’i sjell unë. Por, qetësohu.
-Më thuaj se po luan. S’janë të vërteta këto.
-Pas pak do të vij një njeri i rëndësishëm. Ai që na ka prurë këtu. Unë do t’ju lë vetëm. Tregohu i zgjuar, ashtu siç të njoh. Mos i thuaj jo propozimit. Do të kemi kohë të të shpjegoj si erdhëm.

***
-Më rrëmbyen. Koleta më vuri në gjumë me pijen. Verës i kishte hedhur…
-Vazhdo.
-Më kërkoi të jem agjent i fjetur, që do të aktivizohesha, ndërmerrja mision… kur Shqipëria të bëhej e lirë. Unë nuk pranova…
-Spiun francez. Si t’u prezantua?
-Zyrtar i (Direction générale de la Sécurité extérieure, DGSE).
Punonjësi gri i ambasadës kërcen nga vendi. Afron fytyrën e me zë kërcënues më urdhëron të mos i tregoj askujt.
-Nesër do të nisemi për Shqipëri. Atje do ta thuash të tërën.

***
Në atdhe pasi më pyesin me ditë të tëra, disa herë të njëjtën gjë, më lënë të lirë, me kusht që të mos e hap gojën. Një kohë të gjatë mbetem edhe pa punë. Në familje mendojnë se Parisi më ka sëmurë.
Atdheu flak tej prangat. Kokëvarur shkoj në ambasadën franceze të kërkoj të vazhdoj ëndrrën e lënë në mes. Te paradhoma e konsullit, njerëzit i pret ish punonjësi gri i ambasadës sonë.
-Je i vonuar. I nisëm kërkesat e këtij viti.
E thotë duke qeshur. Shprehja e fytyrës nënkupton të kundërtën. Efektin humoristik. Ironinë.

Marrë nga muri i FB Muçi Xhepa, 23 gusht 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.