back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Shigjeta e kuqe – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muç Xhepa
Muç Xhepa

Shigjeta e kuqe

nga Muçi Xhepa

Java e parë e Robert Papës në ambasadë. Bomba te “Vefa” thuajse i mori jetën. Akti më i rëndë ato ditë i terroristëve komunistë. “Fillimi i revolucionit Leninist”, e quajti “Heritage Foundation – Fondacioni i Trashëgimisë”, nga më prestigjozët në Amerikë. Kohë më vonë, në auditorin kryesor të tij, në formë amfiteatri, në konferencën mbi rëndësinë e evidentimit të krimeve të komunizmit, ku të ftuar ishin ambasada të ish-vendeve komuniste, organizata dhe shoqata me qendër në Uashington, si dhe ish të dënuar dhe persekutuar nga regjimi komunist në vende të ndryshme të botës, foli edhe heroi antikomunist Pëllumb Lamaj, i cili në mënyrë të detajuar tregoi për torturat mbi trupin e tij të njomë.
-I shikoni këto duar, – Pëllumbi zgjati duart përpara, – me ditë të tëra m’i shtrëngonin me hekura që futeshin thellë në mish dhe mbuloheshin me gjak.
Heshtje frike pushtoi të pranishmit, kamerat u drejtuan nga ai, aparatët fotografikë fiksonin duart me shenja prangash. Në fund të takimit foli edhe drejtori i “Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit”, Lee Edwards, mbi rëndësinë e një muzeu si “Holokausti”. Në pjesën e fundit, pyetje-përgjigje, ku shumë të pranishëm ishin të interesuar të dinin se çfarë e pengonte ngritjen e muzeut, bëra edhe unë një pyetje:
-Zoti Edwards, a është e interesuar qeveria amerikane të demaskohen krimet e komunizmit?
Zoti Edwards u zu ngushtë, shikoi përreth, nuk e priti pyetjen.
-Nuk mendoj se ka kundërshtim, – tha dhe fjalën e mori dikush tjetër që vazhdoi me pyetje të tjera.
Në fillim të konferencës ambasadori hungarez, i kishte dhuruar drejtorit në fjalë një çek prej një milion dollarësh nga qeveria e vendit të tij. “Eh, hungarezët! Të parët i vunë gjoksin tankeve sovjetike, të parët edhe tani”, thashë me vete.
Kishim filluar punë në ambasadën e re. E bukur, katërkatëshe, historike, me pamje nga njëra prej shetitoreve kryesore të kryeqytetit. Presidenti Berisha na e la detyrë, kur erdhi në takimin historik me Presidentin Klinton.
-Në kryeqytetin e botës, vendin mik të kombit tonë, na duhet një ambasadë dinjitoze. Mustafa filloni të shikoni!
Në katin e dhjetë te një ndërtesë e vjetër në rrugën K, dy dhoma dhe një furrik kishin shërbyer si Ambasadë e Shqipërisë në Amerikë. Atje kishim përgatitur edhe vizitën më të rëndësishme në historinë e kombit. Vizitë që nisi miqësinë me Presidentin Klinton dhe që do të pasonte me çlirimin e Dardanisë, po nga ai president. Me ndihmën e miqve në Departamentin e Shtetit ngritëm një grup pune, Barbara financiere e dëgjuar dhe Rima arkitekte me emër. Një vit të tërë kërkuam vendet më me emër të kryeqytetit dhe fati e solli të gjenim godinën që kemi edhe sot. Aprovimin për ambasadë duhej ta jepnin edhe banorët e lagjjes. Ata u mblodhën në sallë të madhe ku ishim të pranishëm edhe ne, punonjësit e Ambasadës. Midis të tjerëve kundërshtoi edhe një i moshuar, me tipare të errta, si prej arabi.
-Këta nuk kanë bukë të hanë e jo të mbajnë një ambasadë!
Zhurmë karrigesh. Disa koka u kthyen në drejtimin tonë.
-Është grek, – pëshpëriti Barbara, – banon në një apartament larg godinës. Na kontaktoi para pak ditësh.
Ta dinte i ngrati se jo shumë vite më vonë, vendi i orgjinës nga ku pretendonte se ishte, do të kërkonte derë më derë që të mos shuhej. Në të njëjtën kohë Ambasada Amerikane në Tiranë trefishonte hapësirën e saj. E prisnin krahëhapur shqiptarët.
.
Statuja e Lirisë New York
Statuja e Lirisë New York
-Dua të blej pak ushqim edhe për fëmijën, – tha Berti, që nuk e kishte marrë ende patentën nga zyra e protokollit.
Morëm mikrobusin me të cilin bënim pazaret. Ishte automobil i vjetër, i kishte bërë mbi dyqind mijë milje. Prishej rrugës. Në atë gjendje e kishte dhuruar një biznesmen i fuqishëm shqiptar nga Detroiti. Legjenda për të shkonte edhe më tej. Në qendër të Tiranës kishte hapur një restorant, nga më të shtrenjtët. E kishte blerë. Të kishte ndikuar edhe mikrobusi? Pronarët e vërtetë prisnin me vite para zyrave të privatizimit.
Për të shkuar nga supermarketi “Giant” pranë ambasadës, deri te shtëpia e Bertit na duhej një çerek ore me automobil. Ndaluam në një kryqëzim. Ishte ndezur sinjali i verdhë. E kisha bërë zakon që të mos kaloja, kur sinjali i verdhë më zinte pa hyrë në kryqëzim. Po prisnim pas të kuqit të hapej jeshili. Rruga ishte me dy linja nga të dyja krahët. Berti po tregonte i revoltuar.
-Nuk më besuan, dukej sikur s’ishin të interesuar të dëgjonin.
Ishte kthyer nga një takim në Departamentin e Shtetit. U hap sinjali jeshil. Në anën tjetër nuk kishte automobila. Fillova të marr kthesën ngadalë, kthesë U. Pa hyrë mirë në linjën time; nga dheu mbinë katër automobila të policisë. Dy na prenë rrugën përpara, dy prapa.
Kështu kishte ndodhur edhe me diplomatët e Ramiz Alisë në Nju-Jork. Na e treguan në ambasadë. Incidente të tilla kishte plot. Dy kampet armike ushtronin presion mbi diplomatët, sipas baticës dhe zbaticës së luftës së ftohtë. Miku im Gaspër Kici, një i arratisur, i cili jetonte në Amerikë që nga viti ’45-së, më kishte këshilluar të isha i kujdesshëm.
-Është herët për amerikanët të dallojnë se cili është me ta.
Moska ishte kampione për akte të tilla. Ambasadorit francez në Moskë, mikut të presidentit Charles de Gaulle, KGB-ja ia kishte bërë edhe më zi. E kishin rrahur për vdekje. I kishin futur një agjente të bukur, përkthyese dhe ambasadori kishte rënë në dashuri. E kishte ftuar në shtëpinë e saj bukuroshja dhe, kur kishin arritur qiellin e shtatë, dera ishte shqyer me forcë. Ishin tre sampistë dhe ai që e godiste më fort hiqej si bashkëshorti i saj. Hante dru ambasadori dhe nuk ndihej. Urdhërin e kishin marrë të prerë; të mos e godisnin në fytyrë. Ambasadori atë natë do të merrte pjesë në një pritje, ku do të fliste për miqësinë e dy vendeve. Vajti i ngrati në pritje dhe me zor qëndronte në këmbë. Sa herë përmendte fjalën miqësi, bosët e krimit përplasnin duart dhe qeshnin. Ambasadori nuk pranoi të bëhej agjent i KGB-ës. Të nesërmen njoftoi mikun e tij, presidentin, i cili i lënduar rëndë e degdisi në një vend të humbur të Francës derisa ndërroi jetë.
Diplomatët e Ramizit kishin marrë një bukuroshe në makinën e misionit. Ajo ishte agjente e fshehtë. Kishte ekspozuar pjesë të trupit dhe, kur të uriturit kishin filluar të josheshin me xhevahirët e saj, i kishte ndaluar policia. Se çfarë kishte ndodhur më tej, asnjëherë nuk u mësua saktë. Një gjë mbeti enigmë; diplomati Hoxha, njëri syresh, bëri karrierë të gjatë në diplomaci. Ambasador i të gjitha ngjyrave që pasuan. U akuzua i ngrati se kishte humbur edhe një kompjutër me sekrete. Punë që asnjëherë nuk u dihet fundi.
Po rrinim në makinë pa lëvizur. Katër oficerë policie u afruan te mikrobusi. Më pranë derës, femër. Ula xhamin.
-Dokumentat! – foli ajo me ton urdhërues.
-Përse?- e pyeta i qetë.
-U kthyet me shigjetë të kuqe! – më shikoi me inat.
-Nuk kishte shigjetë të kuqe! Dritë jeshile po.
Ruajta qetësinë.
-Me shigjetë të kuqe!
Nguli këmbë. U afrua një civil. I bënte me shenjë të shikonte brenda.
-Fëmija nuk është në karrigen për fëmijë!
-Ka mbushur moshën, – ndërhyri Berti që ishte në sediljen e parë të pasagjerit.
Civili u afrua të hapë derën.
-Mos e prek derën! Jam diplomat, hapni rrugën!
U panë sy ndër sy dhe ikën.
-Të lumtë!
Shpërtheu Ardita, gruaja e Bertit, mbesa e Hasan Prishtinës, që ishte ulur prapa meje. Ato ditë Shqipëria digjej. Fshatari shqiptar, që kishte mohuar orgjinën e të parëve, Tenet, kishte hyrë disa herë në jug.
Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.