back to top
25.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Robert Prifti – tepër i thjeshtë në madhështinë dhe heshtjen e tij…* një vështrim retrospektiv i një biri për babanë – Edgar Prifti

Gazeta

Robert Prifti (1925-1993)
Robert Prifti (1925-1993)

Robert Prifti: i thjeshtë në madhështinë dhe heshtjen e tij

një vështrim retrospektiv i një biri për babanë – Edgar Prifti*

Një nga pengjet e mia më të mëdha, përveç faktit që si tim atë ashtu edhe time më nuk arrita t’i shikoj për herë të fundit, siç ndodh tek familjarët në rastet normale kur ata ndahen nga jeta, ishte se unë nuk arrita të bisedoj me shkrimtarin Robert Prifti lidhur me veprimtarinë e tij klandestine letrare. Kisha ende aq shumë gjëra për të sqaruar me të, por unë nuk jam as i pari dhe as do të jem i fundit nga bashkatdhetarët e mi, që jeta do i luajë rrengun e saj përmes plagëve të hidhura të emigrimit.
Kur mora përsipër të filloj përkthimin e veprave të tim eti dhe në vazhdim, e ndjeja kudo praninë e tij, më dukej sikur bisedoja me të dhe kjo ndjenjë e bukur shoqërohej instinktivisht dhe me kujtimet e përfytyrimet e kohës kur jetonim së bashku.
Një nga momentet më të hidhura të jetës sonë ishte sëmundja apo paraliza e sime mëje, kur unë isha vetëm 12 vjeç, fat ky që e goditi rëndë tim atë, si dhe rrjedhën e mëvonëshme të jetës së tij.
Ishte ai që bënte kryesisht pazarin dhe ngrihej që pa gdhirë për të zënë rradhën e qumështit apo të mishit. Gjellët në shtëpi i donte të gatuheshin pa kripë. Blinte dhe na ftonte dhe ne të blinim gjithnjë bukë të zezë dyzetëshe, me qenë se ajo ishte më e shëndetshme. Preferonte shumë frutat, sidomos mollët. Përgatiste shpesh mëngjeseve paparen me qumësht. Kam parë të bënte edhe vezët sy.
I jepte shumë rëndësi shkollimit tim, aq sa më kujtohet, që në klasën e shtatë dhe të tetë problemat e komplikuara të matematikës dhe të fizikës, (sidomos ato me shpejtësi, rrugë dhe kohë) kur kishte raste që nuk i kuptoja më ftonte ta vrisja mendjen gjatë, e pastaj m’i shpjegonte duke i zgjidhur ato në dy-tre mënyra të ndryshme. Më ndihmonte ndonjëherë në gjimnaz për të zgjidhur ushtrimet e algjebrës me një apo dy të panjohura me një lehtësi për t’u admiruar.
E konsideroja si diçka normale atëhere aftësinë e tij si prind, duke mos e vrarë mendjen që ai kishte më se njëzet vite të kaluara që kishte kaluar nëpër duar lëndën e matematikës.
Vonë pastaj kam dëgjuar nga bashkëkohësit e tim eti, që Profesori me famë i matematikës, Qazim Turdiu, i cili ishte diplomuar shkëlyeshëm në Francë dhe që jepte lëndën e matematikës në liceun e Tiranës, të cilin e ndiqte në atë kohë edhe im atë, e konsideronte Robertin si “renegat” të matematikës.
.
Edgar Prifti rrefen per Robert Priftin me Dhurata Hamzain
Edgar Prifti rrefen per Robert Priftin me Dhurata Hamzain
Më vonë, kur ndiqja fakultetin e inxhenierisë pyjore dhe dëshiroja të dija kuptimin e termave me prejardhje nga latinishtja apo greqishtja e vjetër në lëndët e botanikës, biologjisë, etj, i kishte gjithnjë të gatshme përgjigjet, pa qenë e nevojshme të konsultonte fjalorin.
Më kujtohet që më ftoi të mësoja frëngjishten me të. Pranova dhe bëra vetëm dy leksione me tim atë. Më dukej shumë kërkues. Refuzova të vazhdoja, duke gjetur justifikimin tek shkolla dhe tek sporti që ndiqja.
Vinte pothuajse rregullisht për të më ndjekur në lojrat e basketbollit, që zhvillonim në pallatin e sportit “Partizani”. E kishte në majë të gjuhës kritikën ndaj meje. Kështu ndoshta shprehte dhe dashurinë ndaj birit të tij. I donte njerëzit në mënyrën e tij. Ishte tifoz me skuadrën e “17 Nëntorit”. Jo rrallë ma përmendte, që të largohesha nga “Partizani” për t’ju bashkuar “Bardhebluve”.
Roberti vizatonte dhe skiconte shumë mirë, por dhe pikturonte. Mbaj mend që merrte në shtëpi letra të bardha të mëdha nga shkolla dhe shkruante me lapsa me ngjyra apo me penel pa ndihmën e vizores, pankartat që i duheshin si mjete didaktike për laboratorin e kimisë, biologjisë apo të frëngjishtes.
Mbi copat e thara, enkas të zmeriluara dhe të parapërgatitura të trungjeve të lisit të prera në formë ovale, ku përqark tyre spikaste si ornament lëvorja e trashë dhe e dhëmbëzuar, ai bënte ngadonjëherë piktura në vaj.
Ironizonte veten për mungesën e prirjes në fushën e muzikës. Më kujtohet që ai shpesh vetëm sa fillonte të këndonte të njëjtën këngë, atë “Asaman, o moj Bakushe”, por në ç’rast apo nën çfarë konteksti, kjo nuk më kujtohet.
Pjesën më të madhe të kohës së lirë në shtëpi e shikoja me libër në dorë. I pazakontë ishte fakti, se ai pothuajse gjithmonë kur shtrihej në shtrat dhe merrte të lexonte e mbante kokën të ngritur pa e vënë jastëkun poshtë kokës. I tendoseshin muskujt e qafës aq sa unë çuditesha që si mund të lexonte një njeri kaq gjatë në këtë mënyrë.
Përpara se të flinte Roberti kishte edhe një zakon tjetër, ai mbulonte me grushtin e dorës së djathtë syrin e djathtë dhe me gishtin tregues të po kësaj dore, duke e ndjekur me syrin e majtë gjysëm të mbyllur, vizatonte me fantazinë e tij ajrin.
.
Poeti dhe Shkrimtari Robert Prifti
Poeti dhe Shkrimtari Robert Prifti
Im atë kujdesej për higjenën dhe bënte një jetë të rregullt. Nuk konsumonte as duhan, as edhe alkool. Dashuronte natyrën, detin, gjelbërimin, në përgjithësi dhe veçanti të bukurën. Frekuentonte pothuajse përditë kodrat e liqenit të Tiranës, shkonte shumë shpesh në plazhin e Durrësit, qoftë në verë e qoftë në dimër.
Vitet e fundit, përpara se unë të largohesha për në Gjermani, e kishim bërë zakon që pothuajse çdo të shtunë mbrëmjeve ta kalonim kohën tek shtëpia e xhaxhallarëve, dhe kryesisht tek xhaxhai i madh, i cili banonte në katin mbi xhaxhain e mesëm, duke luajtur “pokerin familjar” me shuma simbolike me bashkëshortët e kushërirave të mia. Im atë i priste me kënaqësi këto mbrëmje të qeta dhe çlodhëse pranë gjirit familjar.
Roberti shkruante në çdo kohë dhe vend kur i vinte muza, dhe sidomos kur ndjehej i pasurvejuar. Ngrihej madje në mes të natës dhe në copa letra që gjente aty pari hidhte mendimet e tij. Më thoshte shpesh se sa mirë do ishte po të kishte një diktofon, do i kursente shumë kohë dhe mund.
Me aq sa mbaj mend të ketë thënë ai, im atë kishte prirje social-demokrate. Rrethin e të njohurve e kishte shumë të kufizuar, aq më shumë të atyre që edhe mund t’i konfidohej. Lexonte fshehurazi literaturë të ndaluar si, Camynë, Frojdin, Kafkën, Nietzschen, Sartrin, Dostojevskin etj. Nuk më tregoi kurrë se cili ishte burimi i atyre librave.
Dëgjuesi pothuaj i vetmi i pasazheve të romaneve apo poezive të tij ishte Kin Dushi, shkrimtar i dënuar nga regjimi komunist, i cili nuk mungonte të më shfaqte mua veçantas mrekullinë lidhur me ato çka kishte shkruar Roberti.
Roberti fjalën e shkruar e konsideronte si një armë shumë të fuqishme për të depërtuar në ndërgjegjen e njeriut, aq sa guximin e tepruar për të deklamuar, qoftë edhe nga dëshpërimi, e quante vetëvrasje. Për më tepër në se dikush në ato kohëra do të kishte kurajon civile apo “trimërinë” t’u bërtiste njerëzve të vërtetën, këta të fundit që ishin mësuar të heshtnin dhe vetëm të kapërdinin, do e quanin gjestin e tij çmenduri apo budallallëk. Për të ky gjest ishte sikur të bëje thirrje në shkretëtirë.
Jo rrallë e kujtoja tim atë për rrezikun dhe pasojat që mund të kishte po të arrinin ta kapnin, a thua se ai nuk e dinte se çfarë mund t’i bënin. Ai vetë më thonte se po të vinte puna deri aty, unë nuk duhej të pretendoja më t’ia gjeja as kockat.
Roberti ishte tepër i thjeshtë në madhështinë dhe heshtjen e tij. Kurrë nuk e kam përjetuar t’i rrihte shpatullat e tij, qoftë edhe një herë të vetme me shaka, ndonëse ai kishte arsye të plotë për ta bërë këtë…
Robert Prifti - Fragment ne Formatin - A4 - Syri i Polifemit
Robert Prifti – Fragment ne Formatin – A4 – Syri i Polifemit
*Shkrimi ka pasur titullin: “Kthim në vite”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.