back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kronikë e një dite – Covid 19 – nga Ermira Godo

Gazeta

Basilique du Sacré-Cœur de Montmartre
Ermira Godo 

Kronikë e një dite – Covid 19

nga Ermira Godo

Lëvizje e ritëm i përhumbur… Hapësirë e kohë reduktuar në një pikë, zhvendosur diku e mbetur aty! Lineare, rrethore, njëqelizore, uniforme, e paparashikueshme, e shformueshme, brutale, mikroskopike, e nderë… e njëkohësisht, pa trup, pa krahë, pa zë… bën ligj e pushton!
Gjithçka duket se ka ngrirë! Kaq ditë gjumëvrarë: Francë, Shqipëri, Europë… bota mbyllur. Gjithçka ndalur! Para një jave (sa larg duket) ndërtoja ende mbi excel pirgjet me shifra në Miollis…
A thua një lojë?
Mbyllur të katër, të gjashtë… të njëmbëdhjetë, të gjithë gjithandej… Pranvera e mbylljes na paska trokitur në derë këtë vit, në ditën që zbardh, shkëlqen e vagëllon…
A thua një film?
Jo tërësisht! – Skenat e mbylljes, të afërta e të ngjashme kanë qenë mot e jetë… Mbyllje në burg, mbyllje në qeli, mbyllje në kamp, mbyllje në internim, mbyllje kufijsh, mbyllje në mendje, mbyllje në mendim, mbyllje në shpirt… e tani mbyllje në shtëpi… pa përqafime, pa puthje, pa dashuri… a thua njerëzimi do të shpiki tjetër gjë këtej e tutje?!
E vështroj vagëllisht nga kjo dritare, hedh sytë ftohtësisht, klinikisht, në dritën e dielltë që më kot mundohet të më kujtojë stinën, vitin e javën e sivjetme… 
Dhe filloj të rikuptoj se shpeshherë s’është vetëm koha por edhe hapësira që nuk të bëhet lehtas mik… e vazhdoj të shkruaj, sikur të doja të bëja gërmat miq, të më jepnin besë, atë besën e madhe e të munguar, të një miku të rrallë, besën e një populli me halle shumë… besën e truallit tim!
E filloj të rikuptoj se vërtet, mund t’i ikësh së shkuarës, mund t’i largohesh për pak, vetëm për pak kohë, por kurrë… kurrsesi s’mund t’i shpëtosh për gjithnji.
.
Coronavirus Paris-desert (20 mars 2020)
Coronavirus Paris-desert (20 mars 2020)
E filloj të rikuptoj se kur dimrin heq qafe e kur bora ka shkrirë, kur hijet e natës i lënë vendin ditës që zgjaton e kur gjatësia e orëve zë vendin e zhurmës së metrosë, kur buzët t’mbeten tharë për ujë a për një përqafim e kur dhjetra kujtime, fjalë e ngjarje murmurijnë ndër gishtat e tu për t’u shtrirë… ti je më fatlumi mbi kët dhé e asnjë flak a njëqelizor s’mund ta shuajë ritmin tënd.
E filloj të rikuptoj se kur mes mijëra faqesh të shkruara në kët’ botë, të tjera shton edhe ti…, askënd s’dëmton… edhe pse ndokush do të ketë përherë diçka të thotë, a mbase të mendojë, a ndoshta t’i hedhi tej, por gjithsesi… të shkruara mbeten ato… të shpëtuara nga harresa gjithsesi!
E rikuptoj që kam fatin e madh të mos kem ftohtë, të mos kem uri, të kem një strehë, të harrohem mbi libra, e në shkrime, e të mos harroj të parët e mi e shumë të tjerë që sot të lënduar, të plagosur, të thërrmuar, të brejtur, të shkretuar janë deri në mohim…
Mbi tavolinën e punës librat bëhen tog, gati-gati për të rënë, e ekuilibri kërruset prej peshës së tyre. Ajo gjëja e “kotë dhe boshe”, paska zënë qoshen e saj e s’pipëtin.
– Rri urtë i them, se të nxorra jashtë! dhe vazhdoj e shkruaj rreshta pa frymë… shqip? frëngjisht?… i ngatërroj… désolée… si vjen fjala… shkruar shpejt e me vrap si ai guri hedhur mbi liqenin e Ohrit n’qetësi…
.
Ermira Godo ne kopeshtin e saj!
Ermira Godo ne kopështin e saj!
Djali troket në derë e pyet:
-Tu es occupée mam? Préocupé? (Je e zënë mam? E shqetësuar?)
-Comme toujours! (Si gjithmonë!)
-Par qoui? (Me çfarë)?)
-Les lettres, le Covid 19, la guerre… (Shkrime, Covid 19, lufta…)
-Bien rempli ta journée maman, bien rempli! (E përmbushur dita jote mamë, e mbushur plot!
Televizioni vazhdon me lajmet si përditë… Djemtë në botën e tyre… Të katër ruajmë qetësinë… Prindërit kam kaq ditë pa i parë… Mes nesh, larg dhe afër trupëzohet e zë vend, ajo që po ndodh tani!
Manushaqet qerpikëhapur kopshtit tej s’duan fort t’ia dinë ç’ka them unë…
Me thënë të drejtën vetmisë ia kam zilinë. Të shkruash nën thundrën e saj, ku ka “mbyllje” më të mirë. Por më është dashur kaq ditë për të mundur e materializuar këto rreshta, më janë dashur orë të filloj sërish të shikoj një film, ta trajtoj si të zakonshme këtë eksperience të marrë, kaq ditë në rrëmujë për të prekur këtë qetësi.
E kështu vazhdoj të trokas kujtimet e një kohe të shkuar, për t’i shkrirë mbi tastierë, për t’ia nxjerrë kthetrave harrimit, kujtimet ngjizur në të pashlyerën, derisa t’na vijë “princi ynë shpëtimtar” e prej puthjes së tij të zgjohem, të zgjohemi të gjithë…!
.
E premte, 20 mars 2020
.
Paris, Montparnasse Cemetery
Paris, Montparnasse Cemetery

E martë 24 mars 2020

Izolimi vazhdon. Dielli i kësaj pranvere prek vakët shijen e rrallë të një vullneti të dashur. Dita ulet ngadalë prej qiellit qetësisht si ajo vera e mirë që kur humbur je kënaqësisë, ëndesh ta flërtosh buzëve, e pastaj ta shijosh me fund…

Mos vallë kjo është shenjë e një fundi pa fund që kaplon mbylljen e papritur të një nate, të një mëngjesi, të një muaji, të një fillim-shekulli… ? Jo…! Jo! Nuk besoj!
Para pak kohësh kalova një ditë të tërë në burgun e Fresnes (në jug të Paris), për të përkthyer një të burgosur, të dënuar atje. Kontroll trupor në skaner, roje, policë, korridore pa fund, avokatë, hekura, brava, gjuhë e ritje plot… Ehh ku të çon bashkëatdhetari ! – thashë me vete.

Këto ditë në Fresnes është burgosur edhe Covid 19… të dënuarit të revoltuar, një i vdekur në morg, të tjerë të sëmurë, të rebeluar, të izoluar… virusi pa pranga, s’arratiset dot. Po ti Covid…, Covid 19, burgun e Burrelin e ke shkelur ndonjëherë, jo?! Ia ke parë vuajtjet ? Dhimbjet e fjalët ? Amanetet varur mureve…? Ia ke prekur vargjet birrucave? Dorëshkrimet e lëna? Përkthimet mbetur pambaruar…? A mban mend prej mot të motit me dhjetra e mijëra nga ata mbyllur kashove, arratisur intelektualisht, për të mos humbur atë çka kishin më të shtrenjtë në jetën e tyre…? Lirinë e shpirtit e të mendjes… ? Një ëndërr mbetur në mesrrugë që m’troket ende sot… Sa shumë vite nga atëherë, kur duart e lodhura të njërit prej tyre, përkthenin kanalesh Hugonë, gjeniun që i pat ndritur muzgun jetës së tij… e përcillte fshehtas mes rreshtash një ofshamë pafund: “Sakrifiko për “qenërinë” o poet! Sakrifiko për këtë fatkeqe, për këtë të mjerë, për këtë të mposhtur, për këtë vagabonde, për këtë endacake, për këtë zbatharake, për këtë të uritur, të braktisur, të dëshpëruar, sakrifiko për të! Po të jetë nevoja dhe kur të jetë nevoja, sakrifiko edhe qetësinë tënde, edhe pasurinë tënde, edhe gëzimin, atdheun, lirine e jetën tënde! Sakrifikohu për të!” (Hugo – Shekspir fq. 255)

102-2

E kur fizikisht ngujuar je, atëherë mundohu të arratisesh ndryshe! Mendërisht! … në këtë “kohë pa kohë”… kjo dhuratë e ëmbël m’ulet ndër duar, kjo strehë e bekuar, m’është koha e falur, më i bukuri luks, në “një kohë pa kohë”, një premtim mbyllur muresh…, duhet mbaruar Hygoi! me Hygonë në duar, nuk e braktis Hygonë…!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.