back to top
25.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Rruga e gabueme – nga “Ushtima e Sharrit” – pseudonim i Dr. Lazër Radit

Gazeta

Lazer Radi - Foto e Laures 1942 Doktor ne Jurisprudence
Lazer Radi – Foto e Laures 1942 – Doktor ne Jurisprudence

Rruga e gabueme

“Ushtima e Sharrit” – pseudonim i Dr. Lazër Radit

(Bashkimi i Kombit, e shtunë 12 gusht 1944)

“Kush mbjell erë, korr stuhi”, – thotë fjala e urtë.
Kët punë jemi tuj ba sot na shqiptarët. Nji pjesë e madhe e rinisë sonë e ka humbun veten, e ka humbun arsyen, i asht kushtue nji doktrine abstrakte, nji lufte ideologjike të errët e nji marshimit të zoritun në drejtim të nji të panjohune të rrezikshme. Rinia shqiptare, e vetëdijshme për misionin e vet historik, nuk duhet t’ia tregonte kurrë popullit shqiptar kët rrugë të rrezikshme.
Momenti psikologjik që frymëzon rininë shqiptare me rrokë armët për të luftue ishte pikërisht momenti patriotik: ishte çasti i pushtimit të tokës shqiptare nga të huejt si dhe vullneti i flaktë i krejt popullit për të pa të çliruem truellin e vet. Po të mos kishte qenë kjo arsyeja, lufta shqiptare nuk do të kishte marrë kurrë përpjestime kaq të mëdha. U gënjye populli shqiptar, u gënjye rinia “Patriotizmi”, “Liria Kombëtare”, “Liria e Popullit”, u banë si banknotat fallso. U luejt me ndjenjat e popullit ashtu si luen era me gjelin metalik në oxhak. Kaq shumë u luejt me ndjenjat patriotike shqiptare sa që nuk mund të gjejmë asnji shembull në historinë e ndonji kombi të botës. tuj u gënjye nga spekullimi i këtyne ndjenjave, rinia jonë filloi luftën e vet kombëtare e cila masanej degjeneroi në luftë antikombtare. Rinia shqiptare u provue në zjarr dhe dha prova guximi e vetëmohimi aq sa për të shtue lavdinë e virtyteve tona luftarake. Kjo trimëni duhet të shërbente për sigurimin e rindërtimin e vendit dhe jo për shkatërrimin e tij. Rinia jonë, e ngjallun me ndjenja të nxehta atdhetare, bani çdo flijim për t’i dhanë kombit vetëdijen dhe vullnetin për të jetue i lirë. Në kët përpjekje rinia shqiptare fitoi nji kredi të madhe në popull, i cili shihte në flijimin e bijve të vet garancinë e qenies kombëtare. Por ma vonë, kur u pa kjartë mbrapaskena e kësaj lufte ideologjike, populli shqiptar e kuptoi se kjo nuk ishte lufta e tij, por ishte lufta e të huejt kundra tij. Synimet sllave ishin të kjarta. Rreziku i qenësisë sonë u shfaq në dritë të diellit. Ndjenja e ekzistencës e shtyn popullin që të veprojë në kohë rreziku. Reaksioni shqiptar u ngrit në kambë i tmerrshëm, instikti i rrojtjes ia shtonte vullnetin e përpjekjes.
.
Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe Jani Lili - Durrës 1938
Lazër Radi, Balto Radi dhe dhe Jani Lili – Durrës

.

Rinia shqiptare u gabue. Rinia shqiptare vazhdoi luftën e vet në rrugë të gabueme tuj përkrahë armikun tonë shekullor në shkatërrimin e vendit. Rusët nuk do të kishin mundun kurrë të gjenin vegla ma të mira për të shtrirë idealet e tyne imperialiste mbi Shqipninë e mbi Ballkanin. Imperializmi sllav në Ballkan i kishte të forta rranjët e veta. Ideja pansllave i kishte dehun dhe i kishte ba solidarë në përpjekjet e tyne për të pushtue toka, për të shtypun kombe e për të shuejtun popuj. E vetmja pengesë për sllavizimin ishte vendi ynë, ishte Shqipnia, ishte populli shqiptar, të cilin asgja nuk e lidhte me sllavët, as feja, as raca, as gjuha dhe as kombësia. Për kët arsye, pikësynimi i sllavizmit ka qenë gjithmonë shfarosja e plotë e popullit shqiptar. Për t’ia arritë këtij qëllimi, sllavët kanë vu në përdorim të gjitha mjetet e mundshme: dinakërinë, idenë dhe forcën. Sot ata, deri diku, ia kan arritun qëllimit. Ne po vritemi e po copëtohemi e sllavët fërkojnë duert prej gëzimit.
Rinia shqiptare, shtresë e gabueme, nesër, kur t’i kalojë pasioni i ligjit që i urdhëron gjaku dhe mosha, do të pendohet për kët lojë që asht tuj u zhvillue për hesap të të huejt e kundra së mirës së vendit. Por nesër do të jetë tepër vonë. Shqipnia nuk mund të bahet komuniste. Për t’u bolshevizue, na duhet të kalojmë shumë etapa mbasi na sot gjendemi në shkallën e fundit të mundësisë për të kalue në komunizëm. Nacionalizmi shqiptar e njeh kët realitet, prandaj i vjen keq vetëm sepse i takon të luftojë kundra vëllaut të vet, kundër nji pjese të fortë, e cila nesër mund të bahet faktor për ndërtimin e vendit.
Por lufta asht në kambë. Luftën e ka provokue pjesa e gabueme e rinisë shqiptare, që asht ngritë në kambë për të luftue kundës gjithçkaje që asht kombëtare. Luftës duhet t’i bajmë ballë me luftë: mendjet pasive tuj pritun që arsyeja dhe ndjenja të zotënojnë në atë pjesë të rinisë që do t’ia zhdukë lirinë popullit e që don t’i imponojë vendit skllavninë e tmerrshme sllave do me thanë me e tradhëtue idealet ma të shenjta, me tradhëtue moralin, nderin e vetveten.
Nacionalizmi shqiptar nuk mund të durojë që hordhitë e Xhingiskhanit, sllavo-bolshevikët të na i poshtnojnë vatrat tona e të na e përmbysin botkuptimin tonë.
Pansllavizmi asht në sulm. Komunistat shqiptarë duhet të mendojnë mirë se çdo me thanë të jetë populli shqiptar nën thundrën e diktaturës monstruose sllave.
Pjesa e gabueme e rinisë shqiptare duhet ta dijë se ku ka komunizëm, nuk ka humanizëm, ka vetëm politikë sllave.
Me dëshpërim të madh Lenini shpallte se nuk do të ishte e mundun të themelohet nji shtet komunist mbi nji shoqni analfabetësh dhe e lëshonte kushtrimin, nxitte e këshillonte me kambëngulje: “Të mësoni! Të mësoni! Të mësoni!”
Edhe na le të mësojmë e mbasi të kemi mësue, do të dijmë ta zgjedhim rrugën dhe doktrinën ma të mirë.
Ushtima e Sharrit
(Marre nga Gazeta, Bashkimi i Kombit, e shtunë 12 gusht 1944)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.