back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Skënderbeu në Historiografinë Turke nga – Dr. Eduart Caka

Gazeta

Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Gjergj Kastrioti (1405-1468)

Skënderbeu në Historiografinë Turke

nga Dr. Eduart Caka

Akademia e Studimeve Albanologjike

Abstrakt

Sot ekziston një korpus i madh botimesh mbi figurën dhe veprën e Skënderbeut, kolana e të cilit pasurohet dita ditës me botimin e artikujve, dokumenteve e studimeve te reja që hedhin dritë gjithnjë e më shumë për këtë periudhë kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Sigurisht që historiografia skënderbegiane do të ishte e mangët pa kontributin e studiuesve dhe ekoleve të huaja, të cilat i kanë shtuar vazhdimisht dimensione, analiza e këndvështrime të reja studimit të Skënderbeut. Nga kjo pikëpamje, njëra ndër shkollat e cila ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në ndriçimin e kësaj periudhe është edhe historiografia turke.

Eduart Caka
Eduart Caka
Hyrje

Në vetvete, historiografia turke ka patur problematikat e saj si në aspektin ideologjik e politik, ashtu edhe në raportin me trashëgiminë osmane. Kjo, lidhet me faktin se në vitet ’30 të shekullit të kaluar ky vend ndërmori disa reforma rrënjësore – të cilat, në historiografinë turke janë cilësuar si revolucione – që prekën kulturën, gjuhën, politikën, ekonominë por edhe trajtimin e më pas shkrimin e historisë. 1] Megjithatë, ky element u përket historianëve turq dhe është jashtë objektit të këtij artikulli. Ajo çka na intereson ne ka të bëjë me evidentimin e mënyrës se si është trajtuar figura dhe aktiviteti i Skënderbeut në historiografinë turke duke u përqendruar kryesisht në shek. XX.
Shteti modem turk trashëgoi arkivat e Perandorisë Osmane, një pasuri e madhe kjo, jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha kombet që kishin qenë pjesë e saj për shekuj me radhë. Për më tepër, burimet arkivore i shërbenin edhe ndriçimit të historisë së gjeografive të tjera që nuk kishin qenë pjesë e shtetit osman. Kjo për faktin se osmanët patën marrëdhënie diplomatike me shumë vende të Europës e Mesdheut, të Afrikës e Azisë së Largët. Parë nga ky këndvështrim, dokumentacioni osman që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit2] turk paraqet rëndësi të veçantë thuajse për të gjithë historianët që merren me historinë e Kohës së Re.
Me ngritjen e instilucioneve arkivore dhe nisjen e klasifikimit të dokumentacionit osman do të dilnin në dritë edhe botimet e para të studiuesve turq përperiudhën osmane. Emra si İsmail Hakki Uzunçarsılı, İsmail Hamı Danismend, M. Tayyip Gökbilgin, Ömer Lütfı Barkan, Halil İnalcık por edhe emra të tjerë të cilët u përkasin dekadave të mëvonshme realizuan botimet dhe studimet e para shkencore me karakter historiografik duke u bazuar në arkivat osmane.3] Sigurisht që në brendësinë e këtyre studimeve do të vërejmë edhe të dhënat e para mbi hapësirën shqiptare nën sundimin osman dhe, informacionet e arkivave osmane mbi figurën e Skënderbeut. Në këtë aspekt, këtu do të mundohemi të paraqesim disa prej autorëve më të rëndësishëm turq të cilët e kanë trajtuar në studimet e tyre Skënderbeun duke kontribuuar kështu në zhvillimin dhe zgjerimin e literaturës skënderbegiane.
a.Trajtimi i figurës së Skënderbeut në librat e historisë osmane
Në vitin 1941 Instituti i Historisë së Turqisë botoi veprën voluminoze Osmanly Tarihi (Historia Osmane) të historianit Uzunçarshili (Uzunçarsili), libër i çili ende sot përdoret nga studiuesit turq dhe të huaj. Ndryshe nga Danishmend4] i cili paraqet në mënyrë kronologjike ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan historinë osmane, Uzunçarshili është më metodologjik dhe i detajuar në paraqitjen e historisë së shtetit të dinastisë osmane. Pikërisht në vëllimin e parë të kësaj vepre autori na jep të dhëna të rëndësishme lidhur me situatën paraosmane të zonave të Rumelisë dhe vendosjen e sundimit osman në këto territore. Veç të tjerash, Uzunçarshili në këtë vëllim përshkruan edhe situatën e hapësirës osmane në prag të pushtimit prej osmanëve bashkë me mësymjet e para të ushtrive turke drejt kësaj gjeografie.5] Në një nënndarje tjetër ai trajton disa prej familjeve të fisnikërisë shqiptare të periudhës në fjalë duke përmendur Balshajt, Dukagjinët, Muzakët, Shpatajt, Zenebishët, Topiajt, Arianitët e Zahariajt.6] Ndërsa familjes së Kastriotëve ai u kushton një nënndarje më vete.7] Sipas Uzunçarshili, dy familjet që spikasin në hapësirën shqiptare gjatë kësaj periudhe janë ato të Balshajve dhe Kastriotëve.8]
Uzunçarshili i kushton një pjesë të veçantë edhe figurës së Skënderbeut. Sipas tij, Gjergji kishte lindur mes viteve 1403-1404 dhe në moshën tetëmbëdhjetë-nëntëmbëdhjetë vjeçare ishte marrë pranë sarajit duke i dhënë emrin Skënder.9] Ai kishte qenë një djalosh trim dhe i aftë duke u shquar në radhët e ushtrisë osmane gjatë pushtimeve që ajo kishte kryer si në anët e Anadollit ashtu edhe në ato të Rumelisë. Uzunçarshili nuk e thotë moshën në të cilën kishte qenë Skënderbeu kur ishte marrë nga osmanët porse ai thekson se Gjergji kishte qenë i aftë të mendonte dhe gjykonte me logjikë të shëndoshë.10] Fakti që përmendëm dhe të qenit trashëgimtar i një sundimtari kishin qenë faktorë ndikues që Skënderbeu të mbante lidhjet me vendlindjen dhe të gjuante rastin e volitshëm për t’u kthyer pranë territoreve të tij.11]
Përgatitja për botim në vitin 1954 e “Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid” prej Halil İnalcik i kaloi në një nivel tjetër studimet osmane duke nxjerrë në pah edhe rëndësinë e historiografisë turke në ndriçimin e historisë së shtetit osman. Vepra në fjalë solli një qasje të re në studimet e defterologjisë duke u hapur rrugën përkthimit dhe botimit të defterëve osmanë në shumë vende të Ballkanit e më gjerë të cilët, metodologjikisht ndoqën punën e kryer prej İnalciku.12] Për rrjedhojë, zhvillimi i defterologjisë u bë pikënisje që studiues nga e gjithë bota të fokusohen mbi historinë ekonomike, ushtarake, demografike e shoqërore të Perandorisë Osmane. Elementi që na tërheq vëmendjen në këtë pikë lidhet me faktin se defteri kadastral i përgatitur nga İnalcik, jo vetëm që ishte më i hershmi në të gjithë hapësirën osmane por, ky regjistër u përkiste hapësirave shqiptare. Ajo çka paraqet edhe më shumë rëndësi në këtë defter konsiston në faktin se tre shënime të tij bëjnë fjalë pikërisht për vetë Skënderbeun.13]
b. Punimet e historiografisë turke mbi figurën e Skënderbeut
Sigurisht që kur përmendet historiografia turke, emri i parë që të vjen në mendje është ai i historianit të njohur Halil İnalcik. Vetë ai i kushtoi studime, artikuj e kumtesa çështjeve të rëndësishme lidhur ine vendosjen e osmanëve në Ballkan, dinastive e mbretërive vendase, çështjeve ushtarake e politike dhe marrëdhënieve të osmanëve me fuqitë e tjera të mëdha me të cilat përplasej në këtë rajon. Në studimet e tij, İnalcik u ndal shumë edhe në hapësirën shqiptare duke trajtuar çështje të rëndësishme si vendosja e sundimit osman në këto territore, vendosjen e sistemit të timarit dhe, figura e Skënderbeut.14] Trajtimi i Shqipërisë në studimet e İnalcik-ut jo vetëm që pati rëndësi se përmes tij historia e Shqipërisë së periudhës osmane u bë e njohur për shumë studiues por, ai gjithashtu ndikoi që edhe studiues të tjerë të fokusoheshin në studime që kishin lidhje me këtë hapësirë.
Botimi i defterit të sanxhakut të Arvanidit e bëri İnalcik-un në njëfarë mënyre specialistin më të madh të hapësirave shqiptare nën sundimin osman. Këtë e vërejmë edhe nga punimet që iu ngarkuan atij nga projekte serioze ndërkombëtare mbi fushën e historisë. Kështu, pjesët për Shqipërinë nën sundimin osman dhe atë për Skënderbeun në “Encyclopedia of İslam” që botohet nga shtëpia botuese prestigjioze “Brill” iu besuan atij.15] Po ashtu, İnalcik do të përgatiste edhe pjesën për Skënderbeun në İslam Ansiklopedisi të botuar në Turqi.16] Me këto shkrime ai do të paraqiste për studiuesit skënderbegianë arritjet dhe zbulimet më të fundit të historiografisë turke lidhur me figurën e Skënderbeut. Kështu, edhe vetë mendimet dhe përfundimet e studimeve të İnalcik mbi figurën e tij mund të përmblidhen tek këto dy pjesë enciklopedike, e para botuar në vitin 1997, ndërsa e dyta në vitin 2000.

Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)
Lek Pervizi: Beteja e Fushkuqes 1457 (288-160)

İnalcik pajtohet me autorët shqiptarë duke theksuar se ai kishte lindur në vitin 1405 dhe se, duke iu referuar Barletit, ai ishte marrë prej sulltanit në moshën 9-vjeçare.17] Më pas ai ishte marrë në Edime ku kishte marrë edukimin e një içogllani.18] Ai përmend shkathtësinë dhe guximin që Skënderbeu kishte patur si ushtarak duke arritur suksese të cilat i kishin siguruar atij edhe rritjen në grada. Në vitin 1438, Skënderbeu do të emërohej në postin e subashit të Krujës (Akçahisar)19], fakt që İnalcik e argumenton me shënimet e paraqitura në defterin për sanxhakun e Arvanidit ku vetë Skënderbeu zotëronte fuqinë e marrjes apo shpërndarjen e timareve.20]
İnalcik thekson se çarja midis Skënderbeut dhe sulltanit kishte ardhur si shkak i një pakënaqësie që lidhej me ndarjen e pronave të Gjon Kastriotit. Më konkretisht, sulltani kishte kthyer në ziamet territorin e Mysjes, e cila kishte qenë edhe qendër e tokave të Gjonit. Skënderbeu kishte kërkuar që zona në fjalë t’i jepej atij por, një sanxhakbej i (Ohrit?) kishte dalë kundër dhënies së kësaj zone për Skënderbeun, gjë që kishte çuar edhe zbehjen e lidhjes që ai kishte me osmanët.21] Një vendim tjetër që cungonte zotërimet e Kastriotëve dhe, që mund të jetë një shkak i largimit të Skënderbeut prej osmanëve ishte edhe caktimi i nëntë fshatrave, më herët pronë e Kastriotëve për Andrea Karlon.22] İnalcik, duke iu referuar Kalkokondilit thekson se në periudhën kur Skënderbeu u kthye në Krujë, thuajse në të gjithë zonën e Rumelisë kishte një ankth për të rifıtuar pronat e familjeve për shkak se ekzistonte një mendim i gjerë sikur turqit, në një periudhë të afërt do të dëboheshin nga Ballkani. Kështu, për İnalcik-un, edhe shkaku i kthimit të Skënderbeut lidhet me ambicjen e tij për të marrë pronat që i takonin të atit.23]
Duhet theksuar se rëndësia e studimeve të historianëve turq mbi figurën e Skënderbeut më së shumti konsiston në periudhën e tij të rinisë deri në kohën kur u kthye në Krujë. Lidhur me këtë periudhë, dokumentacioni arkivor u jep atyre epërsinë e pasqyrimit dhe ndriçimit të këtyre viteve. Kështu, İnalcik e përdor informacionin e dhënë nga Barleti, por nga ana tjetër thekson se trashëgimia e madhe që kanë nga arkivat turke u jep atyre mundësinë të arrijnë në përfundime më të sakta lidhur me shkaqet dhe ecurinë e kryengritjeve që kapluan hapësirën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shek. XV,24] por edhe për impaktin që pati kryengritja e Skënderbeut. 25] Po ashtu, botimi i regjistrave kadastrorë osmanë të shek. XV dhe dokumentacioni arkivor në Turqi u kanë dhënë atyre mundësinë të na japin të dhëna të shumta lidhur me gjendjen ekonomike të hapësirave në fjalë gjatë kësaj periudhe. 26]
Nga ana tjetër, lidhur me periudhën kohore që zë vitet 1444-1468 dhe, kryesisht me aktivitetin ushtarak e politik të Skënderbeut, vërejmë se historiografia turke më së shumti ka përfituar prej burimeve të autorëve shqiptarë, por edhe atyre të huaj. Përveç kronikave dhe burimeve klasike mbi Skënderbeun në burimet e përdorura nga historianët turq hasim edhe në emra të albanologëve të njohur si Hopf, Pall, Jireçek, Jorga, Babinger e Kiel. Ndërsa nga burimet e autorëve shqiptarë më së shumti duket se i janë referuar Marin Barletit, Athanas Gegajt, Kristo Frashërit etj.

Përfundim

Studiuesit turq shprehen se për ta, vitet në shërbimin osman të Skënderbeut janë të njohura. Nga ana tjetër, historianët shqiptarë që merren me historinë e tij theksojnë se vitet e hershme të Gjergj Kastriotit janë të pazbardhura. Parë nga ky këndvështrim, kontributi i të parëve për të dytët dhe anasjelltas, duket si një element komplementar. Pra, plotësues i njëri tjetrit. Kjo gjë vërtetohet më së miri po të kemi parasysh, në mënyrë të veçantë, kontributin e İnalcik dhe studimet e tij mbi periudhën dhe figurën e Skënderbeut. Megjithëse vetë İnalcik nuk shkruajti një vepër për prijësin shqiptar, fakti se ai shkroi shumë artikuj e shkrime mbi të dhe, referimet e thuajse të gjithë historianëve skënderbegianë punimeve të tij, e bën İnalcik-un njërin prej studiuesve kryesorë të periudhës dhe figurës së vetë Skënderbeut. Sigurisht që kjo vjen si rezultat i dokumentacionit të madh që posedojnë arkivat turke mbi hapësirat shqiptare, fisnikërinë vendase dhe më konkretisht edhe mbi Skënderbeun. Pra, parë në një këndvështrim më të gjerë, arkivat dhe historiografia turke mbeten burime kryesore si për albanologët në përgjithësi ashtu edhe për historiografinë skënderbegiane në veçanti.
Marrë nga Muri i FB i Agim Morina, 17 janar 2023

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.