back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Qyteti i Kërcënuar – nga Bedri Alimehmeti

Gazeta

Bedri Alimehmeti
Bedri Alimehmeti

Qyteti i Kërcënuar

nga Bedri Alimehmeti*

Vjeshta e dytë e vitit 1759, sapo kishte nisur të numuronte ditët e para. Qyteti si pakuptuar po tkurrej e mpakej nga qëniet njerëzore. Nëpër rrugët e tij prej kalldrëmi rrallë e tek shkelte këmbë njeriu. Prej ditësh nuk çilej asnjë qepen dyqani.
Dy apo tri orë në mesditë hapeshin vetëm furrat e bukës. Njerëzit të trembur vraponin të mbylleshin sa më shpejt brenda mureve të shtëpisë. Askush nuk hynte e dilte jo te komshinjtë por, as te të afërmit. Vëllai vëllait nuk ia pinte më një kafe. Dasmat ishin ndërprerë. Nuk dëgjohej kërkund një këngë. Edhe qentë lehnin fare pak. Cicërimë zogu nuk të kapte veshi. Mugëtirën e atij qielli të plumbtë si një tavan i rënduar, që mezi mbahej varur në majën e malit të Dajtit dhe thua se nga çasti në çast do të binte i tëri mbi qytet, e çanin në intervalet e pesë vakteve të namazit thirrjet e muezinëve nga minaret e xhamive. Në ato ditë të zymta, lutjet drejtuar Zotit për qetësim të shpirtrave, për shpëtim dhe për shërim sa më të shpejtë sikur zgjateshin diçka më shumë.
Prej ditësh, Tironën e kishte kishte pllakosur kolera. Në ato vite zarzavatet e bahçeve të qytetit shkonin deri në tregjet e Venedikut. Sëmundjen vdekjeprurëse thuhej e kishte sjellë një tregtar i huaj. Njerëzit vdisnin me shumicë njëri pas tjetrit. Rrugës duke ecur, ata këputeshin si kokrrat e fikut, zinin shtratin dhe nuk ngriheshin më.
Ato ditë, sapo ndriçonin rrezet e para të ditës, një karrocë në formë govate mbushur me gëlqere kalonte rrugëve të qytetit dhe mblidhte kufomat e të vdekurve, që familjarët i kishin nxjerrë tek pragjet e portave mbështjellë me çarçafë të lyrosur. Ishte koha kur nëna druhej t’i afrohej të birit dhe motra të vëllait. Qyteti ndihej i kërcënuar. Gjithnjë e më shumë atë po e kanoste zhdukja. Në breg të Riglatës (lumi i Tironës), në një gropë të madhe hidheshin trupat e pajetë. Nga dita në ditë, popullsia e qytetit paksohej, disa familje ishin shuar, të tjera ishin përgjysmuar. Kësisoj, përmes vuajtjesh e mundimesh, Tirona gjithnjë e më shumë po shkonte drejt shfarosjes. Hatixheja, e reja e Skënderëve, ardhur nuse për djalin e tyre Aliun vetëm dhjetë vite më parë nga fisi e Mullisve, nuk mbyllte sy gjithë natën nga meraku. Si një zog harabeli i dridhej zemra sa herë i kapte veshi ndonjë klithmë vajtuese nëne, që lajmëronte shuarjen e një jete. Drithërohej e pezmatuar në kulm mëngjezeve, kur dëgjonte rrapëllimën e rrotave të karrocës-govatë që niste në krye të rrugicës, dhe i mekej fryma kur ajo shuhej vetëm për pak çaste, aq sa duhej që të pajetin ta dergjnin mbi të.
“Nji, – thoshte me vete, ndërsa rrapëllima niste sërish, për t’u ndalur në një tjetër portë. “Dy….tre… O Zot! O e Madhnueshmja Pereni! Katër… pesë vetë qekan fik mromë nga rrugica jonë”, psherëtinte me keqardhje, ndërkohë që rrapëllima humbiste tutje. “O Zot i madh e i Mëshirshëm kujdesu për kto rob të mirë. Lejoje ta shijojnë kët jetë që ua ke falë vetë Ti o e Madhnueshmja Pereni!” La ilahe il- lellah Muhameden Resulullah”, lutej e përgjerohej e merakosur për fatkeqsinë, që aq pamëshirshëm po rëndonte nga dita në ditë mbi Tironë. Kishin kaluar shumë ditë dhe tashmë thuhej se, në breg të Riglatës ishin mbyllur njëzet e pesë gropa të mëdha dhe qe gati në të mbushur e njëzet e gjashta, kur ndërkohë kishte nisur puna për hapjen e një tjetre. Këto lajme ia plagosnin edhe më shumë zemrën Hatixhesë.
Duke ndenjur ashtu menduar, pasi i kishte kryer të gjitha punët që kërkonte shtëpija dhe kishte rehatuar kalamajt te oda e zjarrit ku gatuante e vjehrra, vriste mendjen për gjetjen e një rruge, që do të mund ta shpëtonte qytetin nga kjo zi e pambarimtë. Kështu nuk mund të vazhdohej më. Tirona e saj e dashur kurrsesi nuk duhej të zhdukej. “Kjo punë nuk mund të zgjidhet vetëm me lutje”, – thoshte me vete ajo duke ndenjur mbështetur në dritare dhe me vështrimin ngulitur tutje nëpër kulmet e avlliat e shtëpive, që pambarimisht pas ”Kodrës së Kuqe” shkonin e humbisnin thuajse nën këmbët e kodrave të Linzës. ”Zoti i modh e i gjithpushtetshëm që është vetëm nji, i shef t’gjitha punët e i nigjon t’gjitha lutjet tona, na i qan hallet e na mbush me sabër. Me shpirt e me zemër don me na nimu, por jo pa punën tonë”. Paskësaj mbeti zhytur në mendime të thella, nga të cilat ndoshta nuk do të qe shkëputur po të mos ia kishte ngrirë zemrën e drithëruar shpirtin klithma e një gruaje: “qyqa, qyqaa m’iku çuni!
Më iku i bukri nonës! Bir o biri nonës senen qetër do t’martojte nona jote. Uuuuu qyqa, qyqa çëm gjeti mu t’shkretën! Pse m’ike bir, pse m’le o shpirti nonësl. O bir i nonës bir, vetëm ty t’kishte nona drit’ synit.” Zëri vajtues i asaj nëne fatkeqe, që aq papritmas çau qetësinë e trishtë të asaj paraditje, Vinte kumbues e keqardhës në kulm diku përtej Rrugës “Met Fira”, atje ku ndodheshin shtëpitë e Huqve, Metanëve e Alimehmetëve. Madje, nga ajo dritare, qe vështirë të dalloje se në cilën vatër kishte ndodhur fatkeqësia. Të shoqit të saj, Aliut, që ishte duke punuar me bel një rrip toke poshtë në kopësht, i mbeti plisi pa kthyer nga vikama e atij zëri rrënqethës. I tronditur la punën dhe ndezi një duhan. Ndërkohë Hatixheja me cepin e marhamanit fshiu dy pika loti, që i rrodhën vetvetishëm nga ata sy të kaftë e vezullues, teksa ndjeu që diçka e rëndë si një lëmsh i ngurtë iu mbështoll në kraharor. Gjithsesi e mblodhi veten dhe pasi ra në shehadet, nisi të lutet për shpirtin e atij djali, që sapo ishte ndarë nga jeta. Por nuk kishte zbritur as tri hatme, kur një klithmë tjetër vajtuese, piskamë e vërtetë dhimbjeje çau sërish qiellin. Këtë herë zëri i gjëmës vinte nga Rruga “Fortuzi”, aty ku banonin Demnerët, Nallbanët e Karajt.
Teqeja e Dervish Hatixhesë në Tiranë
Teqeja e Dervish Hatixhesë në Tiranë

Në çast i gjithë shtati i mornicuar iu drodh si purtekë, për pak desh ra nga minderi, por e mbodhi veten. Ndërkohë lëmshi i ngurtë që pak më parë i qe mbështjellë në kraharor zbriti ca më poshtë, ku përnjëherësh iu tjetërsua në një masë të avullt, që ia mbështolli zemrën dhe për një çast iu duk sikur do ia tkurrte deri sa t’ia treste fare. Kuja vajtuese e një vajze të re: “Ku po m’le mi ije! Oooooo e mjera, e mjera un ku po m’le vetëm fillkat!”, që vinte përtej nga “Kodra e Kuqe”, bëri që masa e avullt t’i depërtojë thellë në shpirt, duke ia shndërruar dhimbjen e gjithçka ndjente në brendësi të qënies në një kumt të papërmbajtshëm.

Pas kësaj rrufeshëm iu shfaqën porositë e përkushtimit hyjnor të Sheh Islam Harasanit, që kishte qenë Myrshidi, udhërrëfyesi i saj hyjnor, dhe gjithçka rreth e përqark iu amëlsua. Nuk shihte më asgjë, sillej nëpër odë me Kur’anin ndër duar shtrënguar fort në kraharor duke pëshpëritur lutje pambarim në adresë të të madhit Zot. Ndërkohë si tërsëllimat e shkëndijave të një zjarri flakërues me dru shqope, i kaluan nëpër mend mësimet që kishte marrë në osmanisht në mejtepin e vajzave pranë Xhamisë së “Sulejman Pashës” nga një burrë i mençur, Haxhi Ymer Kashari, që në gjithë Tironën mbahej nga më të ditshmit, si edhe nga ç’kishte mësuar nga më të moshuarat për luftimin e sëmundjeve vdekjeprurëse, që kosisnin njerëzit pa mëshirë e bëri të marrë një vendim të guximshëm. Si shkrepëtima e një vetëtime kumti i zgjoi ndjesinë e hershme, që i qe shfaqur në rini, ndërsa ngrohtësia e shpirtit të saj, këtë dhuratë të rrallë hyjnore e bëri të përshpejtojë në përkushtimin qytetar, ndaj popullit të qytetit, të cilit ia njihte një për një jo vetëm banorët por, edhe gurët e kalldrëmeve të rrugicave.
Në doresh ja Resul Allah!” – tha me zë të lartë dhe gati me vrap zbriti shkallët.
Në kopësht, i shoqi kishte nisur sërish punën, por sapo vuri re që Hatixheja po shkonte drejt tij ndali, dhe priti seç do t’i thoshte.
Nigjo ktu, – iu drejtua ajo e vendosur në kulm, kisha i llafe me ty, mo përpara se me i thonë tim vjehrri du t’kem izmin tat.
Fol mi gru, si e ke hallin? – e pyeti Aliu, gjithë merak.
Ai i nigjove vajet e atyne nonave fatzeza? – Ai nuk i dha përgjigje, por tundi kokën i trishtuar – Mune nji ktu m’u mshtjell fryma, u pikllova aqi fort sa nuk di si me t’thonë. Robt e smunë dun dermon. Po nejtëm myllë e kapatis kshtu si imi tu bo t’gjithë secili për hesap t’vet, mortaja ka për t’na mshi prej faqes dheut. Ka për t’njel Tirona pa komë robi. Maje men, nigjo Hatixhen nuk ka për t’njat shumë, ka për t’mrri dita ene kimi për t’u shujt t’gjithë si flaka kanilit kur i marohet voji. Pa hyzmet e pa barna nuk largohet ky sëmullik i keq, kjo flomë e papame që na i ka fut thonjt në fyt.
-Po ho mi gru fol. Çere duhet me bo?
-Un e kom da menjen. Por, sefte du izmin tat e masanej të tim vjehrri. Qysh sot du me dalë e do t’shkoj shpi m’shpi, aty ku ka hy mortaja. Me fjalën e të Madhnueshmes Pereni t’gjitha çere di do t’i përdor te t’sëmumit derisa t’iu gjej dermonin.
Ishte vakt Yleje, i vjehrri sapo kishte dalë në hajat për të marrë avdes por, kur dëgjoj të birin që bisedonte me të shoqen mbajti vesh. Fillimisht kujtoj se, mos vallë janë duke u grindur për hak të kalamajve, por, kur mësoj se për çka bëhej fjalë për një çast u shtang. Fjalët dhe sidomos vendosmëria e së resë e tronditën dhe e bindën njëherësh.
Fjalën teme e ke. – i tha Aliu – unë nuk të naloj asi çikë.
Ene izmin tem e ke me pash, – u dëgjua zëri i të vjehrrit – ty lum baba e nona që të kon rrit e kjo derë që t’ka nuse mi bijë!. Paç faqen e bardhë e të nihmoftë i Modhi Zot, o nusja tatës! Ky osht bekimi im. Qysh sot mund t’a nisish punën.
Faleminerit shumë, O i pari shpisë. – iu përgjigj ajo dhe shpejtoi e i puthi dorën.
Kureshtarë për bisedën që tashmë po zhvillohej në hajat, e vjehrra bashkë me tre fëmijët kishin dalë te dera odës së zjarrit.
T’dhasht Zoti fuqi e shnet, e t’prift e mara o nus ja nonës, – e ngriti zërin e Vjehrra, që pasi kishte mësuar gjithçka qe afruar dhe duke ia marrë fytyrën mes pëllëmbve së resë shtoi, – ta boft Zoti rrugën dritë. Për kalamojt, ene për punët e shpisë mos u bo merak, i kryj nona t’gjitha.
Pasi mori bekimin e prindërve të të shoqit, pa e zgjatur Hatixheja hoqi me të shpejtë përparjen lidhi marhamin për fyti, i tha të Vjehrrës t’i fuste në një zymbyle një shishe vaj ulliri e një shishe uthull rrushi e u ngjit në kullë. Kur zbriti që andej ferexhen e kishte hedhur supeve të brishtë, kurse në dorë kishte një bokësh të madhe mbështjellë me një pashtamall jeshil. Portën ia hapi i shoqi, por deri tek pragu nuk iu ndanë edhe kalamajt. Ju do ija fort, rrini urtë e mos i boni patere nonës ene tatës – u tha duke ua puthur faqet – ene mos u boni merak do vij Ija prap, pa u err kom për t’qen n’shpi.
Dhe pas kësaj, kudo në çdo derë që shkeli këmba e Hatixhe Skënderit, aty ku sëmundja e kolerës po bënte kërdinë, jeta triumfoi mbi vdekjen. Shumë shpejt vetmohimi i saj u bë i njohur në të katër anët e qytetit. Edhe në ato porta ku ende nuk kishte arritur të trokiste, të afërmit i mbanin të sëmurët me shpresën se Hatixheja e Skënderëve ishte nis me ardhë.
Mahu ene sone, – i thoshte nëna djalit, motra-motrës dhe plaku djalit – nesër me mjes ka për t’ardh Hatixheja ene ka me t’bo dermon. Në çdo portë ku trokiste, pasi dëgjonte shprehjen: Kush osht?” thoshte: Jom Hatixheja Skënerve, a kini t’sëmunë? Kom ardh me ju bo dermon. Dhe pasi dera hapej, kërkonte ta drejtonin te shtra ti i atij që lëngonte. Menjëherë hapte dyert e dritaret dhe rrufeshëm niste nga puna. Ndërsa shikonin gjithçka bënte me shpejtësi e përpikmëri pa as më të voglën droje, pjestarët e tjerë të familjes habiteshin nga përkushtimi i saj psiqik e fizik. Ndërsa merrej me të sëmurin, duke e pastruar, fërkuar e rehatuar, përsëriste pambarimisht syre nga Kur’ani. Puna dhe fjala e saj e ëmbël krijuan unitetin e munguar te të prekurit nga kolera dhe të afërmit e tyre. Ndërkohë, pasi mbaronte punë me të sëmurin, u linte porositë e u jepte këshillat e duhura, që duhet t’i zbatonin me përpikmëri pa më të voglën droje për t’iu afruar shtratit të lëngatës, ajo fluturonte në një shtëpi tjetër. Shumë shpejt e gjithë Tirona mësoi për mrekullitë e saj dhe i madh e i vogël nuk e hiqte nga goja emrin e Hatixhe Skënderit.
Në këtë mënyrë falë përkushtimit e sakrificës së saj sublime, kërcënimi me shfarosje i popullatës u ndal. Qyteti i Tironës mbijetoi. Rrugët e tij rifituan gjallërinë e zakonshme. Qepenat e dyqaneve u çelën. Rrapëllima rrënqethëse e rrotave të karrocës-govatë nëpër gurët e kalldrëmeve të rrugicave, që për ditë me radhë u kishte mornicuar shtatin e shpirtin banorëve, nuk u dëgjua më. Hatixhen, bijën e Mullisve, nusen e re të Skënderëve i madh e i vogël e uronin me gjithë zemër për atë humanizëm të jashtzakonshëm që kishte bërë, duke u sjellë sërish në jetë edhe pse kishin qenë buzë varrit, njerëzit e tyre më të dashur. Me punën e përkushtimin e saj ditë natë pa pushuar, në luftë të pandërprerë me vdekjen u kishte shpëtuar të afërmit nënat, motrat vëllezërit e baballarët, kishte bërë mrekullinë pa marrë parasysh rrezikun e jetës së saj, ndaj nuk kishte njeri në Tironë që te ajo, të shihte jo vetëm shpëtimtaren, por edhe bamirësen zemërgjerë. Dhe gojë më gojë, mrekullia e saj bëri emër në gjithë trevën përreth dhe më tej. Njerëz të ndryshëm të njohur e të panjohur gjithnjë e më shumë nisën të trokisnin në derën e Skënderëve, jo vetëm për të gjetur derman nga mendja e duart e Hatixhes, por edhe për t’iu përulur e falenderuar për gjithçka kishte bërë për ta, sepse te ajo ato shihnin tashmë bamirësin e tyre, shpëtimtarin e qytetit. Ndaj nuk nguruan t’i jepnin titullin e lartë Dervish.
Ajo ishte substancë e grave më të pastra”, kështu do të shprehej mësuesi i parë i saj Haxhi Ymer Kashari, ditën që i gjithë populli i Tironës, i dha lamtumirën e fundit bamirëses së paharruar Dervish Hatixhe Skënderi. Dhe pas kësaj do ta vajtonte me një elegji shkruar enkas për të, nga e cila deri në ditët tona kanë mbërritur vetëm këto katër vargje:
 
Takimit me Mikun masi iu përgjëru
me shpirt e zemër,
shkak iu bo mortaja
të lojë jetën e perenueshme……
 
Dhe vetëm pak ditë, pasi Dervish Hatixhe Skënderi ishte ndarë nga kjo botë, vetvetishëm si pa u kuptuar shtëpia e saj u bë vend pelegrinazhi e besimi, që vijon të mbetet i tilli edhe sot e kësaj dite.
 
*Marrë nga https://tirona.info/qyteti-kercenuar-tregimet-e-tirones-bedri-alimehmeti/ (Libri “Tregimet e Tironës”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.