back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Rose Dosti, në kampet e internimit të familjes

Gazeta

Rose Dosti - Gazetare e LA Times
Rose Dosti – Gazetare e LA Times

Rose Dosti, në kampet e internimit të familjes

Gazetarja e Los Angeles Times e intervistuar nga Ani Jaupaj

Të kishe një brimë miu, prej së cilës ajo krijesë e vogël që bën të ulërijnë shumë njerëz kur e hasin, në burgjet e komunizmit, ishte luks. Por për të burgosurin që rrinte muaj të tërë në një qeli të izoluar me përmasa sa të trupit të tij, ishte e vetmja mënyrë për të kaluar pak kohë me një qenie të gjallë.
Po ta merrnin vesh që e kishe një “argëtim” të tillë, do ta izolonin edhe atë; do ta hiqnin edhe miun. Fragmente të tilla e ca edhe më të tmerrshme që ne i kemi rrëfyer sa e sa herë përmes personazheve që kemi sjellë në gazetë, Rose Dosti i ka mbledhur për t’i bërë pjesë të një serie dokumentarësh që janë shfaqur në shkolla të ndryshme në Amerikë, vendi ku Rose ka lindur e jeton.
“Shokues!”- kështu përgjigjet Rose, kur e pyet se si kanë reaguar studentët e universiteteve amerikane, pasi kanë parë këta filma dokumentarë. Po çfarë e bëri gazetaren shqiptaro-amerikane t’i hynte në rrënjë historisë 50 e më shumë vjeçare të tmerreve të komunizmit?! “Instinkti i gazetares”, ishte përgjigjja e saj e parë. Në të vërtetë, edhe sikur një histori të shkurtër të dëgjosh prej njerëzve që kanë vuajtur në skëterrën e Tepelenës, nuk mund të mos duash ta ulërish, ta marrin vesh të gjithë! Rose Dosti ka punuar për 35 vite te “Los Angeles Times”, sado që në këto vite që është marrë me projektin në Shqipëri, nuk ka mundur ta rrëfejë historinë për gazetën ku punoi një jetë të tërë.

Çfarë rubrikash mbulonit në LA Times? Ato që quheshin “soft neps”, por që në fakt përfshinin gjithfarë temash. Që nga ushqimi, te lajmet kulturore, stilet e jetesës në vende të ndryshme të botës etj. Për shkak të punës kam shëtitur gjithë botën. Kam bërë shkrime nga Iraku, Abu Dabi, Maroku, Japonia, Turqia, gjithandej…
Prej këtej shkuat në Tepelenë, Lushnjë, Berat, Vlorë. Ndoshta mund të keni qenë edhe në vende që e kishin ende luftën të ngritur e megjithatë thoni se si foletë e internimit në Shqipëri nuk kishit parë kurrë… Jo, kurrë nuk kisha parë. Reagimi im i parë ka qenë shokues. Kam qarë për muaj të tërë, ishte një gjendje e tmerrshme. As që arrija ta konceptoja se si mund të kenë jetuar njerëzit në ato kushte. Pa bukë, në shi, me punë aq të rënda fizike, fëmijë e gra.
Këto ju i morët vesh nga rrëfimet, sepse kampet i keni vizituar pas ’90-s. Mbiemri që mbani, Dosti, është i njohur në Shqipëri si familje e persekutuar… Si është historia? A ka qenë pikërisht lidhja me këtë familje që ju shtyu drejt historisë? Ajo ka qenë fillesa, po. Im shoq, Luan Dosti, ka ikur nga Shqipëria me Hasan Dostin, politikanin aktiv të qeverisë së Mustafa Krujës. Ata menduan se do të qëndronin në Amerikë vetëm për një farë kohe, por në fakt nuk u kthyen më kurrë. Im atë, Aliko Tushi, gjithashtu ka emigruar në Amerikë nga malet e Vërmikut, ishte nga Vlora. Prej andej u ndal së pari në Argjentinë e më pas në Amerikë. Ka ikur fare i vogël. Siç e dini historinë, Shqipëria u izolua krejt, kështu që kthimi më pas u bë i pamundur.
Megjithatë, njeriu me të cilin ju jeni martuar, kishte lënë njerëz në Shqipëri që ishin nëpër burgje e internime. Ai duhet t’ju ketë treguar… apo nuk kishte kontakte me ta? Ata kanë shkëmbyer shumë pak letra, as Luani dhe askush nuk mund ta parafytyronte situatën në Shqipëri. Pra, e njihnim fare pak. E pamë gjendjen vetë kur erdhëm në Shqipëri në ’91-shin. Vëllezërit e motrat e tij i gjetëm ende në Lushnjë, ku kishin jetuar për shumë vite si të internuar.
(marrë nga “Unë Gruaja” në “Panorama”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.