Qyteti pa dashuri – nga Halil Matoshi – Rreth librit “Kloroform” të Klara Budës

0
11
Klara Buda - Kloroform - Roman 2007
Klara Buda - Kloroform - Roman 2007
Klara Buda - Kloroform - Roman 2007
Klara Buda – Kloroform – Roman 2009

Qyteti pa dashuri – nga Halil Matoshi

Sistemi femërvrasës (qytetarvrasës) dhe përshkrimi brilant i tij

Rreth librit “Kloroform” të Klara Budës

Nëse doni të kuptoni përse në Kosovë nuk ka asnjë monument femrash luftëtare
dhe nuk është dhënë asnjë medalje për trimëri,
ose nuk është shpallur asnjë heroinë e kombit,
e për ta vërejtur sistemin… e burrave,
që duan gra të virgjra (qoftë edhe duke e qepur himenin)
për ta transplantuar moralin, duhet ta lexoni romanin e Klara Budës.
Dhe nëse doni të kuptoni se si plekset një diktaturë që qytetarin e vë në gjumë fillimisht,
për t’ia rritur dozën e kloroformit që ai të mos zgjohet më kurrë,
lexojeni romanin “Kloroform”! halil matoshi
.
Halil Matoshi
Halil Matoshi
Autorja me qasjen e saj përshkruese të finesave të diktaturës (që nuk ka moshë, as nuk lokalizohet në hapësirë gjeografike) ia zbërthen kodin e fshehtë sistemit falusian dhe femërvrasës, (qytetarvrasës) i cili, e parasheh fundin e botës, pas rënies së vet. Për diktaturën dhe refuzimin estetik të saj (jo revolucionar) ka pak literaturë të mirë, por ka shumë tema të mëdha, rrëfime të përmasave epike e me nge, rrëfime fshatareske (ku jeta rrjedh ngadalë, tepër ngadalë) si në Makondën e Marquezit, ose si tek romani i tij “Mbi dashurinë dhe demonë të tjerë”, por për diktaturën ka pak përshkrime manash, jo nga thelbi i zjarrtë, ka pak përshkrime “imtësish” që përbëjnë pikërisht një botë tjetër, jo rrëfimtare, joarkaike as epike, gjithqysh jo të kallxueme si përrallë, pra një përshkrim urban. Përralla nuk i përket urbisit (në artin amerikan ato cilësohen si legjenda urbane) por votrës, gjakut e trollit. Klara Buda nuk e thotë një përrallë me gjuhë të koduar artistike, ajo e thotë një përshkrim të hollë të sistemit që e vret mendimin dhe mendësinë (madje edhe përmes autocensurës) dhe na e jep një pamje tepër brutale të diktaturës, që bluan së pari intimitetin, modelin kulturor, mënyrën urbane të te jetuarit, mendimin refuzues e pastaj edhe mishin e njeriut. Dhe në këtë rast ngrihet një sistem maskulist, që femrën e vret, për ta ruajtur pamoralin e vet. Buda më parë përafrohet me mënyrën e përshkrimit të pamjes së diktaturës me Herta Mulerin dhe me stilin e durueshëm por të mprehtë të J. Coetzes.
Lajtmotivi i Budës, në romanin “Kloroform” është një grup studentësh, që për t’i ikur bluarjes së çdo gjëje kanë gjetur azil në një shoqëri të fshehtë, ju do kujtoni se kjo shoqëri ishte e rrezikshme dhe komplotiste në të parë, por jo, thjesht kjo “shoqëri sekrete” ishte mosha, brezi i një qyteti që bënte një jetë të dyfishtë, jetën e fshatarësisë së komunistizuar dhe atë të urbisit liberal, individualist, shpërfillës ndaj diktaturës, por jo deri në përmasat e një proteste të hapur. Kjo shoqëri që dëgjonte rock and roll dhe debatonte për temat që i përkasin mendësisë së normalitetit e jo kazermës, e cila sa më shumë që barrikadohej aq më shumë prodhonte shpërfillje, sepse “shoqëritë sekrete” dëgjonin rock and roll mu në zemër të sistemimit – në kazermë, kur mbylleshin dritaret me batanije për të mbajtur një ndejë “sekrete” dhe aq të rrezikshme kundër sistemit, sepse kështu po “zbutej” dhuna brutale e zërit zyrtar, që emetohej përmes alarmeve me altoparlantë. “Shiriti i kasetës me këngë të Bruce Springsteen-it filloi të rrotullohej në kasetofon dhe zëri i tij karakteristik bëhej edhe më i çjerrë në një My Hometown.” (fq.107)
Autorja e pasuron narracionin përmes komenteve që janë refleksione së pari nga ditari i Adrianit (që bën të mundur të jepen me realizëm, jashtë fiksionit, se çfarë mendonin të rinjtë në atë kohë) dhe së dyti, jepen pjesët e mendimit të personazheve që ngelen të pashprehura. Njerëzit kanë frikë dhe vetëcensurohen, kështu që fillojnë të flasin për diçka dhe duke folur kuptojnë se po shkojnë pak larg dhe e ndalin fjalën, nuk e vazhdojnë frazën, fraza ngelet në erë; ky të shprehur “më tej” autorja e jep topografikisht në tekst me shkronja italike, si ajo e famshmja “stream of consciousness” ose rryma e ndërgjegjes. Dhe këta njerëz, të rinj, që i lënë frazat përgjysmë duken sikur janë në një tymnajë, ose si të dehur (nga ku del edhe titulli “Kloroform”), pasi kloroformi në doza të vogla i trullos njerëzit, ndërsa nëse doza rritet, personi bie në gjumë dhe kur doza rritet edhe më, njeriu nuk zgjohet më kurrë. Kështu edhe diktatura i trullos njerëzit dhe pastaj i vë në gjumë (edhe Alma kalon në një dhomë me kloroform ku pasi e vënë në gjumë, i heqin foshnjën pa dëshirën e saj…, pastaj përshkruhet skena në mes ëndrrës dhe realitetit (nën anestezi, në fakt anestezi me kloroform në avuj) apo në një lloj si deliriumi, ku ajo fshikullon moralin e shtirur që dominonte kohën (kur të dashuruarit i këshillonin të praktikonin sodominë për të ruajtur virgjërinë, dhe për skandalin askush nuk ka guxuar të fliste as artistikisht), dhe në këtë rast mesazhi është maskuar bukur fort. Por në fakt, komentet vijnë si një lloj makthi i Almës, që njëherësh janë situata të demaskimit të moralit fals.

.

Censurë komuniste...
Censurë komuniste…

Edhe skena me dy vajzat AB është “konstruktuar” artistikisht për të fshikulluar “shoqërinë e pervertimit të vlerave”. Kështu, përpjekja e regjimit për të krijuar njeriun e ri dha një qenie të pervertuar, sikurse gardian i morgut, (Marenglen Qani Qeni) i cili realizon edhe kontrapunktin; Pasi ishte një shoqëri që shthuret (shqepet), ndërsa Qanua përmes rikonstituimit të himenit kërkon të bëjë të kundërtën, shkon në kahun e kundërt (qepjen). Por akti më makabër kundër individit (dhe në rastin e romanit të Budës) dhe kundër veriut është edhe vdekja e Luiza Kodrës, malësores shtatzënë, e cila kalon direkt (pa ndërhyrje kirurgjikale, për ta shpëtuar nga barra e vështirë) nga dhoma e saj në sallën e morgut, pasi i inokulojnë një solucion vdekjeprurës). Pasi “njeriu i ri” (në këtë rast vrasës) Marenglen Qani Qeni, ka marrë përsipër të kryejë abortin e Almës, kundër dëshirës së saj, por siç e do familja e Almës, pjesë e nomenklaturës komuniste. Meqë aborti vetëm në Shqipëri (dhe në Rumani) nga vendet e lindjes ishte i ndaluar me ligj, ai helmon Luiza Kodrën, për të përdorur identitetin e saj në dokumentet zyrtare, pasi nuk mund të vërë emrin e Almës, sepse nuk ka certifikatë aborti për të… Kjo është një ngjarje sa e pabesueshme, aq edhe tragjike. Qaniu ia imponon Almës identitetin e malësores Luiza Kodra që do të vdesë (vritet) për të shërbyer si identitet i rremë për Almën… Krimi i parë ishte loja, mbikëqyrja e saj, kur parulla “gju me gju me popullin” e kishte kodin e fshehtë që do të thoshte mos e lini popullin vetëm, shoqërojeni deri në varr, përgjojeni, bëjeni pronë të partisë. Dikur ndalohet qeshja, sepse po u zure duke u ngërdheshur qoftë edhe krejt pa sherr, vetëm se të hapet goja ashtu instinktivisht, dënohesh me heqje lirie qytetare. Pastaj gjuha, këputja e krahëve të shqipes, (edhe gegnishtja shndërrohet në rezistencë vetvetiu. Autorja përmes veriorit Fran thotë se “veriu i përjashtuar trup e shpirt!”, e bën vendin më të vogël (edhe fizikisht) pra edhe më lehtë të kontrollueshëm. Dhe një veriore vritet vetëm se një familjeje nga nomenklatura i duhet një dokument fals për abortin e vajzës së tyre. Pastaj arti, “asgjësimi i pushtetit të artit” duke ua kthyer artin masave e duke ua marrë atë artistëve të vërtetë, përmes doktrinës zyrtare të realsocializmit, vetë sistemi prandaj kujdesej që të fabrikojë duartrokitje, që krijojnë parakushte për masivizimin dhe ‘fshatarëzimin’ e tij si vrasje shpirtërore dhe në fund synohej bluarja e mishit të njeriut femër. Heqja me dekret e barrës (frytit) dhe pastaj qepja e himenit për qëllime të moralit amoral të diktaturës, që të prodhonte sa më shumë virgjëri artifice dhe sa më shumë viktima të dhunës. Personazhi i Budës, Alma Fishta (zgjedhja e mbiemrit nuk është rastësi, por vjen si opozicion personifikues ndaj diktaturës) tek pas viktimizimit (vrasjes së dyfishtë, shpirtërore dhe të frytit) e ndien (ose e mëson) leksionin nga gra mospërfillëse ndaj sistemit, vetëm pse ishin të etnisë së nëpërkëmbur, asaj rome, por edhe në aspektin social, qytetarë të rendit të dytë në komb dhe shtet, pastruese rrugësh, sipas të cilit leksion “mëmësia është realiteti i vetëm që i shpëton diktaturës.” Në fillesat e krijimit të njeriut të ri, sistemi kishte instaluar transplantimin e himenit, për ta ruajtur nderin si pompë të propagandës zyrtare, që do të thotë sistemi po e bënte transplantimin e nderit. “E imagjinon kryeartikullin e “Zërit të Popullit”? Vendi i parë në Evropë që transplanton nderin. Një nder i ri fringo!” (fq. 94) Dhe kjo “shoqëri sekrete” më në fund do të bluhej, si çdo gjë e gjallë në diktaturë, jo se ka bërë ndonjë krim, por pikërisht se i ka qëndruar anash krimit. Ndoshta faji i vetëm i të cilës është se ka aspiruar pak më tepër liri dhe intimitet. Ngase sistemi ishte shndërruar në panoptikon ku “vëllai i madh” ju sheh. Pra, sistemi, intimitetin njerëzor e ka shndërruar në lajm kombëtar, në radion shtetërore… Alma Fishta është qytetarja që pa kurrfarë mandati të shkruar vendoset në gjendje arresti (në spitalin gjinekologji-obstetrik, ku ishin edhe fillesat e shpërfilljes së regjimit), ku papandehur në orën tre e gjysmë para mëngjesit, në kohën e gjumit paradoksal, mund të hyjë policia sekrete: “Qytetare mos bëni asnjë lëvizje! Në emër të Popullit, jeni e arrestuar” (fq. 173) dhe merreni me mend, arresti vjen pikërisht në emër të popullit, kur ai fle gjumin pardoksal! Për fund po e citoj një koment, brilant, i kodifikuar dhe tepër i veçantë, për diktaturën shqiptare të Alma Fishtës: “Një shoqëri që qeveriset nga një teori e veçantë relativiteti, si një tren me shpejtësi të rrëgjuar, më të vogël se zeroja. Një tren me shpejtësi negative, një relativitet i llojit shqiptar!” (fq. 173) si një koment për sot dhe këtu, derisa po shkruaj këto radhë. Shikoj për dritare në sheshin e një qyteti kazermë, në sheshin e një palo-kryeqyteti të sëmurë, ku gjatë natës, nga shpura të spiunazhit partiak rrugët shënohen me emrat e qytetarëve shembullor, të cilët sistemi aktual i ka damkosur si “armiq të shtetit”, (sepse diktatura nuk mund të mbijetojë pa armiq) e të cilëve u dërgon mesazh se mund të vriten si arkitekti, emrin e të cilit e mban ajo rrugë. Ecje pa cak, agresion e propagandë përjashtuese ndaj tjetrit/tjetrës, ku gjuha e shqipes është shkurtuar, ku qeshja është ndaluar, sepse konceptohet si shpërfillje madje dhe tallje ndaj një pushteti fshataresk e autokratik, ku edhe arti dhe kultura janë fshatarizuar. Fshatarizmi në këtë nuk ka konotacion gjeografik por mental. Ky vend është sindromë e trenit me shpejtësi negative, që ec prapthi si në romanin e Klara Budës.

Koha Ditore – Në Prishtinë, më 14 maj, 2010
http://www.courrierinternational.com/article/2010/06/10/sous-anesthesie

 

Related Images:

Artikulli paraprakPse e botova letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës! nga Ilir Demalia
Artikulli tjetërBeqir Ajazi – “Kalorësi” i Urdhrit të Meritës… nga Tanush Kaso
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.