back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Requiem për nji Njeri dhe nji Artiste të Madhe… Jozef Radi

Gazeta

Vaçe Zela (1939-2014)
Vaçe Zela (1939-2014)

Requiem për nji Njeri dhe nji Artiste të Madhe…

nga Jozef Radi

“Shpirtrat e mëdhenj
nuk vdesin kurrë në kujtesën e popujve të tyre…”
dh.k.

Askush t’mos thotë se Ajo s’asht ma…!
Ajo kahera asht përgjithmonë… kahera asht me t’përgjithmonshmit… Po… me t’përgjithmonshmit e kësaj toke… Ajo kahera, e ka lanë te shumkush prej nesh at farën që bulon, at sythin që bahet degë, at gonxhen që bahet lule, at blerimin që bahet lendinë, at tingullin që bahet ndjenjë… dhe mjafton pak, veç pak me ndejtë me nuancat e zanit e Saj, me meloditë e kangëve të Saj dhe gjithçka bahet forcë, besim, shpresë, andërr… bahet magji… Pse e tillë ishte Ajo…!
Ajo futesh me nji lehtësi të pabesueshme ndër shpirtnat e njerzve, dhe s’ikte ma prej aty…
Qysh fëmijë, kam pasë fatin  me u rritë me zànin e Saj, me kangët e Saj, bile në qytetin e Saj, në rrugicat e Saj ku ajo kishte kalue… dhe s’ishin të paktë ata që e kishin njoftë, që kallzonin aq bukur për at çupulinë me shpirt flladi, e hypun maje biçiklete me kitarrë mbas shpine, tuj “shetitë” si mësuese muzike rrugve të Myzeqesë… Pse njashtu ishte Ajo… e thjeshtë, e ambël, e qeshun, e papritueshme, njerzore… shpesh i zbriste biçikletës, dhe ndalesh buzë rruge, në ndonji stom kanali, e rrokte kitarrën dhe i jepte hov njatij zanit që vërtet ishte i Saj po që bahesh pronë e gjithkujt… dhe shfaqesh herë si fllad e herë si dritë; herë si zjarr e herë si stuhi, aty midis fushës së madhe, pa pyetë nëse ata që ndaleshin, e ndigjonin dhe këndonin me të, ishin fshatarë, traktorista, qerrexhinj, mjelse apo edhe ata djemtë e pashëm të Kampeve të Myzeqesë, që shpesh me të këndonin së bashku “Esperancën” në emën t’asaj Lirie që u mungonte të gjithëve…
Pse e tillë ishte Ajo… Artiste… po shumë artiste… po edhe njeri, shumë Njeri…

Vaçe Zela - Legjenda e Muzikës Shqiptare dhe e e bija...
Vaçe Zela – Legjenda e Muzikës Shqiptare dhe e e bija…

Mandej Ajo u ngjit… e u ngjit… e u ngjit… dhe shpejt mbrriti në Olimp të Kangës Shqiptare, u ba Maja e pambrritshme, bash në nji kohë të vështirë që përdhoste edhe ma të mirin… po Ajo s’e lejoi vedin me ra… as me u përdhosë… vazhdoi me këndue njashtu si Ajo dinte, njashtu si Ajo andrronte… po gjithnji e ma shpesh edhe ashtu si ia impononin Ata… Njerzit e fortë të Pushtetit… Po edhe aty, Ajo i dha ma shumë pushtet Magjisë së Zanit të Saj, se Pushtetit tv tyne, aq sa njerzit harronin se çfarë thuhesh ndër tekstet e kangëve, po i brohorisnin n’ekstazë zanit të Saj… shpirtit të Saj të lirë… Prandej sa të jetë jeta Ajo ka me u kujtue për zanin e Saj Magjiplotë dhe për at njeriun modest e të ndrojtun që Ajo e ka lanë ndër gjithë ata që e njoftën e që kurrë s’do të rreshtin së nderuemi e së përkuluni lavdisë së saj njerzore…

Vaçe Zela... Album i saj muzikor
Vaçe Zela… Album i saj muzikor

Besoj se Ajo do t’mbesë ndër ne si nji pikë konvergimi, si nji udhkryq ku të gjithë bashkë takohemi, sepse Ajo ishte dhe do të mbesë frymë dashnie, fryma e Zànit të Lirisë që bashkon…
Nji curril i nxehtë loti ma përcjell kët çast dhimbjeje, për Ty o e amshuemja Vaçe Zela!
6 shkurt 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.