back to top
23.5 C
Tirana
E diel, 23 Qershor, 2024

Saharaja e Europës është afër nga Yzedin Hima

Gazeta

Yzedin Hima - Berati në sfond
Yzedin Hima – Berati në sfond

Saharaja e Europës është afër

nga Yzedin Hima

Kur ra regjimi komunist në Shqipëri, kishte një përputhje midis njeriut të ri dhe mjedisit ku vepronte ky njeri. Njeriu i ri, i krijuar sipas modelit kinez, ishte i zhveshur krejt nga pluraliteti i të menduarit, këndvështrimi i natyrshëm i dukurive apo i fenomeneve, ai kishte të formuar në trurin e tij shkretëtirën e frikshme të të menduarit, shkretëtirë që do të na mundojë gjatë. Krahas shkretëtirës mendore dhe shpirtërore diktatura krijoi edhe shkretimin e mjedisit. Shkatërrimi i pyjeve për të krijuar kullota, tarracimet kineze, hapja e tokave të reja, shtimi i parcelave të mbjella me misër dhe grurë për të siguruar bukën në vend, e shfytyruan mjedisin shqiptar, sikurse edhe njeriun shqiptar deri në atë masë të neveritshme, sa që një kryetar kooperative, pas kthimit nga Republika e Kinës komuniste, shpalosi një parrullë gjigande në hyrje të fashatit: “Ta bëjmë Donofrosën si Taxhai”.
Përfytyroni Taxhain kinez krejt shkretëtirë dhe kinezët që sillnin nga dhjetra kilometra larg dheun e pasur për ta bërë të jetueshme këtë provincë. Po Donofrosa, një vend i begatë, si mund të bëhëj si Taxhai? Natyrisht duke u shkretuar. Pra, pasi u shkretua njeriu, u krijua Lej Feni i famshëm, (në fakt, këtë tip sot e gjen në zyrat e institucionet që thirren demokratike), duhej krijuar edhe mjedisi kinez.
Pas rënies së diktaturës në Shqipëri nisi një shfrytëzim barbar i asaj që kishte mbetur ende nga mjedisi shqiptar. Etja për ndërtime, inisiativa e lirë, çliroi energji të mëdha njerëzore për të ndryshuar. Këtyre ndryshimeve nuk iu parapri me studime urbanistike e mjedisore nga pushteti lokal dhe ai qëndror. Anarkia e lëvizjes demografike, ndërtimet e paligjshme, shfrytëzimi i egër i mjedisit i ngjajnë Perëndimit të Largët në Amerikën e para dy shekujve. Nisi shkatërrimi i pamëshirshëm i mjedisit që është pronë publike në sytë e publikut, që ende nuk di të reagojë për çështje, që prekin interesin matanë pragut të shtëpisë së tij. Argjinaturat e lumenjëve u prishën, pyjet u rrafshuan për t’u shitur për një copë bukë, çdo gjë e gjelbër u zëvëndësua e po zëvëndësohet me beton e shkreti, dhe e gjitha kjo ndodhi, po ndodh në sy të publikut që ende nuk përbën opinion, në sy të shtetit ose nga segmentet e tij. Një pjesë pasurohen duke shfrytëzuar barbarisht pasuritë publike në të mirë të xhepit të tyre dhe në dëm të qytetarëve. Në Shqipëri ka dy lloje qytetarësh, që dallohen qartë nga njeri tjetri, qytetarë grabitqarë dhe qytetarë, krejt si në natyrë, shpend të dobishëm dhe shpend grabitqarë, por në dallim nga shpendët, qytetarët janë të dënuar të jetojnë në të njëjtin habitat. Këta të fundit janë, pothuajse në mëshirën e të parëve. Po lanë gjë ata, do të jetojnë këta të dytët. Ky fenomen ndodh në vendet e egra, paraqytetare. Edhe në Perëndimin e Largët ndodhi vetëm për pak kohë.Te ne vazhdon të ndodhë edhe sot e gjithë ditën. Nëse ky shkrim nuk ju duket i drejtë, do t’ju lutesha t’i hidhni një sy plagëve të tmerrshme në kodrat, ku janë ngritur guroret, pyjeve të dikurshëm, ku sot gjen dhè të kuq, hapsirave midis shtëpive dhe pallateve, ku ngrihen ngrehina që shkelin edhe të drejtat më elementare të bashkëegzistencës, kopshteve të dikurshëm të ngritur me mund, ku nuk ka asnjë fije bari, plantacioneve të ullinjve, ku u derdh mundi i dy brezave për t’u ngritur, grirë nga sopata dhe zjarri i vënë. A ka njerëz që paguhen për të ruajtur mjedisin? Për të përmirësuar atë?
,
Me mijra hektarë pyje të djegura vetëm në pak ditë...
Me mijra hektarë pyje të djegura vetëm në pak ditë…

Po, ka. Ka një ministri dhe një ministër. Karrigia e tij vlen sa të gjithë pyjet e Shqipërisë, sa i gjithë mjedisi i gjelbër i saj.

Kush kalon nga Berati për në Fier, te kodrat e Qafës së Sqepurit, përlotet kur sheh kodrat e mrekullueshme me ullinj të dikurshme të bëra shkrumb nga zjarrvënësit. Mijëra e mijëra rrënjë ullinj janë djegur në pak orë, në ditë të ndryshme dhe në sy të njerëzve: fshatarët do të digjnin ferrat buzë parcelave të tyre për të “shtuar” tokën e bukës. Pas ferrave zjarri përfshiu ullinjtë dhe u dogj fillimisht plantacioni i ullinjve në krahun e majtë të rrugës, dy ditë më vonë edhe plantacioni në krahun e djathtë. Shkatërrimi i mjedisit po ndodh në sytë tanë.Hidhni një sy Malit të Tomorit! Tërë plagë e shëmti nga babëzia për fitime maksimale, pa zbatuar asnjë ligj mjedisor. Ne reagojmë jo si popull i qytetëruar. Nëse në Perëndim rastësisht ke këputur një degëz pishe të njomë dhe e mban në çantën tënde të rrugës, të gjithë qytetarët në stacionin më të afërm të autobusit do t’ju vërejnë me zemërim, sikur të kishit bërë një krim, thjesht për një degëz pishe, sa që nuk do të gjenit skutë ku të fshiheshit. Le të reagojmë për mjedisin para se të kemi krijuar Saharanë në mes të Europës.
Marrë nga Muri i Fb, i Yzedin Himës, 15 shtator 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.